Latest

Dhërmiu

Blog / September 5, 2014

Në verën time të rrëmujshme e të mbushur me njerëz, ca janë thjeshtë kalimtarë, hyjnë e dalin nga jeta pa u vënë re, njësoj si dikush që pasi ka kuptuar se ka hypur në trenin e gabuar për të dal që andej zbret nga dera tjetër… Pati edhe ca ditë Dhërmiu në jetën time verore, krejtësisht të pa trazuara me check-in-e nga vendet më të famshme të plazhit, nga mungesa e theksuar e komoditetit dhe nga lajme të trishta si ishte ajo e djalit të masakruar prej pronarit të tij që u gjend i vdekur në det. Bregu nuk kishte shumë turistë edhe pse unë isha në mes të gushtit aty, edhe pse dielli ishte një përvëlim, edhe pse në Tiranë vinin lajme se andej nga bregu po bëhej nami me qejf… Bregu ishte i heshtur, i mbushur me çadra ngjyra-ngjyra, pa njerëz, i mbushur me makina që fishkëllenin mbi rrugë dhe i shoqëruar netëve me një dritë aq të dobët e cila të dukej sikur të bënte pjesëmarrës në një film horror. Tensioni i ulët nuk do më shoqëronte thjeshtë mbrëmjeve kur në pamundësi të mbushjes me rrymë, shtyllat e neonit, një investim krejtësisht privat i një pronari hotelesh fikeshin e ndizeshin sikur ti komandonte një mëndje e sëmurë, ai do më vinte në mënd dhe në një mëngjes kur kamarieri ma preu shkurt që nuk kishte kafe se nuk mbushej ekspresi me energji e do më ofronte të pija një frape që ai do kujdesej të ishte e mirë.

Dhermiu i pabukur…

Dhërmiu ishte tmerrësisht i lodhur dhe i mbushur me lokale që të bënin çudi pas gjithë atyre lajmeve se ishin prishur. Në fakt ishin prishur për tu ndërtuar të njëjtët ose ca me emra të rinj pak më tutje. Ca gjire të vegjël ku luanin me top ca djem e vajza të rinj ishin të mbushur me qese plehrash që për hir të së vërtetës ishin të mbledhura të gjitha shuk në të njëjtin vend. Të rinjtë që pasi shqepeshin duke ngrënë pretendonin që këtë punë e mbledhjes së mbeturinave ta bënin punëtorët e pastrim gjelbërimit, edhe pse për të ardhur aty ose duhet të shkoje nga deti ose duhet të ndiqje ca rrugë të ngushta ku mund të ecje në rrjesht një pas një. Dhërmiu ishte i mbushur me punëtorë sezonal, ashtu si ai djali I vdekur tashmë, nga Elbasani. Ishin kryesisht djem të rinj që kanë vite që bëjnë këtë punë duke mbërritur aty nga zona të Shqipërisë së mesme, kryesisht Elbasan, Librazhd. Njëri prej tyre më tregoi se kishte tre vite që vinte në Dhërmi, ishte si i shtëpisë aty. Ai vinte nga Dardha një fshat në rrethin e Librazhdit ku nuk kishte as rrugë makine dhe as ndonjë mundësi tjetër punësimi. Rroga që ai merrte nuk i kalonte të 20 mijë lekët dhe bashkë me të i sigurohej ushqimi dhe fjetja në rulo ose çadër. Tek e shihja sesa mirënjohës ishte ai kundrejt njerëzve që nuk e trajtonin si një vegël, vija buzën në gaz. Ai më habiste sesa i kollajtë ishte për ta bërë mik, i mjaftonte ta trajtoje si të barabartë dhe nuk dinte si të ta shprehte mirënjohjen. Ndaj u ligështova shumë për djalin nga Elbasani, edhe sikur ai ti ketë marrë apo jo ato lekë, nuk meritonte një fund të tillë. Ndërkohë që Himara më ka pëlqyer gjithmonë si një vend kalimtar, ku herë pas here ja vlen të dukesh, Dhërmiu i Petro Markos më ka lënë pa fjalë. Njerëzit e asaj zone janë të qeshur e fjalë-ëmbël, janë të tillë edhe kur të përgjigjen negativisht. Të buzëqeshin kur i pyet se ku është rruga për tu ngjitur në kodër aty ku gjendet kisha e Shën Marisë dhe pasi ta tregojnë e ti i pyet nëse gjendet prifti aty, të përgjigjen, “Jo nuk besoj, ku e dimë ne ku është prifti.” Po a keni prift aty? – shton shoqja ime. “Kemi moj si jo, kush na varros ne po nuk patëm prift”,- thotë e qesh. Kisha e Shën Mërisë është ndooshta një nga objektet më të bukura si reliev, me një rrugë të shtruar bukur e me një shkallare me bordura druri që të japin kënaqësi. Kisha vetë është një varfëri e madhe, ka një çelës në derë ku ti mund të hysh vetë brënda, nuk ka asgjëkundi ndonjë vend ku mund të blesh qirinj. Në fillim hedhim ca lekë t vogla aty tek ai këndi i ndihmës, pastaj e shtojmë dozën, duke e ditur se me lekët tona kisha do të bëjë praktikisht asgjë. Nuk ka asnjë pikturë apo ikonë të restauruar. Njëra faqe është krejtësisht e lyer me gëlqere, kurse të tjerat janë në pikë të hallit. Ka shumë kisha Dhërmiu, por me sa duket shumë pak besimtarë… Unë nuk shquhem për ndonjë besim fetar e aq më pak nuk e shoh veten të lidhur me Zotin nëpërmjet kësaj rruge, unë thjeshtë preferoj që këto objekte kulti të kenë gjithmonë diçka për të thënë…

