Latest

Femrat ‘Fytyra’ E Re E Policisë

Publications / Slider / February 7, 2016

Dea Ricku të sjell në mend sapo e takon se do kishte qënë më mirë që ajo të bëhej një vajzë pasarelash dhe jo një police, bukuria e saj bie në sy së bashku me uniformën e saj, ku dallohet qartë veç të tjerash dhe një shkop gome. E gjatë, elegante, me një buzëqeshje të ëmbël dhe me zërin e saj karakteristik, pak të ulët dhe plotë ngjyra ajo të rrëfen për veten qetësisht. I pëlqen profesioni që ka zgjedhur dhe pret shumë nga vetja, ajo është vetëm 21 vjeçe dhe prej një viti ka veshur uniformën e policisë.

Kualifikimi
Dea Ricku / Krediti: Subjon Dume

Dea Ricku / Krediti: Subjon Dume

Dea Ricku ka bërë një kurs profesional 6 mujor ku është trajnuar si police. Ndërkohë që po shkollohet për juridik në universitetin shtetëror të Tiranës. Është në vitin e parë të studimeve për master shkencor penal që ti përshtatet sa më shumë natyrës së punës që ka zgjedhur dhe njëkohësisht për të mësuar më mirë rregullat dhe ligjet. Asaj i pëlqen të jetë police sepse i pëlqen të vërë drejtësi. Këtë prirje e ka pasur që fëmijë. Dea tregon se kurrë nuk ka qënë e përkëdhelur, as ajo, as motrat e saj. “Nëse fëmijëve të tjerë ju vinin prindërit herë pas here në shkollë dhe u kërkonin mësuesve ti mbanin me hatër, prindërit e mi vinin vetëm në takimin e parë dhe u thoshin mësuesve, ju e mësuat që Dea e ka një prind, ju mund të bëni çfarë të doni me të”, shprehet ajo. Në çdo fjalë ë saj edhe pse me zë të butë ajo shpreh vendosmëri. Të njëjtën devotshmëri që shprehu edhe në moshën 17 vjeçare ku mësoi si të ngiste motorrat në mënyrë virtuale. Ajo u zhyt në botën e motorrave duke ndjekur në Youtube një sërë dokumentarësh mbi motorrat dhe pjesët e tij. Dhe kur i dha për herë të parë e bëri këtë e vetme duke “gënjyer” miqtë e saj se dinte ta ngiste. Nuk u rrëzua, as asaj kohe, as kurrë më pas.

Puna
Dea Ricku

Dea Ricku

Dea e filloi punën si police e rendit në komisariatin e Kamzës. Ajo rrëfen se punën e saj nuk e shikon si të vështirë. “E shoh thjeshtë si punë,” shprehet “dhe nuk e mendoj kurrë pjesën e keqe apo të rrezikshme të saj”. Prej janarit të 2016 ajo punon me Shqiponjat. Shprehet se është mjaft e kënaqur që punon me patrullën e Shqiponjave, sepse veshjet, uniformat dhe kushtet janë më të mirat. Tregon se marrëdhënia mes kolegëve është mjaft e mirë. Ajo ka marrë pjesë në ngjarje të rënda, por shprehet se pret më shumë ngjarje të tilla dhe nuk i përjeton. Fakti që është një vajzë e bukur e ka penguar fillimisht në punën e saj. Ajo thotë se kur sapo e njihnin nuk e kanë marrë seriozisht, as punonjësit, as njerëzit e thjeshtë. Dea tregon shoqërimin që i ka bërë një gruaje me probleme mendore gjatë kohës që punonte në komisariatin e Kamzës. Gruaja kishte tenuar të vriste vëllain dhe fëmijët e tij. “Duke qënë se ishte femër në ambulancë e shoqërova unë. Nuk e dija fare historinë e saj, kështu që tentova ti flisja, por ajo ishte tepër arrogante. Kur arritëm në spital e kuptova probemin e saj. Tentoi të shtynte mjekun. Nuk kishte shans ti bëje gjilpërë. Kështu që bëra punën time. U solla qetësisht dhe seriozisht me të. Pasi i fola unë ajo u qetësua. Kur e lamë në spital dhe po ktheheshim për në Kamëz shoferi i ambulancës më tha se kur më kishte parë më parë në rrugë kishte menduar se ishte gjynah që isha bërë police, por kur më pa sesi u solla me gruan më tha se e kuptoi arsyen pse.”, tregon Dea. Bukuria e saj nuk i ka sjell probleme. Ajo thotë se nuk ndihet e provokuar nga vështrimet. Unë shprehet Dea, kam një qëndrim të timin, cakun e të cilit nuk lejoj ta kaloj askush.

