Latest

Në Bibliotekën E Aurel Plasarit

Karakter / November 23, 2010

This post also exists in English

I karakterizuar gjithmonë nga hijeshia e kostumeve të tij, që duken sikur sapo kanë dalë nga këllëfët, Aurel Plasari është njeriu që mbetet në vëmendjen e opinionit publik. Kjo, për dy arsye: flet pak dhe flet saktë. I rrethuar nga një aureolë distance, është i përfolur shpesh në qarqet gazetareske, ose edhe tek ato më tej, pikërisht sepse duket që e ruan me fanatizëm jetën e tij private. Për mua, që e kam pasur pedagog, si edhe për shumë bashkëstudentë të tjerë, ishte një ndër pedagogët e preferuar. Padyshim që lënda e estetikës, e mësuar prej leksioneve të tij, ka shërbyer në mënyrë të padukshme te secili prej nesh, për të na dhënë një tipar më shumë në karakterin tonë.

Shumë vite më parë, kur kam botuar një shkrim për një punonjëse të Bibliotekës Kombëtare, që kishte rreth 30 vite punë te katet e nëndheshme të kësaj biblioteke, ajo do të ma përshkruante edhe Aurel Plasarin si njërin nga lexuesit e hershëm. Ai vetë e plotëson me përfytyrimin e një tjetër punonjëseje të hershme, që e përshkruan qysh kur vinte në Bibliotekë “me pantallona të shkurtra”. Duke qeshur, Plasari ngulmon që nuk e beson për të vërtetë: “Banaku ka qenë i lartë, ndërsa unë i vogël, 14 vjeç, kështu që nuk e ka dalluar me saktësi se ç’pantallona mbaja veshur…”. Me siguri që, në atë kohë, as vetë Plasari nuk e ka ëndërruar që në të ardhmen do të bëhej drejtori i asaj Biblioteke, e cila e joshte dhe e magjepste qysh në çunakëri: të zbriste sa herë të donte te katet e saj të nëndheshme, të prekte me duar vlerat e rralla që trashëgohen aty prej shekujsh, të shpluhuronte libra që në të ritë e dikurshëm lexuesit i kishin “të ndaluara”, por, sidomos të punonte për mirëmbajtjen, mbrojtjen dhe evidentimin e tyre, tanimë për publikun.

Jeta

Plasari e cilëson jetën si një kalim me pengesa. Nga ato lloj pengesash, që njeriut i dalin përpara me shumicë, prej të cilave një pjesë harrohen, ndërsa pjesa tjetër mbresohen në kujtesë. Nuk do të kujtojë se sa vite kanë vijuar përpjekjet për “të drejtën e studimit”, që në atë kohë nuk i jepej: gjashtë apo shtatë vjet. Por puna paska qenë edhe më keq – thotë studiuesi – kur tregon se si në njërën nga raportet e dosjes së mbikëqyrjes së të atit, nga ato të Sigurimi i Shtetit, të lexuara tanimë vitet e fundit, i ati ankohej se si po ia nxinin aq shumë jetën, sa edhe “djalin e vogël” nuk ia pranonin ta regjistronte në kopsht. “Ime motër, kur i lexoi, u trondit, – thotë Aurel Plasari, – ndërsa unë vetëm nënqesha me marrëzitë e atij regjimi…”. Çfarë ai nuk harron, është njëra nga ndërkohët kur edhe “të drejtën” e botimit të përkthimeve ia kishin hequr, ndoshta në vitet 80 apo në vitin ’82, si ndëshkim për përkthimin e një poeme të autores simboliste ruse Marina Cvetaeva, për një antologji të poezisë antifashiste. Plasari mban mend se, më pas, që t’i lejohej “dalja e emrit”, e ndihmoi botimi i antologjisë madhore “Poetë francezë”, ku ai, nga shekuj të ndryshëm, kishte një pjesë të mirë përkthimesh.

