Latest

Psikanaliza, Cilat Janë Problemet Që Mundojnë Shqiptarët

Karakter / July 9, 2015

Ka ardhur koha që problemet tona psikologjike ti trajtojmë me specialist të fushës, jo me shokun e ngushtë, shoqen apo familjen. Të gjithë këta mund të jenë dëgjues të mirë, por nuk të japin rrugëzgjidhje.

Seancat psikologjike dhe ato psikoterapike janë të domosdoshme, për të derdhur jashtë vetes mendimet që na mundojnë, problemet ataket e panikut etj. Olta Tuholi, psikoanaliste ka hapur zyrën e saj në Tiranë. Ajo na shpjegon çfarë është psikoterapia dhe pse është e domosdoshme që ne të kemi një jetë më të mirë. Ajo ka mbaruar studimet për psikologji tek University of New York Tirana (UNYT) dhe pas kësaj ka vendosur ti përkushtohet psikanalizës, e tunduar sigurisht nga atmosfera mistike që rrethon atë duke përfshirë literaturë, historikun e saj e të tjera. Gjatë marrjes së këtij vendimi Vjena i është dukur vëndi më i përshtatshëm për aq kohë sa atje janë hedhur rrënjët e para të psikanalizës. Ajo ka studiuar dhe është trajnuar në Sigmund Freud University Vienna (SFU) i cili përmban një linjë mjaft rigoroze dhe fanatike ndaj disiplinës Freudiane. Atmosfera e qytetit te Vienës së bashku me frymën Freudine që e ka shoqëruar gjatë studimeve të saj ka bërë të mundur që të jetë më pranë teorisë psikanalitike në formën e saj më të pastër me shpresën për të qënë e mirëpritur si orientim edhe këtu në Shqipëri.

Çfarë është të hapësh një zyrë psikoterapeutike në Tiranë dhe sfidat që shoqërojnë atë?

Hapja e nje zyre psikoterapeutike në Tiranë nuk erdhi me shumë vështirësi për mua. Duke qënë se kisha patur eksperiencë klinike edhe në Vjenë, qyteti ku kam studiuar dhe jam trajnuar për psikoterapi në modalitein psikanalizë, ma bëri me të lehtë procesin e ideimit dhe hapat që duhen ndjekur për hapjen e këtij aktiviteti. Gjithashtu, mundësia që mu ofrua në Vjenë ku më është dashur që për arsye pune, trajnimi etj, të vizitoja zyra të psikanalistëve të ndryshëm, vizita të cilat më dhanë në rradhë të parë një model estetik dhe funksional të një zyre; pra ide fillestare mbi detajet si stili i orendive, niveli i dritës brënda zyrës ku sigurisht rëndësi primare i jepet kolltukut ku pacientët shtrihen dhe bëjnë atë që quhet asocim i lirë. Përveç kësaj në klinikën ku jam trajnuar në Vjenë mu ofrua mundësia për të parë struktura të ndryshme pune me klientë ku ata trajtoheshin në forma të ndryshme terapeutike (jo vetëm në mënyrë klasike Frojdiane) si për shembull këshillimi, metoda sistemike familjare etj. E pajisur me këto njohuri hapja e një zyre shërbimi për klientë në metodën psikanlitike nuk përbënte një problem në vetvete, duke marrë parasysh në këtë pikë edhe mbështetjen që më ka ardhur nga kolegë të mi në këtë fushë. Një nga sfidat që mund të përmendja është aksesi tek klientët që duan të përfitojnë nga ky shërbim. Duke qënë se ka mungesë institucionesh të mirëfillta të shëndetit mendor si përshembull klinika private apo shtetërore që funksionojnë me metoda psikoterapeutike, edhe referimi i personave që kanë nevojë për këtë shërbim është i ulët si edhe mund të përmendja një mungesë informacioni mbi shërbime të ndryshme të shëndetit mendor që shkojnë përtej ekspertizës së psikiatrisë.

Ka një mesatare problemesh, nga çfarë vuajnë më shumë paciantët, kush e kërkon më shumë këtë shërbim?

Edhe pse egziston një ide apo një mit i mirëfilltë që psikoterapia dhe vecanërisht psikanaliza, përbën një luks i cili është i përballueshëm vetëm nga një shtresë e caktuar e shoqërisë, si përshembull individët me ekonomi të mirë apo ata te cilët kanë një edukim mbi mesataren, në të vërtetë, psikoterapia po korr sukses në shtresa të ndryshme të shoqërisë, kjo falë ndërgjegjësimit të individëve mbi suksesin e shërbimeve mendore. Fatmirësisht, puna e mirë e bërë nga kolegët e mi si edhe nisma të ndryshme mbi ndërgjegjësimin e shërbimeve të shëndetit mendor kanë bërë që më shumë individë ti drejtohen psikoterapisë në momente të caktuara në jetën e tyre. Nuk do mundja dot të jepja një mesatare të saktë problemesh mbi individët që frekuentojnë shërbimet për aq kohë sa problematikat dhe shërbimet e kërkuara janë të ndryshme në varësi të karakterit të individidit dhe rrethanave ku ai/ajo jeton; gjithsesi do veçoja një frekuencë më të lartë të personave të cilët shfaqin problematika në lidhje me përshtatjen e situatave të reja në jetën e tyre, si për shembull fillimi i një universiteti jashtë dhe përballja me një kulturë të re, ashtu si edhe individe të cilët kanë studiuar jashtë dhe me kthimin e e tyre në Shqipëri kanë hasur probleme me ri-përshtatjen kulturore, punësimi etj, tek këta klientë, mosha e të cilëve varion midis 20–30 vjeç përshtatja me një kulturë të re si edhe vendim-marrjet që shoqërojnë cikle të ndryshme të zhvillimit të tyre profesional dhe karakterial përbëjnë problematika të cilat ndonjëherë mund të shoqërohen me ankth, izolim, depression etj.
Nga ana tjetër, vihet re një kërkesë më e lartë për këto shërbime nga persona të cilët shfaqin probleme depresioni mbas mbarimit të një marrëdhënieje, martesë apo edhe faktori i papunësisë dhe problemet ekonomike që vijnë së bashku me të. Gjithashtu, nuk duhen lënë mënjanë pa u përmendur edhe rastet ku individë kërkojnë shërbimet psikoterapeutike edhe si një mënyrë vetë-eksplorimi ku procesi psikoterapeutik vërehet si një mënyrë ku individi njeh më mirë dëshirat e tij si edhe konfliktet dhe krijon me shumë harmoni me aspekte të ndryshme të karakterit të tij të njohura apo të panjohura me parë.

