Latest

“Sekretet” E Ëmbla Të Përmetit Në Rrëfimet E Efigjeni Rrapos

Publications / Slider / June 10, 2016
Efigjeni Rrapo

Efigjeni Rrapo

Efigjeni Rrapo fsheh poshtë rrobave të zeza trupin e fortë të një gruaje që ka jetuar gjatë dhe që nuk ka vendosur të plaket. 83 vitet në jetën e saj kanë kaluar pa zhurmë, në paqe, mes punëve, mes ëmbëlsirave dhe ushqimeve të shijshme përmetare. Ajo nuk përton të gatuaj as tani që vitet i janë ulur me detyrim mbi supe, por nuk ia kanë kërrusur ato, vazhdon të bëj reçelrat e saj të mrekullueshëm dhe byrekët e veçantë. Përmetaret fshehin në qytetin e tyre të vogël dhjetëra receta ëmblësirash dhe ushqimesh. Ato e dinë që të gjitha se ushqimi nuk është një rutinë. Nëse mes ingredientëve mungon ajo që e quajnë dashuri ushqimi nuk shijon aq shumë.

“Sënduku i gjyshes”

Efigjeni Rrapo ka shkuar në Përmet si nuse në vitin 1956. Ajo thotë se sekretet e gatimit i solli në pajë sepse ka jetuar pranë një gjysheje që ia ka përcjellë me fanatizëm. “Kur erdha në Përmet vura re se gratë përmetare ishin të veçanta, nikoqire, pastërtore, të rregullta. E shtuna në Përmet ishte njësoj për të gjitha gratë. Njihej si dita e pastërtisë. Madje as vizitat nuk i bënim tek njëri-tjetri ditëve të shtuna”. Një nga sekretet e Përmetit është prodhimi që ato i bëjnë ujit të trëndafilit të cilin më pas e përdorin në gatime të ndryshme, sidomos në pregatitjen e një lloji të veçantë llokumeje. “E kam bërë gjithmonë esencën e trëndafilave, por tani nuk e bëj dot më se nuk kam ku të gjej trëndafila. Ato që ishin në park janë shkulur dhe janë shumë pak njerëz që mund ta kenë akoma atë lloj të veçantë trëndafili. Ai është një trëndafil jo me shumë petale, me një aromë kundërmonjëse dhe me një ngjyrë rozë të hapur. Jethet e tij duhet të mblidhen para orës 5 të mëngjesit.

image_0184Ma ka mësuar gjyshja si ta bëj. Në shtëpi kishim shumë trëndafila si ata. I mblidhja në një kanistër dhe pastaj e nxirrnim ujin e trëndafilit duke vendosur një enë bakri në shpuzë, ndërsa tani e bëjmë në sobat elektrikë. Në enën prej bakri thuret në formë bakllavaje spango dhe mbi të vendoset një garzë. Trëndafilat i vendosen siper dhe mbi te vendoset një enë që shërben për kondesimin. Duke i lënë nën zjarr të ngadaltë trëndafilat lëshojnë ujin e tyre në një sasi shumë të paktë. Ai ujë shërben në pregatitjen e llokumeve me bajame.”, tregon Efigjeni. Ajo rrëfen se llokumet me bajame bëhen me bajame të pastruara në ujë të nxehtë nga lëkurat, të cilat më pas shtypen derisa bëhen pluhur dhe përzihen me sheqer pluhur. Pastaj u hidhet uji i trëndafilit i cili shërben për ta kthyer në masë brumi. Pasi brumi është bërë i njëtrajtshëm, hidhen në masat e tyre dhe lihen të thahen në gjendje natyrale. Përmeti me gjithë rrethinat është i njëjtë, të njëjtat zakone, të njëjtat gatime, e njëjta pastërti dhe mikëpritje. Në atë qytet në secilën derë që troket sapo i zoti apo e zonja e shtëpisë hapin portën ata të thonë “Urdhëroni brënda”, pa pyetur më parë se kush je. Përmeti është një qytet i vogël ku në ditët e diela nuk të zë syri askund ndonjë polic.

Sapo kalon urën mbi lumin e Vjosës përballë të shfaqet një reklamë e madhe mbi të cilen shkruhet se në Përmet përveç detit mund ti gjeni të gjitha. Ajo që i mungon sot Përmetit janë njerëzit, ato duket sikur kanë firuar ngadalë për ta lënë qytetin pa shumë gjallëri dhe me shumë pak shpresë. Asgjë nuk funksionon në Përmet nga e shkuara e tij, as fabrika e ushqimeve, ajo ajo e bimëve medicinale dhe po ashtu ajo e trikotazheve. Rruga për në Përmet është e shtruar deri në Këlcyrë, ajo ofron një peizazh të mrekullueshëm dhe ajër të freskët ngado. Rrugës sheh fusha të punuara dhe plantacione të reja pemësh. Shenjë se njerëzit po i rikthehen tokës së tyre. Nga Këlcyra e cila duket krejtësisht e lënë pas dore dhe e pluhurosur deri në Përmet udhëtimi më shumë të jep ndjesinë se po udhëton mbi një karrige elektrike sepse rruga ekzistuese është ajo që ka qënë gjatë sistemit socialist, e vjetëruar nga koha, dhe e arnuar pak nëdisa nga gropat më të mëdha. Përmeti duket sikur fle një gjumë që nuk e dëshiron. As Vjosa dhe as turistët e rrallë nuk arrijnë ti japin gjallërinë e dikurshme. Të dielave ortodoksët shkojnë në kishë dhe kthehen prej andej të qetë dhe të dashur. Besimi në Zot duket sikur është rikthyer edhe tek ata që dikur prishën vetë kishat dhe xhamiat.

