Latest

Si Kandidate E Pavarur Mund Të Mbroj Më Mirë Interesat E Njerëzve Në Nevojë!

Femra / July 26, 2014

This post also exists in English

Etleva Tare është një grua e sjellshme dhe e ëmbël. Ajo vjen nga komuniteti i egjyptianëve të Shqipërisë. Pikërisht se ajo është pjesë e këtij komuniteti në mënyrë të natyrshme ka dalë në krye të tij. Etlevën e takuam në Tiranë një fund-javë korriku, ndërkohë që ajo ndodhej në kryeqytet sepse sapo ishte diplomuar për mësuesi.

Etleva në fakt ka mbaruar studimet e mesme për mercollogji në vitin 1989. Jeta nuk ka qënë e lehtë për të dhe familjen e saj pas ndryshimit të sistemit, por ajo ka parë gjithmonë përpara me shpresën se ditë më të mira do vijnë. Ingranimi i saj në shoqërinë civile ka ardhur natyrshëm. Në vitin 2005 ajo ju përgjigj një thirrje të shoqatës “Terres des hommes” për të punuar pranë saj si kordinatore. Pikërisht aty i lindi ideja për të ngritur një organizatë joqeveritare me emrin “Qëndistaret”, për tu ardhur sa më shumë në ndihmë grave në nevojë. Arsyeja e parë për ta ngritur këtë shoqatë kishte të bënte me diskriminimin, sepse shumë gra që i përkisnin komunitetit të saj apo minoritetit rom, përbuzeshin kur shkonin të kërkonin punë me porosi pranë firmave të ndryshme.
Shoqata fillimisht kishte 7 qëndistare, ndërsa sot ka 17. Në shoqatë mund të jenë pjesëmarrëse gra të çdo lloj komuniteti, minoriteti, apo mazhorance. Ajo i është mirënjohëse zyrës së punës e cila e ka ndihmuar shumë. Etleva po sheh seriozisht ingranimin e saj në politikë, ndonëse një gjë e tillë është e vështirë sepse pengesat në vend që të jenë reale, janë justifikime absurde.

Z.Tare si u ingranuat në politikë? Cilat ishin sfidat, përkrahësit dhe kundërshtarët?

Unë kam filluar të ingranohem në politikë gjatë vitit 2009. Në fakt arsyeja kryesore ka qënë përballja me realitetin. Familja ime pas vitit 1997 kaloi një krizë të madhe ekonomike, unë isha e mërzitur, nuk kisha shpresë, mendoja që ne ishim më keq se të gjithë, por kur u ingranova me shoqërinë civile dhe hyra në familjet e varfëra pashë që realiteti im nuk ishte aq i trishtuar sa e gjykoja, krahasuar me mjerimin që hasja në shumë familje egjyptiane. Fillimisht u organizova me platformën e gruas në vendim-marrje që mbështeti OSBE dhe fillova të shkoj në të gjithë takimet e këtij lloji. Në 2011 u ngrit grupi i task-forcës për të arritur 30 përqindëshin e femrave në politikë, isha pjesë e tij si e para femër e komunitetit egjyptian. Në 2011 e mbështetur nga dy mike të mia dhe OSBE, kandidova si këshilltare e pavarur në bashki. Unë i përkas një komuniteti të shumtë në numër në Korçë. Nga 68 mijë banorë që ka Korça, egjyptianët janë 27 mijë dhe romët 3000 të tjerë, pra jemi një forcë e madhe. Kandidatura ime ishte problematike, sepse mu kërkua të paraqisja 700 njerëz që të deklaronin që ata kishin firmosur për kandidimin tim. Ishte pothuaj e pamundur, megjithatë unë arrita të mbledh 200 njerëz ditën e parë, ndërsa ditën e dytë ka qënë data 22 mars nuk i gjeta në zyrë dhe kështu u dogj kandidatura ime.
Më vonë nga i njëjti person në një takim më tha se arsyeja që kandidatura ime nuk u prit me qejf ishte nga fakti që pozita dhe opozita kishin nga 17 anëtarë secili dhe kështu unë dilja kryetare e këshillit bashkiak, e aq më tepër isha grua, plus vija nga një komunitet tjetër. Kjo nuk më bëri të tërhiqem. Tani nuk do kthehem më pas. Pavarsisht problemeve mbështetësi ynë më i madh ka qënë bashkia e Korçës e cila na ka ofruar edhe qëndrën në pedonalen përballë katedrales në një zonë shumë të mirë. Zyra sot nuk shërben vetëm për tu mbledhur e për të qëndisur, por edhe për trajnime si përfshirja sociale, kodi i punës, arsyet pse duhet të votojmë deri tek takimet e thjeshta për kafe e për ti nxjerrë femrat nga monotonia. Në bashkëpunim me qëndrën e formimit profesional jap kurse për qëndistari.

