Latest

Takim Me “Babanë” E Çufos

Karakter / March 13, 2011

This post also exists in English Version

Në qoftë se ndonjëherë do të ishte bërë një studim, se sa orë kemi qeshur ne gjatë jetës sonë me një personazh të paharruar që quhet Çufo, me siguri do të ishte marrë vesh se, nëse i kemi shtuar jetës sonë ca vite më shumë, kjo është edhe për shkak të tij. Pas këtij personazhi fshihet emri i një njeriu të madh, i Gaqo Bushakës. Një figurë publike, të cilit i kemi borxh atë lloj gëzimi që të buron nga brenda, kur shpirti të mbushet me fantazi e me aventura. Të arratiseshe – mbase nuk ishte ideja më e mirë në një regjim, në të cilin fjalët duheshin thënë me pikatore – por të arratiseshe brenda ca librave me një derrkuc që quhej Çufo, kjo qe zgjidhja më e mirë. Në Shqipëri, ata që kanë lindur pas viteve 70 kanë pasur fatin të ushqeheshin me letërsi të mirë për fëmijë; një faktor i rëndësishëm në karakterin tonë ishin edhe këto libra. E në atë kohë (të paktën, unë besoja) Gaqo Bushaka ishte një burrë i vjetër mbi të 60-at (në atë kohë, në fakt, të vjetër për ne fëmijët ishin të gjithë ata që ishin mbi 30 vjeç), por kur ai shkroi Çufon ishte ende pa i mbushur të 30-at. Është modest Gaqo Bushaka; njeri fjalëpakë e mjaft serioz, kontrast i madh ky me letërsinë e tij, që ta ndryshon çehren e fytyrës kur e ke të mërzitur. Ky njeri kaq serioz është autori i shumë romaneve për fëmijë dhe i plot librave me vjersha. Nëse do t’i rendiste, as ai vetë s’do mund t’i kujtonte të gjitha. Megjithatë, të pesë librat e Çufos janë botuar dhe ribotuar në mbi 350 mijë kopje. Po kështu, edhe “Ariu artist” e ka parë dritën e botimit disa herë, pasi është botuar e ribotuar në 50 mijë kopje.

Para Se Të Bëhej Shkrimtar

Gaqo Bushaka ka lindur më 1 gusht 1943, në fshatin Selckë, në krahinën e Lunxhërisë. Në vitin 1946 erdhi në Tiranë së bashku me të ëmën. U rrit në një familje me njerëz të thjeshtë, të cilët vonë mësuan të lexonin vetë e me vështirësi të madhe, porse ishin njerëz që e donin kulturën dhe dijen. Gaqos së vogël nuk ia kursenin paratë për librat. Ai e mbaroi shkëlqyeshëm shkollën shtatëvjeçare, por, duke qenë se në atë kohë nëna iu paralizua, u detyrua t’i ndiqte studimet në shkollën e rezervave të punës, për t’u bërë elektricist. Gaqo punoi katër vjet në këtë profesion, në Uzinën Partizani, e më vonë në Postë-Telegraf Telekomunikacion, duke ndjekur edhe gjimnazin në
shkollën e mbrëmjes, të cilën e mbaroi me rezultate të larta. Bursa e studimit i doli për mjekësi. Bëri vetëm gjashtë muaj në këtë shkollë, pasi u detyrua t’i ndërpriste studimet, sepse, nëse shihte gjak, binte shpesh në gjendje të fikëti. Raporti mjekësor, që shpjegonte situatën e tij, bëri që pas kësaj t’i vazhdonte studimet në degën Gjuhë-Letërsi dhe më pas në Gazetari. Në vitin 1967, kur Gaqo mbaroi shkollën, filloi punë si gazetar te gazeta “Zëri i Popullit”. Xhevahir Spahiu, Spiro Dedja dhe Gaqo Bushaka ishin tre gazetarët e parë
që u përzgjodhën të punonin në këtë organ, pa qenë e nevojshme të ishin anëtarë partie. “Pak kohë më vonë do të kërkoja të transferohesha te revista “Fatosi”, sepse ndihesha më mirë atje, për sa kohë që më pëlqente letërsia për fëmijë”, – rrëfen Bushaka. Kështu, karriera e tij do të vazhdonte te revistat për fëmijë, si te “Fatosi”, te “Pionieri” apo në shtëpi botuese.

