Latest

Grate Duhet Te Konkurojne Me Formim, Jo Me Kuota

Femra / July 27, 2014

This post also exists in English

Majlinda Bufi është deputete e dalë nga listat e kandidatëve të hartuara nga Partia Socialiste, por ajo vetë pëlqen konkurrimin e drejtpërdrejtë, pavarësisht nëse ka përballë burra apo gra. Ajo ka drejtuar degën e Partisë Socialiste në qytezën e Roskovecit për më shumë se dhjetë vjet dhe thotë se një pjesë të suksesit ia atribuon mbështetjes shpirtërore të bashkëshortit të saj. Bufi konsideron si çështjen e vet më të rëndësishme rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe thotë se Shqipëria ka shumë për të bërë, për të “ndryshuar mentalitetin” në drejtim të barazisë gjinore.

Si e vlerësoni mjedisin politik në Shqipëri sot?

Nga këndvështrimi gjinor them se jemi akoma shumë mbrapa. Ne, politikanët dhe të gjithë politikëbërësit duket të ndryshojmë shumë gjëra, së pari në mentalitet. Në mënyrën se si bëhet në politikë. Kur flasim për pjesëmarrjen e burrave dhe grave në politikë flasim për koncepte, nuk flasim thjesht për çështje gjinore. Të bërit politikë duhet të jetë me parime dhe e tillë duhet të jetë qoftë kur e thotë një grua, qoftë kur e thotë një burrë. Sot nuk është kështu. Fjalët e thëna nga një grua paragjykohen.

Çfarë mendimi keni për kuotat e garantuara për gratë në politikë? A mendoni se do të qe më mirë që gratë ta fitonin postin me garë dhe jo me kuotë?

Nga pikëpamja ime personale do të isha me këtë të fundit. Gratë duhet të konkurrojnë qoftë përballë njëra-tjetrës, qoftë përballë burrave, me kapacitete, me formim dhe jo me kuota. Për mua nuk ka kuptim që të favorizohet një grua vetëm për faktin që është grua apo për të plotësuar një numër kur ky numër është mangët.
Por në realitetin shqiptar, ku ende ka një klimë patriarkale dhe një paragjykim ndaj grave, le të themi se ky është një diskriminim pozitiv për momentin, deri sa të arrijmë në atë lloj mentaliteti kur të mos kemi të tilla paragjykime.

Çfarë ju ka lënë më shumë mbresa së fundmi?

Në qoftë se do të flisnim për një vendim të rëndësishëm është ai i reformës territoriale. Domosdoshmërinë e kësaj reforme e ka shprehur jo vetëm maxhoranca por edhe opozita. Është një nga vendimet më të rëndësishme të kësaj maxhorance. Nevojën për këtë reformë dhe domosdoshmërinë e kësaj reforme e kanë shprehur jo vetëm maxhoranca por edhe opozita. Dakordësinë e saj e ka shprehur pavarësisht se nuk ka marrë pjesë në këtë proces sepse ka patur arsyet e veta. Po t’i gjykojmë nga pikëpamja ime si pjesë e maxhorancë, unë kam kundërshtitë e mija, por reforma territoriale është me rëndësi vendimtare.
Natyrisht që reforma territoriale në vetvete nuk është e mjaftueshme. Ky është hapi i parë, ka shumë hapa të tjerë që duhen bërë në lidhje me decentralizimin, taksat dhe funksionet e pushtetit vendor. Mendoj se pas këtij hapit të parë do të ndërmerren hapa të tjerë në drejtim të decentralizimit.

Si ndodhi që u angazhuat në politikë?

Angazhimi im në politikë nuk është krejt rastësor. Unë e kam filluar politikën lokale që nga viti 1997, në kohën kur përgatiteshin zgjedhjet e përgjithshme. Në fillim isha në pushtetin vendor, më pas drejtuese e partisë lokale për gati dhjetë vjet me rradhë.

Kishte ndonjë moment kur vendosët që duhej të hynit në politikë?

Në fillim kjo erdhi normalisht, pastaj duke qenë brenda bëhesh pjesë e sfidave.

Çfarë sfidash keni hasur gjatë karrierës suaj në politikë?

