Latest

Shishtaveci I Skive, Atje Ku Turizmi Malor Pret Turistët

Journalism / Publications / Slider / October 7, 2014

This post also exists in English

Shishtaveci është vetëm 27 kilometër larg qytetit të Kukësit, por për të arritur atje të duhet më shumë se një orë e gjysmë. Rruga e përfolur në shumë kronika lajmesh herë për fillimin e punimeve herë për rrëshqitjet e dheut, herë për reshjet e mëdha të dëborës është një hall i madh për secilin banor të kësaj zone, i cili duhet ta masë mirë mëndjen kur të vendos të udhëtoj. Makinat e vetme që hyjnë në zonë janë fuoristradat dhe fugonat e linjës. Megjithatë kur nisesh nga Qyteti i Kukësit për atje peizazhi që të ofrohet është i mrekullueshëm nëpërmjet Grykës së Vanave. Uji rrjedh në njërën anë e në tjetrën gjarpëron rruga, ndërkohë që sipër lartohen masive të lartë shkëmborë. Tre kilometrat e parë janë të shtruar e të ofrojnë një peizazh të mrekulleshëm mbushur me ujëra që rrjedhin nga malet, shtëpi ndonjëher vetmitare, gjelbërim dhe ujëvara që të shfaqen gjithkund. Aty në rrugë janë edhe punëtorët që po merren me zgjerimin e saj, të cilët kanë zbuluar edhe muret e vjetra mbrojtëse të rrugës që prej kohës së regjimit socialist, por me kalimin e viteve dherat dhe shirat kanë kontribuar që ta ngushtojnë rrugën deri në marrje-fryme. Cdo peizazh që të ofrohet të thërret që të mos e harrosh kurrë këtë vend, për fat ai është ende i paprekur nga dora e njerit, është i pastër dhe i mbushur me gjelbërim. Gjatë ndalesës në zonën që ndan komunën e Shishtavecit me komunën Topojan, takojmë disa fëmijë djem dhe vajza që kanë mbledhur tufa të bollshme me lule Balsami. Ndoshta mbledhja e luleve nuk është një punë fort e mundimshme për fëmijë që janë mësuar me një terren të thyer, por përfitimi prej kësaj pune është tejet qesharak. Lulet e thata të kësaj bime shiten për 100 lek kilogrami. Shishtaveci shtrihet midis këtij terreni ku lartojnë pemë si bredhat, ahet dhe mështenkat. Gjithë komuna duket se është bekuar nga lugina të mëdha mbushur me lule të ndryshme që duken si tapete të qëndisura nga ndonjë artiste ëndërrimtare natën vonë. Komuna përbehet nga shtatë fshatra, tre prej të cilëve me popullsi shqiptare ndërsa katër të tjerët nga minoriteti goran. Fshatrat janë Shishtavec, Novosej, Kollovoz, Shtrez, Oreshke, Borje dhe Cernaleve. Komuna ka rreth 5800 banorë, ku mbi 800 prej tyre janë në emigrim, kryesisht në Angli. Përballë një peizazhi të mrekullueshëm, shtrihen fshatrat që nuk reflektojnë asgjë nga bollëku që natyra i ka falur kësaj zone. Karakteristikë e tyre është fakti se shtëpitë e tyre janë të gjitha të mbledhura dhe jo të hapërdara secili për hesapin e vetë. Fshatrat sipas kryetarit të komunës zotit Dileman Nela, do të funizohen të gjitha me ujë brenda këtij viti, gjë që do të zgjidh edhe një problem të madh që kanë banorët përsa i përket kësaj pune. Fushat janë të gjitha të mbjella kryesisht me patate, por ka plot familje që kanë mbjellë thekër, tërshërë, dhe ndokush edhe një lloj gruri të veçantë që e përdorin si ushqim për bagëtitë. Kafshët që rrisin janë lopët, delet dhe kuajtë. Në asnjë cep të zonës nuk gjendet gomari si kafshë pune. Banorët shprehen se gomari nuk i përshtatet dot terrenit. Zona është e njohur për tre lloj lojrash, njëra është ajo e skive, një lloj sporti masiv kjo përsa i përket fshatit Shishtavec, ndërkohë që fshati Novoseje njihet per mundjen dhe fshati Borje per hipizmin. Gjithsesi këto lloj lojrash nuk janë të ndara me thikë dhe janë sporte që mund të ushtrohen dhe në fshatra të tjerë.

