Latest

Dritero Agolli / Kur Te Jesh Merzitur Shume

Karakter / September 22, 2010

This post also exists in English

Tej derës ngjyrë kafe ndodhet një holl i bollshëm, i mobiluar me kolltukë të mëdhenj dhe i ujdisur me ornamente të punuara në dru. Shkrimtari qëndron ulur në njërin kënd të këtij mjedisi. Me sa duket, është këndi i tij, sepse po aty e gjeta të tria ditët kur shkova për të biseduar me të. Tashmë që thinjat i janë shtuar pak si shumë, ndihet ca i lodhur nga mosha, por gjithashtu i dëshiruar edhe për më shumë kohë. Jeta paska qenë tepër e shkurtër për të, për të thënë gjithë atë që do të donte të thoshte dhe për të retushuar ide që, me kalimin e viteve dolën të gënjeshtërta. Më 13 tetor, shkrimtari i madh Dritëro Agolli mbush 79 vjeç. Ndërsa unë nënqesh, kur ai më rikonfirmon datën e tij të lindjes, sepse në enciklopedinë që ndodhet në internet datëlindja e tij është shkruar gabim.

Rinia

52 vite më parë Dritëro Agolli botoi të parin libër të tij me titullin sinjifikativ “Në rrugë dola”. Shkrimtari kujton se ky ishte hapi i tij i parë e pas tij do të renditeshin libra të tjerë. Dritëroi shprehet se dikush që të bëhet shkrimtar duhet ta fillojë me një libër; ai shton gjithashtu se në këtë botë ka pasur shkrimtarë që janë bërë të famshëm vetëm me botimin e një libri ose të tjerë që janë bërë të famshëm pas vdekjes, kur familjarët kanë botuar dorëshkrimet e tyre. Pikërisht për këtë, ai shton se do t’i duheshin dy apo tri jetë për të plotësuar gjithë gjërat e mbetura në mes. Një peng i madh, shton bashkëshortja Sadija, është biografia e tij. Dritëroi e ka vonuar shkrimin e saj, sepse nuk do të lëndojë me të vërtetat e tij. Tanimë ata përdorin një diktofon, për të mbledhur gjithë rrëfimin e tij e për ta zbardhur atë një ditë….

Letërsia

Sa ndikon ajo në jetën e një njeriu? “Letërsia ndikon te njeriu për t’u bërë sa më i mirë, por ajo nuk e ndryshon shoqërinë, pasi nuk është administratë. Shoqëria do të jetë e lumtur kur të mos qajë asnjë fëmijë”, – perifrazon shkrimtari ynë Dostojevskin, por nuk lë pa përmendur Servantesin, për të cilin ka një vlerësim të madh. Kjo është edhe arsyeja që në shtëpinë e tij ndodhet një tavllë me Don Kishotin e dy punime të gdhendura në dru – në njërën është Don Kishoti e në tjetrën Sanço Panço – të cilat e bija ia solli këtë vit nga Spanja. Dritero Agolli shprehet: “Pikërisht, për këtë arsye, Don Kishoti deshi të dylqinjizonte botën”, sepse, e parë me sytë e tij, çdo gjë ngrihej në një nivel më të lartë. Për letërsinë e tij ai shprehet se ka disa vepra që i veçon nga të tjerat, por në krye të klasifikimeve ndodhet “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Ky libër, në fakt, është pritur mirë jo vetëm në Shqipëri; por po të njëjtin sukses ka pasur edhe në botë – ndonëse në Perëndim ky libër është përkthyer pas viteve 90. Por shoqëria, që nga ai botim nuk ka ndryshuar shumë; tani ka Demka të tjetër lloji në Shqipëri e ata quhen këshilltarë. Ndërsa në poezi ai sjell si më të mirin “Pelegrinin e vonuar ”. Për këtë libër, shton Sadija, Dritëroi ka ndenjur gjashtë muaj i mbyllur brenda dhe ka shkarkuar në vargje shpirtin e tij. Agolli shton se çdo shkrimtar duhet të jetë polemik, duhet të jetë gjithmonë në opozitë me shtetin.