Si Lindi Çufo…

Me siguri, as ai vetë nuk e dinte se çfarë do të ishte një personazh derrkuc e dembel në letërsinë për fëmijë. Nuk e dinte as sa i famshëm do të bëhej derrkuci i tij, as Tipi, as ari-rojtari, as mësuese mjellma. Por ai dinte vetëm një gjë: kësaj letërsie i mungonte një personazh i rrallë, ashtu siç kishte, për shembull Amerika, Tom Sojerin apo Hakelberi Finin.
Gaqo Bushaka do ta niste rrugën e bukur të letërsisë për fëmijë me “Ndodhitë e Çufos”. E kur libri u botua, rasti e solli që ai ta bënte dhuratë në dorën e duhur. Një kopje të tij ia dhuroi Bashkim Shehut, djalit të kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu. Kur do të ndaheshin Çmimet e Republikës, Mehmet Shehu e kërkon në listë emrin e tij, por nuk e gjen. Organizatorëve të ndarjes së çmimeve u thotë se e ka lexuar edhe vetë atë libër, dhe se fabula e librit e ka bërë shumë për të qeshur. Për fatin e mirë të Çufos dhe të autorit të tij, por, njëkohësisht, për fatin e mirë edhe të ne fëmijëve të asaj kohe, fjala e kryeministrit më rigoroz të këtij vendi nuk u bë dysh. Ata që kishin dashur ta linin jashtë çmimit librin, pasi autori ishte shumë i ri, heshtën; ata që kishin dashur ta sulmonin autorin heshtën, gjithashtu. Në këtë rast fitoi humori!

Për Fatin Tonë!

Gaqo Bushaka flet pak e mendohet shumë. Atij i pëlqen t’i rishkruajë librat e tij, pasi i përkushtohet me vite një botimi; i pëlqen të shkruajë me dorë, pasi nuk ka dashur kurrë t’i largohet letrës dhe stilolapsit. Është aq besëtytë, sa nuk i ndërron kollaj stilolapsat, a thua se aty brenda gjendet frymëzimi. Për secilin prej romaneve të Çufos, Bushakës i janë dashur mbi tre vjet. “Babai” i Çufos kujton “se mbi 20 vjet i ka kaluar me krijimin e tij, me Çufon, duke pohuar se rininë ia ka marrë ky personazh. Por, veç Çufos, ai ka shkruar dhjetëra vepra të tjera, romane, tregime, vjersha, libra që u kanë dhënë mundësi fëmijëve për t’u bërë më të mprehtë. Fantazia e Bushakës është shtrirë në mendjen e gjithsecilit. Për të rinjtë e viteve 70 Çufoja ishte romani ku mund të hyje i uritur e të dilje i ngopur. Nuk ka më mirë sesa kur ngopet imagjinata!

Sot

Gaqo Bushaka ka dalë në pension, por vetëm për shkak të moshës. Shkrimtari vazhdon të shkruajë letërsi për fëmijë dhe të punojë me kohë të pjesshme pranë një kishe, në seksionin e librave. Gaqo Bushaka nuk heq dorë kurrë nga letërsia.
Ditën që u takuam për intervistën, atij i telefonuan nga Franca. Pronari i një shtëpie botuese e bëri me dije se do të ribotonin “Ndodhitë e Çufos”, pasi librat që ishin hedhur në qarkullim ishin shitur të gjitha. Gaqoja ndihet i qetë, i strukur në këndin e tij, nga i cili ne marrim sinjal vetëm librat; tashmë ai është kthyer në mit. Aq e vërtetë është kjo, sa kur i tregova një mikut tim se do të intervistoja Gaqo Bushakën, ai çuditshëm më pyeti: “Pse, akoma jeton?!”. Këtë pyetje e gjej shpesh edhe nëpër rrjetet sociale, a thua se Gaqo Bushaka nuk ka ekzistuar kurrë dhe se ai është fryt i imagjinatës së Çufos, sa për t’i bindur të tjerët se ai nuk është një derrkuc jetim…

Më shumë rreth Çufo-s

Çufo ka faqen e tij edhe ne facebook. Ka mijëra komente për të. Të rriturit i rikthehen këtij personazhi me gjuhën e fëmijërisë. Duket sikur Çufo është një personazh real, me të cilin mund të bashkëbisedohet.

This post also exists in English Version


Tags: , , , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

A Meeting With The Literary Father Of Çufo The Piglet

Next Post

Fëmijët, Emrat Dhe Të Tjera...





You might also like

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

A Meeting With The Literary Father Of Çufo The Piglet

Ky postim ekziston gjithashtu në Vesionin Shqip If we ever were to conduct a research into the time we spent laughing in our lifetime...

March 13, 2011