Latest

Rugëtim Në Kulturën Rome

Publications / April 7, 2014

Kur u nisa të bëja një studim etnografik për romët, nuk e kisha idenë sesa pak dija për ta edhe pse në mbi 10 vjet kam shkruar për problemet e tyre, grabitjet, ushqimit në të keqe, pastrimit të xhamave të makinave apo bajameve të pjekura në ca tava të vjetra ku bajamet spërkaten me ujë dhe kripë e lihen mbi sobë derisa të thithin kripën. Kisha parë shumë varfëri ngado, edhe pse në fëmijninë time ata ishin njerëzit e gëzuar, të veshur me ngjyra që bridhinin ku tu donte qejfi e shisnin sendurina apo copa turke, kështu quheshin dikur ato copat me lule me material sintetik. Unë për vete vdisja për ato karficat me ngjyrë rozë dhe blu që kishin në fund të tyre edhe një copë pasyrë. Ato karfica në fakt nuk ishin gjë tjetër veç shapkat plastike të vjetra rozë dhe të kaltra që ata mblidhin në këmbim të karficave. Sigurisht as që mund të bëje pazar nuk e dija, dija vetëm se gëzimi i atyre karficave ishte aq i madh dhe entuziazmi nuk më shuhej edhe pse dy ditë më vonë teli metalik nuk ishte më aq elastik sa të qëndronte aq i mbyllur sa duhej nëpër flokë, sigurisht nuk e dija që në atë kohë ky lloj fisi quhej erli apo kurbat dhe në një gjuhë denigruese edhe kabullxhi.

Jam e sigurtë se po ashtu si unë edhe shumë të tjerë nuk e dinin që Shqipëria kishte katër fise të mëdha të romëve, ku erlinjtë janë fisi më i madh, pastaj vijnë meçkarët, çergarët dhe bamillët e Fierit. Bamillët kanë ardhur në fund të shtegëtimit rom nëpër Europë nga Greqia së bashku me çamët e janë vendosur diku pranë zonës së ish Azotikut në Fier.

Te Meçkarët

Sikur të mos e dija ku po shkoja do ta kisha të vështirë të besoja që ata janë romë, sepse tek ata në pamje të parë nuk gjen asnjë gjurmë të qytetërimit të tyre. Duke qënë se janë të vendosur në zona bujqësore si në Fier ashtu edhe në Berat në zonën e Moravës ata janë sot shumë të lidhur me popullsinë vendase. Ndoshta në këtë i ndihmon shumë edhe fakti se popullsia e butë e këtyre zonave nuk i ka parë kurrë si njerëz të dorës së dytë. Ata janë vendosur fillimisht në toka kënetore, kështu kanë luftuar me mish e me shpirt për t’ia dalë mbanë, janë ushqyer me mish nga shpendët e kënetës dhe për arsye që ata nuk i dinë, por janë përcjellë brez pas brezi përdorin shumë mishin e iriqit për të cilin shprehen se është një kafshë e bekuar e dërguar nga Zoti, po kështu ata besojnë se ky lloj mishi shëron reumatizmën dhe e përdorin dhe në një variant pomade. Përziejnë së bashku vaj nga mishi i iriqit, vaj ulliri, hithra dhe hudhra dhe lyjenë me të gjymtyrën ku ndiejnë dhimbje. Në fisin e meçkarëve nuk gjen më veshje karakteristike rome, kjo do të thotë që ajo mungon edhe nëpër sënduqet e vjetra si kujtim. Latif Kazanxhi tregon se dikur gratë rome mbanin kryesisht fustane të gjera me rrudha dhe i stolisnin me shirita dhe xhufka. Fustanet ishin të gjatë derisa të mbulohej kavilja e këmbës dhe me mëngë të gjata deri tek kyçi i dorës. Ndërsa burrat mbanin pantallona shajaku dhe kadife. Karakterizoheshin nga kapelet e republikës. Latif Kazanxhi, përfaqësues i komunitetit ka rikrijuar veshje të tilla, por ato edhe pse ngjajnë me modelet e të shkuarës nuk kanë ngjashmëri as në qepjet me dorë as në përbërjen e materialit. Nga ana tjetër në zonën e Moravës në Berat më të moshuarat tregojnë se veshja e tyre karakteristike ishte e bardhë. Ajo përbëhej nga një këmishë beze që ata vetë e quanin kumahi, nga një bluzë e çarë deri tek fillimi i gjoksit e cila mbërthehej me tre susta dhe ishte e qëndisur jaka me punim kryq, zakonisht me penj në ngjyrë të kuqe dhe jeshile, po kështu mëngët përfundonin tek kyçi me llastik dhe me rrudha dhe të qëndisura po njësoj si jaka, fund i bardhë me rrudha dhe qemer që lidhej në fund me dy zgjatime i qëndisur gjithashtu në fund, karakteristikë e gjithë fiseve janë brekushet që gjithashtu zgjateshin deri tek kyçi i këmbës ose deri nën gjunj, shenjë kjo që tregonte ndershmërinë e gruas. Dhe këto ishin të qëndisura në fund me punim kryq me ngjyrën që ishin qëndisur dhe këmisha apo fundi. Element tjetër është dhe jeleku i cili mbahej kryesisht nga gratë në moshë të cilat e qëndisnin atë me lule, xhufka, pare të vogla tringëllitëse. Dasmat në fiset meçkare janë diçka mjaft e rëndësishme ato fillojnë të hënën dhe mbarojnë të hënën tjetër, pasi është vërtetuar që nusja është e virgjër. Nadire Rrënja, infermiere në ambulancën e Moravës më thotë duke qeshur e pak e vënë në siklet se ky zakon ata i ndjek brez pas brezi dhe për ta është i rëndësishëm. Nëse nusja para se të martohet ka pasur mardhënie me një mashkull tjetër ajo kthehet pas në familjen e saj herë e veshur me rroba të vjetra, herë e hypur në gomar, ai që e kthen është ose vëllai i saj ose lajmësi që kishte dal garant për të. Një zakon që më la mbresa e më kumboi në vesh sapo e dëgjova është turpërimi i nuses me një teneqe të cilës i bihet fort që ta marrin vesh të gjithë që ajo nuk ishte e ndershme. Në Elbasan do më tregonte në ditët në vazhdim Sanije Mustafa zakoni i teneqes është po aq i përhapur edhe pse aty fisi është Erli, vetëm se ka një element më shumë, teneqeja mbushej me hi e kështu kur i bije hirin e merrte era me qëllim që lajmi të shpërndahej kudo për nusen e padenjë.