Skitë

Zona njihet për ushtrimin e sportit të skive tashmë prej më shumë se 7 dekadash. Zanafilla është në Shishtavec dhe të parët q e kanë ushtruar këtë sport janë disa si si Xheladin Bala, Saladin Haxhiu, Destan Çeliku, ilmi Sokoli, Servet Bala dhe Mehmet Bala. Ky sport ka filluar të ushtrohet që prej vitit 1953, por pavarsisht kësaj veshja e skiatorëve, skitë dhe gjithë paisjet e tjera kurrë nuk kanë qënë të një profesionisti. Pavarsisht kësaj masivizmi i këtij sporti bëri që në vitet e regjimit socialist mes Shishtavecit dhe Voskopojës të ndaheshin vit pas viti organizimet e kampionateve të skive. Gjendja sot të paraqitet ndryshe. Shishtaveci ka sot ekipin e tij të skive të federuar nga Federata Shqiptare e Skive dhe po ashtu edhe fshati Mborje. Atë që dikur zona e konsideronte si një mënyrë argëtimi për të mos u kyçur gjithë ditën brënda në ato 5 muaj të gjatë dimri ku dëbora i fsheh nën vete, shkurret, gardhet dhe çdo sinor të dallueshëm nga tjetri. Pikërisht kur ndodh kjo, banorët oranizojnë garat e skive, kampionate skish ku ka të ftuar nga gjithë qarku i Kukësit si ndodhi sivjet, por edhe nga zona të tjera. Banorët që i janë përkushtuar këtij sporti janë të shumtë, por ka një detaj që nuk e shmnag dot sado të mundohesh, ata janë sportistë në dimër, por në verë janë punëtorë të zakonshem që përpiqen për të rregulluar jetën e tyre. Sipas presidentit të Federatës Shqiptare të skive, Shkëlqim Mema ky lloj sporti do investim të madh, por federata ka në shërbim të saj një shumë qesharake si buxhet vjetor, 500 mijë lek. Mema shprehet se ky sport dikur në këtë zonë është bërë me ski amatoriale druri. Në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë Shishtaveci duke qënë vetëm tre kilomëtër larg kufirit me Kosovën ishte i mbushur me gazetarë terreni, përfaqësues të organizmave kombëtar dhe ndërkombëtar. Disa përfaqësues të OSBE vune re që të rinjtë e ushtronin këtë sport në kushte tepër modeste, ndaj një vit më pas ata sollën një numër skish profesioniste ku Shishtaveci mori rreth 200 palë, për të organizuar një kamionat ndërkufitar Shqipëri- Kosovë. Kështu filloi që sporti nga diçka amatoriale të kthehej në një sport të vërtetë. Sami Axhiu është njëkohësisht trajneri i ekipit të skive “Ski club Shishtavec” dhe babai i kampionit kombëtar të skive Lirim Axhiut. Ai shprehet se ka 20 sportisë të federuar dhe po mundohet që me këtë sport të arrij rezultate të larta. Atë e gjetëm në bjeshkë në vendin e quajtur Ravenë ku po kujdesej për disa objekte që në të ardhmen do të jenë pjesë e një piste profesioniste skish. Ai që u ka dhënë më shumë shpresë për këtë është Gani Pashaj që po investon në këtë fushë. Ganiu ka punuar si emigrant në Slloveni ku ka parë dhe mësuar plot gjera sesi ky sport mund të bëhet i menaxhueshëm dhe fitimprurës. Deri më sot edhe pse bjeshka shtrihet aty e lartë deri në 2174 metra në majën e Kallabakut, ajo ka qënë po aq e largët në dimër për banorët e Shishtavecit sa edhe për këdo tjetër që nuk ka shkelur kurrë në ato zona. Bjeshka është pjesë e maleve të Sharrit dhe Shqipëria ka prej saj një sipërfaqe vetëm prej tre përqind, por banorët e Shishtavevit e vizitojnë atë zonë vetëm në verë. Ndërsa që prej dimrit të ardhshëm ajo do jetë pjesë e të tërës asaj që Shishtaveci të ofron. Gani Pashaj ka sjellë aty makinën e parë të dëborës për sheshimin e borës dhe krijimin e pistave të skive, po kështu një teleferik të vogël që do ti ngjis skiatorët deri lartë, disa motorra dëbore, paisje të tjera dhe këto ditë pritet edhe ardhja e një lokali i gjithi prej druri i ndërtuar në Slloveni, që do montohet fiks aty mbi bjeshkë, për të qënë pjesë e të tërës dhe për mos ti humbur bukurinë gjithë peizazhit me ndërtime të gurta apo prej