Latest

Mjekët, si ”na vrasin” nëpër spitale

Front Row / Publications / July 5, 2007

Gentian Çuhllaji dha shpirt në mbrëmjen e së dielës, dy javë më parë. Ndodhi vetëm një orë pasi ai ishte vizituar tek mjeku i zemrës nga ku familjarët kishin dalë me garancinë se djali zemrën e kishte në rregull dhe dhimbjet e kraharorit pikërisht në anën e majtë vinin si pasojë e një ftohjeje e cila do të kalonte duke pirë paracetamol… Familjarët e adoleshentit nuk e dinin sesa thellë i dhimbte kraharori trupit të tij të gjatë, e të zhvilluara para kohe vitin e fundit të jetës. Ata për të qenë me të sigurtë nuk e sollën në shtëpinë e tij në Sauk, por tek ajo e dajës, Arjanit. Kur u kthyen në shtëpi e shtrinë në krevat dhe sipas porosisë së mjekut i dhanë një paracetamol tjetër. Por Gentiani nuk u bë më mirë. Ai ju përgjigjej në mënyrë mohuese të gjitha pyetjeve nëse po ndjente përmirsim. Zemra e tij e re kishte tre vjet që kishte lëshur sinjalin e alarmit. Brënda trupi të tij ajo i përngjante një bombe që një ditë do të plaste nga pakujdesia. Paracetamoli që adoleshenti piu ishte pikërisht enzima që vuri në lëvizje bombën. Djersë të ftohta dhe ethe mbuluan djalin në kohën që u shtri për të fjetur, zeri i tij ju tingëllon ende në vesh familjarëve të tij, “Nuk jam mirë”. Kanë mjaftuar vetëm pak minuta që djaloshi të bjerë në gjendje të fikti, pasi është shtrirë për të fjetur. Familja e alarmuar e ka hipur me shpejtësinë e dritës në makinë. Aty teksa dajë Arjani fluturonte me shpejtësinë e dritës drejt urgjencës së QSUT, prindërit mundoheshin t’i bënin frymëmarrje artificiale. Të shkretët njerëz, besonin se ishte ftoma që po i bllokonte kraharorin në atë mënyrë të frikshme. Asnjëri prej tyre nuk e dinte se në fakt zemra e tij po mbytej në gjak. Arteria e sëmurë me sa duket që nga nje defekt i lindur kishte plasur.
Kur mbërriti në spital edhe mjekët u alarmuan. U alarmua po njësoj mjeku që vetëm një orë më parë e kishte përcjellë për në shtëpi, nën justifikimin se djali qe mirë dhe ezheja e zemrës nuk i kishte nxjerrë asnjë sinjal negativ. Por ajo që i mungoi kësaj vizite ishte diçka tjetër. Vetëm një EKO, një eko e bekuar që do u tregonte të gjithë profesionistëve se zemra e tij ishte kurdisur nga një zemrek i padukshëm dhe vetëm një BYPASS do ndalonte fatkeqësinë që e priste familjen e 15 vjeçarit.
Në fakt mjeku e nisi drejt shtëpisë mbasditen tragjike nën një justifikim absurd, ekoja ishte mirë të bëhej atje ku ishte bërë tre muaj më parë, në klinikën private të shefit të kardiogjisë Edmond Zaimi “Meqë është edhe shefi i repartit tone”, kishte shtuar mjeku i rojës Selami Shkurtaj. Duke e përcjellë drejtë shtëpisë, doktorit nuk do ti kishte shkuar në mëndje që po e përcillte qetësisht drejtë vdekjes. Por a ja vlen brenga që ky doktori ka sot përballë jetës së humbur të Gentianit. Ky rast tashmë i ka kaluar për ndjekje penale, prokurorisë së RRethit Tiranë. Po kështu drejtori i QSUT Mati Pepa, po kryen hetime për llogari të kësaj drejtorise. Gjithsesi i pyetur nga “Mapo” ai u shpreh se hetimet sapo kanë nisur, por informacionet e para që ka marrë i tregojnë se djali shkoi në spital i vdekur. E vetmja gjë që nuk e di ose nuk do ta dijë drejtori është fakti tjetër, ai, që djali shkoi i gjallë dhe një orë më vonë u kthye i vdekur ose në grahmat e fundit

