Latest

Ai

Blog / March 21, 2014

Me siguri të gjithë kemi njohur ndokënd në fëmijninë tonë që ka qënë ndryshe. Unë kam njohur Doshin, në fakt ai quhej Lavdosh, por të gjithë i thërrisnin shkurt. Mëndja e tij mbetej pas sa më shumë ai rritej. E kujtoj pothuajse gjithmonë duke qarë, i ulur në mes të rrugës ose anës saj e duke thënë “Doshi është i mirë”. E përsëriste aq shpesh dhe me zë aq të lartë sa nuk kishte mundësi ta injoroje. Sa herë që ai qante kështu e dija se dikush do ta kishte qëlluar. Në fakt përballë shumë fëmijëve të tjerë dhe sidomos ca djemve të rritur që mundoheshin t’ia nxinin jetën sa më shumë kur e gjenin vetëm, mua më vinte keq për të.

Kur na këshillonin ne të tjerëve që të visheshim mirë, të ngrinim tutat apo të ulnim fundet, ne mbroheshim me Doshin dhe me pamjen e tij gjysmë të zbuluar. Nga kjo pikëpamje Doshi ka qënë i lirë gjithmonë!

Ai jetonte pothuaj përballë shtëpisë time dhe pothuajse gjithmonë në kohën e ftonjve apo të frutave të tjerë e gjenim nëpër kopsht. Shumicën e rasteve më pëlqente që e gjeja aty dhe që ishte duke marrë fruta. Më jepte kënaqësi që hynte pa leje e sillej nëper oborr sikur të ishte në shtëpinë e tij. Sa herë e gjeja kur zgjatej nëpër pemë me trupin e tij të shëndoshë dhe me pantallonat që i vareshin poshtë. Doshi ishte fëmija i vetëm të cilit i lejohej mos të kishte turp. Ai gjithmonë tregonte para të tjerëve fundshpinën e tij apo fillim barkun. Kur na këshillonin ne të tjerëve që të visheshim mirë, të ngrinim tutat apo të ulnim fundet, ne mbroheshim me Doshin dhe me pamjen e tij gjysmë të zbuluar. Nga kjo pikëpamje Doshi ka qënë i lirë gjithmonë! Unë nuk kisha frikë nga Doshi edhe pse ai ishte trupmadh, nuk kisha pasur kurrë frikë as kur kishim qënë më të vegjël, e ndërkohë që ne rriteshim Doshi mendërisht mbeste në vend njësoj. Ajo që më lëndon nga ajo periudhë është sesa turp ishte tu thoshe fëmijve të tjerë që e kishe xhan Doshin, prandaj të mos e qëllonin. Ai njeri që kur na afrohej nëpër lojra rrinte e na shikonte me sytë e tij që një kushedi pse ishin ndryshe nga ne të tjerët. E kujtoj Doshin dhe përpjekjen e mamit të tij për ta sjellë në klasë të parë. Zgjati vetëm një javë ose ndoshta kështu e kam ruajtur unë në kujtime ardhjen e tij në shkollë. Doshi gjatë mësimit fliste kur i donte qejfi e ndërkohë që ne ushtroheshim me krrabat dhe elementet e tjerë të shkronjave, ai shkarraviste. Nëna e tij, burri i të cilës kishte vdekur, nuk qeshte kurrë. Ajo kishte dhe dy fëmijë të tjerë të rritur dhe të mrekullueshëm, por kishte edhe Doshin me mëndjen e ti modeste. Nuk e di nëse ajo grua qante ndonjëherë, por di që nuk ndalonte kurrë së mallkuari fëmijët e tjerë që i rrihnin të birin dhe e fyenin gjithmonë. Ajo punonte në maternitet si sanitare dhe ishte ndoshta njeriu i parë që kam njohur në jetë aq e fiksuar pas pastërtisë. Të gjithë thoshin se ajo lante shumë çarçafë të pistë në maternitet ndaj ishte aq maniake për të zbardhur çdo gjë. Pavarsisht sesa ajo rropatej gjatë ditës për t’ia dale jetës, ajo çdo mbrëmje do lante djalin e saj para se ta shtrinte për të fjetur. I mbaj mend të rriturit që thoshin se ajo grua ishte fatkeqe dhe atëherë mendoja që fatkeqe do të thotë të vishesh gjithmonë me të zeza. Edhe pse kanë kaluar dhjetëra vjet që nga fëmijnia, vë re se diçka nuk ka ndryshuar kurrë, ne shqiptarët nuk ta “falim” nëse je ndryshe, nëse nuk ke këmbë, nëse nuk ke krahë, nëse ke syze miopi, nëse je autik, apo nëse je down. Aq e theksuar është kjo sa nëse dikujt i ndodh një fatkeqësi, fjalitë që e shoqërojnë janë: “Ah sa keq, por diku ka shkelur në kallo, apo Ah sa gjynah, por do ketë bërë diçka ai, ajo që Zoti e dënoi kështu.” Sot ajo që më vjen në mendje eshtë dita kur një grup djemsh e rrrëzuan Doshin në një kanal të thellë. Aq i thellë më dukej ai kanal sa mendoja që Doshi vdiq kur u shtri ashtu në tokë në mes të baltës që ju ngjit kudo. Por Doshi nuk vdiq, Ai qau, qau si përherë me zërin e tij të trashë duke përsëritur që ai “ishte i mirë”. Ishte i mirë në fakt, por shumë nga ne nuk e kuptonin sa i mirë ishte, fatkeqësia është se disa që nuk e kuptonin në atë kohë vazhdojnë mos ta kuptojnë akoma!!!


Tags: , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Babai

Next Post

Burrat E “Asgjësë”





You might also like

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

Babai

Kur isha fëmijë dhe luaja me shokët, ndonjëri ose ndonjëra që zemërohej kërcënonte se do i thoshte babait të tij të na rrihte....

March 19, 2014