Latest

Fjodi Sinanaj: Nuk E Privoj Veten Nga Ëndrrat Që Dua Të Realizoj

Publications / Slider / May 10, 2016
Jeta në sytë e një adoleshenteje
Fjodi Sinanaj

Fjodi Sinanaj

Fjodi Sinanaj, nëse do të kërkoje ta gjeje mes të tjerëve në oborrin e shkollës ndoshta nuk do ta dalloje menjëherë, kjo për shkak të trupit të saj të hajthshëm dhe veshjes sportive ku nuk dallohet asnjë element për të rënë në sy. Matanë pamjes së parë të saj fshihet një 18 vjeçare me buzeqeshjen e saj rrezatuese dhe me një thes plotë ëndrra për të ardhmen dhe jetën. Fjodi vazhdon vitin e fundit në gjimnazin “Partizani”. Ajo është gjithashtu një kampione e dansit sportiv dhe drejtuese e këtij aktiviteti për shkollën e saj. “Unë dua tu them moshatarëve të mi, shprehet Fjodi që të punojnë shumë për realizimin e ëndrrave të tyre dhe të mos e shohin të ardhmen me pesimizëm” Si një kampione ajo i këshillon moshatarët e saj që të merren me një lloj sporti dhe të mos ngujohen nëpër kafe. Për të nuk ka rëndësi se çfarë lloji sporti ata zgjedhin, mjafton që ata të mos e shtyjnë jetën me biseda monotone. Fjodi ka 16 vjet që merret me dans sportiv. Ajo është pjesë e Federatës Shqiptare të Dansit Sportiv dhe ka marrë pjesë ne gara kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo ka filluar të garoj që nga mosha 6 vjeçare për herë të parë në Mal të Zi , ndërsa ka filluar të kërcej që në moshën 2 vjeçare. “Unë nuk mund të them që ishte pasioni im, sepse unë nuk mund ta njihja veten dy vjeç. Ky pasion ka qënë i mamit tim. Federata e dansit sportiv në Shqipëri u hap në vitin 1998. Unë jam e shumë e lumtur për arritjet e mia, sepse karriera ime nisi në një vend disi problematik, por në sport dhe në art nuk ka pengesë që nuk kapërcehet. Unë arrita të fitoj vendin e parë dhe kështu vazhdoi karriera me shumë punë dhe trajnime”, shprehet Fjodi.

Si ka qënë marrëdhënia jote me prindërit gjatë këtyre viteve. Ka pasur rebelime nga ana jote dhe për çfarë kanë qënë ato? Për cfarë nuk bie dakord ti me prindërit?

Unë jam shumë e lumtur sepse mami dhe babi im më kuptojnë. Unë kam dhe një motër më të madhe dhe në njëfarë mënyre prindërit e mi, e kanë provuar eksperiencën e rritjes së një fëmije adoleshent tre vjet para meje. Dmth që etapat e adoleshencës i kanë kaluar në fillim me motrën. Kështu që kanë marrë edhe ata një lloj mësimi sesi duhet të sillen me një fëmijë adoleshent. Megjithatë unë kam një marrëdhënie shumë të mirë sepse nuk para kundërshtoj vendimet që prindërit japin pasi shkoj shumë mirë me prindërit dhe ata janë të mirëkuptueshëm ndaj meje. Rebelime mund të kem për ndonjë dëshirë që nuk më plotësohet, por mund të them se gati-gati kam një marrëdhënie perfekte.

Kush janë këto dëshirat që ata nuk të plotësojnë?
Fjodi Sinanaj

Fjodi Sinanaj

Unë e kam shumë qejf shooping, i kam shumë qejf veshjet. Dua të paktën jë herë në javë të iki në qëndra tregetar të blej veshje të reja. Ndoshta pamundësia e kohës, sepse prindëeit e mi janë të dy në punë, im atë është inxhinier, por punon në biznes privat, ndërsa mami është instruktore kërcimi dhe oraret e tyre nuk përputhen, ndaj shoqërimi im në qënrat tregetare nuk është gjithmonë i mundur. Një dëshirë tjetër për të cilën mund të mos biem dakord është dëshira për të dalë me shqërinë, prindërit nuk është se nuk janë liberal ndaj meje, por problemi qëndron tek koha, fakti që jam në maturë, ngarkesa e provimeve.

Po marrëdhënia jote me shqërinë si është?

