Latest

Korça E Traditave, Çfarë Ka Ndryshuar

Publications / Slider / March 31, 2016
Qyteti në sytë e Nikoletës

Në Korçë si rrallëkund në Shqipëri, aroma e qytetarisë ndihet ende aq e fortë sa nuk të lejon të mos e vësh re. Matanë dritareve me perde të punuara me grep, me soba të hershme gize zonjat korçare gatuajnë gjellët e tyre të famshme, bëjnë punët dhe nëse nuk kanë fëmijë për tu kujdesur lexojnë libra dhe shohin televizor. Shumë prej tyre dikur dilnin dhe në rrugicat me kalldrëm dhe kryenin ritualin e pastrimit. Shkëmbenin ndonjë bisedë të shkurtër dhe pastaj riktheheshin në ambjentet e brendshme të shtëpisë. Vetëm të shtunave rituali i pastrimit u hante më shumë kohë, sepse ato pastronin së bashku gjithë rrugicën. Sot pak prej tyre e ruajnë traditën, si një zakon që u vjen për së largu dhe do shuhet bashkë me to. Korça është e pastër dhe në rrugica kurrë nuk sheh mbeturina, letra të hedhura përtokë apo ndonjë biletë të grisur teatri.

Nikoleta

Nikoleta Strati, një zonjë elegante dhe me vështrim të kaltër si qielli rrëfen Korçën sipas syve të saj. Nikoleta ka lindur në vitet pas çlirimit, ku ajo jetoi dhe punoi brenda një familje origjinale qytetare korçare. Nikoleta thotë se ishte një nxënëse me rezultate shumë të mira, por ajo e refuzoi shkollën e lartë në degën e inxhinierisë gjeologjike për dy vjet. Vitin e tretë asaj i doli bursa për mësuese historie. Ishte shumë e lumtur. “Ëndrra ime ishte që të bëhesha mësuese, profesion që e dashurova atëherë dhe deri në fund. Për 25 vjet e dashurova si profesion. Në ato kohë nga vitet 63-64 ishte e vështirë ende që femra të shkonte me studime në Tiranë, por unë e luftova këtë zakon”. Kur ajo u kthye në Korçë, punoi për një vit si mësuese në Bilisht dhe pastaj u rikthye në Korçë ku punoi për 5 vite në shkollën e mbrëmjes dhe më vonë në gjimnazin “Themistokli Gërmenji”.

Nikoleta Strati

Nikoleta Strati

Edhe pse mbaroi për histori-gjeografi ajo ishte e dhënë më shumë për histori, degë të cilës ju përkushtua. Përsa u përket traditave, shprehet ajo, ato ruheshin me shumë kujdes në shtëpinë e tyre. Mamaja e Nikoletës ishte një grua e shkolluar, por shtëpiake. Ajo kishte një talent të veçantë si piktore, nxënëse e familjes së famshme korçare Zengo. Fryma e saj si “gjysmë artiste”, kështu e quan Nikoleta ishte e pranishme në familje gjë që e përcolli edhe tek vajzat e reja. “Nga mamaja dhe vjehrra ime mësova shumë. Ndërsa zakonet e tjera i pelqeja, pastrimi i oborrit më është dukur i vjetëruar dhe për sa kohë që mundesha çohesha shumë herët dhe pastroja pa më parë njeri. Edhe kur u martova këtë punë e bënte vjehrra ime e cila më thoshte shpesh se një ditë nuk do mundej më. I premtoja që në atë moment që kjo do ndodhte nuk do ta lija pa e bërë si punë, shprehet Nikoleta. Nikoleta u martua me të shoqin e saj Gaqo Stratin kur ishte 20 vjeç. Dikur kur ajo kishte qënë nxënëse në moshën 14 vjeçare, ai kishte qënë profesori i saj. Ndërkohë që ajo rrëfen hedh sytë nga i shoqi që e dëgjon qetësisht rrëfimin e saj. Ata të dy u martuan me mblesëri, por kjo nuk i pengoi për ta njohur dhe dashur njëri-tjetrin edhe tani pas 45 vitesh së bashku. Të besuarit në Zot dhe të shkuarit në kishë është një rit tjetër që ajo e ka pjesë të jetës së saj që fëmijë, kur të shkuarin në kishë e bënte së bashku me gjyshen e saj.