Çfarë e bën një psikanalist të sukseshem?

Mendoj që jo vetëm një psikanalist, por të qënurit një psikoterapeut i suksesshëm dikush ka nevojë të përvetesojë eksperiencen dhe artin e të dëgjuarit të tjetrit me kujdes dhe vemendje. Pra, klienti ka nevojë te ndihet i mirëkuptuar dhe i dëgjuar. Shumë prej problematikave që klientët sjellin në zyrë vinë si rezultat i një komunikimi të dobët ku ata ndihen të mos dëgjuar dhe si rezultat të mos kuptuar ne jetën e tyre të përditshme. Duke qënë kështu, procesi psikoterapeutik i ofron klientit një hapësirë ku ai/ajo mund të bëjë të mundur ekplorimin e vetvetes nëpërmjet dialogut. Gjithashtu, një psikanalist i mirë është i hapur për të përjetuar dhe pranuar situata të ndryshme dhe zgjedhje të ndryshme të klienëve të tyre për aq kohë sa kjo sjell harmoni dhe stabilitet për klientin; pra klienti nuk duhet të ndihet i paragjykuar për zgjedhjet që ka bërë çfarëdo qofshin ato. Në këtë mënyrë, psikanalisti nuk shërben si një predikues i ulur ne fronin e një moralisti, por si një individ i cili nënkupton dhe përkrah zgjedhjet individuale të çdo individi pavarësisht situatave apo rrethanave. Ato çfarë janë me rëndësi janë zgjedhjet që pacientët bëjnë dhe një psikanalist është aty për të bërë të ndërgjegjshëm individin mbi pasojat e zgjedhjeve në jetën e tyre, qofshin ato pozitive apo negative. Përveç kësaj, nje psikanalist i mirë duhet të punojë në mënyrë etike ku e drejta, privacia, dhe e mira e klientit duhet të jetë me rëndësi primare.

Çfarë e bën psikanalizën të jetë ndryshe nga këndveshtrimet e tjera psikoteraputike dhe përse zgjodhe pikërisht Vjenën?

Psikanaliza është forma e parë fillestare e çdo forme psikoterapie. E filluar ne shekullin 20-të në Vjenë nga Sigmund Freud, teoria bazë psikanalitike përmban eksplorimin e individit në terma të jashtëm dhe te brëndshëm (çfare vjen nga psikika e individit dhe si e ndikon shoqëria e jashtme në funksionet e tij psikike dhe si për pasojë sjelljen e tij të jashtme), gjithashtu ky eksplorim bëhet në bazë të forcave dhe konflikteve të cilat influencojnë sjelljen, emocionet dhe zgjedhjet e një individi si konfliktet apo zgjedhjet emocionale, seksuale, profesionale e të tjera; të gjitha këto bazuar në kulturën ku një individ është pjesë.
Psikanaliza, në ndryshim nga format e tjera psikoterapeutike, hedh vëmendjen mbi konfliktet dhe forcat e të pandërgjegjshmes në jetën e një individi. Gjithashtu metoda psikanalitike e përqëndron eksplorimin e saj nisur nga rëndësia që vitet e para (kryesisht 2 deri në 7 vjeç) kanë në jetën e gjithësecilit. Pra, sipas Freud, vitet e para në jetën e një individi së bashku me eksperiencat që e shoqërojnë atë, bëjnë të mundur formimin e personalitetit dhe zgjedhjet dhe eksperiencat e mëvonshme që e shoqërojne atë gjatë viteve te jetës. Një arsye tjetër që e con psikanalizën mënjanë terapive të tjera është procesi psikoterapeutik që ajo ofron; gjatë një seance psikanalitike individi bën atë që quhet asocim i lirë, pra individi thotë atë çfarë i vjen nëpër mend pa e përpunuar apo çensuruar atë. Kjo metodë bën të mundur eksplorimin e mendimeve dhe ndjenjave pa asnjë presion apo orientim të jashtëm nga ana e terapistit. Në këtë mënyre klienti ndihet i lirë për të eksploruar dhe reflektuar. Në këtë rast analisti përbën një rol suportues ndërkohë që klienti eksploron ndjenjat dhe konfliktet e tij.


Tags: , , , , , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Tiranë - Peshkopi Dhe Kthim

Next Post

Burrat Bëjnë Një Sy Qorr Ndaj Punës Së Papaguar Të Grave Në Shqipëri



Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

Tiranë - Peshkopi Dhe Kthim

Më shumë se 10 vite më parë, duke shkuar për në Lurë, në një rrugë pa rrugë, ngecëm në një kryqëzim rrugësh...

June 12, 2015