Librat, sikurse duket, kanë hyrë në gjakun e tij që më herët, atëherë kur vetëdija e tij ende nuk ishte zgjuar. Të lexonte: ky ka qenë gjithnjë pasioni i tij më i madh. “Në ato kohë, – tregon Plasari, – kisha një problem të madh me bibliotekën e familjes: kishim shumë libra në gjuhë të huaja. Nuk e konceptoja dot që, të kisha ndër duarsh gjithë ato libra, e të mos mundja t’i lexoja dot…”. Aty e nisin fillin gjuhët e huaja që ai flet. Veç Bibliotekës Kombëtare, në vitet e socializmit vijonin të ekzistonin edhe shumë biblioteka vetjake. Ai kujton me mall bibliotekën e një miku të ngushtë të prindërve të tij, “Argus”-it, që kishte qenë filial shqiptar i shtëpisë së famshme botuese “Hachette” të Parisit, dhe që, në vitet 30-40, kishte pasur në Tiranë librarinë e vet. “Kishte libra më shumë se ne, – kujton Plasari, gati gjithë ankim, – dhe përherë më bënte sherr te prindërit për librat që unë i merrja. Jo se ishte cingun në libra, – shton lexuesi i ethshëm, – por kishte frikë, ngaqë parapëlqeja të merrja libra që, sipas të rriturve, nuk duhej t’i lexoja, pasi nuk bënin për mua; në fillim ato që i quanin atëherë “libra të verdhë”, pastaj letërsinë e emigracionit rus etj. Shkurt fjala, shqetësohej më shumë për rrezikshmërinë që ato përbënin sesa për trurin tim të asaj moshe, po aq sa edhe për atë vetë dhe për familjen tonë. Tani që e kujtoj atë personazh bizar të viteve 30, – vazhdon më tej Plasari, athua se, duke i kërkuar ndjesë kujtimit të tij, – më bëhet se kam ende ndonjë libër pa ia kthyer…”

Vetvetja

Nëse mendohet pak për disa nga karakteristikat e personalitetit të tij, studiuesi Aurel Plasari të thotë: “Pikësëpari, e cilësoj veten njeri pa smirë, pa zili, çfarë më ka ndihmuar ta dalloj lehtë zilinë te të tjerët, te smirëzinjtë”. Vetëpërmbajtjen, gjithashtu, e gjen si karakteristikë tjetër të vetën, por me një V të madhe: “Jam i vetëpërmbajtur për gjëra të mëdha, me peshë; dhe kjo më shpëton nga shumë të këqija”. Karakteristikë tjetër, që tek ai u bie edhe të tjerëve në sy, është të qenit i përkorë. “Kjo më vjen së brendshmi, – pranon Aureli, – nuk e kam as të mësuar, as të imponuar.” Por i duhet të dorëzohet në një pikë: e shkel përkorën te leximi. “Do të doja që dikush të më thoshte “Boll!”, të më ndalte”, – ngulmon Plasari. Ndërkaq, po për këtë fakt, në një bisedë të viteve më parë, pyetjes sime se pse nuk resht së lexuari, i është përgjigjur: “Sepse plotësoj vetveten”.
Sa për miqtë dhe pjesën që zënë ata në jetën e tij, drejtori i Bibliotekës Kombëtare përgjigjet me nënqeshje: “Kam miq në kuptimin cilësor, jo në atë sasior. Si sasi, mund të kem më shumë armiq”. Ndërsa për marrëdhëniet me armiqtë, shprehet: “I dua armiq! Nuk dua t’i ndryshoj! Ata janë letra e lakmuesit që, si në preparatet kimike, më shërbejnë si prova të vetvetes”. Kujton se si, dikur, një figurë madhore e kulturës shqiptare i pati thënë: “Ti ke sharmin të kesh shumë armiq, që të jesh i sulmuar. Ky është sharmi yt dhe atij nuk ke ç’i bën!”. Dhe Plasari qesh, duke ideuar një ese me titullin “Sharmant për armiq”. Ndërkaq, përballë thashethemeve, mes të cilave edhe mund ta ketë gjetur veten shpesh, Aurel Plasari e cilëson veten si receptor. “Madje, receptor shumë kureshtar”, – të thotë duke qeshur me gjithë zemër. Por shton: “Vetëm se nuk e kam talentin t’i prodhoj vetë të tilla, dhe as të bëhem përcjellës i tyre e t’i shumëfishoj”.

