Latest

Shqipëria Jonë

Editorial / August 21, 2011

This post also exists in English Version

Në fund të çdo vere ka qeveri që, pasi bëjnë bilancin, flasin për të ardhurat e turizmit, për fluksin e turistëve që vizitojnë vendin tonë, për shërbimet cilësore që ata gjejnë këtu, por nuk flasin kurrë për rrugët e shqyera, për ato të devijuarat, për dritat që fiken çdo ditë në një qytet bregdetar, për ujin që turisti e merr me kova nga kati i parë i godinës (në rastin më fatlum)… Për këtë të gjithë preferojnë të heshtin, të nxjerrin, për shembull, justifikime se dritat fiken, se një lejlek “huligan” shkon dhe ulet mbi telat e korrentit e, për pasojë, bie automati…
Por, pavarësisht kësaj, të gjithë e vizitojnë Shqipërinë. Asaj vërtet mund t’i mungojnë ende rrugët, dritat, uji në rubinet, por, për fat, nuk i mungon hareja, besimi se gjërat po ndryshojnë për mirë, si dhe dëshira për të ecur përpara.
Pikësëpari, arsyeja se përse një turist duhet ta vizitojë Shqipërinë është deti i kaltër e i freskët, i pastër; është nga ato lloj detesh që thjesht duhen njohur, sepse për të rënë në dashuri me të kjo nuk është më në dorën tuaj. Pastaj vijnë malet plot lule, me boronicë të freskët, me gjelbërim e me ujëra të ftohta… E për mjaft arsye të tjera, që duan shumë vend për t’u renditur
në një editorial të shkurtër si ky yni. Nga të dhënat e një portali të njohur në internet Balkans.com në datën 8 gusht të këtij viti, numri i turistëve që kaluan kufirin shqiptar ishte 57 255. Një e dhënë kjo shumë domethënëse për vendin e shqiponjave. Ata që e vizituan këtë verë Shqipërinë erdhën këtu për shumë arsye; mbase sepse në mediet botërore emri i saj po lakohet më së shumti për natyrën e virgjër dhe dëshirën për të eksploruar një gjë të re. Ndërkohë nga Lonely Planet Shqipëria është në top listën e vendeve që duhen vizituar brenda vitit 2011. Ne të Sky magazine kemi shumë arsye që, brenda revistës kemi rubrika eksplorimi të Shqipërisë; ne jo se nuk i dimë rrugët e prishura aty-këtu apo mungesën e ujit, apo ndonjë kamerier që ta shërben ushqimin në stilin “unë jam më i pasjellshmi në botë”.
Neve na pëlqen Shqipëria! Jo thjesht se kemi lindur këtu, as për snobizëm, por sepse dashurinë për të e kemi në gjak. Për këtë arsye ndihemi mirë edhe kur njerëz të tjerë që nuk flasin gjuhën tonë e duan dhe e vlerësojnë atë. Sigurisht, edhe ndër radhët tona ka plot që zgjedhin të bëjnë pushime në viset shqiptare, të cilët, edhe pse kënaqen shumë, i rikthehen jetës së përditshme duke folur keq për pushimet e verës. Por, për fat të mirë, kjo radhë njerëzish vjen duke u pakësuar.
Para disa kohësh dikush më pyeti se pse e trajtojmë me kaq dashuri atdheun në revistën tonë. Sigurisht që personi në fjalë e mori përgjigjen e duhur. Ky vend është toka jonë. Në pasaportën e shqiptarëve të periudhës së mbretit Zog në të shkruhej “Ta dijsh dhe të jesh i sigurt se fatbardhësia dhe lumtunija e jote gjindet në Shqipni, e cila të ep nder e të fal emrin shqipëtar”. Kjo është arsyeja e parë që ne e promovojmë atë në çdo numër reviste, duke ju sjellë prej saj vende që nuk duhen humbur pa u parë. Dhe këtë e bëjmë me nismën tonë, duke vënë thjesht buzën në gaz kur përfaqësues të lartë të shtetit na rrahin shpatullat, duke u shprehur: “Shqipëria ua ka borxh këtë…”.
Këto detaje, gjithsesi, nuk janë shumë të rëndësishme për lexuesin. E rëndësishme është që në revistën tonë Shqipëria do të zërë gjithmonë vend kryesor. Fundja, këto janë “borxhet e vogla” që qytetarët kanë për vendin e tyre.

This post also exists in English Version


Tags: , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Te Dua

Next Post

Our Albania





You might also like

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

Te Dua

Të dua në të gjitha arratisjet e mia… Kur flokët ngatërrohen me erën e shpikin thashetheme… kur mundohem të ngjitem...

July 8, 2011