Latest

Babai

Blog / March 19, 2014

Kur isha fëmijë dhe luaja me shokët, ndonjëri ose ndonjëra që zemërohej kërcënonte se do i thoshte babait të tij të na rrihte. Atëherë devijonte biseda se cili prej baballarëve ishte më i forti në botë. Mburreshin shumica. Unë nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë në familje që babai im i rreh të gjithë më të fortët e botës, kështu që vetëm dëgjoja për atë që baballarët e tjerë do na bënin ne fëmijve. Unë doja vetëm të luaja e jo të masja trimërinë e babait tim. Në fakt as e shihja aq shumë gjatë ditës sa të mund ti ankohesha, plus as kur vinte nuk kisha kohë për ankime se duhet ti raportoja për matematikën. Një lëndë që po të ishte për mua nuk do ta kisha mësuar kurrë, ashtu sikurse sot më duket sikur e kam harruar, por ja që ishte ai. Shumicën e fëmijërisë time babai ishte prezent vetëm të dielave, ndërsa pjesën tjetër ishte në shkollë. Jepte rreth 40 orë ose më shumë matematikë në javë, në shkollë të mesme dhe në shkollë nate. Ishte i rraskapitur kur vinte në shtëpi, shumicën pas orës 9 të mbrëmjes. Nuk mbaj mënd shumë gjera nga ajo kohë, por kurrë nuk harroj atë që quhej niveli mesatar i klasës. Kontrollet e shpeshta dhe të rrepta dhe nxënësit e shkollës së natës që ishin halli më i madh. Shumica e tyre ishin punëtorë që kishin punuar gjithë ditën dhe kur vinin në mbrëmje në shkollë do ua kishte ënda të rrinin nga bankat e fundit që të merrnin edhe një sy gjumë. Ai vinte në shtëpi gjithmonë me një histori për tu treguar. Njëri prej nxënësve p.sh kishte shkruar në fund të provimit. “Presor unë zgjidha ushtrimin e grupit A se atë e dija, ndërsa të grupit tim jo”. Kishte të tjerë që kur ngriheshin në dërrasën e zezë në vend të shkruanin; “X + Y =”, shkruanin “iks + ypsylon”. Por këto janë kujtime që të vënë pak buzën në gaz në fakt, sepse ka edhe kujtime të këqija, kujtime të tipit, një nxënës i shkollës së natës bashkë me vëllezërit i zunë pritë për ta rrahur, ose të tjerë që e kërcënonin në mënyra të ndryshme. Në vazhdimësi vitet më kanë bindur për dicka, shumë prej gjimnazistëve që dikur kanë dashur ta gjenin në ndonjë cep e ta rrihnin, sot i thonë faleminderit për atë që janë bërë në jetë. Im atë është një model i mirë për dhjetëra breza.

Ai nuk është nga ata lloj prindërish që fjalët i kanë të gjitha të sherbetosura dhe kjo na ka bërë mirë ne fëmijëve për të mos u rrezikuar nga diabeti i ndjenjave.

Ai ka ndjekur gjithmonë ëndrrat e tij dhe ja ka dal ti coj në fund ato. Shahu, pasioni i tij që për vite të tëra na e kishte kthyer shtëpinë në një klub ku kampionate të vogla organizoheshin përditë sot është një sport që më bën krenare. Me sa duket unë kurrë nuk u bëra një kampione (hoqa dorë prej shahut ende pa e filluar), por krenaria që ndiej për familjen time, që numërojnë mbi dhjetëra tituj si kampionë Shqipërie, ja kalon cdo lloj titulli. Pasioni i tij për shkollën është i pashoq, aq i theksuar sa një vit më parë u mërzit që ime më i tregoi me vonesë për një vajzë rome që nuk hyri dot në shkollë se i ati nuk i bleu librat. “Ja blija unë, – i tha, më thoshe mua, gjynah”. Ime më i shpjegonte që do duhej ti blinte gjatë gjithë vitit gjithcka nëse i hynte kësaj historie, por ishte shumë vonë kur e mori vesh dhe mbeti keq. “Po të ishte për mua thotë, unë jam gati të strehoj edhe një të panjohur në shtëpi mjafton që ai të dëshiroj të shkollohet.” E pra babai im nuk është më i forti i botës, nuk është as hero, ose ndoshta është, po unë nuk e dalloj, sepse pluhuri i shkumësit të një jetë të tërë me siguri i ka mbuluar ato medaljet e shumta që kanë heronjtë mbi kraharor!


Tags:



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

A Ka Vend Për Pijanecët Në Kabinën Time?

Next Post

Ai



Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

A Ka Vend Për Pijanecët Në Kabinën Time?

Pas “Casa Italia” (Tiranë), një grua që mbante në supet e saj të thara një burrë, gjithashtu thatim e me mjekër...

March 14, 2014