Latest

Mig 19, Piloti Që I Shpëtoi Shtetit 16 Milionë USD

Front Row / Publications / March 10, 2003
Historia e Hasip Budos, që në manovrat e 19 korrikut ‘74 nuk iu hap rrota e parë

Im atë e ndjeu se isha unë kur fluturova mbi qytet i pashpresë

Sy të kaltër në një fytyrë të qetë, që bluan brenda saj kujtimet. Ai është një hero. Një nga ata që do të dekoroheshin dhjetëra herë për të njëjtin gjest në një vend tjetër. Është pilot. Njerëzit nuk e dinë që quhet Hasip Budo, nuk e dinë se është ai personazhi real që frymëzoi një grup artistësh, regjisorin, skenaristin dhe aktorët për të realizuar një film, pikërisht “Gjurmë në kaltërsi”.

Ngjarja

Ishte 19 korriku i vitit 1974. Bëheshin manovra ushtarake në Gomsiqe të Pukës. Avioni, me të cilin bëheshin manovrat, ishte Mig 19. Avion reaktiv me shpejtësi 1500 kilometër në orë. “Manovrat shkuan të gjitha me sukses, u kthyem për në Rinas dhe do të bënim fluturimin katror për t’u ulur”, tregon ai. Pikërisht kur Hasipi ka dashur të ulet në pistë, drita nuk i ka dhënë sinjalin e ndezjes për uljen e rrotave. Fillimisht, ka menduar se ishte vetëm një djegie llampe, por ka kuptuar se nuk ishte ashtu kur edhe veprimi tjetër për uljen nuk është realizuar. Bisedoja në radio me zëvendëskomandantin Serafin Shegani, që komandonte udhëtimin tim ngta toka, kur i thashë se nuk po dilte rrota e parë e avionit edhe ai u frikësua, por u mundua të më jepte zemër“, tregon Budo. I kërkuan që të hidhej dhe ta linte avionin të rrëzohej dhe të shpërthente në tokë. Pikërisht në atë kohë muajt e fundit pilotët kishin parë se si shokë të tyre, gjithsej shtatë, u vranë në veprime të tilla. Kishte filluar prishja e marrëdhënieve me kinezët dhe shumica e “rastësive” të kobshme, ishin sabotime nga ana e këtyre të fundit. Nuk donte të hidhej, donte të zbriste sërish në tokën nga kishte fluturuar pak orë më parë drejt qiellit, bashkë me avionin e tij. Në fillim bëri katër rrotullime katrore për t’u ulur. Ulja nuk po realizohej dot edhe pse Serafin Shegani e komandonte nga toka me zë të qetë, duke dashur t’i qëndronte sa më pranë kolegut të tij që sillej në ajër pa mundur të prekte tokën.

