Latest

Martesat Në Moshë Të Hershme, Çfarë Problemesh Sjellin

Publications / Slider / March 27, 2016

I këshilloj vajzat mos të martohen para të 20-ve

-Valentina

Një nishan që qëndron mbi vetullën e saj të majtë duket sikur i jep pamjes së saj një shprehje mosbesimi, përkundër zërit të saj të qetë dhe të ëmbël ku dialekti korçar nuk fshihet dot. Quhet Valentina Hyseni dhe ende nuk ka hyrë në të 20-tat. Ajo vazhdon gjimnazin të cilin më parë e kishte braktisur duke rendur drejt një dashurie. Është e ngjashme historia e saj me shumë histori të tilla ku vajzat rendin drejt martesës, lënë shkollën, bëjnë fëmijë dhe jetojnë në zhgënjim. Ndërkohë që martesat në moshë të mitur janë kthyer në një shqetësim të madh në zonat rurale, ato të malësisë dhe komunitetit rom. Gjithmonë dhe më shumë shënohen raste kur vajzat martohen dhe lindin fëmijë nën moshën 15-16 vjeçare.

Zhgënjimi

Valentina sot jeton e martuar me të dashurin e saj që i përket një komuniteti tjetër, atij të egjyptianëve të Shqipërisë. Ajo e mori vendim për tu martuar një vit më parë. Ra në dashuri kur ishte 15 vjeç dhe jetoi lidhjen e saj e fshehur prej familjes dhe të afërmve. E dinte se do ta kishte të vështirë që tu pranonte familjarëve lidhjen e saj edhe për shkak të paragjykimit për prejardhjen e tij, edhe për shkat të faktit se i dashuri i saj ishte një jetim i varfër dhe pa asnjë të ardhme të sigurtë ekonomike. 7 vitet e shkollimit të tij janë shumë pak për të ndërtuar një të ardhme të mirë. Paratë që merr nga puna si lavazhist janë të pakta. Fitimi më i madh mund të jetë 5 mijë lekë të vjetra në ditë, ndërsa më i vogli 2 mijë lekë. “Tre ditët e fundit nuk ka fituar asnjë lek”, tregon Valentina me sytë përdhe. Ata të dy nuk kanë fëmijë. Kanë vendosur të mos kenë fëmijë derisa ajo të mbarojë shkollën dhe të ketë një punë të sigurtë. Por për të mbaruar shkollën atë e pengon jeta e vështirë. Pas largimit nga shtëpia, familjarët e saj nuk i flasin më. Atë e merr malli shumë për ta, por nuk guxon të shkojë ti takoj. Druan se do ta nxirrnin përjashtë. I është rikthyer gjimnazit, ndërkohë që nuk rresht së kërkuari punë kudo që të mundi. “Korça, është një qytet i vështirë, për të gjetur punë. Kam kërkuar shumë, ppr nuk kam gjetur. Puna e fundit ka qënë si pastruese në një hotel, por pagesa ishte shumë e ulët, ndaj e lashë”, tregon ajo. Poshtë lëkurës së saj të pastër dhe të pjekur ajo ka akumuluar një shtresë urrejtje dhe zhgënjimi. “Më kanë lënduar shumë njerëz, tregon, më kanë vrarë me fjalët e tyre. Nuk jam njeriu që do donte të urrente, por druaj se nuk e përballoj dot gjithë këtë zhgënjim”, – tregon dhe në fytyrë i mblidhet një re e zezë mërzie që mundohet ta largoj nga tiparet e saj. Fakti që është rome e ka penalizuar. Në një nga supermarketet ku punonte si pastruese disa ditë pasi kishte filluar punën pronari e pyet për origjinën e saj. “i thashë që jam kurbatkë, tregon ajo, dhe të nesërmen ai më hoqi nga puna duke thënë se nuk kishte mundësi të më paguante. Punoja shumë orë për të. Nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 9 pasdite, pastroja supermarketin dhe ndihmoja klientët të fusnin ushqimet në qese, e gjithë pagesa ishte 4 mijë lek të vjetra në ditë. Kishte ditë që më jepte edhe vetëm 2500 ose 3000 lek të vjetra se gjatë ditës më jepte për të ngrënë ndonjë molte tregon ajo. Pyetjes nëse i kishte kërkuar pronarit të respektonte marrëveshjen mes palëve ajo i përgjigjet : “Unë kam një tip që nuk dua të hyj në sherre me njeri. Unë dua që ata vetë ta kuptojnë se nuk po sillen me drejtësi”.