Pyetjes, se cilat janë marrëdhëniet me vajzën e tij të vetme, Aureli përgjigjet: “Marrëdhënie shumë të mira, sepse unë u besoj parimeve të letërsisë antike, sipas të cilave, fëmija është bir i t’atit dhe jo i s’ëmës”. Dhe kujton “ligjin modern”, që vendosi perëndesha Atenë, lidhur me Orestin. Pas këtyre fjalëve vazhdon me shaka: “Ndoshta jam xheloz, se mos ime bijë do më shumë t’ëmën se t’atin…”.
Ndërsa bëj pyetjet për intervistën, mendoj për mënyrën koncize të të shprehurit të tij. Fjalë të sakta, jo shumë detaje dhe, sigurisht, fjali të shkurtra: më shumë të bashkërenditura se të nënrenditura. Pyetjes së radhës, se sa vetmitar është Aurel Plasari, i marr këtë përgjigje: “Jam natyrë vetmitare, afërmendsh, për të bërë shumë punë që nuk i realizojnë dot natyrat me sociabilitet të tepërt”. Duke iu referuar Descartes-it, shprehet se të kredhurit në vetvete e bën një autor që të jetë njëherësh subjekt (qenie që mendon) dhe objekt (vrojtues i vetes që mendon).

Biblioteka Kombëtare

Ka shumë njerëz që kanë qenë pjesë e kësaj Biblioteke, qëkur ishin fëmijë; ka të tjerë që janë pjesë e re e saj; ka edhe nga ata që ende nuk e kanë zbuluar se ç’është ajo ngrehinë e madhe që i qëndron përballë xhamisë dhe përbri Hotel Tiranës. Por për Aurel Plasarin lidhja me Bibliotekën cilësohet si lidhje dashurie. Kur, 12 vite më parë, erdhi në krye të saj, mbase ngurroi paksa se çfarë do të bënte si “kryeadministrator” aty, kur për vite e vite kishte hyrë e kishte dalë si “lexues”: i dukej se po rrezikonte largimin nga mësimdhënia. Por pas 12 vitesh nuk mendon njësoj. Për të kjo ndërtesë e madhe, por tanimë mjaft e vogël për pasuritë e mëdha të dijes që përmban, e ka përfshirë. Ai e cilëson atë si universitetin e parë të jetës së tij, pas të cilit universitetin e dytë, atë që ia lejuan me vonesë, e pati shumë më të lehtë. Shprehet se detyrën ia kanë propozuar – nuk pati qenë zgjedhje e tij – por tanimë ajo është puna e tij dhe atë duhet ta bëjë sa më mirë, si edhe të gjitha punët e tjera që Aurel Plasari merr përsipër. Për të mos e humbur kontaktin me mësimdhënien, tani jep mësim vetëm për nivelin e masterit në Universitetin e Tiranës – për më shumë koha nuk i lejon. Pyetjes, nëse do të jepte ndonjëherë mësim në universitetet private, i përgjigjet: “Nuk më ka tërhequr kurrë të dhënit mësim te “shkollat e partisë”. Madje, – shton duke qeshur, – pres të vijë ndonjë me “shkollë partie”, nga këto që po hapen çdo ditë me publicitet të zhurmshëm dhe me parà të madhe, që të më zëvendësojë…”.