Buzë detit…

Nuk ka si deti i Dhërmiut, mendoj në plazh, kur përkrah meje një vajzë franceze bashkë me të dashurin shtriqet në shezlong e heq recipetat krejtësisht e kënaqur, po jo aq i kënaqur djali që shkon të mbledh lekët e çadrës dhe mundohet ta shoh sa më pak vajzën e gjatë. Aty kalon një djalë i ngarkuar me libra që i shet për plazhistët. I lutem të afrohet e të shoh çfarë librash ka. Ka mbi 20 tituj librash. Ca prej tyre edhe nga Daniele Still, për të cilët unë rrudh fytyrën, po ai më buzëqesh e shton se ata shiten. Më vjen keq që mes asaj rropatje ka edhe libra që e kanë lodhur kot. E pyes nga është e më thotë se është nga Burreli, po jeton në Durrës dhe një ditë në javë vjen për të shitur libra në Dhërmi. Blej librin “Mjegullat e Tiranës” dhe jam e kënaqur që atij ju zvogëlua sadopak pesha. E pra Dhërmiu nuk paska vetëm njerëzit e qejfit, por ka edhe njerëz që punojnë, ndershmërisht….
Disa mike të miat kanë marrë me qira një ambient ku kanë vendosur kampingun e tyre, të mbushur me të rinj nga Kosova, Anglia, Franca, Italia, shqiptarë dhe të tjerë. Aty njoha edhe Gentin një djalë shkodran i cili pasi i kishte kaluar disa ditë atyë qershor, u rikthye në gusht me disa miq anglez. Genti ishte i inatosur me trajtimin dhe ndarjen klasore që kishte hasur në një nga klubet më të njohura të bregut dhe turfullonte mëngjesin e ditës tjetër. I dukej vulgar gjithë ai pomozitet dhe ai stil sjelljeje. Vetëm vija buzën në gaz me ato që Genti thoshte e shihja tej detin. Nuk i shpjegoja dot Gentit që kishte mbi një dekadë në Angli, se sa më europian të ishe, aq më pak i kuptoje flluckat e sapunit që prodhon shoqëria jonë arrogante…

Që të mos harroj…

Mes Dhermiut dhe Himarës vazhdon të mbushet pirgu gjigandesk me mbetje, po kështu na ndodhi që edhe në nje cep rruge ku ndaluam për të shijuar peizazhin të mblidhnim mbeturinat e të tjerëve dhe ta pastronim sadopak atë vend. Të gjitha këto janë mundime të kota, kur sheh se dikush të fluturon një shishe nga dritarja dhe ecën tej duke klikuar në Facebook që ai apo ajo po kalon pushime të hatashme andej nga bregu. Bregu është me siguri një vend i mrekullueshëm, por ai meriton njerëz të mrekullueshëm. Nuk është e vështirë të bëhesh, duhet ta kesh në objektiv që të jesh i tillë!


Tags: , , , , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Dhuna E Heshtur

Next Post

Gorani Village Spies Future in Skiing Tradition





You might also like

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

Dhuna E Heshtur

Edhe pse vë buzën në gaz sa herë që kujtoj rrëfimin e një shoqes sime për një vogëlushe e cila “vidhte” në mënyrë...

August 8, 2014