tulle. Pavarsisht se Sami Axhiu pret më shumë prej federatës shqiptare të skive ai nuk e mohon faktin që federata i ka çuar të rinjtë në disa përfaqësime jashtë Shqipërisë, trajnime në itali me profesorë profesionistë. Ai paguhet gjithashtu pesë muaj në vit nga federata si trajner me një shumë modeste prej 10 mijë lekësh në muaj. Në ekipin e tij ka edhe vajza, por ai është i mbizotëruar nga djemtë. Axhiu shprehet se do donte më shumë ndihmë dhe përkrahje nga shteti. Atje larg në Shishtavec ai të thotë që fondi vjetor i federatës është 8 milionë lekë, por kjo nuk është e vërtetë fondi është vetëm 500 mijë. Tani Samiu e ka paisur ekipin e tij edhe me ski bari, një lloj i veçantë skish dhe i panjohur më parë në Shqipëri. Kur zbresim në shtëpinë e tij modeste ata që na shoqërojnë shprehen se Samiu e ka pasion këtë punë dhe ka sakrifikuar gjithshka për këtë sport. Samiu na vë para syve të rrjeshtuara disa lloje skish profesioniste. Takojmë të birin Lirimin i cili sillet butë dhe na rrjeshton medalet e tij të shumta, shumica të marra në Shqipëri dhe ndonjëra jashtë, po kështu kupat. Lirim Axhiu është 21 vjeç, ai shprehet se është 6 vjet kampion Shqipërie, por kur kthehemi në Tiranë këtë gjë nuk na e pohojnë përfaqsuesit e Federatës. Lirimi llogarit në 6 vite edhe vitet kur kampionati nuk është zhvilluar, ndërsa Shkëlqim Mema shprehet se Lirimi është vetëm tre vjet kampion. Lirimi vetë i ka ndërprerë studimet shkollore dhe ky me sa duket është një disavantazh i madh për të ardhmen e tij. Ai thotë se ka nevojë për një trajnier profesionist që ta stervisë, por kur takojmë në Tiranë presidentin e FSHS Shkëlqim Mema, ai na shprehet se Lirimi ka një disavanatazh të madh në këtë fushë dhe ajo është mungesa e gjuhës së huaj. Mema nuk e mohon faktin që ndoshta Lirimit do ti kishte marrë një rrjedhë tjetër jeta nëse ai do të fliste një gjuhë të huaj, por kjo me sa duket nuk ka ndodhur. Federata Botërore e Skive në fakt ofron trajnime për të rinj nën të tetëmbëdhjetat, por thotë Mema ne nuk e çonim dot Lirimin sepse nuk ka mundësi që ti paguash edhe përkthyes që ta orientoj për këshillat e trajnerëve profesionistë. Sekretari i Federates së skive zoti ilirian Çule shprehet se pa pjesmarrjen e këtyre dy ekipeve atij të Shishtavecit dhe të Borjes çdo lloj kamionati skish nuk do të kishte kuptim. Lirim dhe Sami Axhiu janë të pakënaqur me faktin që Lirimi nuk ka marrë kurrë pjesë në ndonjë garë ndërkombëtare dhe në lojrat olimpike të zhvilluara në Rusi flamurin shqiptar e përfaqësoi një djalë tjetër i cili jeton dhe punon në itali. Ai quhet Erion Tola. Sipas familjes Axhiu ai që duhet të përfaqësonte flamurin shqiptar do duhet të ishte Lirimi, por ilirian Çule shpjegon se për të marrë pjesë në një garë të tillë, fillimisht duhet të përmbushësh disa norma. Lirimi nuk i përmbush këto norma sepse aktiviteti i tij zhvillohet vetëm brenda territorit shqiptar dhe si rrjedhim ai është krejtësisht i papregatitur për përballje të tilla. Pas viteve ’90-të kampionatet e skive janë zhvilluar në zonën e Dardhës, sepse aty është vendi i vetëm me një infrakstrukturë të ngritur për aktivitete të këtij lloji. Skitë janë pasioni i shishtavecarëve, shumë burra të kësaj zone mbajnë tituj kamion Shqipërie gjatë viteve të ndryshme. Samiu shprehet se arsyeja që e ka marrë përsipër këtë punë ka të bëjë me pasionin dhe me mungesën e dëshirës për të ndenjur kot. “Gjatë ditëve të dimrit që dëbora izolon çdo gjë, sa ta humbas kohën në shtëpi apo në kafe, pregatis të rinjtë”, shprehet ai. Pista e skive deri më sot ka qënë në të dalë të fshatit në pjesën lindore të tij. Kamionatet e skive zhvillohen në njërën kodër, ndërsa në kodrën përballë qëndron gjithë fshati që bën tifo për të preferuarit e tij.