Dashuria, sa larg nga realiteti

Fillimisht kur u martuan, ata jetuan me të afërmit e të shoqit, ndërsa aktualisht jetojnë në shtëpinë e një mikut të tyre që ua ka lënë në ruajtje dhe paguajnë vetë dritat dhe ujin. Për dashurinë vite më parë ajo do të pinte një grusht me ilaçe valiumi për të ikur nga kjo botë sepse mendonte që dashuria e tyre platonike kishte marrë fund. Sot kur e tregon ngjarjen ndihet fajtore për veprimin e saj të cilin e quan si papjekuri. Fati që shpëtoi gjallë ishte se e ëma e saj u ndodh në shtëpi. Veprim për të cilin është penduar dhe pendohet sa herë e kujton. Pyetjes si është jeta bashkëshortore i përgjigjet se është e vështirë. Mes tyre kanë filluar sherre që nisin nga një gjë e vogël për të përfunduar në një grindje të madhe. Prindërit e Valentinës dikur i kishin siguruar kushte të mira jetese. Babai i saj punon si kaldaist në spitalin e Korçës dhe njëkohësisht shet telefona në pazar, ndërsa e ëma punon si rrobaqepëse. Valentina sot shprehet që e ka harruar atë jetë. Ajo sot gatuan gjëra të thjeshta. Nuk blen pothuaj kurrë mish, nuk blen produkte që i konsideron të shtrenjta. Realiteti i saj i ri e ka vënë në vështirësi të shoqin i cili ndihet fajtor për gjëndjen e tyre ekonomike, dhe i kujton asaj nga çfarë e kaluare ka ardhur: “Unë i them tim shoqi që do ia dalim, nuk ka problem që unë kam pasur një jetë të mirë dikur, unë tani jam mësuar me këtë jetë. Sherret tona dihet fillojnë për probleme ekonomike, sepse unë gjithmonë e këshilloj të mos e teproj me ushqime, por të na blejë ato që na duhen më shumë”, tregon ajo.

Dashuria

“A ke menduar ndonjëherë ta lësh tët shoq?” kjo është pyetja që Valentinën e vë në mendime. I përgjigjet se po edhe mund që ta linte, por nuk do ta bënte kurrë, sepse ai, – thotë, – vetëm mua më ka në këtë botë. Më duket e padrejtë që ta braktis. Ndërsa pyetjes nëse martesa i duket diçka e bukur ende ajo i përgjigjet negativisht. Mendon që vajzat duhet të martohen pasi të kalojnë të 20-tat. “Ajo që mendoja për martesën, kur isha e pamartuar nuk i ngjan fare realitetit shprehet. Ndërsa tregon që njeh edhe vajza të tjera të martuara hershëm, si një mikja e saj 14 vjeçare e cila qan fshehurazi duke mos e përballuar dot presionin familjar ku të gjithë e trajtojnë si një të rritur që duhet të marr gjithë përgjegjësitë mbi supe. Këtë lloj rrënimi iluzionesh dhe Valentina e përjeton çdo ditë, ndonëse beson se do ta gjej forcën për t’ia dal në jetë së bashku me bashkëshortin Bardhi Shkoza. Në duar ku dy unaza. Një unazë argjendi dhuratë nga kushërira e saj dhe një bizhu të thjeshtë në të cilën është shkruar “Love”. I shoqi nuk i ka blerë ndonjë unazë dhuratë. Për ditën e të dashuruarve ajo me kursimet e saj stërmunduese i pati blerë një byzylyk argjendi, ndërsa ai i dhuroi një varëse që ajo e përdor sa më rrallë se ka frikë se mos i prishet.

