Latest

Rrugët, Dritat Dhe Thethi…

Editorial / June 21, 2011

This post also exists in English Version

Ideja për të shkruar këtë shkrim më erdhi një mbrëmje, gjatë një diskutimi të zjarrtë në dhomën e një shtëpie ndërtuar prej guri në Thethin malor. Dhoma ishte pothuajse e pandriçuar dhe fytyrat tona ravijëzoheshin nga hije të ndryshme, në varësi të këndit prej nga vinte drita. Dikush prej nesh mbronte idenë se Thethi duhet të mbetet ashtu siç është tani e siç ka qenë “na ishte njëherë…”, sepse vetëm kështu ky vend do të tërhiqte turistët e huaj, të cilët joshen nga mënyra e jetesës së brezave të parë, nga banorët e viseve e të vendeve ekzotike. Bashkëbiseduesi ynë ishte kundër “zhvillimit” që sjell mënyra e sotme moderne e jetesës në këto treva, teksa mundohej të shpjegonte se rruga e asfaltuar do të sillte tjetërsimin. Ndërsa unë i qëndroj idesë sime, se rruga sjell jetë e zhvillim, si dhe nuk ngurroj të them se askush në botë nuk ka të drejtë t’i trajtojë disa zona si fosile.
Thethi, ndonëse reklamohet nga shteti si një ndër bukuritë e paçmueshme shqiptare, është larg për turistin e zakonshëm, të cilit do t’i pëlqente ta kalonte në mal fundjavën, pasi rruga për të shkuar deri atje nuk është e lehtë. Është e vërtetë se aty mund të shkojë një kategori turistësh të llojit alpin, ndërsa pjesa tjetër e papërgatitur fizikisht nuk e ka “fatin” për ta vizituar. Përballë dëshirës së mikut tonë, që Thethi të mbetej relike shqiptare, zotëronte zëri i Franit, i cili ka lindur në atë zonë 74 vjet më parë. Tashmë, gjysmën e vitit, Frani e kalon në Shkodër, ndërsa për t’u kthyer në Theth makina ia shkund atij trupin e hajthëm, i cili sa vjen dhe drobitet. Frani është nga Thethi dhe ai e do rrugën; ashtu si ai, e do edhe bashkëshortja e tij e, po aq e duan të gjithë banorët e Thethit, porse më shumë e duan ata që kanë makina dhe që harxhojnë për mirëmbajtjen e tyre e pakta 10 mijë lekë çdo javë. Po kështu, Frani ankohet për mungesën e energjisë elektrike dhe tregon se si një vit më parë ai e hodhi gjysmën e mishit të viçit në kanal, sepse në fshatin e tyre pa energji elektrike nuk mund të përdoret frigoriferi. Në shtëpinë e Franit nuk mund të shihet as televizor, nuk mund të bësh banjë me ujin që ngrohet në bolier, nuk mund të lahen teshat në lavatriçe. Lula 70-vjeçare i lan rrobat me dorë, në një govatë të madhe, me shumë mundim.
Kujdesi i shtetit nuk ndihet askund në Theth, edhe pse aty të thonë se ka një kryetar komune e të tjerë që paguhen nga buxheti i shtetit, por në dukje asgjë nuk është përmirësuar për banorët e Thethit. Sepse ka njerëz që e duan Thethin ashtu të vetmuar mes maleve, me mungesën e një tregu ushqimor dhe pa asnjë lloj kujdesi e ndihme shëndetësore. Ndaj, duhet të mendohesh mirë, para se të marrësh rrugën drejt Thethit malor. Shërbimi i makinave furgon nuk ka orar. Shoferët s’janë kurrë të përpiktë, me pretendimet se njëherë u digjet freksioni, ndërsa herën tjetër se u bie goma rrugës…
Ky është turizmi që të ofron një nga pikat më të bukura të Veriut të Shqipërisë. Është e mjerueshme ndjesia që merr në mes të kontrasteve të bukurisë dhe vështirësive të njerëzve për të jetuar aty. Po, a ia vlen të vizitohet Thethi? Pa diskutim që po! Sado e vështirë të jetë për turistin, kjo krahinë ka shumë për të të dhënë.
Mbase një ditë, edhe shteti do të jetë në Theth nëpërmjet rrugës dhe dritave, koshave të plehrave dhe një sistemi të mirëfilltë turistik, i cili do të mbante larg Thethit elementet e zhurmshme të mjediseve moderne. Vetëm se kjo duhet të bëhet shumë shpejt, para se Thethi të betonohet me ndërtimet e reja, që me siguri do ta shëmtojnë peizazhin e bukur të kullave të gurit, para se parajsa të kthehet në ferr…

This post also exists in English Version


Tags: , , , , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Roads, Theth, Electricity...

Next Post

Te Dua





You might also like

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

Roads, Theth, Electricity...

Ky postim ekziston gjithashtu në Vesionin Shqip I came to the idea of writing this editorial one evening following to an animated...

June 21, 2011