Latest

Dashuria Që Kapërcen Të Pamundurën

Publications / Slider / May 17, 2016
Historia E Një Vajze 32-vjeçare Të Infektuar Me HIV

Kur imuniteti i trupit të saj ra dhe këputjet filluan të bëhen edhe më të shpeshta, A. J (inicialet e 32 vjeçares janë ndryshuar për të ruajtur privacinë ) bëri analizat dhe zbuloi se ishte prekur nga virusi HIV. Një nga ato zbulime që të përplasin shakull në tokë, të lënë pa frymë, të detyrojnë të mendosh gjëra të zeza, të sjellin në mend vetëvrasjen, arratinë dhe të bëjnë të ëndërrosh se do të gdhihesh një mëngjes dhe e gjithë kjo nuk është e vërtetë. Por ndërkohë që ditët kalonin dhe sëmundja përparonte, A. J përparonte gjithashtu në informacionin për të. Fillimisht hyri në blogje të huaja.

Aty gjeti dhe një të njohurën e saj shqiptare me të njëjtin hall. Shoqja e saj e cila jetonte në Angli rriste e vetme dy fëmijë, sepse i shoqi i cili e kishte infektuar sapo kishte zbuluar për sëmundjen ia kishte mbathur. Dilema e A. J ishte e madhe. Ajo bashkëjetonte prej 8-të vitesh me një djalë i cili meritonte të dinte të vërtetën për sëmundjen. Por për të dhënë lajme të tilla duhet guxim i madh. Para se të përballej me të, u takua me Kryetaren e Shoqatës së personave që jetojnë me HIV/AIDS e cila e qetësoi. Punonjësit e shoqatës nga ana e tyre përballen shumë më shpesh sesa kushdo tjetër me të rinj dhe të reja, gra, burra që i rrëfejnë se vuajnë edhe ata nga ajo sëmundja e rëndë dhe e paragjykuar, për të cilën kishin menduar dikur se nuk do tu bëhej kurrë pjesë e jetës. Pas rrëfimit të saj ajo u përball me të dashurin. I tha që ishte e infektuar dhe se duhej të testohej dhe ai. Për fat të mirë ai nuk ishte i prekur nga virusi. Ndërkohë familja e saj e mbajti pranë. Ajo preferoi mos të fliste për infektimin dhe për mënyrën sesi e kishte marrë atë dhe dëshira e saj u respektua.

I dashuri i saj, për të cilin ajo kishte menduar se do ta braktiste nuk reagoi si në mendimet e saj të zeza. Zakonisht në raste të tilla janë shumë të shpeshta rastet kur partneri i painfektuar zgjedh ta braktis tjetrin. Ai i kërkoi të martoheshin së bashku. Me një kusht, që familja e tij nga një qytet provincial i Shqipërisë të mos e mësonte kurrë të vërtetën. Marrëdhënia e tyre e dashurisë nuk ndryshoi. Ata shtuan në jetën e tyre seksuale prezervativin dhe vetëm pak kohë pas martesës vendosën që të lindnin një fëmijë. Për këtë A. J bëri një trajtim special që do të thotë se hyri në terapi me Antiretrovirale. Për të shmangur çdo infektim të mundshëm pas ngjizjes së fëmijës, process ky cili bëhet në kushte normale, për të shmangur çdo infektim të mundshëm të fëmijës i cili riskun më të madh e ka gjatë kohës së shtatëzanisë; lindjes së fëmijës dhe ushqyerjes me qumësht gjiri. Të treja këto rrugë transmetimi të virusit HIV nga një nënë e infektuar tek fëmija i saj shmangen duke përdorur një trajtimi të veçantë dhe nën vëzhgimin e mjekut infeksionist me ilaçet anti-HIV; duke kryer lindjen e fëmijës nëpërmjet operacionit cezarian. Pas ardhjes në jetë të vajzës, e cila sot gëzon shëndet të plotë, bebja u trajtua për 6 javë pas lindjes me profilaksi ARV (antiretroviralë).