Së bashku me Efigjeni Rrapon takuam dhe disa gra të tjera të cilat të rrëfejnë të gjitha se Përmeti nuk është më i pari. Me zhvendosjen e njerëzve drejt Tiranës apo jashtë Shqipërisë, në qytet kanë blerë shtëpi njerëz që nuk ia njohin aq mirë zakonet vëndasve dhe duket se tentojnë ta denatyralizojnë atë, ti heqin zakonet, ti zhdukin trëndafilat dhe ti hedhin plehrat ku tu vijë për mbarë. Kjo është njësoj sikur çdo përmetari të vertetë t’ia lësh plehrat para derës së shtëpisë.

E shkuara

Efigjenia ka punuar shumë gjatë jetës së saj. Ajo fillimisht ka punuar në repartin e prodhimit të rakisë, punë për të cilën thotë se e ka bërë me qejf dhe e palodhur dhe kujton fjalën e një zëvëndësministri i cili e pyeti sesi ia bënte të punonte me rakinë gjithmonë a ndikonte puna që të pinte ndonjë gotë. Efigjenia i tha se ajo nuk pinte asnjë gotë dhe nëse avujt e alkoolit i shtonin nota gëzimi jetës së saj, kjo ishte më e mirë për të. Ka punuar gjithashtu në prodhimin e vajit të sherebelës, i cili nxirrej nga kërcijtë e bimës, pasi gjethet paketoheshin për çaj. Ajo tregon se në atë kohë thuhej se vaji i sherebelës shkonte në Amerikë dhe përdorej në kutitë e konservave të ushtarëve amerikanë gjatë kohës së luftës me Vietnamin. Prodhimi i vajit ishte një punë jo e lehtë dhe sasia që ata arrinin të prodhonin në ditë ishte 15 litra. Pas kësaj pune ajo ka punuar si përgjegjëse në fabrikën e makaronave. Efigjeni e cila ka ardhur në takim së bashku me një grup zonjash përmetare të cilat kujtojnë me vlerësim kohën kur në qytet ekzistonin fabrika dhe kishte vende pune për të gjithë. “Vetëm 300 vënde pune i duhen sot Përmetit”, thotë njëra prej tyre, por ato vende nuk ekzistojnë prandaj përmetarët kanë ikur. Ajo që nuk duket se është tretur nga ky qytet është dëshira për të mos e humbur mikëpritjen dhe sjelljen e fisme.

Ushqimet

Nëse ka diçka për të ciln përmetaret nuk lodhen kurrë së të treguari janë llojet e ushqimeve që ato prodhojnë. Në dasma ato kanë zakon që të parën për qerasje të nxjerrin glikonë e arrës e cila është e mbushur me një thelpi bajameje, pas saj arsenali i ëmbëlsirave vazhdon me glikotë e shalqinit, fikut dhe portokalles. Efigjeni tregon se dikur shalqinin e përdornin dhe të sheqerosur dhe e servirnin të thatë në vend të karameleve. Ndërsa glikonë e qershisë e përdornin në raste vdekjeje. Lihej një kupë me gliko qershie dhe dy gota në tavolinë në njërën vendoseshin lugët e pastra dhe tek tjetra e cila ishte me ujë futeshin lugët e përdorura. Kjo gliko shërbehej zakonisht për njerëzit që e kalonin natën zgjuar dhe që duhet të hanin diçka.

Po ashtu në vdekje shërbenin resheli e cila bëhej me niseshte, vaj dhe gjalpë. Në të dyzetat e të vdekurit përdorej laktror me resheli, për të cilën thonë se është mjaft i lehtë. Mund ti shtosh bajame dhe shurup. Reshelia është karakteristike e Përmetit, ndërsa nga gjellët ajo që njihet si tërësisht përmetare është një gjellë që quhet shqeto. Efigjenia tregon se sa më shumë mish të ketë aq më e shijshme është ajo. Për pesë persona duhen të paktën 7 copa të konsiderueshme mishi, të cilat lahen sa më lehtë që mos tu iki gjaku. Pastaj zihet dhe i largohet shkuma i hidhet gjalpë pas kësaj dhe pas ndërtohet me vezë, limon dhe qumësht dhe shumë erëza. Për tu bërë sa më e mirë duhet përdorur mish qëngji. Ajo përdorej si gjellë e parë në dasma dhe vdekje. Ndërsa për gjellën jahni ajo i beson një gojëdhëne që e ka zanafillën në festën e Shën Mërisë në 8 shtator. Sipas legjendës atë ditë zbriste një dre nga mali dhe vinte rrotull kishës dhe pasi mbaronte rrotullimin ulej në pragun e kishës dhe varte kokën.