Preferoj të jem një njeri shumë social, sepse kam se çfarë të jap në shoqëri, por kam dhe çfarë marr. Jap me atë shprehjen “Shokun zgjidhe më të mirë se vetja”. Kam shok që u përkasin familjeve të mira. Më pëlqen të qëndroj shumë besnike në shoqëri dhe mundohem që gjithmonë të ndihmoj të tjerët kur kanë nevojë për ndihmën time dhe të plotësoj të gjitha kriteret për tu quajtur një shoqe e denjë. Preferoj gjithashtu shoqërinë me djemtë, pasi në kohët që kanë ardhur tani janë më problematike vajzat me njëra-tjetrën. Sepse gjithmonë kanë një ndjenjë xhelozie. Megjithatë unë kam shoqe shumë të mira. Arsyeja që kam shumë djem shok, lidhet edhe me faktin që unë jam pjesë e dansit dhe miqtë e mi i kam të hershëm dhe jam rritur me ta.

Çfarë shikon ti tek të rinjtë e brezit tënd që do të doje të ishte ndryshe?

Do përmëndja pa hezitimi përdorimin e alkoolit, duhanit, lëndëve narkotike, mungëse e besnikërisë dhe fjalorin e shëmtuar. Këto fenomene për mendimin tim vijnë si pasojë e dëshirës për tu dukur. Fakti që unë nuk i përdor këto mendoj se vjen për shkak të edukimit tim familjar, faktit që jam femër dhe që merrem gjithashtu me një sport. Kjo është arsyeja që nuk shoqërohem me të rinj të karakterizuar nga këto tipare. Moshatarët e mi tani janë 18 vjeç dhe nuk i ndalon as ligji për të konsumuar pije alkoolike. Më ka ndodhur që kam pasur miq që kanë filluar cigaren dhe jam shumë e lumtur që në një mënyrë ose në një tjetër kam ndikuar tek ata për të mos e bërë më këtë gjë.

Je veshur në mënyrë shumë sportive. Kështu shkon çdo ditë në shkollë?

Unë jam tip sportiv nga njëra anë, por nga ana tjetër shkolla është një institucion serioz. Dhe nuk është ambjent për të shkkuar në mënyrë ekstravagante.

Ka më vajza të reja që vijnë në shkollë me taka të larta apo veshke provokuese?

Ka, por jam shumë e lumtur që në shkollën tonë janë raste të rralla.

Si është marrëdhëna me shkollën, stafin pedagogjik?

Jam shumë e lumtur pasi kam gjetur një mbështetje të madhe nga stafi pedagogjik. Marrëdhënia mes të rinjve ka qënë shumë e mirë dhe më kanë mbështetur shumë. Ata më kanë besuar mua drejtimin e aktiviteteve të dansit sportiv për tre vitet që kam qënë pjesë e shkollës.

Çfarë mendon për të ardhmen tënde?

Unë kam shumë dëshira në jetë. Një ndër to është drejtësia. Megjithëse mund të jetë bërë pak klishe, mua nuk më pëlqen t’ia ndaloj gjërat vetes sepse diçka mund të jetë bërë shumë e populluar. Më pëlqen që edhe ku diçka është e populluar unë ta bej atë dhe ta bëj sa më mirë. Jam ambicioze dhe dua ta realizoj. Që kur kam qënë fëmijë kam pasur gjithmonë një sjellje mbrojtëse në kahun e asaj që është e drejtë. Në Shqipëri fjala ligj duket sikur nuk ekziston, por unë dua të bëj që ajo të egzistoj. Më pelqen gjithashtu edhe gazetaria. Nuk mund të lë pa përmendur edhe dansin për të cilin vazhdoj të punoj për tu bërë trajnere kombetare dhe ndërkombetare dhe në fund gjyqtare që është dhe shkalla më e lartë.

A ndikon politika në jetën e të rinjve?
Fjodi Sinanaj

Fjodi Sinanaj

Ndikon. Të rinjtë janë pesimistë, diskutimet mes nesh janë për të ikur. Askush nuk e sheh të ardhmen këtu. Dhe kjo gjë është zhgënjyese për vendin tonë, se të gjithë mendojnë që profesionet në Shqipëri nuk paguhen. Vihen re që shumë gjera bëhen me mik. Askush nuk do të qëndroj sepse mendon që mundi i tij nuk do shpërblehet këtu. Unë vetë nuk do doja të ikja. Mendoj që edhe këtu mund të jetë shumë mirë për mua dhe familjen time. Por nuk di të them se çfarë do të zgjidhja nëse do më jepej mundësia për të ikur jashtë. Personalisht nuk më pëlqen fare të merrem me politikë. Ajo që shoh unë është se ka politikanë të zotë të cilët nuk mendojnë të bëjnë mirë për vendin e tyre, por thjeshtë për veten e tyre. Vlerësoj shumë gratë në politikë. Me duket sikur janë me të mira se meshkujt dhe mendoj që kanë punuar shumë për të arritur atje ku janë.

