Latest

Gjakmarrja, Jetë E Mbetur Peng

Publications / Slider / August 31, 2016

Leke Dukagjini nuk ka vdekur. Ai la pas kanunin e tij i cili nuk u fashit kurrë. Me kalimin e viteve ai u transformua, u perdhos, u keqinterpretua dhe vetem sa shtoi numrin e viktimave të pafajshme herë burra, herë djem të rinj dhe jashtë çdo rregulli edhe gra dhe fëmijë. Kanuni është njësoj si një kullë me frëngji të larta dhe me kanata dritaresh të mbyllura ku drita e diellit hyn vetëm nëpërmjet ndonjë plase. Ai thjeshtë është zhvendosur nga kullat, për të gjetur strehë në shtëpitë prej betoni të të zotit të hallit ose në shtëpitë ku gjaksit jetojnë me qira. Nënë Dila 74 vjeçare mban mbi supe fatin e zi të familjes së saj. I biri ka vrarë kur ishte 17 vjeç. Prej asaj kohe dhe sot kanë kaluar 25 vite. Kanë rrjedhur ujëra, kanë ndryshuar stinët, por hasmëria nuk ka mbaruar.

Fillesa

Në vitin 1991 në një fshat të Tropojës i biri i Dilës 17 vjecari P.N luante me letra me një shokun e tij komshi në të njëjtën lagje. Si shpërblim të lojës tjetri i jep një 10 lekësh të mbetur nga sistemi socialist dhe të zhvleftësuar nga hyrja e lekut të ri. Në ditët që pasuan djemtë e vazhduan lojën dhe në momentin që i erdhi radha për të fituar P.N ai i ktheu shokut të tij 10 lekshin që ai i kishte dhënë dy ditë më parë. Aty nisi sherri absurd për atë shumë lekësh që nuk vlente më. Sherr i cili degjeneroi në grushta dhe shtrembërim të nofullës së 17 vjeçarit i cili u rrah barbarisht prej shokut të lojës dhe kushëririt të tij. Me nofull të shtrembëruar dhe me të gërrvishturat gjithandej djali u kthye në shtëpi dhe kaloi dy javë i mbyllur në shtëpi.

Pas dy javësh kur doli u kercënua përsëri nga 18 vjeçari dhe u qëllua. Thirrjes së familjarëve të tij për pushimin e kësaj grindje absurde nuk ju përgjigj asnjëri prej djemve. I ndjerë nën kërcënimin e tjetrit ai në një prej ditëve mori për vetmbrojtje një thikë të vogël (biçak) me vete. Sherri nisi sapo u përballën përsëri. “Për të zezën e tij dhe për fatin e keq të tjetrit, gjatë sherrit im bir qëlloi mbi të, jo kurrë për ta vrarë, vetëm për ta trembur tregon nënë Dila, -por biçaku përfundoi drejt e në zemrën e tij. Im bir e la aty në mes të lokalit dhe i gjakosur pa e ditur se tjetri kishte vdekur dhe u kthye në shtëpi. Më tregoi se çfarë kishte bërë. Nuk dija çtë bëja thotë ajo. Na u përmbys jeta. Kushërinjtë tanë ishin të gatshëm që ta çonin tim bir jashtë kufijve, por ai nuk pranoi. Për të kaluar rrezikun e parë të ndonjë hakmarrje të mundshme ai iku tek motra e tim shoqi, tregon ajo.

Kërkesa për falje

Burri i Dilës u lajmërua nga forcat e rendit për çfarë kishte ndodhur. Kur policia mbërriti në shtëpi, unë i tregova të drejtën tregon Dila. I thashë të mos e kërkonin se nuk e kisha fshehur tim bir asgjëkundi dhe u tregova se ku ishte strehuar. U habitën që u thashë të vërtetën, por nuk kisha si të mos u thosha, – kujton ajo. Pas arrestimit djali i saj ndenji 7 muaj pa u gjykuar në dhomat e izolimit të komisariatit të Tropojës. “Atje u rrah dhe u masakrua shumë keq, – tregon Dila, e cila kujton faktin që pas dhunës së ushtruar të birit ju shfaq sëmundja e epilepsisë dhe u masakrua prej policëve të cilët mendonin se ai po luante lojën. Ju mpiks gjaku në tru dhe mendja e tij e humbi kthjelltësinë një herë e përgjithmonë. Nga 17 vite që u dënua në fillim për shkak të epilepsisë, atij ju ul dënimi në 5 vite.

Ndërkohë në familjen e Dilës burri i saj dhe djali tjetër, (i madhi) u larguan drejt një qyteti bregdetar brënda javës. Paralelisht me këtë tre herë i shoqi i Dilës i çoi fjalë familjes së të vrarit për ta pushuar çështjen. Nuk mori kurrë përgjigje. Kur gratë mbetën vetëm në shtëpi, çdo dritare mbeti pa xhama. Qëllonin natën me gurë fëmijë të futur nga familja e të vrarit. “Rrija më sëpatën tek koka”, tregon Dila. Rreth një muaj më pas gratë e mbetura në shtëpi, Dila, tre vajzat dhe nusja e djalit të madh mblodhën gjithë rrobat, divanët, dollapet dhe ngarkuan një kamion për tu larguar nga fshati një herë e përgjithmonë. “E bëmë për të respektuar familjen e të vrarit. I kishim shumë pranë, u larguam për të respektuar dhimbjen e tyre, – tregon ajo. Kur kamioni ishte në ecje, çdo gjë në rimorkion e tij mori flakë pasi na hodhën lëndë djegëse. Zbritëm të gjitha nga kabina ndërsa kamionin dhe gjithcka që kishim e pamë të digjej para syve tand.

