Latest

Politika Ka Nevoje Per Kolona

Femra / July 28, 2014

This post also exists in English

Është jashtëzakonisht e qartë dhe e sigurt në atë që thotë dhe në atë që mbron. Edhe pse ka pak vite në politikë, duket sikur është lindur për të qenë politikane. E spikatur nga vetë ish-kryeministri Sali Berisha pas disa debateve publike televizive, asaj i erdhi ftesa të merrte një post në qeverinë e tij. Kjo është Grida Duma, zëri i fortë femëror në PD, që është e bindur se; Nuk ka shqiptarizëm më të madh se politika që rrit mirëqenien e çdo shqiptari.

Si i komentoni zhvillimet politike në Shqipëri, në një kënd të gjerë pa i hyrë përplasjeve të vogla?

Ajo që ju quani “përplasje të vogla”, për mua janë elementët përbërës të kaosit tonë të përditshëm. Përplasjet e vogla që jo rrallë degradojnë në emra të përveçëm, në çështje private apo diskutime që nuk janë themelore për jetën e shqiptarëve. Përplasjet e vogla janë shkopinjtë që na vendosen në rrota çdo ditë; janë kapaku i një pusete që fsheh problemet e mëdha të zhvillimit dhe të mirëqenies së shqiptarëve. Shqiptari po rrezikon të jetojë në anomi të plotë, kudo ku kthen kokën për t’iu referuar një modeli apo një vlere, gjen vetëm individë dhe emra dhe jo fenomene, jo rregulla loje, jo parime, thuajse asgjë nga këto.
Politika jonë ka nevojë për kolona, ka nevojë për qartësi dhe ndarje parimore mes të djathtës, qendrës dhe të majtës. Njerëzit detyrohen të japin votën atje ku kanë njohje dhe lidhje personale interesash te vogla apo të mëdha, pikërisht sepse në frymën e përgjithshme të politikës sonë nuk ka identitete fenomenesh dhe parimesh.
Tashmë kjo është kthyer në një gangrenë të vetë politikës, pasi edhe brenda saj meritokracia ka bërë hapa prapa. Nëse krahasoni parlamentin e viteve të para pas rënies së regjimit, me parlamentin e sotëm, do të shihni qartazi që niveli i përgjithshëm i deputeteve dhe e kaluara e tyre janë shumë herë më pak të respektueshme se ato të dhjetë apo edhe njëzet viteve më parë. Ditët e fundit me shumë keqardhje lexova një artikull të shkruar nga një mendje e respektuar gati ideologe e te majtës dhe dikur në dikur në majën e hierarkisë së saj, i cili e falte, e justifikonte faktin e pamoralshëm të të gënjyerit në kohëra fushate; dhe për më tepër sillte në ndihmë krahasime krejt të pabëshme midis një vendi si Shqipëria dhe SHBA-ve, duke shtjelluar se si dhe atje liderët “gënjejnë”.
Kjo tregon sa thellë po gërryen kolonat që e mbajnë në këmbë një politikë zhvillimi, gangrena e amoralitetit politik e cila mbështetet në paaftësinë për ta bërë politikën jo çështje thashethemi dhe shoë por axhendë zhvillimi. Tashmë është e nevojshme të qartësohet kush përfaqëson çfarë, të identifikohen cilat janë politikat e majta, cilat janë ato të djathta, sa vlen një forcë e qendrës si forcë zhvillimi; cilat janë alternativat për të rritur ekonominë vendase; këto janë çështjet që do duhej të dëgjonim në përplasjet e vogla të përditshme siç i quani ju, sepse vetëm me një shqiptar me mirëqenie kemi shanse gjithnjë e më të mëdha të bëjmë shtet dhe politikë të mirëfilltë.

Nisur nga opinioni sot, si i parashikoni 4 vitet e ardhshme të vendit nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik?

Vijoj dhe do të vijoj të ri- them që nuk ka shqiptarizëm më të madh se politika që rrit mirëqenien e çdo shqiptari. Mbetem fort me idenë se vetëm duke rritur të ardhurat për çdo shqiptar do arrijmë të fitojmë disa beteja të errëta dhe të rrezikshme që kemi në këtë vend dhe në këtë shoqëri.
Kur them rritje e mirëqenies nuk kuptoj shifra të spekullueshme në vlerë absolute ku inflacioni i dërrmon më shumë se në vitet 90 apo 91. Rritja e borxhit publik nga njëra anë dhe taksimi i klasës së mesme që është motori i zhvillimit nga ana tjetër, apo ndarja e biznesit, “në të djathtë” dhe “të majtë”; heqjet nga puna të mijëra individëve me eksperiencë dhe zëvendësimi sërish me militantë partish, të gjitha këto çojnë në deprimim të fortë ekonomik. Do të vijoj të besoj që forca e shqiptarëve për të ndërtuar një jetë më të mirë gjithsesi madje edhe në luftë me “demonin” që e bën motorin ekonomik të frenojë, do mund të sjellë një rritje ekonomike ndonëse minimaliste. Por nuk shoh fatkeqësisht frymë progresi. E gjitha kjo e mbështjellë me një tis pasigurie për jetën në vend, ku pre e krimit kanë qenë kryesisht njerëz që shkëmbenin interesa ekonomike, e bën situatën aspak optimiste.