Sfidat kanë qenë të shumta. Unë kam qenë e garave brenda partisë jo një herë, por disa herë, qoftë kur gam garuar për kryetare partie, Partia Socialiste ka patur disa eksperienca, qoftë në garë për ato që quhen Këshilla Zonalë, qoftë edhe me garat një anëtar – një votë. Sa herë që kam hyrë në garë gjithmonë kam patur burra përballë dhe gjithmonë kam fituar. Sfidën më të madhe e kam patur tani së fundmi në zgjedhjet e përgjithshme. Edhe pse ishim pjesë e listës, shpërndarja e përgjegjësive u bë në zona të caktuara dhe mënyra e fushatës ishte sikur të garoje në sistem maxhorance.
Unë kam drejtuar një zonë me pesë njësi vendore dhe në pesë njësi vendore kam patur përballë pesë kryetarë njësish vendore të gjithë të djathtë, nuk kishte asnjë të majtë. Sigurisht që kam patur krerët e partisë që u angazhuan për mbështetje por ka qenë një punë e drejtuar e gjitha nga unë.
Ne patëm një rezultat shumë të kënaqshëm. Po të shohësh rezultatet e zonës së Fierit, ato të Roskovecit qenë nga më të kënaqshmet.

Cili ka qenë njeriu që ju ka mbështetur më shumë në karrierën tuaj politike?

Mbështetja më e madhe ka qenë bashkëshorti im. Në qoftë se një grua nuk ka mbështetje nuk ecën dot në politikë. Jo vetëm në politikë por mendoj që nuk ecën dot gjithandej. Mbështetja është shhumë e rëndësishme në karrierë. Bashkëshorti im është një nga njerëzit që mua më ka dhënë mbështetjen më të madhe, jo vetëm moralisht. Mbështetja morale më shumë që më ka dhënë forcë dhe optimizëm në momente të caktuara kur unë kisha pesimizëm, kur ndjehesha e lodhur apo kur ndjehesha e fyer nga mbledhjet e stërzgjatura nga debatet pa fund me burra. Ka patur raste kur ne kemi bërë mbledhje disa orëshe vetëm me burra kur vetëm unë kam qenë grua në dhomë. Në të gjitha këto situata sigurisht që kam patur nevojë për mbështetje në momente të caktuara. Pa mbështetjen e tij nuk mund të isha këtu sot.
Sigurisht edhe shoqëria ka qenë mbështetje e madhe për mua.

Kush ka qenë kundërshtari juaj më i ashpër?

Kundërshtarë le të themi, kanë qenë elementë të caktuar që kanë rivalizuar me mua në momente të caktuara brenda partisë, burra, kjo gra.

Si i shihni zhvillimet e Shqipërisë në katër vitet e ardhshme?

Ekonomia është sfidë jo vetëm për qeverinë por për të gjithë shoqërinë shqiptare. E para për shkak se të gjithë treguesit ekonomikë dhe konkretisht nga gjendja ku ndodhet sot, le të themi, pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare është keq. Por unë mendoj që me masat apo reformat që qeveria ka marrë fundi i mandatit të parë, pra pas tre vitesh do të tregojë se ne do të kemi rritje ekonomike në Shqipëri. Ne në fakt duhet patjetër të kemi rritje.

Cilat mendoni se janë avantazhet kryesore të Shqipërisë?

Shqipëria dhe shoqëria shqiptare janë një vend që kanë mjaft avantazhe por e rëndësishmja për ne është që ne të dimë t’i shfrytëzojmë avantazhet në të mirë të vetes tonë. Vendi ynë është një vend që ka burime natyrore të pashfrytëzuara deri tani. Nëse i referohemi për shembull turizmit, një nga drejtimet ku Shqipëria mund të japë shumë, mjaft që politika jonë të tregojë maturinë e duhur që këto burime të shfrytëzohen dhe ne të tregojmë vlerat më të mira të Shqipërisë.

Cilat janë sfidat kryesore të Shqipërisë?

Në kuptimin e përgjithshëm, të parën e thashë, rritja ekonomike është një nga sfidat kryesore. Ekonomia duhet të rritet në funksion të rritjes së mirëqënies për të gjithë shqiptarët. Pastaj është integrimi i Shqipërisë pas hapit të parë që ne hodhën me marrjen e statusit kandidat, duhet të hapet procesi i negociatave dhe reformat që duhet të ndërmerren për këtë qëllim janë sfida tjetër shumë e rëndësishme për shoqërinë tonë.

Po sikur deri tani jemi mësuar që integrimi europian është i pari dhe i fundit objektiv ndërsa ju e rendisni të dytin?

