Latest

Brenda Botës Së Timo Fllokos

Karakter / October 19, 2011

This post also exists in English Version

Sa është fëmijë, çdokush ëndërron për famë; zakonisht fëmijët e mprehtë duan të bëhen aktorë . Timo Flloko nuk e dinte atëherë që do të bëhej aktor, por e ëndërronte. Ëndërronte gjithashtu të bëhej pilot. Aty në Pejën e tij, në qytetin ku u lind nga martesa e një mjeku gjirokastrit dhe e një nëne malazeze. Babai i tij ish-student i Sorbonës ra në dashuri larg prej vendlindjes. Ishte kohë lufte atëherë dhe i ati ishte bashkuar me brigadat partizane për çlirimin e Kosovës. Kohët ruajnë realitete të çuditshme, detaje që të lidhura së bashku ndikojnë në jetën e njeriut. Vitet e para te jetës Timo i kaloi në Pejë, një qytet i vogël i shtrirë poshtë bjeshkëve të Rugovës, në një klimë që të bën ta kesh gjithmonë zili. Ai ulej shpesh te stolat e kinemasë së Pejës dhe shihte filmat që ajo shfaqte, kryesisht ata amerikanë, të cilët mbrujtën brenda tij shumë dëshira dhe ëndrra…
Kur Timo ishte tetë vjeç familja Flloko u shpërngul nga Jugosllavia dhe u vendos në Vlorë. Është interesant fakti që Timo filloi të mësonte shqip pas moshës tetëvjeçare dhe ndërkohë që rritej lidhej ngushtë me letërsinë e sidomos me poezinë. Në atë kohë ai ende nuk e dinte që do të bëhej aktor. Pas interpretimit në një pjesë teatrale në Vlorë, dikush e dalloi mes të tjerëve. Djaloshi kishte cilësinë që i duhej një aktori: talentin. Pas konkurrimit në Institutin e Lartë të Arteve Timo Flloko fitoi, kështu i hyri rrugës së aktrimit. Për babanë e tij mjek, i cili i kishte humbur shpresat se ndonjë nga djemtë do të bëhej mjek si ai, aktrimi i Timos do të thoshte vetëm një gjë: punë për t’u bërë profesionist. Megjithatë i ati, i cili u largua nga kjo botë pak vite pasi Timo u bë aktor, e pa pak të birin të interpretonte; fatkeqësisht, ai nuk e mësoi kurrë se ç’artist i madh u bë i biri.

Aktrimi

Rolet e tij janë të spikatura. Timo Flloko e ka të vështirë ta ndajë një rol kryesor nga një rol episodik. Pyetjes së Sky Magazine se sa aktori mund të bëhet një me rolin, Timo i përgjigjet me një tundje të lehtë koke, duke shtuar se në asnjë të qindin e sekondës aktori nuk e harron që ai po interpreton. Ajo që ne të zakonshmëve (publikut) na duket sikur është shkrirje me personazhin është vetëm një interpretim i mirë i një aktori të mirë. Askush nga ne nuk e harron Luanin, mësuesin e letërsisë te filmi “Lulëkuqet mbi mure”, në atë recitim që ai i bën poezisë së Nolit “Anës lumenjve”, në të cilin ka aq dhimbje, indinjatë, revoltë, rol ky që “do t’i plaste” në duar një aktori mesatar. Çerçiz Topullin te filmi “Ja liri, ja vdekje ” dhe Mato Grudën te “Njeriu me top”; aq më pak mund të harrojë inxhinierin rus te filmi “Ballë për ballë” apo rolin e Agronin te filmi “Vdekja e kalit”.
Timo Flloko i ka ndenjur larg teatrit deri para disa vjetësh, kur interpretoi në dramën e Artur Milerit “Pamje nga ura”. Ishte një bum i madh ajo shfaqje. Bileta të shitura në një numër rekord dhe shumë duartrokitje. Njeriu sfidën më të madhe e ka në luftën me veten, por Timo Flloko e ka kapërcyer prej kohësh këtë luftë, dhe jo vetëm. Në formimin e tij si njeri tek ai kanë ndikuar shumë faktorë, por edhe gruaja (regjisorja e njohur Vera Grabocka), e cila, duke qenë gjithashtu artiste, është një këshilluese shumë e mirë e tij. Vend të rëndësishëm tek ai zë letërsia, prej së cilës aktori ka marrë shumë, dhe po kështu Amerika, ai vend i madh. Pas rikthimit në atdhe Timo Flloko i shfaqi publikut anën tjetër të tij, poezinë. Kishte vite që shkruante poezi; sigurisht që më parë as nuk mendonte t’i botonte. Gjatë këtyre viteve Timo solli ndihmesën e tij me tekstet artistike të këngëve në muzikën e lehtë shqiptare. Tekstet e tij më të spikatura janë ato te këngët “Për një çast më ndali zemra”, “Kuturu”, “Ylli im”, “Ndonjëherë”, “Ja ku jam”. Në vitin 2004 Timo botoi edhe librin e tij të parë me poezi, titulluar “Rob i manive”. Megjithatë Timo Flloko nuk e quan veten poet, teksa ai e vlerëson poezinë si një frymëzim të tij. Në dhjetor të këtij viti ai do të hedhë në treg librin e tij të dytë me poezi. Ende nuk e ka një titull për këtë libër; ai thjesht e di që sapo të mbyllë shumicën e zotimeve për këto kohë do t’i kthehet seriozisht botimit të tij, me shpresën që për Krishtlindje libri të jetë në dorën e lexuesve.