Shkolla

Letërsia është lënda që e tërheq më shumë. Ka pak kohë që ka përfunduar së lexuari romanin “Gruaja e hekurt” dhe thotë se i ka pëlqyer shumë. Marrëdhënia e saj me shkollën është shuëm e fortë. Para se të niste gjimnazin familja donte që ajo të mos e vazhdonte arsimimin e saj,sepse duhej të kujdesej për vëllain e saj të vogël, por Valentina iku dhe u rregjistrua vetë në shkollë. Me një forcë të madhe që struket brenda trupit të saj të hajthshëm ajo shprehet se i pëlqen shkolla dhe do ta vazhdoj atë. Thotë se ka rënë nga mësimet sepse vështirësitë ekonomike dhe problemet nuk e lejonë të jetë më e përqëndruar. Bashkë me martesën në jetën e saj kanë mbërritur edhe pengesat. Më parë ajo ka ndjekur në Tiranë një kurs të quajtur “Akademia politike”, por që e ka lënë në mes. Pyetjes nëse do donte ta vazhdonte përsëri ajo i përgjigjet pozitivisht, por shton se i shoqi është xheloz. Jeta e saj ka mbetur pezull midis gjërave që dëshiron të bëj dhe atyre që e pengojnë. Shprehet se do të rregjistrohet në bibliotekën e qytetit dhe do të marr aty libra për të lexuar. I mungon një dritare për të ajrosur mëndjen, në të njëjtën kohë që rruga ku po ecën i përngjan një tuneli.

Studimi

Martesat në moshë të hershme janë kthyer në një problem real në Shqipëri. Për këtë janë kryer një sërë studimesh, që tregojnë se situata është alarmante dhe nuk duhet anashkaluar. Sipas të dhënave të ofruara për publikun nga organizata “Save the Children” rreth 8 përqind e adoleshentëve shqiptar (48,320) nga 604.000 mijë janë të martuar. Ndërsa “Observatori për të drejtat e fëmijëve” organizoi një studim në zonën e Korçës dhe atë të Vlorës përsa i përket martesave në moshë të hershme. Mosha mesatare e femrave të martuara varion midis 16 dhe 17 vjeç. Në Korçë u përfshinë në anketim 31 gra, ndërsa në Vlorë 50 gra, 25 prej tyre në qytet, 15 në zonën periferike të quajtur Xhyrra dhe 10 të tjera në fshatin Bishan. Nga anketimi rezultojnë disa raste shqetësuese kur martesat janë kryer para moshës 13 vjeç. Tre raste në Korçë dhe dy në Vlorë. Martesat në moshë të hershme sjellin probleme në të ardhmen e familjes. Sipas studimit të kryer nga Observatori ne Korçë 61 përqind e grave vazhdojnë të jenë të martuara ndërsa pjesa tjetër ose janë të divorcuara ose kanë mbetur të veja. Arsyet që këto vajza martohen hershëm janë disa, ku mund të përmendim, nivelin e arsimit, statusin e punësimit të prindërve, migrimin, numrin e madh të vëllezërve dhe motrave në familje.

Publikuar: shqiptarja.com

Ky botim u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojne domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit Soros.


Tags: , , , , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Viktoria: “Si Rashë Në Rrjetën E Trafikut Seksual”

Next Post

Korça E Traditave, Çfarë Ka Ndryshuar





You might also like

Leave a Reply


More Story

Viktoria: “Si Rashë Në Rrjetën E Trafikut Seksual”

25 vitet që mban mbi supe Viktoria (emri real i të intervistuarës është ndryshuar, për arsye sigurie) nuk do të binin...

March 2, 2016