Po marrëdhënia e të rinjve me dashurinë si është?

Marrëdhënia është e mirë. Ndoshta ne nuk e dimë mirë se çfarë është dashuria. Ajo që vë re është se ka shumë të rinj që krijojnë raporte me njëri-tjetrin pa pasur një ndjenjë të vërtetë në mes. Ndoshta dhe për shkak të ndikimit familjar, unë e shoh dashurinë si të shenjtë. Partneri zë po aq vend të rëndësishëm sa edhe familja. Mua më pëlqen të jem vetja gjithmonë, ndaj i zgjedh me kujdes njerëzit.

Si është raporti yt me të tjerët?

Unë jam shumë e kujdeshme me moshën e tretë. I respektoj shumë gjyshërit e mi. Ata nga ana e tyre më japin zemër për të ardhmen time. Më pëlqen të kem të bëj me çështjet sociale. Dua të shkoj dhe tek azili i pleqëve për të dhënë shfaqje. E kam bërë këtë në shtëpinë e fëmijës dhe kemi dhënë koncert dhe shpërndarë dhurata. Thuhet se ata duhet të trajtohen si ne, por ata nuk janë si ne, sepse ata nuk i kanë prindërit. Kam pasur të bëjë dhe më fëmijë autikë dhe dashuria që kam marr prej atyre fëmijëve është shumë e madhe. Unë tani kam mbushur moshën për të dhënë mësim, dhe i kam dhënë mësim fëmijëve autikë. Dashuria që ata shprehin është e jashtëzakonshme. Do doja të specializoheshe për tu marrë me fëmijë të tillë. Unë tani kam njohuri për mënyrën sesi duhet ti trajtoj, por dashuria që marr rpej tyre është aq e madhe sa e bën të pafuqishme dashurinë që unë jap për ta.

Cila është këshill më e rëndësishme që ke marrë?

Një nga këshillat që vlerësoj më shumë është këshilla që më japin për të mos ndryshuar kurrë, për të ndjekur ëndrrat mia dhe për ti realizuar ato. Vlerësoj këshillat e njerëzve me përvojë, por vlerësoj shumë edhe këshillat e moshatarëve të mi, të cilët më japin zemër nëse ndodhem përballë një situatë apo një gare.

Marrëdhënia “nënë-vajzë”, sa ndikon komunikimi?

Silva Loka, psikologe në Institutin Shqiptar të Psikologjisë e sheh komunikimin si urën më të fortë për të pasur një marrëdhënie të sukseshme nënë-vajzë.

Si janë marrëdhëniet prindër-fëmijë adoleshentë në ditët tona?

Do të duhet të pranohet se marrëdhëniet prindër-adoleshentë nuk janë në ditët e tyre më të mira. Ka tension, mospërputhje të interesave dhe pritshmërive për të ardhmen, mosdakordësi sa i takon sistemit të vlerave dhe antivlerave që adoleshentët duhet të kenë si orientim për zhvillimin e tyre moral dhe social, etj. Sa herë që analizojmë natyrën e kësaj marrëdhënieje do të ishte e udhës të konsideronim disa element njëherazi, pasi, megjithëse duket sikur është një marrëdhënie e vendosur vetëm midis dy palëve (prindër-adoleshentë), në të vërtetë, kjo marrëdhënie ndikohet dhe ndonjëherë përcaktohet nga ndikimi i faktorëve të jashtëm si shoqëria e adoleshentëve dhe kultura më gjerë.

Silva Loka

Silva Loka

Fjala vjen, prindërit shpesh herë e nxjerrin jashtë vëmendjes së tyre faktin se fëmijët e tyre adoleshentë, për shkak të zhvillimit të tyre moshor , janë duke ripërcaktuar dimensionin e tyre social në raport me familjen dhe të tjerët. Për aq kohë sa adoleshentët janë ende duke ndërtuar një identitet tyrin, e gjejnë veten të rrethuar nga njerëz tek të cilët duhet të investohet çdo ditë dhe me shumë mund do t’i duhet të fitojë besimin e tyre. Dhe në këtë pikë, prindërit nuk janë më pjesë e llogarisë. Marrëdhënia me prindërit merret si e mirëqenë dhe si e tillë nuk perceptohet më nga adoleshenti si një marrëdhënie ndaj të cilës duhet kushtuar kujdes. Përkundrazi, kjo kthehet në një marrëdhënie konfliktuale, në kurriz të së cilës mund të provohen të gjitha marrëdhëniet e tjera sociale, pa llogaritur koston. Nga ana e tyre, prindërit, ashtu sikurse edhe fëmijët e tyre, gjenden të zënë mat dhe të papërgatitur në prindërimin e adoleshentëve. Ata e kanë ditur që ky moment do të vijë një ditë, por askush nuk i ka bërë gati për faktin se kjo moshë e fëmijëve të tyre vjen me konflikte dhe mosmarrëveshje konstante.