Progres apo regres i femrës në politikë pas zgjedhjeve të fundit ku kishim tërheqje të grave nga lista, si e shihni ju?

Ajo që ndjehet sot në cilësinë e përfaqësimit të gruas në parlament është një tablo komplekse. Nga njëra anë nuk kemi mjaftueshëm prurje të reja në nivelin e shumëkërkuar dhe madje as në nivelin që kërkon zbatimi i ligjit me 30% të kuotave. Kushdo që vijon të thotë që gruaja në parlamentin shqiptar është aty për shkak të kuotave të lobuara kërkon të mbulojë problemin. Nëse do të ishte kështu atëherë realisht do të kishim 30% gra dhe po ashtu nuk do të kishim dorëheqje të grave nga listat në mënyrë që të tjerë burra të ngjiten në listë dhe të ulen në karrigen parlamentare. Të gjitha këto tregojnë që kuadri ligjor është vetëm një sipërfaqe formale për gruan. Nga ana tjetër nuk ka pak raste të grave që kooptohen në politikë si kontur dekori, ndonëse vijoj të mendoj që gjithsesi të gjitha gratë e parlamentit edhe në dyshemenë e tyre janë plotësisht konkurruese me dyshemenë e disa parlamentarëve burra. Përmbledhtasi, nuk mendoj që ka progres të mirëfilltë në ecurinë e gruas në parlament, së paku jo nga perspektiva ime që ka shumë më tepër vlerësim për gruan shqiptare si në nivel numrash dhe përfaqësimi.

Si u angazhuat në politikë,kush të ftoi e pse beson te kjo forcë politike?

Angazhimi në politikë ftesën e ka mjet, së pari angazhimi duhet të vijë si përgjigje e një thirrje të brendshme të njeriut. Politika do shumë investim dhe shumë vendosmëri për të përballuar sakrificat që ajo parashtron dhe ka gjatë gjithë rrugës së saj, qofsh në opozitë apo në pozitë, brenda dimensionit të saj ka shumë sakrificë. Në këtë kuptim unë e kam ndjerë këtë thirrje të brendshme. Më tej duhet të them që besoj tek forca e individit pastaj komunitetit. Besoj tek mirëqenia ime, si e vetmja mënyrë për të prodhuar mirë dhe për tjetrin. Besoj tek forca e atij që brenda vetes do të masë rezultatin çdo ditë, që me kohën ka vetëm një raport; raportin me atë që prodhon. Nuk besoj se mund të shpërndash të ardhura kur nuk ke, besoj se ato duhet të akumulohen dhe më pas të rishpërndahen. Besoj që ndër shekuj njeriun shqiptar e kanë dehumanizuar nga vetvetja, e lanë pa pronë pa krijim pa dashurinë e vet në emër të përbashkëtës të komunitares, tonës jo tëndes. Besoj që individi që jeton gjatë në mirëqenie ekonomike, jo dhjetë apo 20 vjet por dy apo tre breza është ajo çka na ka munguar historikisht.
Vetëm pas kësaj do të mund të kemi moralin ta gjykojmë si ndërtues apo shkatërrues të historisë së vet. Në këtë kuptim dijet, formimet dhe besimet e mia janë të djathta, nëse të djathtë do të quajmë Smith, ndërkohë që pa Adam Smith s’do të kishte një Marks, dhe kushdo që i proklamon në mënyrë profane në publik si të ndarë është thjesht një mosnjohës i pandërgjegjshëm. Për sa i përket pyetjes konkrete, “kush më ftoi”, ishte ish –kryeministri Berisha që më kishte spikatur në diskuret publike dhe mediatike i cili më ftoi dhe më vonë edhe propozoi një post ekzekutiv në qeverinë e tij.

Një femër e zonja, ky është perceptimi masiv për ju, në fakt sa e vështirë është ti bësh vend vetes?