Cili është qëndrimi juaj për zhvillimet e Shqipërisë në katër vitet që do vijnë, kush janë avantazhet dhe disavantazhet?

Unë vij nga shoqëria civile dhe ajo që shoh unë është që mungon gjuha e përbashkët, pozita dhe opozita duhet të punojnë për këtë vend. Nuk ke çfarë të marrësh shembull nga ky parlament, vetëm sharje dhe fyerje, ata janë zgjedhur nga populli dhe duhet të punojnë për këtë popull. Politikanët të mos kujtohen në fushatë për popullin, por në çdo moment. Gjithsesi shoh frymë pozitive. Aktualisht Ministria e Mirëqënies Sociale ka hartuar disa politika dhe tashmë kemi një zyrë të sekretariatit teknik pranë kësaj ministrie për komunitetet në nevojë.
Jo më larg se disa ditë më parë unë u çova përfaqësuesve të kësaj zyre 30 emra studentësh korçarë që kanë mbaruar fakultetin e disa prej tyre janë në përfundim e sipër. Dua që disa prej tyre, në mos të gjithë të punësohen, tu jepet një mundësi. Dua që të sjell shembullin pozitiv në qytetin e Korçës me qëllim që një familje që nuk do ti çoj fëmijët në shkollë, të mos argumentoj me faktin që edhe ata me shkollë edhe ata pa shkollë janë të gjithë të papunë. Politika po i hedh sytë nga ne në këtë moment. Në panairin e punës që u organizua në qytetin e Korçës u punësuan në punë sezonale katër të rinj. E di që kjo është pak, ka shumë punë për të bërë, sepse panorama e plotë lë shumë për të dëshiruar.
Megjithatë vë re që fryma politike ka ndryshuar. Ministria e Arsimit po ngre shkollat komunitare, në shtator të këtij viti në Maliq do të hapet një shkollë pilot. Programi i Partisë Socialiste në letër ka qënë shumë i mirë, shpresoj që ai të vihet në zbatim, në të kundërt pas katër vitesh do kem të njëjtin zhgënjim të radhës. Unë për këtë nisem dhe nga ajo që shoh si qytetare e Korçës. Niko Peleshi e ka prioritet Korçën, po kështu emisionet për turizmin në zonën e Dardhës, reabilitimi i pazarit të Korçës, ngritja e një qendre biznesi në formën e kitarës, simbolit të serenatave, të gjitha këto janë shumë pozitive që Korça të dal nga letargjia e saj.

Cfarë mendimi keni për barazinë gjinore? Kush janë përkrahësit dhe kush janë kundërshtarët?

Barazia gjinore në këto momente nuk është barazi. Gruaja është qafa që drejton kokën, por pavarsisht kësaj Shqipëria është një terren ku dominojnë burrat. Po mëshohet fort që gratë të mos jenë vetëm 30 përqind. Gjithsesi në kabinetin qeveritar kemi më shumë gra se burrat, kjo është një frymë e mirë. Mendoj që gratë janë më efikase në qeverisje sepse ne dimë të rregullojmë çdo marrëdhënie, është në natyrën e gruas të dijë të komunikoj. Gruaja duhet të luftoj gjithmonë për një grua, pavarësisht ngjyrave politike. Kundërshtar për femrat ka qënë vetë mentaliteti i meshkujve. Në rastin tim mbështetësit kanë qënë familja ime dhe grupi im i punës së bashku me komunitetin tim. Në fillim dëgjoja dhe fjali të tipi çfarë do bësh ti për ne e vetme, sepse ne duhet që minimumi të kemi tre përfaqësues, por kjo është diçka që i përket të ardhmes.

Ka ndonjë histori që të ka mbetur në mendje, dicka që lidhet me çështje sociale që i ke përzemër, ndonjë kujtim?