Të kesh frikë nga sëmundjet

Vite më parë kur një kolegu ynë vizitoi nënën në spitalin e sëmundjeve të brendëshme, mjekët “zbuluan” se gruaja kishte stomakun në gjendje shumë të rëndë e se duhej operuar. Por djaloshi i kërkoi mjekut të gjithë dokumentacionin e vizitës pasi do ta merrte me vete në Greqi për të parë se si mund të eleminonte operacionin. Mjeku dy ditë më pas e telefoni vetë e i kërkoi ndjesë sepse nëna e tij nuk kishte një gjë të tillë dhe se doktori kishte para analizat e dikujt tjetër në vend të të duhurave… Raste të tilla në spitalet shqiptare ka plot. Duke ju referuar sistemit tonë të shëndetësisë duket qartë që ky lloj abuzimi nuk do të mbaroj tani herët. Disa muaj më parë Urdhri i Mjekut dha një verejtje me shkrim për doktorin Kastriot Dautaj, mjek urolog. Ai u akuzua nga një paciente 53 vjeçare se i kishte hequr veshkën pa dijeninë e saj. Zyra Ago e kishte zbuluar heqjen e veshkës tre vjet më vonë. Të afërmit e saj tregojnë se mjeku anestezist që doli nga salla e operacionit u tregoi mbi një garzë të bardhë gurët e veshkës. Mjeku Dautaj u justifikua se pacientja e dinte, por në fakt as ajo, as të afërmit nuk kishin firmosur gjëkundi për të, në kartelë kishte shkrime të korrigjuara për diagnozën e sëmundjes së saj dhe po ashtu veshkës nuk i ishte bërë biopsia. Duke ju referuar moshës së doktori, Urdhëri i Mjekut nuk i mori të mirëqëna akuzat e pacientes për një transplant veshke dhe u mjaftua me një tërheqje vëmëndjeje për mjekun.

Të hetosh vdekjet

Nisur nga kjo histori Urdhri i Mjekut ndërmori një investigim të hollësishëm lidhur me treqind kartela vdekjesh të ndodhura gjatë vitit 2005. Ajo që rezultoi ishte kjo, 40 raste vdekjesh në repartet e kirurgjisë në QSUT, 100 raste në spitalin Ushtarak, 63 raste në Sanatoriumin e Tiranës dhe 68 raste vdekjesh të të sapolindurve në dy spitalet universitare të Obstetrikë-Gjinekologjisë. Ky investigim nxori në pah një sërë mangësish serioze. Mangësi që gjithsesi ndikuan dhë në këtë investigim, pasi kartelat që u morën për shqyrtim në shumicën e rasteve ishin të plotësuara me një shkrim të padeshifrueshëm, me fletë të grisura, ku diangnoza nuk kuptohej fare, të bëra pis, të palidhura ose të shkoqura. Ky nivel në fakt, sipas Urdhrit të Mjekëve vjen si pasojë jo vetëm e një pune jo profesionale dhe serioze, por edhe si pasojë e mungesës së kontrollit nga ana e organeve përgjegjëse. Kartela të tilla do të vinin me shpatulla pas muri cilindo mjek për të cilin do të kishte ankime nga familjarët.