Mbi Durrës

Hasip Budo, i biri i një oficeri, e ka mbaruar gjimnazin në Durrës, ku ka dalë me medalje të artë në shkollën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Djali i vetëm kishte zgjedhur të bëhej pilot nga një pasion i çmendur për aviacionin. Atë ditë, kur jeta kërcente të njëjtën valle të çmendur përballë vdekjes, Budo bëri fluturimin e pestë mbi Durrës. I kalova afër lagjes ku ndodhej shtëpia, sido që të vinte puna desha t’i shikoja edhe njëherë. Ishte vetëm 25 vjeç, kur fluturoi ultë mbi Durrës, i ati e dëgjoi fluturimën e egër të reaktivit. Kur dikush e pyeti nëse e kishte dëgjuar uturimën e fortë ai ishte përgjigjur, po, ishte im bir ai që fluturoi. Zemrat në rrugë të padukshme arrijnë ta ndiejnë njëra-tjetrën. Pas udhëtimit të tij mbi Durrës, rikthehet drejt aerodromit të Rinasit me një mendim të vetëm të ulej në pistë. Në përpjekje për t’i vënë në përdorim aparaturat e fjetura të uljes së rrotave dhe komandave të tjera, edhe teneqeja e frenave doli prej vendit. Uli shpejtësinë dhe ndjeu që avioni me shpetësinë e uljes 400 kilometër në orë preku tokën. Jo mbi aerodrom, por në bar. Ndërkohë që njerëzit ndiqnin me gjak të ngrirë shfaqjen e dhimbshme të “Mig 19” dhe pilotit të tij 25 vjeçar, avioni ecte në bar me shpejtësi. Ishte fati im që ishte verë dhe toka ishte e thatë, tregon piloti. Avioni nuk e preku aerodromin, vazhdoi të ecte 1200 metër deri në ndalim. Avioni kishte bërë një kanal në tokë me thellësi rreth 40 centimetër. Në fund të kësaj xhiroje avioni ka rrezikuar të përplasej me asfaltin e aerodromit dhe nëse kjo ndodhte për 25-vjeçarin do të thoshte lamtumirë jetë brenda shpërthimit të llahtarshëm të reaktivit. Por jeta nuk kishte vendosur të mbaronte aty. Avioni kthehet me një rrotullim dhe ngulet me forcë në dhe. Njerëzit që vinin mbrapa tij nuk arrinin të shikonin asgjë nga tymi që u ngrit, ndërsa ata që e shikon skenën nga para e panë që shpëtoi.

Përjetimi

Kur gjithçka ndaloi, dhe unë hapa derën dhe pashë se isha ngulur pingul në tokë, u drodha, vetëm atëherë e kuptova se çfarë kisha bërë.

Aty në atë çast përjetoi jetën dhe fijen e perit, ku ajo ishte mbajtur në atë ditë të nxehtë vere. «Është një veprim që nuk do ta bëja dot kurrë dy herë. Gjithçka kur e kujtoj, shikoj se ka shkuar shumë mirë. Sikur veprimet të m’i kishin mësuar edhe më parë, kaq me përpikmëri dhe të koordinuara kanë qenë”, rrëfen Budo. Muaj më pas mori një «Urdhër Trimërie» të akorduar me dekret nga Presidiumi. Vetëm kaq. Avioni u rregullua dhe pas një jave doli sërish në fluturim. Nëse Hasipi do të kishte zbatuar urdhrin dhe do të ishte hedhur me parashutë, “Mig 19” do kishte shpërthyer dhe do ishte zhbërë. Kjo humbje do t’i kishte kushtuar shtetit shqiptar 16 milionë dollarë…

Pse nuk u zbatua urdhri i Berishës për të bombarduar urën e Mifolit nga ushtria

Ja si do ta kishim vrarë popullin tonë
Me pistoletë për të mos lejuar fluturimin e helikopterit

Për një pilot toka është vetëm një copëz tokë, ku ata ngrihen dhe ulen. Është stacion për fluturimin drejt qiellit. Nga lart, ata dinë ta duan jetën ta dëshirojnë shiun dhe erën, borën dhe diellin, kujtimin e tokës së lagësht që është përjetësisht e tyre. Një pilot, nga ata të vjetrit të edukuar me një frymë tjetër, në rojë të atdheut, e ka ca të vështirë t’i përshtatet ca rregullave të tjera. Rregulla që në shumicën e rasteve nuk frymëzohen nga jeta, por nga pazare me të. Hasip Budo, e ndjen dhimbjen e tij deri në eshtra. E shikon ftohtësisht rrobën ushtarake, për të cilën ai luftoi, ndjehet i bezdisur nga idealet e veta, që përfunduan të gjitha në zhgënjim. Aktualisht është liruar nga detyra së bashku me një grup shokësh. Repartit të Farkës po i boshatisen gjithë të vjetrit. Reforma ka flakur jashtë radhëve të ushtrisë specialistët, pikërisht ata që për 30 vite me radhë e kthyen në art aviacionin shqiptar. Sot pilotët e rinj, nën “kujdesin” e shtetit, specializohen nga pilotë dhe instruktorë të huaj…

