Latest

Sa Kushton Fati I Mirë Në Fund Të Një Filxhani???

Publications / Slider / April 13, 2014

Ajo është një grua që e sheh të eci shpejt kudo nëpër Tiranë, është e gjatë dhe e hollë, e veshur jo mirë, por as keq jo! Flokë të shkurtra, që mua sa më shumë kalon koha më duken aspak femëror, e tualetosur dhe me një palë sy që i lëvizin vrikthi sikur ruhet prej dikujt. Para ca kohësh më kërkuan të shkruaja për të (sigurisht shkrim demaskues) sepse është si “biçim” fallxhoreje që u lexon filxhanin që nga njerëzit e thjeshtë deri te prokurorët e ca më tej, por ndryshe nga si do ndodhte dikur nuk më ngjalli shumë interes. Sepse mashtruesit në përgjithësi nuk më ngjallin pothuaj aspak interes, e aq më pak simpati.

Matrapazët e fateve njerëzor nëpër filxhan kafeje apo në letra bixhozi thjeshtë më bëjnë të nënqesh me numrin e madh të pasuesve që i ndjekin. Epo mirë një filxhan kafe ndonjëherë ja vlen të të kushtoj edhe 10 mijë lekë, sidomos kur leximtarja e fatit të thotë fjalë të mira, po ç’ti bësh kur ajo të përrallis një tufë me budallalliqe që të mbesin në mëndje. (Vite më parë, kisha shkuar për të bërë nje shkrim për një tjetër fallxhore. Ishin aty rreth 20-25 vetë që e prisnin. Kur ajo dërgoi lajm që ishte e gatshme ti priste, përroi i njerëzve u ngjit shkallëve.

Te dera doli një grua me fustan dekolde, pa mëngë, me një tufë qimesh që lulëzonin poshtë sqetullës e ju drejtua një gruaje e cila gjithashtu ishte me fustan pa mëngë, duke i thënë, – s’të vjen turp, vjen e zhveshur për të hyrë në shtëpinë e Zotit, gruaja e re e gjendur në një pozicion të vështirë u mbrojt duke thënë që edhe predikuesja ishte po ashtu e zhveshur. Po kjo ishte si ti hidhje barut zjarrit, sepse filxhan-lexuesja shpërtheu në histerizma duke i thënë,- ke ardhur se nuk lind do fëmijë, ja kështu thatë të mbettë barku jetë e mot e i binte murit duke treguar rrafshësinë e tij. Gruaja e re nisi të qante, dhe shihte plot pikëllim vjehrrën e saj. Pasi replikova pak me fallxhoren, kordat e zërit të së cilës kapën dyshemenë, ju luta gruas që qante të ikte prej aty. Edhe vetë ika e mbushur me një shkulm inati. Ishte rasti i parë që një artikull gazete mund ta shkruaja me aq lehtësi sepse tipja ma serviri në tabaka subjektin).

Të jesh e varur nga dikush që të lexon fatin në fundin e një filxhani me diametër ndoshta një ose dy centimetër është ironike dhe të shkakton dhimbje. Arsyeja që nuk i preferoj mashtuesit ka të bëj ndoshta me lehtësinë që ndiej brënda vetes për të shpikur situata, rrëfenja e dalldisje nga një histori te tjetra dhe nëse do doja të abuzoja sadopak do ta kisha gjithmonë shumë të lehtë të “lexoja” çdo lloj filxhani, sidomos kur përballë të ulen dy sy që të shohin plot pikëllim. Vite më parë kur isha studente një shoqja ime rrotullonte filxhanin mbi tavolinë e thoshte, – ah sikur dikush ta lexonte tani. Ajo ishte e sapo ndarë nga i dashuri e këtë ndoshta e dinte gjithë kursi edhe unë gjithashtu.

Ma jep mua!-, i thashë, – se do ta lexoj unë. Edhe pse ajo e dinte që unë as i besoja filxhanëve dhe se po formoja mozaikun e historisë së saj me copëzat e shpërndara përreth përsëri më dëgjonte me kërshëri. Je e çmëndur i thashë dhe qesha duke i zgjatur filxhanin,- jo, – tha e ma ktheu përsëri,- vazhdo lexo se më pëlqen të të dëgjoj. Ajo e dinte që unë lexoja me pasion gjera të tjera, por ajo kishte nevojë të nanuritej në fjalitë që unë i thosha e që në thelb ishin të gjitha pozitive. Prandaj mendoj shpesh që fallxhorët janë shkrimtar ose gazetar të djegur nga rrethanat e jetës.