Pastaj burrat e thernin dhe e gatuanin të gjithë së bashku mishin e tij dhe në fund e ndanin sipas frymëve që ishin në familje. Një herë dreri erdhi e u rrotullua rreth kishës, por mbërriti vonë, dhe pa i dal ende shpirti në prag të kishës burrat e therën dhe pas asaj here drerë nuk erdhën më. Që nga ai moment ata e zëvëndësun mishin e drerit me mish lope. Në fjalët e saj dhe të mikeshave të saj ka aq besim sa vetvetiu të vjen dëshira ta besosh legjendën pa e analizuar fare. Përmetarët njihen për tolerancën fetare. Në Përmet ka 14 kisha dhe 4 xhami, por njerëzit duket sikur janë shkrirë me njëri-tjetrin dhe jo vetëm respektojnë fenë, por festojnë dhe festat fetare, sidomos kur martesat janë bërë me njerëz të feve të ndryshme. Një gjellë tjetër që zonjat e përmendin është dhe mishi i pulës me arra.

Zakonet

Përmetarët i rikthehen xhiros së mbrëmjeve vetëm në stinën e verës. Aktualisht qëndra e qytetit është duke u restauruar dhe nuk mund të përdoret për xhiro. Efigjenia e cila ka pësuar një aksident me këmbën disa kohë më parë lëviz ngadalë e mbajtur në një mbështetëse. Ajo tregon që qyteti ka ndryshuar shumë. Efigjenia sot lëviz më pak. Kënaqësia e saj është të ulet me shoqet e saj para pallatit dhe të bisedojnë. Jeta e saj gjendet tashmë mes Greqisë ku ka vajzën e madhe, Tiranës ku ka djalin arkitekt dhe Përmetit ku jeton me vajzën tjetër. Ajo dhe zonjat e tjera tregojnë se dikur “garonin” për lulet, ndërsa sot lulet janë zhdukur nga lulishtet e qytetit. Ato kujtojnë me nostalgji një lloj trëndafili që e quajnë “Stambolli” i cili kishte 100 fletë, ai përdorej për gliko dhe liker, por tani nuk ekziston më as në ndonjë shtëpi të vetmuar, ashtu si përshembull një prej zonjave, Frosina ruan me fanatizëm trëndafilin që përdoret për esencë dhe një lloj të veçantë zambaku aroma e të cilit ngjan me aromën e luleve të portokallit. Përmeti njihet gjithashtu për mjaltin e tij plotë aromë. Lulet e egra të malit bëjnë që mjalti të kundërmoj aromë sherebele, caji dhe lulesh të tjera të egra.

Disa ditë në Përmet
Peizazh i lumit Vjose

Peizazh i lumit Vjose

Në përmet ka disa hotele private ku mund të flesh me 1 mijë lek personi. Mund të hash mëngjes me petulla dhe mjaltë për 500 lek dhe duke qënë se Përmeti nuk ofron shumë rrugë të shtruara, për të parë bukuritë natyrore të duhen këmbë të forta. Vargmalet që shtrihen mbi qytet janë shumë të preferuara nga alpinistët, ndërsa ujrat termale të Banjës mund ti vizitosh duke faturuar një fugon për 100 lek personi. Po kështu mund të vizitosh kanionet e Langaricës që gjenden vetëm 20 minuta larg qytetit. Përmeti ka gjithashtu një pasuri të madhe, parkun kombëtar të bredhit të Hotovës, peizazhet piktoreske, cicërimat e zogjve dhe freskia e pyllit nuk ka ngjashmëri me asnjë cep tjetër të Shqipërisë. Atje mund të ngjitesh vetëm me makina 4X4. Qyteti shtrihet pranë Vjosës e cila në këtë stinë pasqyron një jeshile të smeraldë dhe qetësuese dhe flë i qetë. Gratë përmetare janë të gjitha të buzëqeshura, por nëse i pyet për ndonjë zhvillim politik, të kthejnë përgjigje me mirësjellje, pastaj e anashkalojnë si temë. Aty duket sikur koha ka ngecur në vend, por njerëzit janë zgjuar. Të tronditur pse koha nuk po lëviz, shumica e tyre kanë shkuar drejt një kohe tjetër që nuk është aq e ngrirë sa ajo e qytetit të tyre.

Publikuar: shqiptarja.com

Ky botim u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojne domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit Soros.


Tags: , , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Pse Burrat Dhunojnë Gratë? Historia E Njërës Prej Tyre.

Next Post

Adela, “Bukuroshja Që Nuk Fle”, Përballë Sëmundjes





You might also like

Leave a Reply


More Story

Pse Burrat Dhunojnë Gratë? Historia E Njërës Prej Tyre.

Divorcet, çfarë ndodh kur janë fëmijët në mes B.l është 31 vjeç. 10 vitet e fundit të jetës nuk kanë qënë...

May 28, 2016