Latest

Dekada rome, ç’ka ndryshuar për ta që nga miratimi i Strategjisë

Publications / December 7, 2013

Romët janë ata njerëz që në shoqërinë tonë sot i gjen duke gërmuar nëpër kazanë plehrash, në të shkuarën shisnin sita, kazanë e sendurina të tjera. Mbeten po njësoj si dikur, si tani, të varfër, shumica të paarsimuar, familje me shumë fëmijë dhe në përgjithësi të pastrehuar mirë. Ata i has buzë rrugëve me shishen e ujit të kanaleve e pak shkumë, i gjen në parkingjet publike duke të kërkuar lekë për të parkuar aty. Shteti disa muaj më parë ndërmori një nismë të tillë, pastroi rrugët nga e dukshmja. Fëmijët u çuan në qendra sociale, prindërit në paraburgim, por kjo nismë dështoi. Qendrat nuk kanë kapacitete për të përballuar një fluks të tillë, prindërit nuk i fut dot në burg për një kohë të gjatë. Edhe pse e njohur me ligj, familjet pritëse nuk ekzistojnë. Prej 10 vitesh shteti shqiptar ka hyrë në dekadën rome dhe ka miratuar një strategji për këtë minoritet linguistik, me qëllim që të ndryshojë tek ata problemet e tyre që lidhen me arsimin, punësimin, shëndetësinë, strehimin. Sa e lehtë është kjo? Çfarë ka ndryshuar pozitivisht? Cilat janë hapat e rinj që do të hedhë shteti për këtë? Blerina Zoto, specialiste për strategjinë rome në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, flet për problemet e hasura, politikat e reja dhe erën pozitive që po fryn kah këtij komuniteti.

Kur është miratuar Strategjia rome dhe çfarë synonte ajo?

Qeveria shqiptare miratoi në shtator të vitit 2003 Strategjinë Kombëtare “Për përmirësimin e kushteve të jetesës së pakicës rome”, dhe e miratoi atë me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.633 datë 18.09.2003. Kjo Strategji çeli një perspektivë për integrimin social dhe përmirësimin e standardeve të jetesës së këtij komuniteti, që njihet si një nga komunitetet më të vuajtura dhe të diskriminuara. Hartimi i saj synonte plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga ratifikimi i Konventës Kuadër të Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare. Ndërsa në 2004 u ngrit struktura mes tri ministrive, asaj të Arsimit, të Shëndetësisë dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, e cila synonte katër objektiva kryesore, punësimin, arsimimin, shëndetësinë dhe strehimin. Po kështu qëllimi i kësaj strukture ishte ngritja, forcimi dhe mbajtja e një raporti me pushtetin lokal, mbajtja e kontakteve me organizatat jofitimprurëse rome ose jorome, si edhe vendosja e një raporti me donatorët e ndryshëm, kryesisht të huaj, me qëllim adresimin e saktë të ndihmës për çështjet më të nxehta të komunitetit rom, kjo sipas nevojave. Vetëm kohët e fundit raporti me pushtetin lokal i cili ka çaluar, duket sikur ka hyrë në rrjedhën normale. Për të përmirësuar jetën e këtij komuniteti, çdo komunë ose bashki duhet të ketë fonde për këtë. Një arritje gjatë këtyre viteve ka qenë bashkëpunimi i pushtetit lokal me PNUD-in në qytete si Fier, Elbasan,Tiranë, Berat,Vlorë, Durrës. Pushteti lokal më në fund është zgjuar dhe ka kuptuar që bashkëpunime të tilla nuk janë vetëm të frytshme për komunitetin rom, por edhe për vetë bashkinë, duke qenë që 80 për qind e fondit vihet nga PNUD dhe 20 për qind duhet ta alokojë pushteti lokal, gjë që kërkon çdo fillimviti parashikimin në buxhet të projekteve të tilla. Së fundmi, kemi një projekt rajonal të Bankës Botërore që po aplikohet në nivel mikro në bashkinë e Gjirokastrës dhe të Lushnjës me efikasitet. Aktualisht Bashkia e Tiranës po merret me parashikimin e buxhetit për këto shtresa, por nuk ka kontaktuar me ne. Bashkëpunimi do ishte shumë i frytshëm sepse duke rrahur ide ne mund të arrijmë rezultate më të mira.

Në gjithë këto vite, sa prej buxhetit të shtetit është vënë në shërbim të këtij komuniteti?

Ja kjo është një pyetje konkrete, për të cilën unë nuk kam një përgjigje, kjo është një e dhënë që nuk e disponojmë, sepse buxheti për romët nuk është i qartë që në fillim dhe ai vihet në dispozicion në varësi të pushteteve lokale, kur ato munden të kenë fonde për romët. Është diskutuar prej kohësh dhe presim që të realizohet kalimi i kësaj strukture në një agjenci kombëtare për romët, e cila të varet direkt nga kryeministri. Nga ana tjetër ne kemi bërë një projekt teknik ku hedhim në database të gjitha të dhënat për romët. Bëhej fjalë që mund të aplikohej shumë shpejt, por me ndryshimet e ndodhura për shkak të ndërrimit të pushteteve presim të riorganizohet nga pranvera. Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka një buxhet për komunitetin rom, ndërkohë që shtetet e tjera që aderojnë si anëtare të dekadës rome kanë të dhëna të sakta. Shqipëria paguan prej 10 vitesh 20 mijë euro në vit për të qenë anëtar i Dekadës Rome me qendër në Budapest. Anëtarësimi bën që ne si shtet të kemi benefitet tona për të sugjeruar se ku duhet të drejtohen fondet.