Ju jam mirënjohëse që më citoni që ky është perceptimi masiv. Është më shumë se e vështirë, në fakt nuk mbaron kurrë, është një proces që vështirësohet sa më shumë vijon të synosh.
Nuk mendoj që ka filluar sot, ka filluar që kur ndihmoja pa reshtur prindërit e mi me aktivitetet e tyre për të ndërtuar mirëqenien e familjes, që kur u punësova në moshën 19 vjeçare dhe njëkohësisht ndiqja universitetin dhe aplikoja për universitete të tjera jashtë vendit, apo kur vijova të marr pjesë në debate ndërkombëtare studentësh dhe më pas gjërat vetëm u shtuan, kurrë nuk janë pakësuar.

Cili është, sipas jush, mënyra e duhur për të bërë debat politik?

Pranoj çdo gjë, mjaft të jetë e pandikuar nga paragjykimi apo inercia për të më gjykuar si kah politik jo si forcë argumenti.
Ju siguroj që përpiqem të gjej gjithë gabimet tek vetja të cilat duhen përmirësuar. Ka shumë arsye pse i dëgjohet zëri dikujt, mbi të gjitha e para është që argumenti godet në veshët e njerëzve, dhe kur them “argumenti” mos mendoni që ai është gjithmonë i mirëpritur, atë veshi mund ta kapë të parin dhe qartë por shijet dhe mbresat tona mund të mos e pranojnë për shumë arsye, që fillojnë nga përkatësia politike deri tek stereotipet kulturore.
Po ashtu ju siguroj që e njoh mirë diferencën e gjykimeve për një burrë dhe për një grua. E kam ndjerë në çdo reagim që nëse një grua i jep forcë intonacionit dhe fjalës ajo më parë se të jetë e fortë është një “grifshë” një e çjerrë apo sa e sa… ndërsa një burrë apriori në këto raste është thjesht “i forti” i panelit. Gjithsesi e kam ditur gjithmonë që do të përballesha dhe me këtë ndaj nuk ndjej se kam ndonjë problem madhor me epitete të tilla.

Sa e ndihmon pamja e jashtme një politikan?

Pamja, estetika, etika, mirëmbajtja fizike janë të gjithë elementë që i japin njeriut, cilitdo, më shumë vetëbesim më shumë vetë-ndierje mirë me veten. Sikur vetëm kaq do të mjaftonte të thosha që më ka ndihmuar. Personalisht vë re që çdo individ që ka respekt për jetën bëhet i kujdesshëm ndaj mirëmbajtjes së vetes, është edhe një lloj shenjë jete brenda vetes një mençuri biologjike.
Sigurisht ajo çka më ka bërë gjithmonë të kem një shije jo të mirë është momenti kur i atribuojnë estetikes atë që nuk është e saj. Edhe atraktiviteti publik bie plotësisht nëse ndërsa dukesh e bukur jashtë shfaq një shëmti të brendshme, madje zhgënjimi është shumë i madh në të tilla raste sepse në politikë apo akademi nuk flitet gjuha e dimensioneve të botës së sipërfaqshme. E në këtë dimension të thellë zilia, xhelozia apo elementë të tillë gjejnë prehë shumë natyrshëm, që do të thotë pa e ditur qartësisht dhe objektivisht pse në një farë mënyrë ka qenë edhe pengesë.

Burra kundra grave, burra që kanë frikë nga gratë, burra fanatikë….Sa e ndikojnë këto fenomene një politikane femër?

Nuk mund të them që ka realisht një luftë me këto kahje, burra kundër grave apo që kanë frikë nga gratë; jo rrallë ka dëgjuar që gratë dëshmojnë për burra që i mbështesin dhe jo gra që i mbështesin. Mendoj që për shkak të një eksperience shumë më të gjatë në jetën politike, ku burri ka qindra vjet dhe gruaja ende në rang global nuk e ka mbushur njëqindvjetorin e parë, burrat janë shumë më tepër qenie politike se gratë. Kështu në momente kyçe kompaktësia e tyre për të ruajtur njëri tjetrin për të pranuar realitetin apo për t’iu nënshtruar edhe një vendimi pa vijuar më tej luftën është shumë më e madhe.
Nga ana tjetër burrat e ndjejnë këtë dualizëm, që nga njëra anë gruaja mund të jetë si individ mjaft e aftë dhe e përgatitur ndërsa grupimi i saj si gjini nuk ka kompaktësinë politike si ai i burrit. Kjo bën që në mjaft momente të vendimmarrjes kur çështja vjen drejt fundit, lobimi i gruas lë për të dëshiruar, ndoshta kjo ndodh se në vete-perceptimin e brendshëm gruaja ende mendon qe po konkurron me një grua jo edhe me një burrë.