Në emër të popullit

E urren politikën, të gjitha lidhjet me të, urren të shkuarën 10- vjeçare të këtij kombi, ku turpet kanë mbuluar njëri-tjetrin. Është personazh i njohur për një nga episodet famkeqe të 1997. Me urdhër të ministrit të Mbrojtjes dhe autorizim nga Presidenti Sali Berisha do bombardohej ura e Mifolit. Tiranës qeveritare i kishte mbërritur lajmi se vlonjatët do sulmonin Tiranën. E vetmja mënyrë që kjo të ndalohej ishte bombardimi i urës së Mifolit. Bombardim që duhej të bëhej nga ushtria. “E dija që do më jepnin urdhër të bëja një veprim të tillë, prandaj shkoj edhe vizitohem te mjeku ushtarak, i thashë që kisha marrje mendsh dhe se nuk shikoja mirë kohët e fundit. Vizita ime u shënua në regjistrin e vizitave, kjo ishte pozitive sepse askush nuk mund të më detyronte të bëja një fluturim të tillë pas kësaj. Po kështu, bëra edhe vizitë në Spital Ushtarak. Vizitë që u protokollua dhe unë mora një kopje të saj. Dhe ashtu ndodhi më kërkuan që të bombardoja urën e Mifolit”, rrëfen Budo. Pasi ju thotë se nuk do të bënte më fluturime, pasi ishte me probleme te sytë, njerëzit e shtetit të asaj kohe binden dhe i japin detyrë të shërbej për shokët e tij si komandant nga toka. I mora të dy pilotët që do të fluturonin me mision dhe i pyeta nëse vërtet donin ta bënin atë fluturim. Më thanë se do bënin ç’do t’ju thosha unë. I pyeta se cili ishte mendimi i tyre. Ju thashë se do të bombardonin tokën e tyre, se në atë moment mbi urë dhe tokat përreth mund të kishte njerëz. Ju thashë se një bombë do të bënte 100 metër gropë. Shpërthimi i llahtarshëm do të vriste nënat dhe vëllezërit tanë”, rrëfen Hasipi. Trysnia psikologjike ishe e madhe. Ai kërkoi që brenda atij shteti që kishte nisur rrokullisjen e tij të madhe në mënyrë të ligjshme ta pengonte atë fluturim. Për këtë i kishte kërkuar teknikut që merrej me vendosjen e bombave që të vononte përgatitjen e avionit për fluturim. Avioni duhej të bëhej gati në orën 18 pa pesë minuta, asnjë sekond më shumë apo më pak. Pas kësaj ore me ligj ndërkombëtar ndaloheshin fluturime të tilla. Në këtë kohë në repart hyjnë një përfaqësues i SHIK-ut dhe një i Ministrisë së Mbrojtjes. Pikërisht me këtë të fundit Hasipi ka bërë sherr për të mos e ngritur helikopterin në fluturim. P.D., janë inicialet e njeriut që këmbënguli të bëhej ai fluturim, pikërisht në atë moment mjaft delikat radioja bënë të ditur se qeveria jep dorëheqjen.

Sherri

Këmbëngulja nga ana e njeriut që përfaqësonte Ministrinë e Mbrojtjes ishte i madh, ndërkohë që njeriu i SHIK-ut nuk u përzie në ngjarjen e rëndë. “Dukej që ishte aty nga halli, thjesht i komanduar. Dukej njeri i mirë, nuk u përzie dhe unë kurrë nuk ja mësova emrin”, tregon Hasipi. Këmbëngulja e Hasipit ishte e madhe për të mos u nisur. Për këtë iu kërkon që të vinte një urdhër i Berishës, meqë qeveri nuk kishte pilotët vareshin drejtpërsërdrejti nga Berisha. Në këtë moment Hasipi detyrohet të nxjerr pistoletën dhe ta drejtoj kundrejt njeriut ministror. Askush nuk duhej të ngjitej në helikopter. Por kjo histori nuk mbaroi aty. Kërcënimet dhe të sharat fyese ishin dypalëshe. “Tani nuk e kuptoj dot se si jam sjellë në atë moment, kam qenë mjaft i tendosur”, thotë ai. Grindja dhe fyerjet u inçizuan të gjitha dhe më pas shërbyen në parlament si prova. Pavarësisht nga kjo, askush nuk mori masa për njerëzit që vendosën një ditë të bukur të bombardonin urën e Mifolit.