Marrëdhëniet mes tij dhe vartësve, aty në Bibliotekën Kombëtare, i cilëson si marrëdhënie bashkëpunimi, me kushtin që të gjithë ta dinë pozicionin e tyre. Nuk është e para herë, por uroj që të jetë hera e fundit që ai flet për kushtet skandaloze në të cilat rri përtokë një pjesë e mirë e librave. “Tirana është padyshim i vetmi kryeqytet në Europë që nuk ka një bibliotekë të qytetit, dhe që detyrën e saj vijon ta kryejë ende Biblioteka Kombëtare. I kuptoj menaxhuesit e kryeqytetit, kur nuk e ulin veten të merren me WC-të publike, që gjithashtu i mungojnë Tiranës, por me çështjen e një biblioteke të kryeqytetit do të duhej të merreshin”, – shprehet Plasari. Në të vërtetë, në krye të herës, ndërtesa e tanishme e Bibliotekës Kombëtare u konceptua për një bibliotekë qyteti; Biblioteka Kombëtare u fut aty “përkohësisht”, ngaqë nuk mjaftonte më ndërtesa e vjetër te Rruga e Elbasanit, dhe mbeti aty “përjetësisht”. Prej vitit 1987, hapësirat e saj kanë mbaruar. “E kam thënë shpesh se Biblioteka Kombëtare është e pamjaftueshme, por politikanët shqiptarë bëjnë pjesë në kategorinë ungjillore të atyre që veshë kanë, porse nuk dëgjojnë”, – thotë drejtori i kësaj biblioteke. Po vetë Plasari? “Unë në dorë kam vetëm fjalën”, arsyeton ai. Tregon se shpesh ka marrë shumë premtime për zgjidhjen e kësaj situate. Premtime jo vetëm kundrejt atij vetë, por edhe kundrejt publikut të interesuar. Por, megjithëkëtë, asgjë nuk ka ndryshuar. Tani ai po bën përpjekje “për të lypur”, gjithnjë në emër të Bibliotekës Kombëtare, të ashtuquajturin Pallat i Kongreseve, i njohur edhe si Pallati i Koncerteve. “Asgjë nuk do ta pengonte Bibliotekën Kombëtare të bashkëjetonte në harmoni muzikore me koncertet, sikurse ndodh me biblioteka të mëdha nëpër botë”, – uron Aurel Plasari.

Dashuria, Zoti, studimet

Pyetjes sime, nëse beson te dashuria, Plasari i përgjigjet gjithnjë me humor: “Edhe pikërisht në këtë moment, kur ti po më pyet! Nuk di në do t’i iki dot ndonjëherë asaj, vetëm nëse Zoti do të më bëjë urdhër…”. Ndërkaq, për marrëdhëniet e tij me Zotin shprehet se, përderisa rrethohemi edhe nga dukuri dhe realitete që nuk i kuptojmë, dhe as që i shpjegojmë dot, nuk mund të jem aq mendjemadh sa të mos besoj te forca madhore, që ndodhet “përtej nesh”. Termin marrëdhënie mes tij dhe librave, atij ia ka ënda ta saktësojë: “Nuk është marrëdhënie, është vetëm marrje prej tyre”. Në këtë periudhë i është kthyer letërsisë klasike, asaj greke të vjetër dhe latine. Leximi i saj në kohë tjetër, në moshë tjetër, i ofron të tjera përjetime, të tjera zbulime. Zbulon, për shembull, se sa pak gjëra kanë ndryshuar te qenia njerëzore përgjatë shekujsh dhe mijëvjeçarësh, si dhe kujton elemente nga më të habitshme që kodi gjenetik i ruan ende te ne: ndoshta që nga koha kur njeriu-majmun flinte lart nëpër pemë. Tani, leximi i autorëve të Antikitetit është për të interes profesional. Tregon se si e ka dalluar ndikimin e tyre te letërsia e madhe e një autori si Malaparte ose edhe te Kadareja ynë.
Po në fushën e shkrimeve? Shpjegon se nuk mund të shkruajë vetëm një gjë, por disa gjëra njëherësh. E cilëson këtë si një lloj higjiene pune, madje, duke treguar se Voltaire-i i ndryshonte edhe veshjet sipas pupitrave të ndryshme, nëpër të cilat kalonte, kohë më kohë, për të kaluar nga filozofia në poezi, nga poezia në prozë, nga proza në letërkëmbimin vetjak. Nga punët e tij të shumta unë do të veçoja një libër me përkthime të poezisë spanjolle të shekullit të 20-të. Libri është me rreth 500 faqe, por është i prodhuar me një letër të hollë, si kartë cigareje, që njihet si “letër biblike”. Plasari tregon se ajo letër, në vitin 1989, u mor nga kontingjenti i letrës së ardhur për “Veprat” e diktatorit: “Qëlloi moment me fat, kur Enver Hoxha nuk po dërgonte gjë të shkruar nga bota tjetër…”.

