Latest

Në 8 Marsin E Një Gruaje

Blog / Publications / Slider / March 8, 2014

Unë nuk i preferoj festat dhe kam filluar të dyshoj se mos kjo ftohtësia ime është sëmundje e lindur. Disa prej tyre madje më besdisin sepse me zënë frymën. Marr urime që nuk kam qejf t’ju përgjigjem sepse më duken naive dhe si të mbetura në vend. Ja p.sh sot në supermarket dëgjoja tre shitese që diskutonin a ishte apo jo 8 Marsi festa e nënës apo e gruas. Njera prej tyre që kishte jetuar ne Greqi këmbëngulte se kjo ishte feste e gjithe femrave, dy te tjerat i thoshin që gjithe jeten e kishin festuar si festën e nënës. Nuk i’a vlen te themi a eshte kjo një feste apo jo, as të rikthejmë mendjen në rrobaqepsine e hershme të Chicago-s nga e mori zanafillën gjithcka. Per ca të drejta më shume që i bëri gratë të marshonin rrugëve, u ngelen shenja shkopinjsh mbi lëkure, dhe e cuditshme ato shenja vazhdojnë të jenë edhe sot mbi histori… Prandaj nuk më pëlqen kjo lukuni grash qe mbushin rruget, më besdis madje edhe nje reklame e një firme karburanti që thotë se do u dhuroj grave dhjetë litra më shumë, sepse në vend të përjetosh një ditë normale duket sikur përjeton një ditë harbimi. Ditë nga ato ku dyqanet e ëmbëlsirave rritin nga pak cmimet, nga ato kur gratë kanë harxhuar gjithë llakun e parukierise, të kuqin e buzëve të përflakur, tualetin e rëndë dhe tufa me lule që i mbajne si trofe në duar. S’ka asgjë të keqe në fakt në gjithë këtë gëzim koti e të pakuptimtë, përvec ca gjërave. P.sh mua më vjen në mend një grua rreth të 50-ve, burri i së cilës vdiq disa vite më parë dhe ajo mbeti vetëm me vajzën e saj. Sot vajza është martuar dhe jeton disa mijra kilometra larg Tiranës. Dashuria mes saj dhe të ëmës ka mbetur po njësoj e madhe dhe e bukur, thjeshtë se tani shpaloset nëpërmjet Skype, një herë në jave! Disa javë para se të mbërrinte ky 8 Mars një burrë rreth të 60-ve i mbetur gjithashtu i ve, i kërkoi takim kësaj zonje. Ai nuk e njihte personalisht dhe zonja gjithashtu nuk e njihte atë. Burri si nje zotëri i vërtetë i ofroi gruas një jetë të re së bashku. (një shok i përbashkët i të dyve e kishte sugjeruar këtë histori) Ai i shpjegoi se tashmë që fëmijët e tij, djali dhe vajza, ishin martuar, ai kalonte shumë netë të vetmuara dhe kishte filluar të ndihej plak, por ai nuk donte të ishte një njeri i motshëm. Nëse zonja do të dëshironte ai do ti ofronte asaj një familje të re, një shok dhe një shoqërues nëpër pritjet ku secili prej tyre mbërthen për mënge miq të afërt që ta shoqërojnë (kjo në rastet fatlume se kur edhe miqtë kanë angazhime, ata nuk shkojnë fare në festa të tilla). Zonja u mendua disa minuta për propozimin, burri kishte një të qeshur të bukur dhe një emër të mirë nëpër qytet, por asaj i vinte turp se cfarë do thoshte e bija, motra, vëllai, një tufë me komshinj dhe të tjerët që si emrin e saj, si emrin e dikujt tjetër do ta kishin vetëm një objekt diskutimi në kafene gjatë orës së lirë. Dhe ajo tha: Jo, unë e kam mbyllur! Burri i buzeqeshi qetësisht dhe e pyeti se mos ndoshta për një vendim të tillë do ti duheshin pak më shumë se disa minuta duke i shpjeguar se ata të dy mund të ishin miq të mirë. Zonja u ngrit nga tavolina me zemër të thyer (asaj ju thye zemra që kur mendoi se do ti përgjigjej negativisht edhe ftesës së tij të parë që të dilnin e të frekuentoheshin para se ajo të merrte një vendim)!! Ajo do donte t’i thoshte “Po” burrit të ulur përballë saj, por nuk e bëri. Sot ajo është duke festuar 8 Marsin me një grup shoqesh të cilat në mbërmje do të kthehen të gjitha tek burrat e tyre…. Para disa vitesh kam pyetur një nënë të motshme e cila ankohej se vajza e saj e kaloi gjithë jetën në vrer, pranë një burri psikopat dhe pijanec; i thashë, nëse ajo si nënë përgjatë 30 viteve që e bija dhunohej prej të shoqit kishte bërë dicka për të bijën, nëse qoftë edhe në një rast të vetëm ajo i kishte thënë vajzës së saj që mund të ndahej prej tij dhe të jetonte diku tjetër bashkë me fëmijët. Jo, më tha e moshuara, kjo është turp, ai qe fati i saj. E pyeta nëse ajo si nënë kishte planikifikuar që kur e bija të vdiste e palumtur pas kushedi sa vitesh, ajo do ti dhuronte një jetë tjetër për t’a filluar nga e para dhe e moshuara mblodhi supet. Rrudhi buzet dhe sytë ju mbushën me hidhërim. Ca të verteta të përplasen në fytyrë pavarsisht se kush ti përcjell ato… E kam thënë dikur dhe po e them përsëri: Kur një burrë vë duart në fytin e një femre shenjat e gishërinjve mbeten mbi qafën e secilës nga ne. Prandaj për mua festa të tilla të pakuptimta bëhen nervagricëse. Në fillim femrat duhet të jenë të lumtura, të jenë të zonjat e vetes dhe me shumë gjasa do ta zgjedhin vetë ditën se kur duan të festojnë.

Publikuar: Mapo






Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Ndonjehere...

Next Post

A Ka Vend Për Pijanecët Në Kabinën Time?



Leave a Reply


More Story

Ndonjehere...

Ndonjëherë vijmë për të ikur si një lëndim nga jeta e dikujt, si një fitore e humbur... është kaq e thjeshtë...

February 26, 2014