Prindit i mbetet përgjegjësia të vëzhgojë nga afër adoleshentët që po rriten nga minuta në minutë, duke qenë të gatshëm që ta përdorin marrëdhënien e tyre si terreni ku adoleshenti do të sprovojë veten dhe aftësitë e tij sociale që po I mëson ditë pas dite. Kultura e shoqërisë, nga ana tjetër, nuk është një ndihmë e madhe për ta mbështetur këtë marrëdhënie të re prind-adoleshent që po sprovohet vazhdimisht.

Prindërit e fëmijëve adoleshentë sot, janë prindër që punojnë dhe jetojnë në një shoqëri që, nga njëra anë, i ka rritur shumë kërkesat ndaj detyrimeve ekonomike, arsimore, të ushqyerjes përkundrejt familjes dhe, nga ana tjetër, nuk ka përparuar në drejtim të orientimit dhe mbështetjes së duhur të prindërve që, përpos përmbushjes së këtyre detyrimeve, të arrijnë të jenë të pranishëm, nxitës dhe mbështetës të fëmijëve të tyre adoleshentë. Kaq e vërtetë është kjo sa prindërit e gjejnë veten në përjetimin e një të përditshme shumë të ngarkuar me detyrime për të siguruar mirëqenien e fëmijës dhe gjithnjë e më larg fëmijës.

E megjithatë duhet thënë se kjo “mospërputhje brezash” nuk është diçka e re. Në të gjitha kohërat gjejmë të dhëna, të cilat na japin të drejtën të mendojmë se marrëdhëniet e prindërve me fëmijët e tyre adoleshentë janë marrëdhënie të vështira. Ato janë marrëdhënie në të cilat, si prindërit, edhe adoleshentët ,e gjejnë veten të mbërthyer në pozicione shpesh herë atakuese të njëra tjetrës, duke harruar se në atë moment të jetës së tyre, për adoleshentët ajo është e vetmja marrëdhënie ku ata ndjehen të sigurt.

Në fund të fundit duhet të pranohet se, ashtu sikurse edhe adoleshentët, edhe prindërit po rriten. Duke pasur këtë në mendje, marrëdhënia midis tyre duhet të jetë një marrëdhënie që duhet konsideruar jo si e mirëqenë, por si një marrëdhënie ku vazhdimisht palët duhet të investojnë përkujdesje, mbështetje të ndërsjellë dhe besim reciprok. Të dyja palët janë në provë.

Çfarë e bën të suksesshme ose jo marrëdhënien nënë-vajzë?

Një ndër elementët më të rëndësishëm që gjykoj se e prek dhe përcakton cilësinë e marrëdhënies prind-adoleshent është komunikimi.
Gjykoj se do të ishte e udhës që komunikimi nënë-vajzë të kishte trajtat e një komunikimi të hapur, pa sekrete dhe “gjëra që do t’i marrësh vesh më vonë, kur të rritesh edhe pak”. Komunikimi hapur do t’iu krijojnë mundësi palëve që të mund të ndanin përvojat dhe informacionin duke bërë njëkohësisht edhe mbështetjen e njëra-tjetrës. Për shembull, edhe vajzat edhe nënat kanë nevojë të ndajnë mes tyre informacione për zhvillimin seksual të vajzave të reja. Vajzat kanë nevojë të jenë të parapërgatitura (dhe nënat mund ta bëjnë këtë me mirë se askush tjetër, pavarësisht se gjykojnë se vajza do ta mësojë nga shoqet) dhe nënat kanë nevojë që të jenë një të njëjtën vijë drite me njohuritë bashkëkohore që vajzat mund të kenë (për shkak të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit të hershëm me shoqet e tyre). Nëse ndajnë njëkohësisht informacionin që zotërojnë, atëherë do të kenë mundësinë që në çdo moment të mbështesin njëra-tjetrën. Për t’iu përmbajtur shembullit, si nëna edhe bija e saj kanë nevojë të mbështesin njëra-tjetrën përgjatë zbulimit të elementëve të zhvillimit seksual të vajzës së re. vetëm falë komunikimit të hapur, nëna dhe vajza mund të jenë të vërtetë dhe të zbulojnë se të dyja kanë frikë, pasiguri, nevojë për të mësuar informacione të rje, nevojë për ndihmë nga njerëz profesionistë për çështje të caktuara.

