Latest

Fundviti

Editorial / October 20, 2011

This post also exists in English Version

Fundvitet janë të rrëmujshëm, në fakt. Të duket sikur nuk ke arritur t’i bësh të gjitha. Por, edhe nëse kjo nuk është e vërtetë, nuk është se ke më shumë kohë për të planifikuar si t’ia arrish qëllimit. Tirana në fundvit nuk është qyteti më i bukur i botës, ajo nuk e ka atë shkëlqimin e qyteteve të mëdha për festa. Të paktën kështu ka qenë këto katër-pesë vitet e fundit, pasi nuk është hedhur asnjë lek për zbukurimet e saj. Pamja ishte e njëllojtë me vitin që shkoi e me ato të mëparshëm. Por njerëzit i duan pushimet. E duan ndërrimin e viteve dhe kanë shpresë se viti që do të vijë do të jetë me më shumë fat. Këtë vit Tirana po e pret Vitin e Ri paksa më ndryshe. Ka një sërë aktivitetesh dhe jetë artistike. Nga më të rëndësishmet është pjesëmarrja e Teatrit Kombëtar në një konkurs ndërkombëtar që do të mbahet në Londër. Në këtë ngjarje artistike do të marrin pjesë 37 vende, të cilat do të vënë në skenë veprën e plotë të Shekspirit, në 37 gjuhë përkatëse. Kjo është hera e parë pas 70 vjetësh që Tetari Kombëtar merr pjesë në një ngjarje të tillë. Po kështu, është Festivali Kombëtar i Këngës në TVSh, një nga veprimtaritë më të bukura dhe gjithashtu një traditë mjaft e mirë në historikun e Televizionit Shqiptar. Pritet të jetë një festival shumë i arrirë, sepse këtë herë shënon vitin e 50-të. Muzika përcjell te njeriu mesazhe të shpejta. Këtë e dinë të gjithë. Për fat të mirë, nuk është vetëm festivali i RTSh-së, sepse në kohën që kjo revistë po kalonte për në shtyp, po zhvillohej Kënga Magjike, një ngjarje artistike shumë e arrirë e artistit të njohur Ardit Gjebrea. Nga ana tjetër, një tv tjetër është duke realizuar edicionin e radhës së Top Fest. Është mirë kështu, kur jeta artistike fillon dhe krijon traditat e veta. Po kështu, aktivitete të tjera të rëndësishme ka gjithandej në Teatrin e Operës dhe Baletit, në galeritë e arteve private dhe shtetërore. Për fat të mirë, në nëntor kemi Panairin e Librit, që do të qëndrojë hapur nga data 9 deri më 13 nëntor. 14 vjet më parë, kur panairi i librit u organizua për herë të parë, solli risi. Vërtet pati një periudhë kur njerëzit iu larguan librit, por të dhënat e studimeve të pakat që janë bërë për këtë tregojnë se lexuesit janë kthyer përsëri te libri. Numri i vizitorëve dhe i blerësve në panairin e shkuar ishte me mijëra; po kështu, nga të dhënat e organizatorëve të aktivitetit u shitën mbi 200 mijë libra. Një libër i mirë vlerësohet si një mik i mirë; atij mund t’ia kthesh shpinën kur të duash, porse të mbetet gjithmonë një mik i mirë. Dhe, në fund, duke qenë se revista jonë del një herë në dy muaj, derisa numri i ri të jetë në dorën tuaj do të ketë ardhur një tjetër vit. Urojmë që viti që do të vijë t’ju sjellë pranë miq të vërtetë, hapësira më shumë në dritaren e botës, muzikë, libra dhe shumë mundësi për një jetë më të mirë.
Është koha për ta mbyllur vitin 2011 ndershmërisht, për të bërë bilancet e humbjeve e të fitoreve në luftën me vetveten. Për të shpresuar që më 2012-n do të kemi pranë më shumë miq, më shumë suksese, më shumë mundësi për t’u njohur me veten dhe një peshore pa hile, ku t’i masim mirë vlerat tona reale.

This post also exists in English Version


Tags: , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Year's End!

Next Post

L





You might also like

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

Year's End!

Ky postim ekziston gjithashtu në Vesionin Shqip The last weeks of the year are usually a kind of hugger-mugger. It look...

October 20, 2011