Nikoleta & Gaqo Strati

Nikoleta & Gaqo Strati

Pyetes se çfarë është të jesh një besimtar ajo i përgjigjet, “Për këtë mund të them se ka vlerë edukimi, ne u edukuam me fenë ortodokse. Kjo është njëra anë. I respektoj padyshim edhe fetë e tjera, madje po t’më pyesësh do të them: Duhet patjetër një armë shpirtërore që ta ketë njeriu se e zbut. Unë kam jetuar disa vjet në Greqi dhe kur flisja me grekët u thosha: “Nuk keni ndonjë dallim ju grekët nga ne shqiptarët, por neve për 50 vite na u hoq feja, kjo armë shpirtërore, ndaj ju dukemi pak si të egër, pak si të çorientuar”. Feja të bën të jesh më normal, besim dhe frikë. Të duash, kjo është në bazë të një edukimi fetar. Unë nuk jam për ndonjë fe fanatike. Unë respektoj gjithë ceremonitë fetare dhe shpirterore. Ja gjithë kjo që po ndodh me ISIS nuk ka të bëjë me fenë, se nuk është ajo feja islamike e vërtetë, por atyre ju duhet ta përdorin fenë si një armë të tyren. ”, shprehet ajo.

Traditat

“Unë i takoj një brezi që për 50 vjet ngrinte flamurin e ruajtjes së traditave, por ato tradita të cilat nuk i preknin ideologjinë. Për këtë arsye ai regjim hoqi fenë se nuk i interesonte kjo armë shpirtërore. Ai prishi kishat edhe më të vjetrat prej tyre. Por ne ruajtëm traditën e respektimit të më të mëdhenjve. Në atë kohë ishte traditë që në fillim duhet të martoheshin motrat pastaj vëllai, këtë traditë ne e lamë pas. Profesioni i parë që femrat merrnin në Korçë ishte mësuesia. Ne këtë traditë e lamë pas, sepse secili mund të shkollohej në degën që i pëlqente. Një nga traditat që trashëguam gjithashtu ishte pastërtia. Mamaja që kur ishim të vogla na vinte një shami në kokë dhe një përparëse dhe na mësonte që duhet të fshinim sokakun. Kjo traditë vinte se Korça ishte një qytet me rrugë me kalldrëm, me shtëpira dy katëshe dhe nuk kishte pastrues që të pastronin rrugët. Dhe gratë e kishin këtë punë edhe si një farë shfaqje të pastërtisë së tyre që ne, ja e pastruam shtëpinë, rregulluam gjithçka brënda dhe tani po pastrojmë dhe sokakun. Kjo ishte njëra anë, ana tjetër ishte edhe një rrugëdalje ku ato bisedonin me njëra-tjetrën. Kjo punë mund të zgjaste 15-20 minuta. Ndërsa pasditeve gratë dilnin në sokak ku çdo portë kishte nga dy gurë anash dhe gratë uleshin pasditeve dhe bisedonin me njëra-tjetrën. Për darkën e kaluar ose për gjellën që do gatuanin për drekë.

Pyetjes nëse sot gratë vazhdojnë akoma të pastrojnë ajo i përgjigjet pozitivisht dhe shton: “Në mëhallën time kemi një më të moshuar, teton Sanda. Për të thotë Gaqoja, im shoq gjithmonë, mor po se është shi, se është borë se është ftohtë ajo do dal dhe do fshijë, megjithëse është asfalt, ndërsa unë jo më, ama jam kujdesur që të edukojmë gjithmonë edhe nipërit dhe mbesat që diçka që kanë të mos e hedhin në rrugë. Më kujtohet tani vonë kemi dal në parkun e rinisë që u rregullua dhe i thosha tim shoqi ku mor Gaqo ti hedh këto mbeturina. Prandaj duhen vendosur dhe kutitë përkatëse.