Femra

“Pa femrën e gjithë letërsia do të ishte qose. Nëse femra nuk do të ekzistonte, çdo gjë do të quhej shkretëtirë.” Për të më bindur për këtë fakt, ai shton thënien e urtë popullore shqiptare: “Me mikun shkon deri në breg të detit, ndërsa me gruan çan oqeanin”. Qenia grua për Agollin do të thotë shumë, sepse, shton ai: “Gruan është vështirë që ta gjesh, por shumë më e vështirë është që ta mbash”. Për të, një grua e bukur apo e shëmtuar nuk është dallim që bie në sy nga pamja: dallimin ai e bën nga shpirti i secilës.

Vargje

Poeti ka një poezi, që e ka titulluar “Kur të jesh mërzitur shumë”. Dritëroi e veçon këtë varg nga të tjerët, ndoshta sepse është shkrimtar e ndoshta sepse i pëlqen që ta gjejnë mes librave nëpër rafte… Kjo poezi është gjithashtu tepër e dashur për shqiptarët, sepse, për fat, është edhe këngë shumë e bukur e që tashmë këndohet prej të gjithëve, mbase edhe prej atyre që kurrë nuk kanë lexuar ndonjë varg të poetit…

Familja

Dritëro Agolli njihet si një gjysh i butë, si një baba i dashur, si njeri që nuk i ka lënduar kurrë fëmijët e nipërit e tij. Marrëdhëniet e tij me njerëzit mund t’i konsiderosh pa frikë thjesht dashuri. Po në të njëjtën mënyrë e mendon ai edhe jetën në familje. Por Dritëroi vë re se familja nuk është më aq e konsoliduar, sepse numri i divorceve është rritur. “Dhe do të rritet edhe më shumë”, – shton ai. Duke folur për familjen, shkrimtari shton se varfëria është e madhe dhe se një pjesë e problemeve vijnë prej kësaj. Ndërsa Sadija tregon një episod të veçantë. Çmimi i Republikës ka qenë një medaljon prej ari, të cilin në vitet 90 Dritëroi e shkriu dhe e përdori për t’i bërë unazë dhe varëse të shoqes.

Udhëtimet

Dritëro Agolli ka punuar për 15 vite si gazetar. Ai ka pasur fatin ta shkelë me këmbë gjithë Shqipërinë. Ndërsa për gazetarinë e ditëve tona shkrimtari i madh shprehet: “Tani, fatkeqësisht, ka gazetarë që shënimet i marrin matanë xhamit të makinës. Për të udha është një libër i madh, ose më shumë se një… Kjo varet nga dëshira për të shëtitur dhe për të njohur vende të reja. Për të gazetaria e udhëtimeve ka qenë një burim i madh motivesh dhe shkrimesh. Ai veçon dy raste. I pari është një udhëtim në Tamarë të Kelmendit, një fshat në kufi me Malin e Zi, ku në një shpat mali ishte gdhendur në formë basorelievi portreti i një burri. Shoqëruesi i tij i ka treguar Dritëro Agollit se atë portet e ka gdhendur një burrë që jetonte fillikat; ishte mënyra e tij që bashkëfshatarët të mos e harronin. Ndërsa kujtimi tjetër lidhet me një fshatar nga zona e Matit, i cili e kishte dërguar djalin në shkollë në Tiranë për t’u bërë hoxhë, por vetëm pas disa vitesh mësoi se i biri ishte bërë gjeolog.