Turizmi i munguar

Në dimër tashmë prej më shumë se një dekade shqiptarët ja “mbathin” drejt Kolashinës ose Mavrovës në ndjekje të ëndrrës së tyre për të bërë ski. Shumë fëmijë të vegjël shkodranë nga familje me gjendje të mirë ekonomike po aktivizohen me këtë sport, për tu bërë në të ardhmen sportistë të vërtetë. Arsyeja që ata ikin larg ka të bëjë me mungesën e një strukture të ngritur skish në Shqipëri. Shishtaveci është një premtim i madh përsa i përket këtyre mundësive, por hë për hë është larg. Interesimet nuk mungojnë, por rruga lë shumë për të dëshiruar. Një punë të mirë përsa i përket promovimit të kësaj zone po e bën dhe ambasadori shqiptar në Kosovë zoti Qemal Minxhozi, i cili ka çuar në zonë disa grupe ambasadorësh nga vende të ndryshme për të parë këtë zonë e për të nxitur idenë e investimeve. Që nga kufiri me Kosovën Shishtavecin e ndajnë vetëm tre kilometra dhe që prej andej sot për sot është mundësia më e mirë për të shkuar në Shishtavec. Adem Sokoli, specialist për turizmin në Komunën e Shishtavecit shprehet se komuna ka një plan strategjik për turizmin dh ruajtjen e ambientit. Idea që komuna mendon se do i ndihmoj të ecin përpara është zhvillimi i agroturizmit dhe turizmit malor. Zona e Shishtavecit shquhet për gastronomi, ushqimet tradicionale si çorba e Gorës që gatuhet me të brendëshme qingji, gubjank një prodhim brumi me gjalpë, ujë dhe kripë, leçenik që pregatitet me kulloshter e gatuar me vezë dhe miell, mish orizi, qofte me patate, speca me gjizë. Karakteristikë e zonës është përdorimi i gjalpit në gatim. Adem Sokoli shprehet se deri më sot në Shishtavec janë trajnuar 17 familje pritëse, po kështu edhe në fshatin Novosejë janë trajnuar 8-të. Në fakt aktualisht në qëndër të fshatit ish pronari i truallit që ka marrë hotelin e përdorur dikur nga anëtarë të komitetit qëndror po rikonstrukton disa dhoma të tij. Duhet thenë se nëse do marrësh rrugën për në Shishtavec duhet të dish që në fillim që aty mungon shërbimi i hotelerisë me të cilin turistët janë mësuar ngado. Ka dy mënyra nëse udhëton në verë, ose të ngresh cadra diku pranë fshatit ashtu si disa turisë austriakë e kishin bërë për disa ditë rrjesht ose do të trokasësh në një “guest house”. Në dimër të ftohtin nuk e përballon dot në çadër prandaj do duhet të trokasësh në një shtëpi të tillë. Vetë Adem Sokoli kishte një shtëpi të tillë, ushqimi që të ofronte Albana e zonja e shtëpisë të shërbehej në kuzhinën që familja përdorte edhe për vete. Oborri i shtëpisë ishte i gjelbëruar, me zukatjen e bletëve në koshere, trëndafilat me erë nëpër kopësht dhe një tavoline rrethore me tendë në mes të saj. Goranët flasin gjuhën sllave mes tyre, ndërkohë që të servirin