Në Jetën E Timos

Ai është një mashkull nga ata që s’tregojnë moshë. Për një pakt të fshehtë të bërë kushedi se kur, Timo ka fituar të drejtën të jetë gjithmonë i ri. Në komunikimin e tij, gjithsesi të ndërlikuar, të shoqëruar me sytë e një njeriu vëzhgues, Timo Flloko di se kur duhet të jetë i hapur. Ai e vlerëson personalitetin e njeriut, veçanërisht rolin e femrës në të gjitha kohët dhe në të gjitha shoqëritë, por veçon ndihmesën që jep femra e sotme në shoqërinë shqiptare. “Femra e drejton një mashkull. Femra e ngre familjen dhe e çon në emigrim; femra e prish familjen. Një burrë nuk e bën aq lehtësisht”, – rrëfen artisti. Pastaj Timo tregon për raportin e tij me Verën, së cilës i përgjigjet në telefon me “zemër”. Të tregon se ajo ka qenë dhe është pika e tij më e fortë e mbështetjes, një grua që di t’i rrëfejë shtegun edhe kur rruga duket sikur mungon.
Gjatë kohës që po përgatitej ky shkrim Timo po merrej me provat e shfaqjes “Shtrigat e Salemit”, e cila u rivu në skenë gjatë këtij sezoni. Ai lexon, shkruan, përkthen dhe, për fatin e mirë të studentëve të degës së aktrimit, është pedagog në Universitetin e Arteve (s’e di pse jam e bindur se ky detaj do të jetë një shenjë e madhe krenarie në CV-në e jetës së aktorëve të rinj). Pak kohë më parë u botua libri “Shpirti” i psikiatrit amerikan Brajan L. Vais, me përkthim të Timo Fllokos. Libri ka për subjekt historinë e një pacienteje të studiuar gjatë hipnozës, e cila rrëfen që në këtë botë, në vende dhe në kohë të ndryshme kishte jetuar në 86 persona të ndryshëm. Pavarësisht kësaj dhe pavarësisht se sa vetë Timo i beson rimishërimit, ai nëpërmjet lojës së tij artistike ka ardhur për sytë e spektatorëve në personazhe dhe karaktere të ndryshme, një gjë është e sigurt: ne që e njohim atë të mishëruar në këtë jetë i jemi borxhlinj, për çdo emocion që kemi përfituar nga interpretimi i tij i mrekullueshëm.

Kur Xhirohej Çerziz Topulli

Nga filmi “Ja liri, ja vdekje” Timo Flloko kujton shumë detaje të bukura. Njërin prej tyre Timo e tregon me buzën në gaz, kur flet për sheshxhirimin e filmit në qytetin e Gjirokastrës. Një grup turistësh sapo kishin ardhur në kufi ua kishin prerë me detyrim flokët e gjatë, sipas rregullave të rrepta të regjimit të atëhershëm. Kur ata shohin aktorët me flokë të gjatë dhe i mendojnë si qytetarë të thjeshtë, fillojnë të ankohen se pse atyre ua kishin prerë flokët. Pasi marrin vesh se ata ishin aktorë dhe flokët e gjatë i kishin lënë për shkak të roleve, turistët u afrohen dhe bëjnë fotografi me ta. Timo tregon se një turist francez i ka dërguar edhe një kopje të asaj fotoje. Turistët ishin gjithashtu të tërhequr nga veshja e aktorëve dhe nga kapelat e qëndisura. Gjithë filmi, në fakt, ka një kostumografi të shkëlqyer.

This post also exists in English Version


Tags: , , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Inside Timo Fllokos' World

Next Post

Year's End!





You might also like

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

Inside Timo Fllokos' World

Ky postim ekziston gjithashtu në Vesionin Shqip Everybody dreams of fame as a child. Smart kids usually want to be actors...

October 19, 2011