Të fshehësh sëmundjen

Ti thuash të vërtetën një familjari, ti tregosh atij sëmundjen reale dhe ta bësh të vetëdijshëm për çdo peripeci që e pret të sëmurin, ende nuk është kthyer në praktikë pune në mjekësinë shqiptare. Nisur nga një humnanizëm absurd pacientët vdesin dhe nuk e dinë se çfarë po ndodh brënda tyre. Po kështu duke ju referuar Urdhrit të Mjekëve është zbuluar se një hallkë tjetër e një pune të sukseshme është konsulta që mjeku përgjegjës bënë me kolegët e tij. Kjo mënyrë pune në mjekësinë shqiptare, nuk ka hyrë ende. Ende ekziston ai mentalitet i mbrapshtë që i bënë mjekët të besojnë se ata janë më të mirët dhe se të konsultohesh për një sëmundje me një koleg quhet dobësi.

Analiza për sëmundjen ose për paratë

Nëse je i sëmurë nga zemra, ndodh që të të kërkohen dhe analiza të mushkërisë ose të shpinës. Ky përfundim pas kontrollit në spitalet shqiptare. Në arkivë janë zbuluar një sërë grafish dhe ekosh që janë pa datë dhe pa emër në QSUT. Po kështu tre prej rasteve të vdekjeve të ndodhura në QSUT dhe në Spitalin Ushtarak vijnë si pasojë e mungesës së shërbimit nga personeli i kualifikuar. Vdekjet kanë ardhur si pasojë e mungesës së mjekëve adapt në urgjenca dhe zëvëndësimin e tyre me mjekë stazhierë. i pyetur për këtë fenomen drejtori Pepa shpjegon se ky fakt është i vërtetë, por që prej ardhjes së tij në krye të këtij institucioni asnjë mjek stazhier nuk mund të bëj shërbimin e rojës i pashoqëruar me mjekun përkatës. Mungesa e mjeteve të transportit si ambulancë, barrelë, karrocë lëvizëse ka bërë jo vetëm që puna të vështirësohet, por edhe ka sjellë konflikte mes mjekëve dhe familjarëve kur pacientët kanë vdekur. Një rast i tillë shënohet në QSUT.

Autopsia

“Këtu vdekja punon për jetën” kjo është një frazë që e gjen në murin e korridorit të heshtur të Laboratorit të Ekspertizës Ligjore. Por ky department që ndodhet në juridiksionin e Ministrisë së Drejtësisë ka rënë në qetësi në 17 vitet e fundit. Në këtë godinë mund të bëhen më pak se 10 autopsi në vite, ndërkohë që para viteve ’90 numëroheshin mbi 15 mijë autopsi. Për të bërë autopsinë kishte një ligj të posaçëm që e kthente në të detyrueshëm atë, ndërkohë që aktualisht ca për faj të mjekëve dhe ca për faj të familjarëve bashkë me të vdekurit mbulohen me dhe edhe të dhënat e vërteta të çdo vdekjeje, natyrale ose nga pakujdesia. Po kështu është e detyrueshme që ti bëhet biopsia çdo organi të hequr nga trupi i të sëmurëve, por as kjo nuk ndodh shumë shpesh. Mjekët janë automatikisht përgjegjës për këtë, por ama askush nuk i dënon.
Ky hetim i Urdhrit të Mjekëve u shpërnda në të gjithë spitalet përkatëse, por me sa duket as kjo nuk bëri shumë efekt. Sepse në 17 vitet e fundit duket se mjekësia shqiptare ka bërë hapa mbrapa jo vetëm në cilësi, por edhe në sjellje. Për kryetarin e Urdhrit të Mjekëve zotin Dine Abazaj, ky lloj kaosi në mjekësinë shqiptare vjen si pasojë e paditurisë. Sipas tij mungojnë trajnimet e herë pas hershme të mjekëve dhe niveli i tyre i dijes ka mbetur në vend numëro. Për këtë ai bën me faj Ministrinë e Shëndetësisë e cila në politikat e saj nuk e ka fare në mëndje dhe këtë lloj trajnimi.