Fillimi i kësaj pune më ka mbetur në mendje, varfëria ekstreme, dhuna shumë e madhe. Kur fillova të merrem me problemet sociale komuniteti im më vuri emrin shefe, nuk doja të më flisnin ashtu, por ata shihnin tek mua një shpresë, ndaj kam luftuar hap pas hapi për ndryshim.
Në vitin 2010 doli një ligj nga Ministria e Arsimit ku përjashtoheshin nga detyrimi i pagesë së taksës së rregjistrimit në fakultet fëmijët rom dhe egjyptianë për shkak të skamjes së tyre. Në atë vit do të rregjistroheshin tetë të rinj në universitetin “Fan Noli”, rektori na priti shumë mirë, ndërkohë që kancelari u tregua shumë përbuzës, duke më thënë se u bë deti kos po për ju nuk ka lugë e këta të rinj nuk do rregjistroheshin. Me përpjekjet tona e me komunikim të vazhdueshëm, si me kancelarin ashtu edhe me përfaqësues të MASH, të rinjtë u rregjistruan sipas ligjit. Atëherë i vajta në zyrë kancelarit dhe i thashë: Deti u bë kos dhe unë e gjeta lugën”, historia tjetër është ajo që u rrëfeva më sipër për pjesëmarrjen time në këshillin bashkiak. Nuk kam menduar të heq dorë kurrë, kam vënë re që partitë ma kanë nevojën, por nuk do bëhem kurrë pjesë e tyre, kjo jo se nuk kam preferenca dhe bindje partiake. Por po të jem pjesë e tyre do detyrohem të ngre dorën pro edhe për ligje që shkojnë ndesh me interesat e komunitetit tim. Më ka mësuar shumë trajnimi i OSBE-së për gratë në vendim-marrje, mund ta konsideroj si një shkollë të dytë.

Ka femra apo burra që të kanë frymëzuar në karrierën tënde?

Babai im ka qënë idhulli im, e kam pasur pranë në çdo hap të jetës. Ai ka qënë shok për mua, jo baba, nuk më ka kundërshtuar kurrë edhe pse unë mund të mos i shkoja përshtat mendimit të tij. Në familje më kanë thënë gjithmonë që kam qënë e përkedhelura e tij. Çdo gjë në jetën time, në karrierën time, ajo çka kam arritur deri më sot i’a dedikoj atij.

Mendimi juaj për mjedisin, kush janë pikat më të nxehta ku duhet ndërhyrë?

Mjedisi lë shumë për të dëshiruar, ka humbur tradita, traditë që në qytetin e Korçës ka qënë për tu marrë shembull, përjashto një lagje në qytet që pastron sokakët po njësoj si dikur. Sot sheh plehra në mes të qytetit, hedhje mbeturinash urbane ku dhe si të mundin. Duhet të ketë ligj për pastërtinë. Është e turpshme kur sheh një mungesë ndjeshmërie nga pjestarë të komunitetit per ta ruajtur mjedisin e tyre. Para disa kohësh mbollëm pemë në shkollën “Naim Frashëri” dhe ndërkohë që pastronim gropën pas saj, ishim prezentë kur na hidheshin plehra nga ballkoni. Ne kemi burime të pashfrytëzuara të cilat janë në pritje të turistit apo të investimit. Në rrethin e Korçës kemi Prespën, ndërsa pylli i Bosdovecit është prerë.
Pylli i Cangonjit është përgjysmuar, ai dikur njihej si pylli i fazanëve, por aktualisht nuk ka më fazanë. Mjedisi ynë ofron kushte për të zhvilluar një turizëm të begatë, por pa infrastrukturë nuk do të kemi as dyndje turistësh, as shqiptarë të punësuar në këtë fushë.

OSCE Logo
Fuqizimi i Grave Ne Politike


Tags: , , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Politics Is Difficult For Idealists, But Not Inaccessible

Next Post

As An Independent Candidate I Can Better Protect The Interests Of The People In Need!





You might also like

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

Politics Is Difficult For Idealists, But Not Inaccessible

Ky postim ekziston gjithashtu në Vesionin Shqip Nirvana Lekaj entered politics in 1992. She is the Chairwoman of the Dem-...

July 26, 2014