Të rendësh pas ëndrrave
Dea Ricku

Dea Ricku

Ajo nuk u kishte thënë gjë prindërve kur aplikoi për tu futur në polici. Madje ditët që dilte për të bëre provimet ikte shumë herët nga shtëpia, por nuk u thoshte për ku ikte. Ata u shqetësuan, por ajo nuk u tregoi deri ditën që dolën rezultatet dhe ajo jo vetëm fitoi, por doli dhe e para. Prindërit nuk e pritën pozitivisht duke i thënë se nuk ishte nevoja të punonte aq e re, pasi ishte në shkollë dhe duhej ti përkushtohej asaj. Pyetjes së çfarë ndjen kur njerëzit flasin keq për policët ajo i përgjigjet rrufeshëm se në syrin e saj askush nuk flet keq për policët se ajo nuk i lejon. Tani që jam pjesë e policisë dhe shoh sakrificat e tyre nuk mund të lejoj njerëzt e jashtëm të flasin keq, thjeshtë se ashtu u duket. Në 103 vjetorin e policisë, fotoja e saj me uniformën e policisë e shoqëruar me një qen pastor u shfaq në rrjetet sociale. Kjo bëri që gazeta online “Opozita.com” ta vendoste në ëeb të shoqëruar me titullin “Buçet e Sajmir Tahirit”, gjë që u prit shumë keq nga gjithë opinioni i arsyeshëm publik. Dea vetë nuk ka më rrjete sociale, kështu që lajmin e mësoi nga të tjerë. Ajo thotë se reagimi i saj i vetëm ishte të qeshte. “Do mërzitesha nëse do ishte e vërtetë. Mund ti hidhja në gjyq, po nuk kam kohë për të humbur me ata”, shprehet Dea Ricku. Jeta e saj është e shpejtë sepse ajo është njëkohësish dhe në proces mësimi, ajo kërkon të ndryshoj shumë tek vetja dhe sidomos në pjesën e komunikimit. Shprehet se ka ende drojë kur u drejtohet qytetarëve, ndërkohë që kolegët e saj janë më të sigurtë. Efektivja e Shqiponjave shprehet se fakti që është femër në momentin e parë ka qënë i vështirë, por ajo thotë se nuk lejon askënd të ngatërroj kapacitetin me bukurinë e saj. “Unë e di”, shprehet “se ka njerëz që mendojnë kjo është e bukur, kushedi si ka hyrë në radhët e policisë dhe nuk u shkon aspak në mend se mund ta kesh zgjedhur në jetë për të qënë e zonja dhe e ndershme.”

Dea Ricku / Krediti: Subjon Dume

Dea Ricku / Krediti: Subjon Dume

Dea jeton lidhjen e saj të dashurisë me një djalë që vazhdon juridikun njësoj si ajo. Ajo punon me turne dhe shprehet se kjo e ndihmon për të vazhduar masterin, sepse arrin që ti kap orët. Efektivi i Shqiponjave është skuadër rinore, janë të aftë dhe të zgjedhur, mendon ajo. Asaj i pëlqen që është pjesë e kësaj skuadre edhe për shkak të uniformës, që ndryshon me atë të policisë së rendit. Ajo tregon se veshja e saj është më sportive dhe pyetjes nëse ka pistoletë i përgjigjet pozitivisht. Ajo thotë se pistoletën e ka marrë që kur ka qënë si police rendi, por nuk i ka pëlqyer. Mendimi i saj është që policët e rendit të mos i kenë armët. Ndërkohë që shqiponjat janë skuadra e parë që shkon në një ngjarje, ndaj mbajtja e një arme është tërësisht e përligjur. Ajo mendon se futja e femrave në polici është diçka shumë e bukur, por numri i tyre në radhët e policisë është ende shumë i vogël. Ajo shprehet se ka ndryshuar fryma e policisë, sepse policia është në shërbim të qytetarit, jo e kundërta. “Ne jemi në ndihmë të komunitetit, fakti që femrat janë pjesë e policisë sjell qetësim të situatës. Ajo sjell si shembuj rastet e protesve ku kordoni i parë është ai i femrave, çka e frenon sjelljen në mënyrë agresive nga ana e meshkujve. Vendosja e kuotës në rekrutim ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e përfaqësimit të grave dhe vajzave me uniformë, duke arritur nga 6% në 10%. Ndërkohë që përfaqësimi i grave dhe vajzave në polici aktualisht është 13.6%. duket se përfaqësimi I femrës në polici nuk do të ngelet thjeshtë në nivel vartësesh. Para pak kohësh u emërua në komisariatin e Librazhdit si shefe një femër, ndërkohë pritet që edhe katër femra të tjera të marrin role drejtuese.

Publikuar: Panorama

Ky botim u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojne domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit Soros.


Tags: , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Ish Të Dënuarat, Mbeten Në “Burgun” E Paragjykimit

Next Post

Ja Si Ti Vrisni Kilet E Tepërta



Leave a Reply


More Story

Ish Të Dënuarat, Mbeten Në “Burgun” E Paragjykimit

Aishe Pojani mban mbi supe një krim të rëndë, pesha e të cilit ngjan sikur rëndon edhe më shumë mbi këmbën e saj të djathtë...

February 3, 2016