Të dënosh një mjek

Prokuroria e Tiranës deri më sot ka hapur vetëm dy hetime për vdekje të dyshimta. Ato janë ende në analizë. Ndërkohë që burime të sigurta për Mapon shprehen se njëra prej vdekjeve, ajo e një të riu ka ardhur si pasojë e mjekimit të gabuar nga ana e mjekëve. Raste të tilla me sa duket bëhen problem vetëm në media. Mjekët janë të fuqishëm. Ky lloj imazhi i një mjekësie të përçudnuar ka plot emra konkret, por asnjëri prej tyre nuk është ulur ndonjëherë në bankën e të akuzuarve. Ata i rikthehen çdo ditë punës së tyre, edhe kur aty bri rrugës mund të kalojë një makinë funerali që përcjell për në varreza një viktimë të duarve të tyre.

Edhe pak për Gentianin

Gentiani 15 vjeçar nuk është më. Ai vdiq një javë më pas asaj të diele ku zemra e tij e mbërtheu në ujin e detit Adriatik si një gjëmë e madhe që po i afrohej. Mjekja që e kuroi në spitalin e Durrësit pasi i bëri një vizitë me stetoskop i tha se dhimbja i kishte ardhur pasi kishte hyrë në ujë vetëm pak minuta pasi kishte drekuar. Por Gentiani nuk u bë mirë. Ai u vizitua edhë në poliklinikën e lagjes dhe mjekja Dhurata Kerri e kuroi me paracetamol. Po kështu e kuroi dhe mjeku 53 vjeçar Selami Shkurtaj, i cili tashmë i është nënshtruar hetimeve të prokurorisë. Gentiani vdiq. Familjarëve të tij asnjë shkrim, apo emision televiziv nuk u’a kthen më. Ata janë regjur në një dhimbje të madhe e të njelmët. Kërkojnë një pse. Është e shkurtër pseja e tyre e hidhur. Në tre vjet analiza, askush nuk i pa seriozisht ekot dhe radigrafitë e Gentianit, për të cilat familja e vafër harxhonte shumë para… As shefi i kardilogjisë në repartin e kirurgjisë, në klinikën private të të cilit Gentiani u vizitua. Analizat e tij sipas mjekut dolën mirë. Gentiani kishte një zemër të fortë e të shëndetëshme. Por Gentiani vetë e dinte që nuk ishte mirë. Atij i rëndonte ana e majtë e kraharorit. Kjo dhimbje e kishte tërhequr në vetvete dhe e kishte bërë më pak të afruar me shokët. Prindërit e tij për çdo ankesë të tijën i bënin një vizitë, por ndërkohë që xhepat e mjekëve fryheshin për çdo analizë, jeta e tij fironte… Kështu firoi atë natë kur u kthyen në shtëpi e kur daja mundohej ti bënte shaka për ta sjellë në qejf. As nëna e tij, as daja, dhe as i ati nuk e dinin sesa i dhimbte shpirti djaloshit. Ai i shikonte dhimshurisht sesi ata kujdeseshin për të, teksa dhimbje të mëdha i thernin kraharorin. Vdiq. Familjarët e tij e dinë që nuk do të kthehet më. Ata janë të veshur me të zeza dhe rrëfejnë historinë e trishtueshme të nipit të tyre, jo se besojnë se ai mund të rikthehet, por se dëshirojnë që një dhimbje e tillë të mos u ndodh familjeve të tjera. Pëer ta ora ka ndaluar në atë moment kur Gentiani mbylli sytë. Ata nuk dinë se çfarë duhet dhe nuk duhet ti falin vetes. Mbase vetëm një gjë. Janë shqiptarë dhe kurohen në spitale shqiptare.

Publikuar: Revista Mapo (sot Revista Java)


Tags: , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Në vitet 40-të, atëherë kur shtëpitë publike nuk ishin tabu

Next Post

E Humbur





You might also like

Leave a Reply


More Story

Në vitet 40-të, atëherë kur shtëpitë publike nuk ishin tabu

Dikur dy qytete e mëdha Tirana dhe Shkodra gëlonin nga shtëpitë publike. Legjenda, faktet dhe e vërteta duket sikur...

June 2, 2007