Pse gratë ende nuk kanë arritur të jenë më të suksesshme në drejtim?

Nuk kanë aftësuar dhe maturuar sa duhet aftësinë negociuese. Negociojnë mjaftueshëm deri në një pikë e më pas çedojnë dhe pranojnë diçka më pak në momentet finale, pak a shume ndjehen vetëm në këtë betejë dhe nuk hyjnë të vendosura deri në pikën që duhet negociuar për atë që vlen edhe duke mbajtur në mendje që diçka duhet të jesh në gjendje ta humbësh që të mund ta fitosh. Kjo do të thotë që gratë i ndjejnë apo e nuhasin mungesën e alternativave që kanë dhe sillen me to si alternativa të vetme.

Kush është Grida në fakt?

Përpiqem të jem dikush që bën çmos të vërë në përdorim ato njohuri që zotëron, për të mbështetur çështjen e duhur, projektin e suksesshëm. Nuk kam kohën dhe luksin të veproj në mënyrë sipërfaqësore. Çdokush prej nesh e ka në dorë vendimin për të prishur apo për të ndërtuar. Përpiqem të mos humb kohë duke u ankuar për problemet, sepse zgjidhjet shpesh nuk janë të pamundura.

Në fakt rolin e debatueses së mirë ju e keni fituar vite më parë ku ishit pjesë e Forumit për Edukimin Civil për vendet e Evropës Qendrore e Lindore, cili ka qenë detaji më interesant i atij debati?

Më interesant apo më shokant, ka qenë momenti kur përballë meje qëndronte një student rus, të cilit në formimin e vet nuk i kishte munguar biblioteka dhe veprat në origjinal, ndërsa unë vija nga një sistem ku leksionet në shumicën e rasteve ishin nëpër shënimet e fletoreve, dhe jo rrallë na vinin si përkthime të shtrembëruara jo profesionale. Kur për çështjen e pushtetit ai citoi Toquevilllin, Machiavellin dhe Foucault në veprat e tyre origjinale dhe duke i mbajtur në dorë bashkë me artikuj të tjerë të autorëve bashkëkohorë të ekonomisë dhe filozofisë, unë mendova që isha aq larg dhe aq jashtë botës në të cilën kisha marrë përsipër madje edhe të konkurroja. Por ishte kjo që bëri të zhytesha ditë e net duke përballuar në mënyrë autodidakte paqartësitë e leximit në anglisht, deri në një ditë të sotme.

Debati është art të shprehuri që fitohet apo dhunti, si e konsideroni?

Është aftësi e brendshme por edhe e ndërtueshme. Ata që e kanë aftësi të brendshme por nuk e zhvillojnë dhe nuk e ushqejnë sigurisht mbeten “llafollogë”, të cilët gjithë sesi e kanë një aftësi.
Ka plot njerëz që në mungesë të komplekseve ndaj kamerave, audiencës apo turmave dinë të jenë tërheqës në një përmasë të caktuar kohe. Por të jesh debatues i mirëfilltë duhet domosdoshmërisht të kesh qartësi logjike dhe njohje për çështjen që po debaton.
Vetëm në atë mënyrë mundesh që në fraksione sekondash të radhisësh atë që duhet thënë në përballje me kolegun e anës tjetër, atë që në të njëjtën kohë është dhe më e rëndësishme për audiencën por mbi të gjitha ta shtrosh debatin drejt mesazheve që do të përçosh vetë. Nëse në një debat nuk ke mesazhe reale dhe të vërteta për të dhënë, audienca e kupton fare qartë.
Një debat nuk vlen për të mundur kundërshtarin por për të triumfuar tezën tënde, mundja e kundërshtarit nuk është qëllim është thjeshtë mjet.

Para disa vitesh morët në duar frerët e departamentit të sociologjisë në Universitetin e Tiranës, ku ndryshojnë brezat e parë të diplomuar me të sotshmit?