Një ditë unë e takova filxhan-lexuesen dhe e testova. Mu përgjigj në çdo pyetjeje njësoj si dikush që po merret në provim, por teksa e dëgjoja mendova që nuk do shkruaj kurrë për ta denoncuar atë. Kjo me siguri do më bëj një qyetare të padenjë të shoqëruar edhe me ndonjë epitet mbrapa. Arsyeja që nuk do shkruaj për të d.m.th që nuk do them as si quhet e s’do ta shoqëroj as me emra njerëzish dhe faktesh që do ja ulnin vlerë e saj të filxhanit deri në zero) është se “kolonizatorët e mëndjeve të vogla” si ajo janë shtuar shumë, ata ftohen nëpër show apo spektakle të tjerë e broçkullisin ç’tu dojë qejfi. Madje edhe pëlqehen. E meqë nëpër emisione i ftojnë kolegët e mi, i bie të dal dy hapa pas nga rrjeshti derisa kjo lukuni të zërë vend. Ndonjëherë edhe gurët në shtratin e një lumi, pas një shiu të madh i merr rrjedha me vete e i lëviz sa andej-këndej, derisa bie qetësia e ata përfundojnë diku midis llumit e gurëve të tjerë për një kohë të gjatë).

Gruaja në fakt, kur ka ardhur në lagje nga një fshat i Tiranës ka qënë tmerrësisht e varfër. Aq e varfër sa vaktet e saj përbëheshin nga bukë dhe hurma. Kur e kam dëgjuar për herë të parë këtë lloj menuje kam heshtur e jam përpjekur të imagjinoj çfarë dreq shije mund të ketë ky kombinim. Pastaj e kam gjetur me mend, ka shijen e varfërisë! Sa herë e shoh tek më kalon para syve duke nxituar për diku mendoj nëse është e lumtur ndonjëherë, dhe parafytyroj gishtat e saj të hollë, ku gjurmët e keqpërdorimit rrinë aty palë-palë mbi lëkurë, teksa merr 10 mijë lekshin dhe e rras në xhepin e xhaketës së saj. Tani ajo nuk ka më as tiçjanet e gjera, as fustanin sipër tyre, nuk ka shami në kokë, e gishtat nuk i ka më me unaza kallaji, por të mbushura plot flori. (Ah ky floriri që kur shoh sesa i verbër është kur zbukuron çdokënd më bën mos ta shoh dot me sy.)

Dikur Iris Murdoch shprehej se njeriu mendon me aq fjalë sa flet, prandaj unë nuk rri dot pa menduar çfarë vaktësie ka në filxhanin e saj dhe sesa të vakët mund të jenë ata që e paguajnë. Shumë vite më parë kur një e njohura ime e rastësishme më tregoi sesi kishte shkuar te Gazmend Male për të shëruar djalin e saj të përkëdhelur që nuk donte të shkonte në shkollë, i biri kishte dalë prej andej duke e tallur e duke i thënë;- Ahh sa mirë tu bë që sapo të zhgrrapën 60 mij lek, pse ai me tre gishtat e vendosur në ballin tim do më shëronte mua me bio-rrymë, e ema e shihte e pezmatuar, djali jo më shumë se 14 vjeç atëherë i pati thënë duke i vendosur gishtat në ballë nënës së tij; – ja tani do të të shëroj unë, në shkollë s’do shkoj, po do hap e unë një klinikë të tillë.

Mua nuk më habit më që numri i fatlexuesve në Shqipëri vjen e shtohet, nuk më habit më kur këta i shoh nëpër ekrane, thjeshtë më vjen keq për “kopenë” e besimtarëve të këtij lloji që sa vjen e rritet. Ndonëse mashtrimi në vetvete nuk më ngjall ndopak ndjenjë vlerësimi, është diçka aty brënda te njerëz të tillë që më ngjall respekt, ai është instikti i tyre i mbijetesës!

Publikuar: Tema


Tags: , , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Këshillë

Next Post

Njeriu I Kripës



Leave a Reply


More Story

Këshillë

Lere erën të ta vjedh mëndjen kur koka të rëndon… lëre mëndjen, të të përvidhet fshehurazi ashtu si ikën...

April 9, 2014