Teto Sanda

Teto Sanda

Pyetjes “A ka ndryshuar Korça në gjithë këto vite, Nikoleta i përgjigjet:
“Korça tani ka një farë ndarje, lagjia 1, 2 dhe 3 po mundohen të ruajnë traditën kjo e imponuar edhe nga bashkia që të ruhen ndërtesat 2 deri në tre kate. Po kështu të ruhen rrethimet me kangjella. Kjo gjë po ndodh edhe me bulevardin. Ndërsa rruga këtu pranë shtëpisë sonë është asfaltuar që në kohën kur ishte kampi i pionierëve. Arkitektët po mundohen të ruajnë traditën”, shprehet Nikoleta. Ajo thotë që i pëlqen që tradita të ruhet në lagjet e vjetra, ndërkohë preferon që lagjet e reja të ndërtohen sipas një arkitekture disa katëshe.

Pse humbi Korça e serenatave

Nikoleta tregon që Korça e serenatave ka humbur shumë kohë më parë. “Atë traditë e kam jetuar shumë pak. Në atë kohë në lagjen time ishin disa që këndonin si Naskë Kondilli dhe Bicolli të cilët shquheshin. Serenatat ishin si shfaqje e vajzave që rrinin në shtëpi dhe nuk dilnin jashtë. Djemtë ku kishin mundësi ti shikonin? Ose në kishë, ose në një traditë të bukur që kishte Korça që ishin shëtitjet e pasditeve ose të dielave. Madje Gaqo Strati, im shoq është i atij brezi dhe më thoshte se mbaronim xhiron derisa të shikonim atë që donim të shikonim. Kështu ishin dhe serenatat. Se ku tjetër do ia shfaqte djali vajzës dashurinë, në punë ajo nuk ishte, në rrugë po ishte e pamundur ndaj vinte në dritare dhe i këndonte”, tregon ajo. Pyetjes sesi reagonte familja e vajzës Nikoleta i përgjigjet duke qeshur se ndonjëherë i hidhte edhe ndonjë kovë me ujë, ndonjëherë edhe mund ta tërhiqte vajzën brënda. Kjo varej nga personat që këndonin, nëse ata ishin tipa djemsh seriozë e linin vajzën ta dëgjonte. Tradita humbi sepse vajzat nuk janë më të mbyllura. Në momentin që vajzat dolën në punë, djemtë kishin ku ti shihnin dhe tu shprehnin ndjenjat e tyre. Ja p.sh çfarë serenate do më bënte Gaqo mua, kur ne të dy njiheshim shumë. Këtë mendoj si arsye për humbjen e kësaj tradite” në atë kohë vajzat nuk dilnin vetëm. Ato ishin të shoqëruara me vëllezërit ose kushërinjtë. Të rinjtë mjaftoheshin duke e parë në rrugë ose në kinema që ishte një traditë e bukur shumë, ndërkohë që sot kinemaja nuk frekuentohet”, rrëfen ajo.

Shtëpia

Shtëpia e Nikoleta Stratit është e ngrohtë. Me perde me dantellë dhe me një sobë të madhe prej gize, pronë e familjes që nga vitit 1942, kur atë dhe 15 të tilla i solli një kushëri nga Amerika. Soba i ka rezistuar viteve. I rezistoi madje edhe ndryshkjes në kohën që Nikoleta dhe i shoqi i zhvendosën për disa vite në Greqi. Kur u kthyen, e pastruan cdo pllakë të saj e lyen me varakun e zi dhe i kthyen asaj magjinë e dikurshme. Ajo tregon se i pëlqejnë perdet e saj me dantella që i ka pronë të trashëguar që nga vjehrra e saj dhe janë më shumë se 100 vjeçare. Ajo përdor qilima në shtëpi dhe thotë se kur u kthye nga Greqia kishte shoqe që i thoshin “Aman moj Nikoleta nuk hoqe dorë nga qilimat ti, por mua më pëlqen shumë ta ruaj këtë zakon”, thotë ajo.

