Latest

Laguna E Karavastase Ose Kopeshti Zoologjik I Avioneve

Publications / Slider / May 12, 2014

Udhëtimin për në Lagunën e Karavastasë e kisha planifikuar shumë ditë më parë, sesa ky avion i vogël, i damllakosur të ngulej si delfin i ngordhur në rërë, e të mbushte jo vetëm botën tonë të vogël shqiptare me deklarata, kundër-deklarata dhe një shije bollëku hashashi në ajër. Në fakt as do i isha afrua atij avioni nëse ai nuk do më dilte në rrugën time, ishte i pashmangshëm takimi me të, ashtu si do doja të ishte i shmangshëm takimi me një gazetare të një televizioni publik që pak sekonda pasi ne kishim mbërritur në vend-ngjarje dhe po i shihnim vetëm pjesën argëtuese historisë na drejtoi kameran e na pyeti nëse kishim marrë rrugën nga Tirana për të bërë fotografi. Mund t’ia kisha kursyer përgjigjen jo aq të sjellshme, por nuk e përmbajta dot veten, sepse në vend të drejtonte kameran para atyre policëve që kishin rrethuar avionin me një shirit të verdhë e rrinin si të tulatur aty, na u drejtua ne, sepse sipas saj ky na qënkësh lajmi…

Gjëja e parë që më erdhi në mëndje kur pashë fytyrat e disa policëve aty, fytyra të lodhura, të drobitura, që pasi kanë lënë punën e shtetit punojnë tokën e bëjnë punëra të tjera për të rritur të ardhurat e tyre, ishte që ata nuk mund të kapnin kurrë një trafikant, por ndoshta u bie në qafë. Ne ishim duke bërë shaka me ta, dhe pyetjes tonë se çfarë kishte avioni njëri ju përgjigj – Hic asgjë, ja ka pasur defekt. Në fakt këtë e dinim të gjithë, e dinim që ai dreq avioni këputi qafën e ra vetë, si për të thënë: – Më falni shok që po ju prish rutinën, po nuk kam nga t’ia mbaj! Edhe ata që na shërbyen në një lokal thanë se nuk kishin parë gjë, sepse kishin qënë në Divjakë kur avioni ishte rrëzuar disa metra larg lokaleve e fiks në një pistë rërë që kufizohej përtej me një det ngjyrë smeraldi, e këndej me ato lokale modeste që të ofronin ose kafe turke, ose frape.

Për fat mushkonja nuk kishte, kjo jo për shkak të spërkatjes na tha një grua, po për shkak të erës që i largonte ato. Pasi bëmë shaka me faktin që mushkonjat e nginjura me hashash dhe po të na pickonin do na shtonin ca adrenalinën e asgjë tjetër vazhduam rrugën për t’u zhytur në lagunë. Në fakt humbëm diku në një rrugë makine, nga ato më të keqijat që vetëm makinat e larta 4×4 mund ti kalojnë, e pse mos t’a pranoj që u trembëm ca, dukej sikur në atë pyll të errët mund të hasje nga njëri moment në tjetrin ndonjë bazë hashashi që do vinte në dilemë “të tjerët” çfarë të bënim me ne. Në fakt rruga u kryqëzua diku me rrugën që duhet të kishim marrë në fillim e ne morëm frymë të lehtësuar. Karavastanë donim t’a vizitonim për qejf, jo për të dal në lajme! Pylli i dendur nuk të lejonte të shihje veçse dy-tre metra në brendësi të tij e pastaj asgjë tjetër. Dëgjoje vetëm cicërima zogjsh, që dukeshin në paqe, nuk kishte krisma çiftesh e ajo lloj qetësie prishej vetëm nga tronditjet e makinës në rrugë, sidomos, kur rrezikonim të mbesnim në ndonjë gropë me llum të zi që tentonte t’i ngjitej gomave si mastiç.

Para syve kishte një vijë të gjatë diku te 10 metra, ku një serbator makine ishte derdhur me rrokullimë mbi barishtet e mesit të rrugës. Përpra dy rrugëve, njëra e gjerë e tjera e ngushte zgjodhëm të ngushtën. Menduam që ajo i binte përgjatë bregut e ne do afroheshim te ishulli i pelikanëve. Meqë ra fjala ata dreq pelikanësh nuk i pamë asgjëkundi! As në plazh, atje afër vendit ku kishte rënë avioni ata nuk kishin ardhur sot. Ndoshta dita e djeshme i ka strukur pranë të vegjëlve të tyre, ndoshta… Gjithsesi rruga e ngushtë, dukej sikur të merrte frymën sepse degë pemësh përplaseshin nëpër anët e makinës si kamzhikë fshikullues… Në fund të rrugës kishte vetëm det e një peshkatar i surprizuar nga mbërritja jonë aty. Gjithashtu dy policë rrinin pranë tij. Ishte nga ato lloj rrugësh që të jepte ndjesinë se po hyje në territor të ndaluar, sepse gjithë ajo vijë bregdetare kishte gjithsej vetëm dy peshkatarë. Ajo rrugë ndoshta nuk është rruga ku dikush zbarkon makinën me hashash dhe mbush varkat, ajo është thjeshtë një rrugë që të çon në askund…