Bamillët e Fierit

Unë e kam takuar shpesh varfërinë, por jo si ajo ishte ulur këmbëkryq në shtëpitë e banorëve të kësaj lagjeje. Soba të vjetra të vendosur në mes të shtëpisë dhe rreth e rrotull mjerim, mure të zinj dhe fëmijë gjysmë të zhveshur. Aty hasa edhe agresivitetin më të madh. Njerëzit ishin mosbesues e një grua që nuk e di nga mbiu nga një shtëpi tjetër erdhi duke më ulëritur e bërtitur që të ikja prej aty se kisha qënë edhe më parë e kisha mbushur duart me lekë e i kisha gënjyer. Ajo që mu duke turpshme është pikërisht fakti që shumë organizata shkojnë atje e për ta pasur më të lehtë punën premtojnë lart e poshtë për fonde që nuk mbërrijnë kurrë në duart e hallexhinjve. Në shtëpinë ku isha gjeta një klarinetist të moshuar që ngrohej pranë zjarrit së bashku me gruan e tij të buzëqeshur e me një zog pule të vogël të lidhur për këmbe në fund të asaj dhome që mund ti vije çfarë emri të doje, por jo shtëpi. Elementët tradicionale të tyre pothuaj kishin humbur. Veshjet nuk kanë më asgjë karakteristike, përvec vathëve prej monedhash floriri që gjeje tek-tuk dhe rruazave që qëndisnin buzet e shamisë.

Çergarët

Kujtim Likzelia më ka lënë mbresa që herën e parë që e takova. Ai është një burrë i gjatë që dikur ka qënë pjesë e ansamblit të këngëve dhe valleve. Ai ka kërcyer shqip gjithë jetën e tij e po kështu fisi i tij i cili në dasma ka kërcyer një valle tërësisht shqiptare që ata e quajnë vallja e festivalit. Sa për mënyrën sesi shihej tradita rome nga krerët e asaj kohe Kujtimi tregon një detaj shumë domethënës që lidhet me emrin e Panajot Kanaçit. Në koncertet e Majit me iniciativën e mjeshtrit të madh Panajot Kanaçi dhe me realizimin e tij ata vunë për herë të parë në skenë një valle rome të cilën Kanaçi e quajti “ani-kurbat”. Vallja nuk u miratua nga një prej krerëve të udhëheqjes Xhelil Gjonit, që bënte kontrollin rutinë për pjesët që do vinin në skenë, megjithatë Kanaçi e vuri në skenë. Vetëm për një natë, në ditët në vazhdim ajo valle u hoq nga repertori! Ju kujtohen çingiet?? Ato gratë që shihnim nëpër filma e që kërcenin vallen e barkut të shoqëruara me një def? Ato i përkasin këtij fisi e sot janë zhdukur prej disa dekadash. Ato kanë ekzistuar deri në vitet 60-të, por sistemi i pa si të tepërta e i mbylli lokalet ku ato punonin. Njëri prej tyre është quajtur bar “Zorra” e ka qënë diku pranë Zogut të zi, por as Kujtimi nuk di të ta thotë saktë se ku. Ky fis njihet edhe pse ata lindin jo më shumë se tre fëmijë dhe nuk janë aq kategorik në çështjen e virgjërisë.