Të tjerat

Por ai kujton se bomba u hodhën. Pati pilotë që u detyruan t’i nënshtroheshin urdhrave absurd. Më pas u tha se predhat u hodhën në male kurrsesi në njerëz. Megjithatë, historia nuk do të ishte kaq e trishtuar për të, nëse situatat do të kishin qenë pakëz më ndryshe. Aktualisht në krye të aviacionit shqiptar ka jo pak prej atyre që ishin të gatshëm të bombardonin mbi popullin e tyre në mbrojtje të një qeverie të përbërë vetëm prej 15 ministrash. Por njeriu i gjatë që quhet Hasip Budo, me orgjinë nga Gjirokastra, prapë ka një deriçkë të vogël në shpirt ku falet. Ndihet mirë që në atë kohë nuk u bombardua mbi Mifolin. “Do të ishte turpi më i madh i këtij vendi. ‘97-ta do të kishte hyrë në histori si viti faqezi ku ushtria bombardoi popullin e saj dhe këtë turp nuk do të kishte lum dhe det për ta larë”, thotë ai. Ka qenë 18 vjeç kur filloi shkollën e aviacionit. Ishte viti 1967. Që prej asaj kohe deri një muaj më parë ka qenë në fluturim. Tani nuk është më në punë. Pret një pension absurd, ndërkohë që sytë i rrokin qiellin. E di se atje është vendi i tij. E merr malli për lartësitë. Mjekut ushtarak që e nxori të paaftë për fluturim (probleme me shikimin) nuk i flet më me gojë. Natyrë rebele dhe mjaft e sinqertë që nuk di të shtiret… pranon se ndihet më mirë larg kompromiseve. Qielli i ka dhuruar diçka nga vetja, hapësirën dhe lirinë…

I kënaqur me familjen e tij
Piloti që rriti dy djem nga ajri

Atje në repartin e Farkës nuk do të kthehet më përveç rasteve të festave dhe përvjetorëve të repartit dhe aviacionit. Fushën e madhe ku helikopterët presin fluturimin, në fillim të së cilës ndodhet një tabelë ku lexon qartë se “ndalohet duhani” nuk ka më të drejtë ta ketë të “tijën”. Hesht, sepse nuk do të kujtoj arsyen pse e kanë larguar nga ai repart. E pyesim, thotë se ka dy djem, njërin në Amerikë, tjetrin në Shqipëri. I themi me të qeshur se gjithë pilotët kanë djem. Jo, përgjigjet, në përgjithësi kanë vajza. “Ne na kishin thënë se vajzat ishin pasojë e oksigjenit të shumtë që ne përdornim në ajër. Për këtë unë nuk e vija kurrë maskën e oksigjenit që në tokë për t’u përshtatur me presionin e ajrit, por kur nuk rezistoja dot më, atje sipër, në 6 mijë metër lartësi”, thotë duke qeshur.

Publikuar: Panorama


Tags: , , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Vitet 1800, atëherë kur homoseksualizmi nuk ishte tabu

Next Post

Në Fund



Leave a Reply


More Story

Vitet 1800, atëherë kur homoseksualizmi nuk ishte tabu

Flasin dokumentet historike Është pothuajse e ndaluar, ka reagime negative në ambiente publike nëse flet për lidhjet...

February 27, 2003