Brezat e sotëm kanë shumë më pak durim shumë më pak optimizëm dhe shumë më pak besim. Të gjitha këto karakteristika gjenden edhe në perëndim por përmasa dhe thellësia e tyre me tonën as mund të krahasohen. Brezave të sotëm ia kemi vrarë meritokracinë dhe ata nuk mundtë orientohen dot më në këtë botë shqiptare. Sot është e thuajse e pamundur të gjesh përgjigjen e duhur ndaj pyetjes së tyre “se duhet të studiojmë”. Se nëse do ti thuash, sepse dija të bën një njeri tjetër, ata s’mund ta kuptojnë çdo të thotë “tjetër”, sepse duhet të jesh atje për ta kuptuar.
Hera-herës përpiqem t’u jap të dhëna statistikore ku gjithë sesi shanset për ata që kanë mbaruar studimet e larta janë më të mëdha se ata që nuk i kanë mbaruar, dhe ata vijojnë të vijnë në leksione por motivimi për tu thelluar dhe lexuar domosdoshmërisht ka rënë ndjeshëm. Sigurisht janë vrarë edhe të tjera dimensione, si ai i modelit të profesorit.
Jo rrallë e madje shpesh studenti gjen përballë një lektor pa eksperiencë dhe herë-herë pa brumin njerëzor për të qenë lektor universiteti.

Për dy vjet drejtuat Ministrinë e Integrimit, si është të kesh mbi kokë një grua ministre, merren femrat vesh mes tyre?

Mund të merren vesh shkëlqyer si edhe mund të mos merren vesh fare. Është çështje zgjedhjeje dhe personaliteti, s’ka të bëjë fare me të qenurit grua apo burrë.

Cili ka qenë momenti më interesant në këtë funksion?

Ministria e Integrimit është një minierë informacioni dhe njohjeje të sektorëve të tjerë dhe të perspektivës perëndimore mbi këta sektorë. Pakkush e di rolin e asaj ministrie dhe në varësi të kuptimit të saj mandate të ndryshme i kanë atribuuar kompetenca të ndryshme. Roli më i rëndësishëm dhe në të vërtetë i vetmi unik që ajo ministri ka, është koordinimi i punës së ministrive të tjera.
Koordinimi është edhe fenomeni më i vështirë për kulturën shqiptare dhe ballkanase në institucione, kjo pasi çdo ministër do të ketë supremaci në atë që quan sektor të vetin, ndërkohë asnjë sektor s’mund të mbulohet plotësisht nga një ministri e vetme, gjërat dhe procese kryqëzohen. Në këtë kontekst i gjithë procesi dhe njohja ka qenë shumë interesant dhe i vlefshëm.

Darien është djali juaj 9 vjeçar dhe Iliri bashkëshorti me të cilin keni thuajse gjysmën e jetës, si e administroni kohën për punën, veten e familjen?

Koha që më marrin të gjitha jo rrallë duket sikur ma lë veten jashtë. Shpesh i përgjigjem vetëm një “duhet” dhe vijoj të bëj të duhurën dhe kaq. Duhet të jem e mërzitshme për familjen herë-herë.

Si është një ditë e juaja, nga mëngjesi në mbrëmje?

Asgjë shumë më e veçante se çdo ditë rutinë e një njeriu dhe nëne të zakonshme vetëm shtojini punë, angazhime takime…
Drekën e ha në zyrë. Me përjashtime shumë të vogla mund të marr kohë për një drekë jashtë. Dita thuajse kurrë nuk mbaron para orës 7 apo 8 të mbrëmjes.

Një karrierë e gjerë, dy libra profesionalë, një universitet në drejtim…. në fakt keni një majë ku doni të arrini?

Bëj çdo ditë gjithçka mundem për atë ditë. Pranoj faktin social që njeriu është i kushtëzuar nga rreth anshmëria e tij.
Rrethana jonë na e formëson jetën fuqishëm. Përpjekja ime është ta latoj rrethanën time në favorin tim; këtë përpiqem të arrij çdo ditë. Jam e vetëdijshme që realiteti nuk mund të ndryshohet menjëherë në totalitetin e tij. Por kjo s’më pengon të synoj atë që është e mundur të ndryshohet. Në fund të çdo dite dua të ndjej se kam arritur të bëj gjithçka që kam patur mundësi të bëj.

OSCE Logo
Fuqizimi i Grave Ne Politike


Tags: , , ,



Rezarta Delisula
Rezarta Delisula
Rezarta Delisula punon si gazetare që prej vitit 1998. Ajo ka punuar në Gazetën Shqiptare nga viti 1998 deri në vitin 2005. Pas kësaj eksperience, ka punuar në Gazetën Panorama deri ne vitin 2007 kur u rikthye përsëri në Gazetën Shqiptare duke ushtruar detyrën e zëvendës-kryeredaktores.




Previous Post

I Find In Edi Rama An Amazing Grace

Next Post

Politics Requires Pillars





You might also like

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

I Find In Edi Rama An Amazing Grace

Ky postim ekziston gjithashtu në Vesionin Shqip Back in 2003, when she was invited to enter politics, Lindita Nikolla was a high...

July 28, 2014