Ushqimi dhe dashuria

Ajo dhe i shoqi mendojnë se gatimi ka qënë një traditë e tyre. “Sa herë Gaqo më jep urime për ndonjë gatim, unë i them se e kam bërë me dashuri”, thotë ajo. Pastaj rrëfen se gatimi korçar nuk ka qënë kurrë i shpejtë sa për të kaluar një vakt. Gratë korçare kanë gatuar ngadalë duke i dhënë kohë gjithë proceseve, ato kanë ruajtur gjithë jetën fazat e gatimit dhe mbi të gjitha dashurinë. Pyetjes, “Ju të dy keni jetuar së bashku për 45 vjet, si është të jetosh së bashku për kaq gjatë?” ajo i përgjigjet duke qeshur. “As unë vetë nuk e kuptoj këtë. Madje ka raste kur e pyes Gaqon, kaq shumë kemi jetuar ne së bashku dhe ne kemi dhe një diferencë moshe 10 vite. Ndoshta arsye e kësaj jete të lumtur ka qënë familja, ne vinim nga e njëjta shtresë, nga i njëjti besim fetar nëse mund ta them këtë. Një arsye tjetër është mirkuptimi. Kur njëri ngrihet, tjetri të ulet. Dhe diçka tjetër unë kam menduar që në çift ne duhet të plotësojmë njëri-tjetrin. Ja kjo është harmonia. Ne në familje kemi jetuar shumë në vështirësi, sepse në një moment të jetës Gaqo u ngacmua politikisht dhe shumë njerëz më pyesnin mua si jeton ti me këtë burrë me këtë cen. Këtë pyetje ma bën në organizatën e partisë, edhe pse unë vetë nuk isha e angazhuar politikisht. Ju përgjigja sikur ju të bënit çerekun e jetes që bëj unë me tim shoq do ishit të lumtur”, kujton zonja Strati. Çifti banon në Korcë pa fëmijët e tyre të cilët jetojnë në Athinë. Ata të dy ruajnë një trup elegat dhe të shëndetshëm. Nikoleta kujton se kur shkoi në Athinë ata që e shihnin për herë të parë mendonin “E shkreta, sa e paushqyer është”. Kur kaluan vite dhe panë që ajo ruante format e saj elegante mësuan që çifti Strati nuk ishte i dhënë pas ushqimit të tepërt, por pas atij cilësor.

Receta e Likerit

Prej dy vitesh ajo ruan në bufe një liker që e ka pregatitur vetë sipas një formule greke. Merr një shishe uzo 500 mililitër dhe e hedh në një enë qelqi me kapak hermetik. I shton brenda 15 fara karajfili, një tufë nenexhik, një shkop kanelle dhe pak sheqer sipas dëshirës. I përzien së bashku dhe nuk harron ta përsëris këtë veprim për 10 ditë me qëllim që përbërësit të përzihen më mirë dhe të shkrijë sheqeri. Pas 10 ditësh pija kullohet dhe hidhet në një shishe alkooli. Aroma dhe shija janë të pakrahasueshme.

Publikuar: shqiptarja.com

Ky botim u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojne domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit Soros.


Tags: , , , , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Martesat Në Moshë Të Hershme, Çfarë Problemesh Sjellin

Next Post

Fjodi Sinanaj: Nuk E Privoj Veten Nga Ëndrrat Që Dua Të Realizoj





You might also like

Leave a Reply


More Story

Martesat Në Moshë Të Hershme, Çfarë Problemesh Sjellin

I këshilloj vajzat mos të martohen para të 20-ve -Valentina Një nishan që qëndron mbi vetullën e saj të majtë...

March 27, 2016