Qumështi i gjirit i cili është gjithashtu një transmetues i virusit ju këshillua të mos e përdorte. Vajza e saj u ushqye me qumësht artificial. Kjo këshillë vlen për çdo nënë të infektuar me HIV e cili dëshiron të mos i heq të drejtën vetes për të pasur fëmijë. Tani jeta e familjes së saj të vogël duket sikur ka hyrë në rrjedhë normale mbushur me dashuri, ndjenja prindërore dhe gëzim. A.J dhe bashkëshorti I saj jetojnë dhe punojnë për të forcuar familjen e tyre. Ajo që e prish ritmin e saj të një jete normale është që herë pas herë duhet të shkëputet dhe të bëj analiza për të parë sesi është gjëndja shëndetësore. Ajo si qindra të tjerë të prekur nga ky virus tani mund të jetoj pa pasur asnjë problem.

Për fat të mirë sëmundja e shekullit tani nuk është më vdekjeprurëse. Ajo mund të mbahet nën kontroll duke përdorur ilaçet dhe kujdesin përkatës. Trajtimi i A. J dhe i çdokujt tjetër që është i infektuar kushton rreth 10 mijë euro në vit në vendet e BE-s ku ilaçet e përdoruara janë të çertifikuara dhe brenda standarteve të tyre të trajtimit. Të sëmurët me AIDS në Shqipëri suvencionohen nga shteti dhe trajtohen me ilaçe anti-HIV prodhime xhenerike për të ulur koston e trajtimit të këtyre pacientëve.

Ajo në intervistën e mëposhtme shpjegon përjetimet e saj që nga momenti kur mori vesh për infektimin me HIV deri në ditët tona. Ja si rrjedh jeta e saj:

Cilat ishin shenjat e para të sëmundjes?

Ndihesha e pafuqishme, sëmuresha shpesh, kisha shumë këputje dhe gjendje të lodhur.

Çfarë ndjeve kur mësove të vërtetën për infektimin?

Bota u shemb para meje, nuk mundesha as ta pranoja dhe as ta mendoja se ishte e vërtetë.

Cilat ishin mendimet që të vinin më shpesh në mëndje?

Vetevrasje, turp, vetmi, të ikja diku ku nuk më njihnin.

Pate frikë t’ia tregojë të dashurit?

Në fillim po, por duhet t’ia tregoja patjeter që edhe ai ta dinte statusin e tij.

Si reagoi familja jote?

Familja me mbajti afër akoma edhe më shumë pasi ishte një moment delikat në jetën tonë.

Mendove ndonjëherë të ndahesh prej të dashurit?

Patjeter që po. Nuk doja asnjeri afër.

E kujt ishte ideja e të lindurit fëmijë?

Ishte një ide e të dyve pasi i duam shumë fëmijët.

A do të bëni fëmijë të tjerë?

Pse jo. Është një dëshirë që nuk zbehet kurrë.

Pas lindjes se fëmijës cili është gëzimi juaj më i madh dhe cila brenga më e madhe?

Gëzimi më i madh është çdo ditë e jetuar me fëmijën ndërsa brenga më e madhe është në qoftë se do arrij t’ia them ndonjëherë të vërtetën.

Ndihesh ndonjëherë e lënduar dhe pse?

Tani jo me pasi kanë kaluar ditët e vështira, por ndonjeherë me dhemb ideja pse e kam këtë virus.

Nëse do të ktheheshe pas në kohë çfarë do të bëje ndryshe?

Ndoshta s’do ndryshoja asnjë grimcë të gjithçkaje që kam bërë.

Historia juaj ka një mesazh të madh dashurie si do ua përcillje të tjerëve atë?

Dashuroni, jetoni me dëshiren për të jetuar, pranoni gjithçka që ju fal fati, qofshin të mira apo të këqija.

Cila është këshilla juaj për të tjerët dhe a do ti veçoje femrat për tu dhënë një këshillë ndryshe nga ajo që do ju drejtoje meshkujve?

Jo nuk do e ndaja këshillen time pasi të dy palët mund të jenë ‘’viktimë’’ e këtij fati (le ta quajmë kështu) Këshilla ime, dashuroni të mbrojtur, për veten, personin që jeni, familjet dhe të ardhmen.

Ku e gjete forcën brenda vetes për të luftuar dhe për të mos i braktisur endrrat?

Unë kam dëshirë të jetoj. E dua jetën me çdo vështirësi dhe mirësi që ka ajo.

