Latest

Fëmijët, Emrat Dhe Të Tjera…

Editorial / April 20, 2011

This post also exists in English Version

Kjo ka qenë një kohë e bukur në Albanian (kështu e quajmë Albanian Airlines ne të kompanisë). Ka qenë e mbushur me femra në pritje për t’u bërë nëna, të cilat kërkojnë lart e poshtë emrin e bebit të tyre. Të gjithë duan që fëmija i tyre të jetë i veçantë. Të gjithë kërkojnë një të ardhme të artë për fëmijët e tyre. Emra të tillë, si Amaranta, Ivon, Amos, Erblin, Frea, Keler, si dhe shumë e shumë të tjerë kanë qarkulluar nëpër zyrat tona, duke sjellë një ndjesi tjetër shumë më të ngrohtë e të mbushur me imagjinatë. Njëra prej tyre e lindi bebin e saj, dy të tjerat do ta lindin para se ky shkrim të ketë dalë në dritën e botimit, ndërsa bebi tjetër do të presë edhe ca muaj që të vijë në jetë. Kjo ndjesi pjellorie ka mbushur atmosferën e zyrave, të cilat, herë-herë ndihen “të lodhura” nga rutina e zhurmshme, të cilën nuk e shoqëron domosdoshmërish në mendje uturima e ndonjë avioni. Por, ama, unë punoj për një kompani avionësh. Më parë s’e kisha imagjinuar kurrë këtë.
Tashmë kemi një vit që jemi pranë lexuesit me revistën tonë. Më vjen mirë që mund të përcjellim atje sipër në qiell ca vlera që nuk duhet të humbasin. Në këtë numër kemi përfshirë shumë tema.
Kemi zgjedhur t’ju tregojmë për Veronën, të cilën që nga qershori mund ta vizitoni shpesh. Avionët tanë do ta bëjnë këtë itinerar tri herë në javë. Kemi sjellë Përmetin (ndoshta sepse kur e ndjejmë nevojën për ajër të pastër, arratisemi me mendje deri larg), po kështu shqiptarin Gjon Mili, shpikësin e fotografisë në lëvizje. Kemi sjellë Eselën, një aktore që ka vendosur të shfaqet dukshëm në syrin e publikut shqiptar. Por, mbi të gjitha, kemi sjellë “babanë” e Çufos, shkrimtarin Gaqo Bushaka. Kjo përzgjedhje, me siguri ka qenë për shkak të nevojës sonë të brendshme për t’u kthyer në fëmijëri. Atje ku na presin gjithmonë, Gishtëzat, Çufot, Sirenat, Zanat dhe plot personazhe të tjera të përrallave. Ndërkohë që, herë-herë, ne kemi nevojë të zvogëlohemi, fëmijët kanë nevojë të rriten. E ta mendosh sa kërkesa të çuditshme ka njeriu herë pas here!
Kjo revistë u përket dy muajve, majit dhe qershorit. Ndaj, është kjo arsyeja pse kemi zgjedhur ca foto magjepsëse nga bregdeti shqiptar, të cilat të grishin për pushime. Nuk është e thënë që pushimet të zgjasin shumë ditë. Ato mund të zgjasin edhe vetëm një fundjavë, aq sa për ta retushuar ngjyrën e lëkurës me një çokollatë të lehtë.
E pra, në një atmosferë të tillë, kur jeta lind jetën, kur gjelbërimi pushton rrugët, kur pushimet të tundojnë, kur emri i një fëmije diskutohet kaq shumë para se ta shoqërojë atë gjatë tërë jetës, ju urojmë të gjithëve një fundpranverë të bukur dhe një verë të ngrohtë e të ëmbël!

This post also exists in English Version






Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Takim Me “Babanë” E Çufos

Next Post

Children, Names And Other Things



Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

Takim Me “Babanë” E Çufos

This post also exists in English Version Në qoftë se ndonjëherë do të ishte bërë një studim, se sa orë kemi qeshur...

March 13, 2011