Latest

Historia E Njerëzve Të Natës

Publications / Slider / January 7, 2016

Sa herë që njerëzit flasin për jetën e natës, nënkuptojnë me këtë të rinj dhe të reja që mbushin lokalet më të frekuentuar nën ritmet e një muzike që i mban zgjuar deri në agim. Krejtësisht njëlloj si ata rrinë zgjuar është edhe një kategori tjetër njerëzish që e “gdhijnë” po ashtu, të cilët nga zhurmat dhe festat, sidomos ato që zhvillohen në qëndra qytetesh përfitojnë më shumë punë dhe lodhje, më shumë plehra për të mbledhur me qëllim që ti kthejnë qyteti fytyrën e tij të pastër. Ata janë punëtorët e pastrimit, në radhët e të cilave ka me qindra gra, shumica e të cilave e kanë filluar punën qëkur kanë qënë 12 vjeçe.

Nje njesi pastrimi

Nje njesi pastrimi

Namik Simixhiu nga drejtoria e mbetjeve urbane pranë bashkisë Tiranë shpjegon se për pastrimin e qytetit firmat operojnë me turne dhe të gjitha së bashku kanë 550 punëtorë, ndërsa vetë Ndërmarrja e Pastrim-Gjelbërimit ka 130 punëtorë. Sipas Simixhiut, në 680 punëtorët që mbulojnë këtë sektor 60 përqind janë femra. Janë 6 firma që operojnë për pastrimin e qytetit pasi kanë fituar tenderin nga Bashkia, por me punëtorët e disa prej atyre firmave është e pamundur të flitet. Kryesisht ata që i pengojnë janë përgjegjësat e turneve të cilët nuk duan që të bëhen publike të ardhurat e këtyre punëtorëve.
Mes radhëve të kësaj armate gjenden dhjetëra në vështirësi ekonomike dhe shëndetësore. Gra që vuajnë nga tuberkulozi, po nuk kanë mundësi financiare për tu kuruar, të tjera që përballojnë jetën e tyre dhe të familjeve të tyre me dyfishin e halleve, sepse paratë që fitojnë u’a sekuestrojnë bashkëshortët që i përdorin për të blerë alkool. Gratë e kësaj kategorie janë të heshtura dhe kokëulura. Ato kanë bërë kompromis me jetën e tyre për të përballuar çdo lloj shuplake që ajo ju përplas në fytyrë. Një pjesë e kësaj kategorie për të përballuar shpenzimet ekonomike, dhurojnë gjak. Por edhe kjo lloj mundësie nuk zgjat shumë. Duke punuar në rrugë për një kohë të gjatë, mbërrin një ditë dhe gjaku i tyre nuk konsiderohet më i pastër për tu dhuruar. Punëtorët shprehen se mjekët ju kanë thënë që kanë zmadhim të mëlçisë, gjë që do të thotë se janë prekur nga hepatiti. Të vetmit punëtorë që pranojnë të flasin për punën e tyre i përkasin firmës Shpresa SH.P.K e cila është një firmë e re që operon në Tiranë dhe ka në juridiksion pjesën lindore të Tiranës përfshirë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”dhe sheshin “Nënë Tereza”. Punëtorët paguhen 30 mijë lekë ku përfshihen dhe siguracionet dhe kjo shifër ndryshon me afërsisht 10 mijë lekë me punëtorët e paguar më pak për të njëjtën punë në firmat e tjera. Jeta e tyre nuk është më e bukura në botë, por ata ndihen mirënjohës që kanë një punë dhe që ajo pagesë i ndihmon për t’ia dalë në fund.

Shefikat Shako

Shefikat Shako

Ndër gratë që punojnë pranë kësaj firme ështe edhe Shefikat Shako, një grua e imët dhe me buzëqeshje të vrarë, të mbetur në cepat e buzëve, njësoj sikur jeta të ketë kaluar me shpejtësi mbi të dhe ti ketë vjedhur gjithë gëzimin. Ajo nuk ka shtëpi. Jeton lartë e poshtë së bashku me familjarët e saj, sa në Yzberisht, sa diku afër pallatit me shigjeta në pritje për tu stabilizuar me një banesë sociale, për të cilën ka bërë dhjetëra letra dhe shkresa dhe së fundmi beson që do ia arrijë të ketë një çati mbi kokën e saj. Shefikati është 40 vjeçe. Gjtë kësaj jete ajo është bërë shpejt nënë, shpejt grua e ve dhe shpejt gjyshe. “Kam sakrifikuar shumë në jetë, e nis rrëfimin e saj, e kam bërë për familjen, për fëmijët e mi. Kam punur ndershmërisht gjithë jetën” dhe kur thotë këto fjali vë dorën në ballë, për të demostruar me gjeste që çdo gjë e ka bërë me punë të ndershme, pa i shtrirë dorën njeriu e pa gjetur rrugë të shkurtra për të lehtësuar jetën. Në firmën ku punon të gjithë e respektojnë, ajo është në rrugë së bashku me motrën e saj prej më shumë se 6 vitesh. Para se të fillonte të punonte tek firma “Shpresa SH.P.K” ka punuar për një firmë pastrimi italiane. Është mësuar me punën e natës që fillon në orën 21 dhe përfundon në orën 00.03 të ditës së ardhshme. Aktualisht punon në pastrimin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në të cilin është mjaft e kënaqur. Zona është e ndriçuar dhe ka lëvizje, nuk ka kalimtarë të dehur që e fyejnë apo e ngacmojnë. Rrëfen se më parë punonte afër zonës së liqenit në rrugën pranë parkut të lodrave dhe herë pas herë është ngacmuar nga njerëz të dehur, ku më shumë e ka frikësuar një grup djemsh ku njëri prej tyre nuk mjaftohej vetëm duke e ngacmuar me fjalë, por edhe i afrohej për ta prekur.