Kështu u detyruam të ktheheshim mbrapsht e të rigjenim rrugën e gjerë që do na kridhte në brendësi të lagunës. Mes pyllit një tis i çuditshëm nostalgjie e aventure të rrinte mbi kokë. Duhet të ndalonim rrugës për mos të shtypur breshkat e ujit apo ato të tokës që ecnin mespërmes në qejfin e tyre. Nga baxha e makinës hynte herë pas here ndonjë insekt. Pylli ishte aty si mënjanë teje, i padepërtueshëm. Pyll ku mund të humbisje fare lehtë gjurmët. I gërshetuar me detin aty në fund të ujit mund të kridhje paleta të tëra me hashash, mund ta zotëroje situatën nëse e njihje si terren. Asnjë polic i ardhur aty me shërbim për disa orë ose disa ditë nuk do ishte në gjendje të gjente cfarë fshihet mes tij. Diku nga mesi i rrugës u kryqëzuam me një fugon policie i cili na kërkoi të hapnim krahun. Pasi lexoi fytyrat tona thjeshtë na tha të vazhdonim. Se di pse edhe ata policë mu dukën sikur kishin ardhur për qejf në ato anë, njësoj si ne…

Në thellësi të lagunës sa më brenda saj të futeshe kuptoje që në atë zonë kishte vetëm dy lloje njerëzish, të parët ishin peshkatarët, të dytët ishin njerëz që transportonin mall. Në aq pak lëvizje ajo që të mbeste në mëndje ishte rruga mocalore goxha e ngjeshur, përjashto gropat ku balta dukej sikur nuk thahej kurrë. Nëse disa zona mespërmes pyllit telefonit i humbin valët, por kudo tjëtër ti mund të klikoje në hartë e të gjendeshe se ku ishe në mes të askundit. Ishuj të vegjël ku zogj të ndryshëm qëndronin, kanale uji dhe era karakeristike e llumit. Pastaj diku në një zonë që harta e telefonit tim e tregonte si Sektori Numër Dy, por që disa peshkatarë që pyetëm na thanë se quhej Bedat, shfaqej rruga e asfaltuar. Ishte bukur të riktheheshe në asfalt, e meqe ishim aty u afruam në një zonë me katër ose pesë pallate jo më të lartë se pesë kate, ku jeta dukej sikur ishte strukur brenda filmit “Ky nuk është vend për pleq”, dukej gjithmonë sikur dikush të përgjonte pas xhamave në pritje të lëvizjes së radhës. Vetëm tre kuaj të mrekullueshëm, qimendritur e disa pula vinin rrotull në dhe. Kuaj gjysmë të egër të cilët ja mbathnin nëse u cënohej territori i tyre. Përgjatë bregut të lagunës shtrihej një rrugë e mrekullueshme e asfaltuar, rrugica me lule, pata, rosa e gomerë të ngarkuar me bar që ecnin në rrugë. Nëpër fusha syri të shihte gra të kërrusura, që çukisnin tokën me kasmat e tyre. Diku përballë lagunës u ulëm. Gjithçka dukej në paqe. Në këtë botë ka gjithmonë rregulla, por jo të gjithë i dinë.

Laguna ishte një sinor, sinor i askujt të dukshëm, sinor i punëve të natës apo edhe të ditës ndonjëherë, sinor i mbijetesës. Disa vite më parë kam shkruar për një pilot shqiptar Hasip Budo, ai uli një avion Mig 19 i cili fluturon me shpejtësi 1500 kilometër në orë pasi shfaqi difekt pas manovrave që bëheshin në Gomsiqe të Pukës. Edhe pse pati urdhër ta lëshonte avionin diku nëpër male e të hidhej vetë me parashutë, ai vendosi të mos e bënte. E uli avionin të cilit njëra prej rrotave nuk i hapej. Ai i shpëtoi shtetit të dikurshëm 16 milionë dollarë. Prej tij kemi edhe filmin “Gjurmë në kaltërsi”. Me sa mbaj mend, ai nuk më tregoi kurrë që ajo dreq rrote i nevojitej gjatë stërvitjes, ky është një defekt që vihet re, nëse avioni do të ulet ose të ngrihet. Jo në rast të kundërt. Ja një pasazh i atij shkrimi: “Pikërisht kur Hasipi ka dashur të ulet në pistë, drita nuk i ka dhënë sinjalin e ndezjes për uljen e rrotave. Fillimisht ka menduar që është vetëm një djegje llampe, por ka kuptuar se nuk ishte ashtu kur edhe veprimi tjetër për ujen nuk është realizuar”. Me siguri topi i kësaj historie me avion do vijë varavingo nëpër fushë, para se të bëj gol në njërën nga portat. Lejojini vetes të keni fantazi të shfrenuar, kushedi ku mund të mbërrini me imagjinatë!!!

Publikuar: TemA


Tags: , , , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Një Miku

Next Post

Tomorr, Aty Ku “Barbarët” Po Rrafshojnë Malin!



Leave a Reply


More Story

Një Miku

Më merr me vete në një udhëtim të largët Nga i cili ndoshta nuk do dua të kthehem kurrë! Më ço në vise të tjerë...

April 29, 2014