Përfunduam në Lezhë pa asnjë rrobë për tu ndërruar, – tregon Dila. Jeta pas kësaj ishte një vuajtje e vazhdueshme ku hakmarrja hyri në mes. I biri kaloi 5 vite në burg, por kur doli prej andej nuk ishte më i njëjti. E shkatërroi vdekja e të atit i cili u varros pa e parë kurrë. Kur doli mëndjen nuk e kishte më të kthjellët, sëmundja e epilepsisë u shoqërua dhe me agresivitet nga ana e tij. Dila tregon duart e saj të holla që kanë një dridhje të lehtë dhe thotë se së bashku me të birin tjetër e kanë lidhur së bashku në krevat nga frika që kishin se mund ti qëllonte të gjithë derisa ka ardhur ambulanca dhe pas vizitës e kanë shtruar në spitalin psikiatrik.

Gjakmarrja e munguar

Kanë kalaur 25 vite që nga koha kur ka ndodhur vrasja, por Dila thotë se gjaku nuk u është falur. Mamaja e të vdekurit në atë kohë u betua mbi varrin e tij se do i merrte hakun. Por vëllai i tij i cili ka tre djem tani nuk ndërmori asnjë veprim. I vetmi rast tregon Dila ka ndodhur në Shëngjin ku një djalë i panjohur i paguar nga kushërinjtë e të vdekurit ndoqi për të vrarë vëllain e P.N. Im bir i kuptoi thotë Dila dhe kërkoi ndihmë një një shtëpi të panjohur. Gjeti aty vetëm nusen dhe një djalë të vogël në djep. Ajo lajmëroi familjarët e saj dhe i vëllai i P.N nuk u godit. “Janë kushërinjtë e të vrarit që jetojnë jashtë dhe kanë lekë që janë të gatshëm të paguajnë për të larë gjakun”, thotë ajo.

Dila tregon se një arsye tjetër që gjaku nuk është falur janë dhe nxitësit e gjakut. Na kanë treguar se sa herë që familja e të vrarit ka pasur një sherr, përgjigja e personave palë e konfliktit ka qënë, ju nuk merrni dot gjakun e djalit tuaj dhe doni të hakmerreni kundër nesh. Po kështu ka shumë njerëz që i pyesin edhe në kohë të qeta se çfarë do bëjnë për gjakun e derdhur”, rrëfen Dila. Djali tjetër i Dilës sot është polic. “Atë e mbron arma” thotë Dila, por frikën të keqes ia ka. I biri ka një djalë 18 vjeç të cilin e ka çuar në Gjermani për ta mbajtur larg ndonjë hakmarrje të mundshme. Dila jeton në një shtëpi me qira së bashku me të birin P.N. ajo merr një pension prej 14 mijë lekësh, ndërsa i biri merr asistencë mjekësore 9 mijë lekë. Me këto lek Dila paguan qiranë në vlerën 10 mijë lek dhe me të tjerat ushqehen.

Ajo tregon se jeta e saj ka qënë një vuajtje e madhe pas gabimit fatal të të birit. Pyetjes se nëse një ditë familja e të vrarit do të hakmerrjej dhe a do donte ajo ta vazhdonte gjakmarrjen ajo i përgjigjet “Kurrë nuk do ta vazhdoja. Nuk do doja ti bëja askujt diçka që nuk dua të më ndodh mua. I forti dhe trimi fal”

Pjeter Gjoka zevëndes-kryetar i përgjithshem i Misionit te Pajtimit Mbarkombetar dhe kryetar i deges se Lezhes thotë se gjakmarrja në rang kombëtar është një shqetësim. Ai shpjegon se familjet e ngujuara ne rang kombetar janë 9330 nga 12008 që ishin në 2013.

Janë 430 fëmijë të ngujuar në rang kombëtar të cilët nuk ndjekin shkollën ose e ndjekin pjesërisht atë.

Shkaqet kryesore që kanë sjellë këto ngujime janë disa.

Të ngujuar për probleme pronësie toke në fshat 22%
Për pronësinë e tokës në qytet 14%
Për vaasje 13%
Për ceshtje nderi 15%
Për trafik femrash 20%
Të trashëguara nga e shkuara janë 5%
Të çastit 8%
Të tjera 3%

Publikuar: shqiptarja.com

Ky botim u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojne domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit Soros.


Tags:



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Ti

Next Post

Lutje



Leave a Reply


More Story

Ti

Ti je fryma… Je ajri i freskët në një ditë zhegu Pas një shiu që behu papritur…. Je pendim. Ti je emërues...

July 9, 2016