Ndoshta janë të ndërthurrura me njëra-tjetrën por unë e shikoj këtë gjë nga syri i shoqërisë shqiptare dhe si ekonomiste. Nuk mund të ketë integrim në Europë nqs ne nuk rrisim treguesit ekonomikë brenda vendit, nqs nuk rrisim mirëqënien.

Cili është mendimi yt për barazinë gjinore në Shqipëri?

Barazia gjinore në Shqipëri është në ato tregues dhe në ato shifra që besoj tashmë ne i njohim mirë por ende ka shumë vend dhe hapësirë për të punuar. Unë nuk dua të sjell rastet se si diskriminohet një femër, një grua, qoftë nga ato më ekstremet, qoftë nga ato më modernet. Unë mendoj se një nga sfidat kryesore në lidhje me barazinë gjinore është ndryshimi i mentalitetit. Të gjitha problemet vijnë nga ky mentalitet patriarkal i shoqërisë shqiptare.
Po të shohësh shifrat,shumica e vendeve të punës në ekzekutiv plotësohen nga gratë por kur ngjitesh në pozicionet drejtuese, aty ku merren vendimet, vendet më të mira i kanë burrat. Po të flasim për institucionet, qofshin politike apo ekzekutive, e gjithë vendimmarrja bëhet nga burrat. Kjo lloj pabarazie vjen pikërisht si pasojë e këtij mentaliteti dhe është detyrë, jo vetëm e qeverisë, por në rradhë të parë e ne grave sidomos atyre që kanë një farë pushteti në dorë apo kanë një farë pozicioni, qoftë në qeverisje, qoftë në politikë, që të bëhen bashkë duke mbështetur njëra-tjetrën dhe të përpiqen të ndryshojnë këtë lloj mentaliteti. Dhe është detyrë jo vetëm e grave në politikë, por edhe e grave në shoqërinë civile. Të gjitha gratë që kanë sot dhe që mundet të kenë një zë, duhet që këtë zë ta bëjnë bashkë në mënyrë që zëri i secilës prej nesh të jetë sa më i fortë dhe sa më i fuqishëm.

Cilat janë politikat që keni më shumë për zemër?

Barazia gjinore është një nga çështjet që unë kam punuar shumë dhe e kam më për zemër jo vetëm për faktin që jam grua por është një nga çështjet që unë jam marrë gjithë kohës dhe do të doja që në këtë drejtim edhe të jepja kontributin tim por edhe të kishim përmirësim në drejtim të ndryshimit të mentalitetit. Ndryshimi i këtij mentaliteti veçanërisht në zonat rurale është shumë i rëndësishëm. Nuk mund të kemi demokraci në rast se kjo demokraci nuk fillon atje në bazë ku edhe rastet ekstreme janë më të shpeshta dhe ky mentalitet është më i theksuar.

Cila është gruaja që të ka frymëzuar?

Madeleine Albright është një nga gratë që më ka frymëzuar. Në momentin e saj më të mirë dhe kur ajo qe në kulmin e karrierës së saj politike unë e shikoja me admirim si një grua e fortë, me karakter dhe që në momente të caktuara dinte të merrte vendimet e duhura.
Çfarë këshille do t’i jepnit një vajze të re që dëshiron të hyjë në politikë sot?
Sot është momenti kur çdo i ri dhe e re duhet të bëhet pjesë dhe jo vetëm i ri apo e re, në mënyrë që në politikë të përfshihen njerëz me mentalitet ndryshe, për të sjellë edhe në politikën shqiptare mënyrën se si bëhet politikë.

OSCE Logo
Fuqizimi i Grave Ne Politike


Tags: , ,



Gjergj Erebara
Gjergj Erebara
Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet universitare për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka master shkencor (MSC) për Histori Ekonomike nga Universiteti i Lundit. I specializuar për gazetari ekonomike,Erebara ka punuar që nga viti 1998 në disa media të shkruara dhe vizive Shqiptare, si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor.




Previous Post

As An Independent Candidate I Can Better Protect The Interests Of The People In Need!

Next Post

Women Must Compete With Formation, Not With Quotas





You might also like

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

As An Independent Candidate I Can Better Protect The Interests Of The People In Need!

Ky postim ekziston gjithashtu në Vesionin Shqip Etleva is a member of the Egyptian community and a leader of her people....

July 26, 2014