Pengjet

Udhëtimet i kanë pëlqyer shumë gjatë gjithë jetës së tij. Ka shëtitur ngado, deri matanë në Kongo apo Kinë, ndërsa nga Evropa ka tre pishmane: Spanjën, Anglinë dhe Portugalinë. Në zërin e tij ndihet një lloj trishtimi, së paku për Spanjën, pasi atë vend do të donte vërtet që ta shihte. Kur e pyet, nëse ka ndonjë peng, ai të përgjigjet: “Shumë!”. Për ta përforcuar këtë merak, ndërhyn Sadija, e cila shton se njeriut i mbeten shumë, shumë pengje në jetë. Ai shprehet se punoi shumë në gazetë, për 15 vjet. Dritëroi e pranon që një shkrimtar duhet të jetë në fillim gazetar, për të njohur barkun e shoqërisë, por kjo nuk duhet t’i kalojë limitet. Tani ka një mal me libra, të cilët do të donte t’i redaktonte. Me redaktim ai nënkupton heqjen e pjesëve të tepërta, por pa e ndryshuar thelbin e librave. Agolli ka punuar vetëm një vit në profesion të lirë. Për më shumë se 30 vjet ka drejtuar Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. “Të ishe në krye të Lidhjes, – shprehet ai, – ishte mjaft e vështirë. Lidhja, si të gjitha institucionet e asaj kohe, ishte e konjukturuar. Unë kam qenë njeri i butë dhe tolerant; për të kërkuar të drejtën e kolegëve kam shkuar deri te sekretarët e parë të komitetit.”

Veset

“Njeriu pa vese do të bënte një jetë të mërzitshme. Por ka edhe vese që harrohen vetvetiu, se të dëmtojnë në punën tënde”, – shprehet shkrimtari. Rakia dhe cigarja duket se janë dy elemente të rëndësishme të qenies së tij. Ai tregon se rakinë dhe duhanin i ka mësuar në moshë të vonë dhe i ka “dhuratë” nga gazetaria. Për ta shpjeguar këtë, Dritëroi shton: “Më ka pëlqyer rakia dhe vera, por nuk kam qenë kurrë pijanec. Jam ndier pijetar, madje këtë term – që tani përdoret rëndom nga të gjithë – unë e kam krijuar. Ndërsa cigaren e ka mësuar nëpër shtëpitë ku flinte gjatë punës si gazetar; në fillim burrat e shtëpisë i zgjasnin cigare të dredhura, të cilat me kalimin e viteve iu kthyen në paketë. Madje, vazhdon rrëfimin poeti, një pjesë të mirë të lajmeve i ka marrë pranë një gote rakie, e cila i ka bërë bashkëbiseduesit më të hapur. Duke qeshur, poeti ynë kujton bisedën me një regjisor të Shtëpisë së Kulturës së Gjirokastrës, i cili i tregoi se si ishte situata artistike në lokalin e Çile Mukës, pranë një gote rakie. Çilja, i cili ishte një burrë i gjendur – shton ai – vinte në tavolinë e pyeste si po ndiheshim. Aty për aty, shton: “Çile Mukën e kam pranë dhe kulturën për karshi: duke zbuluar se në thelb shtëpia e kulturës ishte inekzistente. Ky qe edhe titulli i shkrimit për këtë histori.

Dhe, në fund

Shtëpia e tyre është e madhe. Duke shkuar në shtëpinë e Agollëve, mendon se do të gjesh një lloj qetësie intelektuale, por, në fakt, kjo nuk është e vërtetë. Aty hyjnë dhe dalin çdo ditë artistë e njerëz të thjeshtë. Dera nuk rri kurrë e mbyllur për askënd. Dritëro Agolli mbetet si një libër i madh i hapur për të gjithë. Secili prej nesh gjen tek ai atë pjesë që i mungon, si një guralec, pa të cilin mozaiku nuk ka kuptim.

Pse Dritëro?

Ka një argument, për të cilin ata të dy, Sadija dhe Dritëroi, nuk bashkohen. Ajo beson në Zot, ai jo. Për ta bindur gruan, ai tregon se edhe Baba Ahmeti i teqesë së Kuçit, duke qenë njeri i ditur, nuk i vuri emër mysliman, por e quajti Dritëro, një folje kjo në mënyrën urdhërore që, për nga kuptimi i ngjan foljes Mbretëro. Kjo, se ai lindi në mëngjes, atëherë kur drita sapo kishte filluar të lindte.


Tags: , , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Librat

Next Post

Dritero Agolli / In The Moments Of Your Worst Sadness…





You might also like

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

Librat

This post also exists in English Version Në jetën e njeriut ka libra, të cilët ia ndryshojnë jetën. E them me bindje...

September 22, 2010