Shefikat Shako

Shefikat Shako

Njësoj si ajo sillen dhe koleget e saj, të cilat gjithashtu në shumë raste bëjnë sikur nuk i dëgjojnë fjalët e të dehurve ose të njerëzve ordinerë që rëndojnë mbi to, më shumë të pista se mbeturinat që duhet të heqin nga rrugët. Shefikat nuk ankohet për punën, as të tjerët. Pyetjes nëse i ndodh ndonjëherë gjatë kohës që është duke pastruar që dikush ti hedh mbeturinat në tokë, ajo i përgjigjet se edhe nëse dikush e bën, është detyra e saj ta pastroj. Por shton se me kalimin e viteve është pakësuar numri i njerëzve që hedhin mbeturina në rrugë. Ajo tregon se ka plot raste kur njerëzit e pyesin se ku mund ti hedhin mbeturinat që mbajnë në duar. Ajo ndalon sa herë në rrugën ku është duke pastruar kalon njeri, duke mos dashur ta pluhurosi tjetrin. Disa ditë më parë asaj i qëndruan tek këmbët dy burra të cilët i thanë se kishin vënë re sesi ajo ndalonte sa herë kalimtarët nxitonin aty pranë. Në shenjë respekti ata i kishin dhuruar një 500 leksh që Shefikatin e kishte lumturuar pa masë. Sepse me 500 lek ajo mund të blej një litër vaj, gjysmë kile fasule dhe ndonjë pako makarona, pa qënë e nevojshme të shkoj e të shënoj emrin e saj si ndodh gjithmonë kur afron 10 ditëshi i fundit i muajit dhe paratë mbarojnë ndaj zgjidhja e vetme mbetet të ushqyerit me listë. Shefikati ka tre fëmijë, një vajzë të madhe të martuar të cilën e sheh rrallë, një djalë 21 vjeçar i cili është martuar dhe ka një bebe të vogël dhe vajzën e saj të vogël të cilën prej dy vitesh e ka në Itali në një shkollë nën kujdesin e murgeshave. Është e lumtur për vajzë e saj të vogël Shefikati. Ajo është me nota shumë të mira dhe një notare me rezultate të larta. E gëzon Shefikatin shumë suksesi i të bijës, për të cilën thotë se e hoqi nga mjedisi ku jetonte për të mos e martuar shpejt, ashtu si ndodh rëndom me personat që i përkasin komunitetit rom.
Shefikati nuk di shkrim dhe këndim. Ajo ka mësuar vetëm firmën e saj dhe asnjë fjalë tjetër. Pyetjes se nëse sheh ndonjëherë filma ajo i përgjigjet pozitivisht. Thotë se i merr me mend shumicën e gjërave, ndërsa kur ndodhet në shtëpi nusja e djalit i lexon përkthimin e filmave. Arsyeja pse Shefikati ështe e hollë dhe e zbehtë është një operacion i disa kohëve më parë. Ka hequr tëmthin pas një kohe të gjatë vuajtjesh. Ajo rrëfen se ishte vizituar disa herë, por mjeku ua kishte prerë shkurt nëse ishin gati. Me “gati” mjeku nënkuptonte një shumë të hollash për të paguar operacionin. Por Shefikati nuk ka të holla mjaftueshëm për tu ushqyer, jo më për ti dhënë mjekut. Ajo u sëmurë gjatë orarit të punës dhe përgjegjësi i ndërmarrjes çoi urgjent një makinë që e transportoi për spital. U operua nga një mjek i mirë i cili nuk i vuri “gjobë” Shefikatit të varfër që shumicën e kohës ushqehet me pluhur.
Tani jam më mirë, tregon ajo, duke vënë duar mbi barkun e saj dhe duke prekur trupin e hollë të veshur komplet në të zeza, si shenjë zije për vdekjen e babait pak ditë para vitit të ri. Sivjet nuk bëra vit të ri, shpjegon punëtorja e pastrimit, isha në varreza në datë 1, as lekë nuk kisha për të festuar vitin e ri. I është mirënjohëse kishës, pa ditur se cilës prej tyre, por tregon se njerëz të kishës i gjetën një natë në bulevard para vitit të ri dhe ju dhuruan ndihma, sheqer, vaj, oriz. Shyqyr thotë e kënaqur dhe shton se nuk kishte asnjë mililitër vaj natën që mori ndihmat. Shefikati nuk e ka të shoqin prej më shumë se dhjetë vitesh. Ishte burrë i mirë tregon, më deshi dhe më trajtoi me respekt. Vdiq në spital, një