Si është jeta jote tani?

Jeta ime eshte si e jotja, si e kujdo tjetër me ndryshimin e vetëm që une marr terapi çdo ditë dhe bëj analiza me shpesh.

Si është trajtimi i mjekëve?

Deri diku i mirë pasi kemi arritur në ato vite ku ata janë mësuar tashmë me idenë që ka edhe njerëz të prekur nga kjo sëmundje.

Ke frikë nga paragjykimi dhe nga cila kategori njerëzish vjen kryesisht ai?

Patjeter që kam frikë nga paragjykimi pasi mund të të largohen të gjithë pa kaluar sekondi nëse mësojnë të vërtetën për sëmundjen. Paragjykimi vjen nga një kategori njerëzish që nuk janë të informuar.

Statistika: “Në 2015 është shtuar numri i personave me vdekje nga AIDS”

Statistikat tregojnë se nuk është rasti i parë i lindjes së një fëmijë të painfektuar (negativ). Fëmija i parë sot është 5 vjeç dhe jeton i shëndetshëm. Ndërkohë që në vitin 2015 ishin tre gra që lindën fëmijë negativë (Të painfektuar). Dy prej tyre trajtoheshin me medikamente sepse dihej statusi i tyre HIV pozitiv ndërsa rasti I tretë u diagnostikua në javën e 37 të shtatzanisë. Dhe në rastet kur partneri mashkulli është i infektuar me HIV ekzistojnë metoda efektive të quajtur “shpëlarja e spermës” ku ngjizja e bebit kryhet me kujdesin e mjekut obstetër në mënyrë artificiale. Fëmija dhe partnerja nuk infektohen nëse ndiqet kjo metodë. Ndërkohë që partnerja, futet në terapi me hormone disa javë para ngjizjes që të rrisë prodhimtarinë e vezëve. Numri i rasteve të vdekjeve gjatë periudhës së parë të këtij viti është rritur. Vitin e kaluar, në 2015 u shënuan 9 raste vdekjeje, ndërkohë që vetëm për tremujorin e parë të vitit 2016 nga të dhëna jo zyrtare flitet se kanë ndërruar jetë 7 persona me AIDS.

Rastet e shtuara tregojnë që shumica tyre janë diagnostikuar shumë vonë kur nuk ka pasur më mundësi për të përfituar nga efektet pozitive të mjekimit me Antiretroviralë dhe për ta mbajtur nën kontroll sëmundjen. Sipas një vendimi të Këshillt të Ministrave që nga viti 2004 personat e infektuar e marrin trajtimin me Antiretroviralë falas. Megjithatë jo gjithmonë kjo gjë shkon mirë, sepse ka pasur raste kur ilaçet mungojnë ose vonohet furnizimi i tyre. Aktualisht janë mbi 32 medikamente të miratuara nga Federata Amerikane e Ilaçeve që përdoren për kurimin e sëmundjes së AIDS-it, por në Shqipëri ekziston një numër shumë më i vogël i llojeve të këtyre medikamenteve.

TË DHËNA KRYESORE:

Të diagnostikuar me HIV/AIDS Total – Nëntor 2015
Total870
Meshkuj613
Femra257
Femije nen 15 vjec40
Te Rinj - 16 - 24 vjec78
Te Rritur752
Infeksione të reja të HIV për vitin 2015 (deri në Nëntor 2015)
Total87
Meshkuj63
Femra24
Femije nen 15 vjec1
Te Rinj7
Te Rritur79
Vdekje ne 20159
Vdekje nga aids nga rastet e 20156
Vdekje nga AIDS deri në Nëntor 2015
Total161
Femra40
Meshkuj121


Publikuar: shqiptarja.com

Ky botim u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojne domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit Soros.


Tags: ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Fjodi Sinanaj: Nuk E Privoj Veten Nga Ëndrrat Që Dua Të Realizoj

Next Post

Pa Formë





You might also like

Leave a Reply


More Story

Fjodi Sinanaj: Nuk E Privoj Veten Nga Ëndrrat Që Dua Të Realizoj

Jeta në sytë e një adoleshenteje Fjodi Sinanaj, nëse do të kërkoje ta gjeje mes të tjerëve në oborrin e shkollës...

May 10, 2016