Latest

Pushime Në Shqipëri

Editorial / June 18, 2010

This post also exists in English Version

Disa ditë më parë po mendoja që, nëpërmjet editorialit të revistës sonë, t’i kushtoja një hapësirë të gjerë të rinjve të talentuar. Atyre të rinjve shqiptarë që po e përcjellin imazhin e saj mijëra kilometra larg. Por, në fakt, nuk më ndodhi kështu!
Sot dua të flas për pushimet. Thjesht, pushimet, sidomos ato që kalohem brenda Shqipërisë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me faktin se jam nacionaliste. Jo, në fakt, dua të kujtoj edhe njëherë se Shqipëria është një parajsë e vogël, porse, fatkeqësisht, ende e pacertifikuar si e tillë. Këto po mendoja, teksa, disa ditë më parë, me disa miq të mi u larguam nga Tirana për të kaluar një fundjavë në Jug. Me siguri kur, e rrëmbyer nga puna, qëndron gjatë në Tiranë, harron sa e bukur është Shqipëria; por nuk duhet shumë për të t’u zgjuar brenda vetes të gjitha arsyet se pse ia vlen ta duash këtë vend. Kjo nuk do të thotë se të gjithë turistët që vijnë do të gjejnë ngado rrugë të shtruara, me trotuare e me neone të bardha. Fatkeqësisht, ndesh edhe nga ato rrugë, kur t’i e mallkon veten se pse e ndërmore këtë hap për t’i vizituar. Kështu më ndodhi me Qafë-Shtamën.
Një vend përrallor me kroje që burojnë ngado, por pa rrugë për të shkuar atje e për t’u freskuar te to. Kujtdo që i pëlqen të eksplorojë hapësira të tilla, duhet të marrë parasysh të heqë dorë nga makina luksoze, nëse do që ta ngasë atë edhe për ca kohë, dhe t’i ngjitet ndonjë “Skode” që transporton dru të prerë pa leje, për të mbërritur deri atje. Por, gjithsesi, ende ka shpresë që ky vend të zbulohet nën një dritë të re. Këtë e ndjen kur shkon në Vlorë. E ndjen se ky vend ka plot vise për t’u parë, sikurse e kupton se Shqipërisë i mungon reklama e duhur.
Për të mbërritur në Manastirin e Zvërnecit, të duhet pak kohë t’i bindësh miqtë e tu vlonjate, të cilët, edhe pse jetojnë jo shumë larg këtij vendi me natyrë magjepsëse, nuk e dinë se tashmë rruga për të shkuar aty është e shtruar me asfalt të zi, që gjarpëron mes Pyllit të Sodës, për të ndjekur më pas disa lugina të buta, derisa të mbërrish në destinacion. “Manastiri qenka në një ishull!”, – ma tha pak kohë më parë njëri prej tyre, duke nxituar të shtojë se, në fakt, nuk qenkan vetëm tre ishujt e Ksamilit dhe ai i Sazanit, të vetmit ishuj shqiptarë. Po kaq mbresëlënëse është edhe gjithçka tjetër. Vende-vende, deti merr ngjyrat e smeraldit, ndërkohë që, në të shumtën e rasteve ai është blu.
Rrugës ndeshesh me makina me targa të huaja, kryesisht maqedonase, që prej dy vjetësh po eksplorojnë bregdetin shqiptar. Ju mjaftoi vetëm hera e parë që të njiheshin me ketë vend, e më pas… Janë pikërisht të huajit, të cilët, krahas makinës, kanë edhe një rimorkio që mban mbi shpinë varka të vogla. Në fakt, kjo është ajo që i mungon tej mase bregdetit shqiptar, por që vihet re më shumë kur pushon në brigjet e Sarandës. Kilometra larg bregut, në një tjetër breg të huaj, shëtisin jahte të panumërta, të cilat të japin idenë e lirisë dhe të mirëqenies. Por, pavarësisht kësaj, Shqipëria të ofron edhe bollëkun. Të ofron një ushqim që të shijon… Të gatuar mirë, të pastër e me çmime që të joshin. Por ajo çka i mungon ende këtij vendi është shërbimi. Kamerierë që nuk të dëgjojnë, që të shërbejnë ndonjëherë edhe diçka që nuk e ke kërkuar, por të sjellshëm e të dëshiruar që të largohesh i kënaqur nga lokali. Thënia e një vizitori nga Italia – më shtyn t’i ftoj të gjithë ata që po udhëtojnë në këto momente me linjën tonë, ose ata që po e lexojnë nga toka revistën tonë – i cili, pasi e vizitoi kalanë e vogël të Ali Pashës në Porto-Palermo, u shpreh se, në qoftë se dikush do ta pyeste se ku është parajsa, ai do i përgjigjej: në Porto-Palermo. Ajo çka më pëlqen më shumë është se, në ndryshim nga disa vite më parë, tashmë makina nuk kërcen më mbi gropa, duke u shkundur e duke të trembur se nga minuta në minutë do të zhvidhosej e gjitha.
Të gjitha këto arsye që, në thelb duken të parëndësishme, më bëjnë t’ju ftoj t’i ktheni sytë nga Shqipëria. E paqme dhe e butë si një femër, që ia di vlerat vetes, ajo ka se me çfarë të josh. Zbulojeni atë!

This post also exists in English Version


Tags:



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Xhilda Lapardhaja / The Albanian Girl That “Conquered” Rome

Next Post

Vacation In Albania





You might also like

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

Xhilda Lapardhaja / The Albanian Girl That “Conquered” Rome

Photos Courtesy of Pierpaolo Redondo She's Albanian. You can tell it from the voice on the other side of the phone, when...

May 25, 2010