një shqipe të bukur e të pastër kur bisedojnë me ne. Arsyeja thotë Ademi që gjuha shqipe është kaq e pastër vjen nga fakti se ne e mësojmë në shkollë atë, e kështu e mësojmë me gramatikë. Goranët janë të njohur si minoritet linguistik, por ata nuk e pretendojnë mësimin e gjuhës së tyre në shkollë, sepse nuk dinë si ta shkruajnë atë. Ata thonë që gjuha e tyre është e ngjashme me gjuhët sllave, por nuk është e njëjtë. Ata nuk zotërojnë një alfabet të saj. “Unë di që nuk jam shqiptar, -thotë Ademi, po se çfarë jam nuk e di, dhe qesh”.

Bjeshka

Sipër në bjeshkë ndodhet një shkëmbi i lartë, qëndron aty si një kështjellë e harruar në mes të gjebërimit dhe të një bari të rritur shëndetshëm. Banorët e quajnë guri i mëngjesit sepse aty lind dielli. Bjeshka në verë është e mbushur me tufa bagëtish, dele dhe lopë që ndërkohë që i ngjitemi bjeshkës na duket sikur kullosin lartë në qiell. Ka banorë që ruajnë bagëtitë me radhë. Sipas familjeve që i grumbullojnë lopët së bashku e që radha për të bërë bariun mund ti zërë një herë në 40 ditë. Banorët shprehen se përdorin vetëm bulmetin e lopës, ndërkohë që të deleve ua lënë qingjave. Bjeshka është e mbushur me një larmi lulesh, shumica të rëndësishme në fushën mjekësore si genciana apo lule balsami. Aty ka mbi 27 burime të akullta uji ku nuk mund ta mbash dorën në rrjedhë për më shuëm se disa sekonda. Ka boronicë që bëhet në gusht dhe një lloj tjetër luleshtrydheje të cilët banorët nuk ja dinë emrin. Trendafilat e egër në ngjyrë të verdhë janë të mrekullueshëm, po kështu lulja e salepit dhe një gamë e pafund lulesh të tjera gjithëngjyrëshe. Fatkeqësia e bjeshkës këto kohë është një bimë e egër e verdhë që banorët nuk e dinë sesi ka ardhur deri aty, shtimi i saj po u rrezikon kullotat. Aty sipër mbi bjeshkë relievi është i sheshtë si një tepsi e stërzgjatur, syri të zë disa gurë piramidalë të shkruar në serbisht që kanë mbetur të shkretë si një kujtim i shëmtuar i një kohe absurde ndërkohë që matanë shtrihet e bukur, Kosova. Banorët mirëkuptohen me njëri-tjetrin, ata vendosin kufijë me qese plastike që do ta korrin ata barin e një zone të caktuar e askush nuk hyn për ta korrur. Fundja bjeshka është e madhe dhe ka bar për të gjithë. Poshtë duket liqeni artificial i Kallabakut, fshatthi i vogël turistik i Novosej i cili po pasurohet tani me një hotel, lugina të gjelbëruara dhe pyje. Komuna e Shishtavecit është shpallur zonë e mbrojtur e kategorisë së katërt, aty nuk ka më gjueti të paligjshme, banorët shprehen se ata i blejnë drutë, po nuk i presin pyjet e tyre, ka zogj e kafshë të egra që nga lepujt deti tek dhitë e egra dhe kaprojtë, kafshë grabitqare që nga macet e egra, rreqebujt deri tek ujku.