Braktisja e shkollës, a ka ndonjë informacion për numrin e fëmijëve që i largohen arsimit?

Kjo është një pyetje shumë e vështirë, statistikat mungojnë. Në rastin e braktisjes së shkollës nga fëmijët romë duket se gjithë shoqëria bie në ujdi. Ka shumë raste kur mësuesit i deklarojnë si kalues fëmijët romë, edhe pse ata mund të mos shkojnë fare në shkollë, po kështu drejtori në letra i nxjerr rezultat e larta dhe të gjithë mbyllin një sy duke qenë që arsimimi i këtyre fëmijëve është shumë i vështirë.

Nuk mendoni që ka nevojë për një sistem edukimi paralel për këta fëmijë, të cilët pothuaj nuk shkojnë as në kopshte, as në çerdhe?

Është një projekt i quajtur “Shansi i dytë”, i cili ka vënë në dispozicion edhe mësues për këto grupe. Gjithsesi, përsa i përket mos braktisjes së shkollës dhe punës paralele me fëmijët romë, mendoj që kjo është çështje vullneti sepse mund të zgjidhet edhe me një udhëzim të MASH. Kjo çështje ka qenë edhe rekomandim i Avokatit të Popullit dhe i shoqërisë civile. Qeveria e re ka ngritur një grup pune për punësimin dhe ndihmën ekonomike të familjeve rome dhe për kërkesa të tjera të cilat kanë filluar të merren parasysh.

Cilat kanë qenë projektet më të suksesshme të ardhura nga jashtë?

Një projekt i PNUD-it për investimet me vlerë 900 mijë dollarë, dhe më pas një projekt i dytë me vlerë 2.8 milionë dollarë, po kështu një projekt i IPA me vlerë 1.5 milionë euro. Kemi në zbatim projektin e Korporatës Zvicerane që po zbatohet në Berat, Korçë, Elbasan, Tiranë. Ky projekt ka të bëje me klasat e integruara. Projekti financon çdo gjë tjetër, ndërkohë që mësuesi paguhet nga Ministria e Arsimit. Ky është viti i fundit i këtij projekti dhe këta fëmijë së shpejti do të kalojnë në klasat paralele duke qenë se kanë arritur nivelin e fëmijëve të tjerë. Po kështu OSBE është marrë shumë me çështjen e strehimit të familjeve rome dhe për mua një projekt i vlefshëm është ai i UNICEF-it, i cili ka nxjerr si përfundim që numri i romëve të Shqipërisë është 14 mijë, ndërkohë që Censusi e nxori 8 mijë. Mendimi im është që kjo shifër e nxjerrë nga UNICEF është më afër të vërtetës.

Sipas jush, cilat janë pikat më të nxehta në çështjen e komunitetit rom?

Pas katër fushave prioritare që janë arsimi, punësimi, shëndetësia dhe strehimi ajo që ka filluar të ndryshojë vetëm dy vitet e fundit ka të bëjë me pjesën e regjistrimit të kësaj popullsie dhe pjesën e fëmijërisë së hershme, çerdhe, kopsht. Pikë tjetër e nxehtë janë martesat në moshë të hershme që mund t’i konsiderosh gangrenë të shoqërisë rome. Sot kemi të rinj 13 vjeçar të martuar, që nuk figurojnë në asnjë zyrë të gjendjes civile dhe që nga ana tjetër bëjnë fëmijë po kështu të pafiguruar gjëkundi. Edhe pse janë bërë shumë kongrese në të cilat kam takuar shumë gra dinjitoze rome, kur ka ardhur fundi kam dëgjuar prej tyre shprehjen “nuk dalim dot nga vetja” edhe pse janë bërë shumë fushata sensibilizuese për shtatzënitë e padëshiruara, romët mbeten fanatik të metodave natyrale, sipas meje këto fushata nuk duhet të ndalojnë shumë, dhe nuk duhet të bëhen për gratë, por për burrat.

Çfarë ka ndryshuar gjatë kësaj dekade?

Për fat të mirë ka ndryshuar përfaqësimi i romëve, ata tashmë e kërkojnë të drejtën e tyre në mënyrë intelektuale. Më në fund kemi një elitë rome, djem dhe vajza të reja të mirëshkolluar dhe të zotët në profesionet e tyre. Romët tani janë të punësuar në pushtetin lokal, janë anëtarë të këshillave bashkiakë në disa bashki, dhe në institucionet shtetërore. Por në pushtetin qendror ata ende nuk janë të përfaqësuar ashtu si duhet. Kam biseduar shumë herë me të rinjtë romë që ankohen për punësimin e tyre, iu kam kërkuar të më sjellin një informacion të të rinjve romë me CV-të e tyre të bashkangjitura, me qëllim që ta shpërndaj në gjithë zyrat e burimeve njerëzore të ministrive përkatëse, por ende nuk e kam një listë të tillë në dorë.

* Ky artikull përcillet për publikun në kuadër të fushatës sensibilizuese mbi promovimin e vlerave të diversitetit në shoqërinë multietnike të vendeve të Adriatikut. Fushata sensibilizuese është pjesë e aktiviteteve të projektit SIMPLE nga Programi i KE  IPA Adriatik 2007-2013, drejtuar nga Kontea e Istrias (Kroaci) dhe zbatuar në Shqipëri nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

Publikuar Mapo


Tags: ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Historia E Duhanit Radioaktiv

Next Post

Romët nga vijnë dhe ku shkojnë…





You might also like

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

Historia E Duhanit Radioaktiv

Shqiptaret protestojnë fort këto dite për çështjen e Lendeve kimike apo armeve te tilla qe mund te vijnë ne Shqipëri...

November 15, 2013