Erlinjtë Ose Bota E Ngjyrave

I lashë në fund jo thjeshtë se është fisi më i madh, por sepse ata më përcjellin një ndjenjë të mirë gëzimi për mënyrën sesi i qasen botës. Janë tradicionalë e mua më pëlqen kjo, flasin me pasion për gjuhën e tyre dhe shtojnë se askush nuk ua merr dot gjuhën. Ruajnë si karakteristikë të tyre kryetarin e fisit, i cili zgjidhet jo në bazë të moshës, por në bazë të aftësive drejtuese. Gratë ruajnë frutullat edhe pse veshja tradicionale nuk ekziston, përdorin gjithë ngjyrat, karakterizohen nga shamia në kokë, vathët e florinjë dhe dhëmbët e florinjtë. Arsyeja që ata vendosin dhëmbë floriri ka të bëjë me besimin e tyre se kështu në botën e përtejme shkojnë të pasur. Janë fisi që njihen edhe si hedhës të fallit, por që një grua e drejtë si Sanije Mustafa në Elbasan më shpjegon që ato nuk janë në gjendje të parashikojnë të ardhmen e kjo ka qënë një lloj mënyre për të fituar ca para. Janë esnaf të punimit të thuprës, traditë kjo që ka ardhur në rënie dhe që mua më trishton shumë. Shkojmë në shtëpinë e një plaku nga ata me fytyrë të qeshur që duket sikur e kanë marr diellin të gjithin për vete i cili para syve tanë në 5 minuta fillon të thur një shportë thupre. Shportat janë të bukura, por ai i shet shumë lirë dhe mua më dhimset. Xhafer Zefollari e ka mbushur murin e shtëpisë së tij me sendurina kundër syrit të keq, ndoshta ka të “drejtë” sepse mënyra sesi ai i lëviz duart të mahnit… Në shtëpinë e Fuat Xhambazit e shoqja na serviri veshka qingji, verë dhe lakror me fasule e pastërma. Ishte një ushqim i mirë dhe nuk mbante erë rracizëm…

Në fund

Në 8 prill është dita ndërkombëtare për romët, por vetë romët më shumë se këtë festë të percaktuar vonë si të tillë vazhdojnë të festojnë Shën Gjergjin ose Erdelezin si e quajnë vetë. Ata e njohin atë si dita e largimit të dimrit dhe ardhja e verës..Atë ditë ata do të therin qingja, do dalin gratë mëngjeseve për të mbledhur vesë e pasi të kenë mbushur gjysmë gote do ta përziejnë me miell gruri e do bëjnë një brumë që pasi ti japin formë unaze do ta mbajnë burrat në kuletat e tyre. Kuletat do ti vendosin në pullazet e shtëpive e kjo do të thotë për ta që begatia nuk do të mungojë… Vajzat do të shkojnë buzë lumenjve apo në çurga uji me qëllim që floku tu rritet e tu zgjatet ashtu si rrjedha e ujit.

Le Ta Themi Edhe Këtë

Më ra në sy edhe diçka që më shqetësoi. Një prej të intervistuarve të mi, një nga martesat e tij e kishte pasur me kushërirën e tij të parë me të cilën kishte lindur një vajzë. Ai sot e kupton që kjo gjë nuk është dicka normale dhe tregon raste kur shumë të tjerë të martuar brenda familjes kanë lindur fëmijë me probleme. Ky zakon ishte i përhapur sipas tyre më së shumti në romët e vendosur në Peqin.

Publikuar: Tema


Tags: , , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

How Do You Feel When You're The Mother Of A Gay Man?

Next Post

Këshillë





You might also like

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

How Do You Feel When You're The Mother Of A Gay Man?

Ky postim ekziston gjithashtu në Vesionin Shqip A few days ago a friend of mine sent me a letter, it was his mother's speech...

April 6, 2014