Latest

Politika E Veshtire Per Idealistet, Por Jo E Paarritshme

Femra / July 26, 2014

This post also exists in English

Nirvana Lekaj hyri në politikë në vitin 1992. Sot është kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas në Shkodër dhe anëtare e këshillit bashkiak të Shkodrës. Ajo kritikon “politikat jodemokratike” të krerëve politikë në Shqipëri si pengesa, jo vetëm për pjesëmarrjen e grave në politikë, por edhe për zhvillimin e demokracisë në vend.

A mund të na thoni diçka për jetën dhe karrierën tuaj politike? Si ndodhi që hytë në politikë?

Në Partinë Demokratike jam angazhuar që në vitin 1992. Ndërsa, në vitin 1998, jam zgjedhur sekretare e Departamentit të Arsimit për Degën e PD-së në qytetin e Shkodrës, gjatë kësaj periudhe kam qënë anëtare e Lidhjes Demokratike të Gruas Shkodër. Gjithashtu, në vitin 2008, jam zgjedhur Kryetare e këtij Forumi, detyrë të cilën vazhdoj ta ushtroj edhe sot. Në zgjedhjet lokale të vitit 2011, kam qënë pjesë e listës fituese për këshilltarë vendore të Partisë Demokratike, për Bashkinë e Shkodrës.

Ju keni vepruar në politikën e qytetit të Shkodrës..A keni menduar të hyni në politikën kombëtare?

Kontributi im politik nuk është kufizuar vetëm për qytetin e Shkodrës, përkundrazi ai është shtrirë në nivel kombëtar, duke qënë edhe përfaqësuese e Forumit Kombëtare të Grave Demokrate dhe duke kontribuar kështu në hartimin e platformës kombëtare për barazinë gjinore, të Partisë Demokratike. Gjithashtu, që nga viti 2009, jam anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Çfarë do të thotë të jesh grua politikane në Shkodër? Cilat janë sfidat?

Të jesh grua politikane në Shkodër është privilegj por kërkon edhe shumë përgjegjësi, pasi Shkodra është një qytet i vjetër, me traditë në organizimet e grave. Që në vitin 1920, Marije Çoba, ka krijuar shoqërinë e parë të grave “Komiteti Grueja Shqiptare”. Gratë shkodrane janë mjaft aktive në politikbërjen e qytetit, prandaj duhet energji dhe maturi për t’i përfaqësuar ato.

Çfarë ju ka lënë mbresë më shumë së fundmi nga zhvillimet dhe mjedisi politik aktual në Shqipëri?

Zhvillimet e fundit politike, konkretisht miratimi i një reforme territoriale të cunguar, më ngjallin dyshime se në zgjedhjet e ardhshme lokale, numri i grave përfaqësuese në nivel vendor do të ulet ndjeshëm.

Si e shihni Shqipërinë gjatë katër viteve të ardhshme?

Nuk jam shumë optimiste për zhvillimin e demokracisë në Shqipëri për katër vitet e ardhshme, duke parë edhe trendin e muajve të fundit. 84 votat e Pozitës e kthejnë Opozitën vetëm në një shprehëse mendimesh dhe jo në një faktor ndryshimesh, sic duhet të jetë, në një vend demokratik.

Cili është mendimi juaj për barazinë gjinore në Shqipëri? Cilat janë pengesat kryesore apo mbështetësit më të flaktë për barazinë gjinore?

Në Shqipëri është shumë e vështirë të realizohet barazia gjinore, faktorët pengues për këtë janë: mentaliteti maskilist i shoqërisë, politikat jodemokratike të udhëheqësve të partive dhe indiferentizmi i detyruar i vetë grave. Edhe reformat e ndërmara në këto vitet e fundit, në vecanti ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që detyronin partitë kandidate në zgjedhje, të plotësonin kuotën prej 30%, të përfaqësimit me gra, rezultuan të padobishme nën presionet e ushtruara nga udhëheqësit e partive politike, në drejtim të kandidateve gra, sic është dhe rasti konkret në Qarkun e Lezhës.
Megjithatë, pavarësisht pengesave të hasura, me ngritjen e vazhdueshme të zërit të vetë grave sëbashku me mbështetjen e vazhdueshme të faktorëve ndërkombëtar në vecanti OSBE-së, kam besimin se do të ndikojë në rritjen e përfaqësimit të grave në politikë dhe vendimmarrje.

Cila është çështja (qoftë shoqërore, politike apo ndonjë tjetër) që e ke më shumë për zemër?

Përfaqësimi i grave në nivele sa më të larta jo vetëm në politikë, por edhe në vendimarrjen e vendit, sidomos në fusha të caktuara si arsimi, kultura, shëndetësia, etj.

Cilat janë gratë që ju kanë frymëzuar?

Historia jonë, njeh mjaft gra të cilat kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin jo vetëm të vendit tonë, por edhe të botës. Nënë Tereza është një simbol i vetëmohimit për më të vuajturit, i mirësisë dhe dashurisë ndaj njerëzimit.
Në sferën politike, si grua shkodrane kam pasur një shembull të mirë frymëzues, të një zonje, e cila na ka dhe vazhdon të na përfaqësojë denjësisht në të gjitha kancelaritë e botës, duke luftuar për cështje të rëndësishme të kombit tonë në përgjithësi dhe grave e fëmijëve në vecanti.

Çfarë mund t’i thoni një vajze që mendon të hyjë në politikë sot?

Politika gjithmonë ka qënë mjaft e vështirë për njerëzit idealistë, megjithatë jo e paarritshme. Që të ecësh në politikë duhet të jesh shumë i përgatitur, të mos përkulesh para vështirësive, të njohësh mirë njerëzit që do të përfaqësosh dhe të luftosh gjithmonë për ti përfaqësuar denjësisht ata.

OSCE Logo
Fuqizimi i Grave Ne Politike


Tags: , ,



Gjergj Erebara
Gjergj Erebara
Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet universitare për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka master shkencor (MSC) për Histori Ekonomike nga Universiteti i Lundit. I specializuar për gazetari ekonomike,Erebara ka punuar që nga viti 1998 në disa media të shkruara dhe vizive Shqiptare, si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor.




Previous Post

Albania Will Succeed When A Woman Will Become The Prime Minister

Next Post

Politics Is Difficult For Idealists, But Not Inaccessible





You might also like

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

Albania Will Succeed When A Woman Will Become The Prime Minister

Ky postim ekziston gjithashtu në Vesionin Shqip Dava works as a nurse in the Lezha public hospital. She has worked there...

July 25, 2014