mëngjes pasi krizat e zemrës e hidhnin përpjetë në krevat dhe ai i lutej ta çonte në spital. Fëmijët qanin, ndërkohë që ajo kërkonte ndihmë për ta transportuar. Ishte udhëtimi i tij i fundit dhe kur mbërriti u shua duke marrë me vete edhe shpresën e Shefikatit për një jetë më të mirë. Kalvari i saj i mundimeve është i madh. Ajo ka punuar ku ka mundur. Ka rritur shumë fëmijë kundrejt pagesës, ka punuar nëpër fshatra duke shitur rroba të përdorura bashkë me të birin dhe ka punuar si punëtore pastrimi në shtëpitë e të tjerëve. Rroga e saj prej 300 mijë lekësh shkon sot për gjithë familjen e saj, pagesën e ujit, dritave të shtëpisë ku banon, për të cilën fatmirësisht nuk paguan qira, rrobave dhe pampersave për mbesën e saj të vogël dhe pagesën e një kredie të cilën e ka marrë një vit më parë. Kam edhe disa muaj për të paguar, tregon, një shumë prej 9700 lekësh në muaj. E ka marrë kredinë në muajin e fundit kur firma ku punonte do të mbyllej dhe vetëm 6 muaj më pas ka arritur të sigurojë punë pranë firmës Shpresa SH.P.K. Firma u siguron punëtorëve mushamatë e shiut, çizmet dhe maskat kundër pluhurit, por punëtorët nuk i përdorin sepse bezdisen prej tyre pa llogaritur dot pasojat fatale që ka pluhuri në organizëm.
As Shefikati nuk e përdor maskën e fytyrës, edhe asaj i duket sikur i zihet fryma prej saj. Ajo tregon se e gatuan vetë bukën. Një kilogram miell ajo e gatuan dhe siguron bukën e dy ditëve, ndërkohë që po të harxhonte po aq lekë për ta blerë të gatshme nuk do ti mjaftonte as për një ditë. Ushqimet që ajo blen janë kryesisht vaj kikiriku, miell, sheqer, oriz makarona dhe fasule. Ajo harxhon 5 mijë lekë në muaj për këto. Lekët e tjera shkojnë për shpenzime si ujë, drita, detergjent, kredi, pampers. Fundi i muajit e gjen gjithmonë pa të holla. I drejtohet dyqanit të lagjes, ku ka të shënuar në një listë emrin e saj. Aty rendit falas çdo gjë që i nevojitet dhe që e shlyen kur merr rrogën tjetër. Ka raste kur edhe i biri punon, shet rroba të përdorura fshat më fshat. Ndonjëherë fiton lek, por shumicën e kohës është i papunë. Nusja e djalit nuk punon, ajo merret me rritjen e fëmijës.
Po ti referohemi anketës së buxhetit familjar të bërë publik nga INSTAT në shtatorin e vitit të shkuar, aty thuhet se mesatarja që një individ harxhon është 18 mijë lek në muaj, ku 8 mijë lekë janë ushqimet dhe pjesa tjetër, transport, veshëmbathje, argëtim, hoteleri dhe shpenzime të tjera. Shefikat Shako, as nuk e njeh fjalën argëtim dhe jo më të shpenzoj për të, ajo sa herë flet për sakrificat e saj drejton trupin dhe prek ballin. I pëlqen të punoj edhe pse netët mund të jenë të athta, duart akull të ftohta, dhe gishtërinjtë plotë kallo që shtërngojnë bishtin e fshesës. Ajo si shumë prej njerëzve të “jetës së natës” ka dinjitet, por jo të gjithë e vënë re. Ndoshta sepse kur zbardh mëngjesi dhe punëtorët e natës struken nëpër strehët e varfra, njerëzia e harron ekzistencën e tyre.

Publikuar: Panorama

Ky botim u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojne domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit Soros.






Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Burrat Bëjnë Një Sy Qorr Ndaj Punës Së Papaguar Të Grave Në Shqipëri

Next Post

Ish Të Dënuarat, Mbeten Në “Burgun” E Paragjykimit



Leave a Reply


More Story

Burrat Bëjnë Një Sy Qorr Ndaj Punës Së Papaguar Të Grave Në Shqipëri

Në një shtëpi pritjeje në Vermosh - skaji verior i vendit në kufi me Malin e Zi, i zoti argëton turistët me videon...

August 12, 2015