Një element tjetër tejet i rëndësishëm I komunikimit që siguron kushte të favorshme për një nëna dhe vajza duhet të përpiqen të hapen me njëra-tjetrën duke u përpjekur në maksimum të kuptojnë drejt pozitën e njëra-tjetrës. Do të ishte e dobishme që të bënin kujdes për të mos paragjykuar, për të mos ndëshkuar dhe për të mos përjashtuar njëra-tjetrën. Sigurisht, do të ketë ditë kur do të jetë e vështirë të vendoset komunikimi, por suksesi do të jetë gjithnjë I garantuar nëse mbahet në vëmendje se qëllimet kryesore të komunikimit midis tyre do të jetë: orientimi drejt palës tjetër, rritja e sensit të pavarësisë dhe përgjegjësisë tek vajza e re dhe, mbi të gjitha, dhënia konstante e mesazhit “ Çfarë do që të ndodhë, unë do të jem këtu për ty”.

Cilat janë vështirësitë që hasin prindërit për të edukuar fëmijë që t’i vlejnë shoqërisë?

Ashtu sikurse u përmend edhe më sipër, prindërit sfidohen vazhdimisht në rrugën e tyre të prindërimit për të rritur fëmijë që të jenë qytetarë të denjë të shoqërisë në të ardhmen (dhe për një adoleshent e ardhmja është e afërt).
Si vështirësi të parë do të gjykoja sensin e vazhdueshëm të paqartësisë dhe pasigurisë që përjetojnë prindërit në disa nivele; në drejtim të punësimit, të sigurimit të banesës, të orientimit të ardhshëm arsimor dhe profesional të fëmijëve të tyre, etj. Kjo ndjenjë e vazhdueshme pasigurie reflektohet në vështirësinë e prindërve për të shërbyer si udhërrëfyes dhe mbështetës të fëmijëve. Shpesh herë kjo përkthehet në një konsiderim të vetes nga ana e prindërve si “të paaftë”. Dhe kjo pasiguri, nëse nuk trajtohet me sinqeritet dhe në mënyrë konstruktive me vetë adoleshentët, mund të kthehet në një kërcënim për sensin e sigurisë për vetë adoleshentët.

Zhvillimi i komunikimit dixhital si një ndër format më të parapëlqyera të adoleshentëve (në mos më e përdorura) është një sfidë konstante për prindërit. Jo të gjithë prindërit I zotërojnë këto aftësi, jo të gjithë prindërit kanë zellin t’i mësojnë këto aftësi, dhe ca më keq akoma, jo të gjithë prindërit mendojnë se ky kanal I ri komunikimi është i rëndësishëm.

Sigurisht që stili i edukimit të fëmijëve dhe kanalet e komunikimit që mund të përdoren për këtë gjë janë në zgjedhjen e lirë të prindërve. Por nuk mund të mos marrim në konsideratë që, pavarësisht kritereve moshore dhe limiteve kohore që iu vendosin fëmijëve të tyre në përdorimin e teknologjisë, mesazhet e ardhura nga ‘përtej ekranit’ janë të përditshme në jetët e adoleshentëve. Sa më parë prindërit t’i japin rëndësinë që i takon komunikimit dixhital dhe sa më parë të përpiqen që ta kuptojnë dhe ta përdorin këtë komunikim, aq më mirë do të ishte. Në fund të fundit, asgjë nuk është e pamundur të mësohet deri në momentin kur kuptohet se ajo është tejet e rëndësishme për të ndihmuar adoleshentët të rriten të shëndetshëm, fizikisht edhe psikologjikisht.

Publikuar: shqiptarja.com

Ky botim u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojne domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit Soros.


Tags: ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Korça E Traditave, Çfarë Ka Ndryshuar

Next Post

Dashuria Që Kapërcen Të Pamundurën



Leave a Reply


More Story

Korça E Traditave, Çfarë Ka Ndryshuar

Qyteti në sytë e Nikoletës Në Korçë si rrallëkund në Shqipëri, aroma e qytetarisë ndihet ende aq e fortë sa nuk të lejon...

March 31, 2016