Kryetari

Ai quhet Dieman Nela, është kryetar i komunës prej një kohe rekord 18 vjet. Dilemani shprehet se i është mirënjohës popullit të zonës së tij për këtë besim, edhe im atë thotë ai do mërzitej prej meje në një kohë kaq të gjatë. Por marrëdhënia që ka ai me banorët e fshatit me secilin prej tyre të lë mbresë, përgjatë rrugës së bërë së bashku ai ndaloi për të folur me secilin prej tyre. Në hyrje të fshatit Novoseje një zotëri po mblidhte telin e gardhit të tij sepse disa metra të tokës do i shtoheshin zgjerimit të rrugës. Burri nuk ishte i mërzitur për këtë, nuk bënte as gërnjarin për tokën që do ja zinte rruga. E vetmja ankesë që kishte ai ishte pse firma e rrugës nuk priti e dy muaj sa të merrte prodhimin. Dilemani i kujtoi se me ardhjen e shirave rruga do ishte e pamundur të ndërtohej dhe burri pranoi. Në qetësi me një lloj fisnikërire prej njeriu të mënçur, të cilit nuk ke pse ti japësh leksione se rruga sjell zhvillim, sepse ai e di vetë që rruga do të thotë liri. Dilemani është i kënaqur nga fakti që në zonë po vijnë shumë të huaj për ta vizituar atë, ai shpreson që së shpejti edhe djemtë e Shishtavecit do kthehen për të investuar në fshatin e tyre ashtu si ka bërë fshati Borje. Ai shpjegon se ende nuk kanë një plan urbanistik sepse hartimi tij kërkon 8 milonë lek, e për sa kohë që nuk ka një plan të tillë asnjë leje nuk do jepet kuturu për ta shkatërruar atë që Shishtaveci ka të bukur, natyrën e tij. Sipërfaqja e komunës është 6360.7 hektarë, 250 hektarë janë të hipotekuar, kurse pjesa tjetër është pronë e komunës. Shishtaveci është aty, në pritje për tu vizituar nga të gjithë, është si një thesar që sado fort ndriçon, e bën këtë mes malesh e drita tij nuk kapërcen matanë, nuk tërheq vëmëndjen e askujt deri ditën që e sheh dhe kupton që vlera e vendeve të tilla thjeshtë i jep vlerë ekzistencës së një kombi…

Publikuar: reporter.al


Tags: , , , , , , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Gorani Village Spies Future in Skiing Tradition

Next Post

Para Humbëtirës





You might also like

Leave a Reply


More Story

Gorani Village Spies Future in Skiing Tradition

Ky postim ekziston gjithashtu ne Shqip When the war broke out in Kosovo in 1999, the village of Shishtavec in Albania, which...

October 7, 2014