Largohemi nga Biblioteka Kombëtare, duke e lënë studiuesin Aurel Plasari aty, në zyrën e tij të rrethuar me libra që gjenden kudo: tashmë edhe nëpër dysheme. Ai shpreson – por me të shpresojmë edhe në të tjerët – që një ditë ky qytet ta ketë një bibliotekë moderne, më hapësira gjithë dritë, si ato që mundemi, hëpërhë, vetëm t’i ëndërrojmë. Në fund të fundit, sa më e madhe të jetë ajo, aq më i madh do të jetë edhe numri i njerëzve që do të shkojnë në të: së pari, për të plotësuar vetveten dhe, së dyti, për të plotësuar në të ardhmen kulturën tonë.

Kujtime fëmijërie

Ndër gjuhët që Plasari zotëron, anglishtja është ajo, me të cilën është marrë më vonë, me të cilën ka pasur shumë probleme dhe që thotë se ende i ka. “Duhet të kem pasur një handikap psikik me anglishten, – tregon Aureli, – pasi qysh foshnjë dhe deri në moshën 5- ose 6-vjeçare jam rritur nga një guvernante që kishte ardhur nga Amerika, e rritur dhe e formuar atje. Ajo më mbante, më këndonte në anglisht dhe prindërit tregonin se kishte filluar të komunikonte me mua po në anglisht. Për mua, si fëmijë, vdekja e saj duhet të ketë funksionuar si një ndërprerje e dhunshme psikike. Ime ëmë, që u detyrua më pas të merrej menjëherë me mua, tregonte se i është dashur të përsëriste ndonjë ninullë dhe shprehje fillestare në anglisht, për të hyrë në komunikim. Kam dyshimin që goditja e atëhershme do të ketë lënë të ngrehur ndonjë pengesë psikike në programimin gjuhësor të trurit tim; po e quaj kështu…”. Për gruan e vjetër, të kthyer nga Amerika për t’i kaluar vitet e fundit të jetës në Shqipëri, shton se emrin e saj e ka gjetur në dosjet e letërkëmbimit me Faik Konicën dhe është befasuar: i shkruante atij si admiruese me ide të ngulmët, e fiksuar pas tij – siç thuhet – e dashuruar gati patologjikisht. “Kështu, tani mund të rindërtoj me imagjinatë se çfarë sekreti ka pasur jeta e asaj gruaje.” Për t’u bindur, nëse ka qenë fjala vërtet për të, Plasari ka pyetur motrën më të madhe se ai, e cila gjithashtu ia ka konfirmuar se është fjala pikërisht për “personazhin”. Anglishtes ai i është kthyer vonë: për të kuptuar se ç’hijeshi gjithë ëndje i jepte narracioni në atë gjuhë letërsisë, për shembull prozës së madhe të John Golsworthy-t. “Megjithatë, mundet që të kem ende nevojë për ndihmën e ndonjë psikologu, – shton Aurel Plasari buzagaz, – sikur kërkon t’i ujdisë marrëdhëniet me anglishten.”


Tags: , , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Three Dimensions Of Klodiana...

Next Post

In The Library Of Aurel Plasari





You might also like

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

Three Dimensions Of Klodiana...

She had arrived before me in one of the rare bars whose owner had seriously taken the respecting of the anti-smoking policy....

October 28, 2010