Latest

Te Edi Rama Gjej Nje Miresi Te Pashoqe!

Femra / July 28, 2014

This post also exists in English

Lindita Nikolla ishte drejtoreshë shkolle kur mori ftesën e parë për t’u angazhuar në politikë në vitin 2003 dhe sot krenohet se arriti të triumfojë në zgjedhjet e brendshme të Partisë Socialiste si dhe përballë votuesve të lagjes së saj dy herë. Ajo pëlqen Margaret Thatcher për vendosmërinë për të çuar reformat deri në fund, ndonëse nuk e pëlqen për politikat e famshme të “Zonjës së Hekurt”. Ajo ka një mesazh për gratë the vajzat që duan të angazhohen në politikë: Hidhini hapat një nga një, nuk është e vështirë!!!

Cfarë mendoni për mjedisin politik në Shqipëri?

Padyshim që nuk besoj se jam e veçantë në perceptimin që kam në lidhje me mjedisin politik dhe besoj që është një perceptim që i përket çdo qytetari të ndjeshëm në kuptimin e ashpërsisë së debatit, shpeshherë një debati që nuk është fokusuar te çështja apo te alternativat e ofruara për zgjidhjen e çështjeve.
Aty ku ndahemi padyshim shfaqim vizionet e çdo force politike apo individuale, por për sa i përket gjuhës së përdorur, logjikës së jo të vërtetave, shpeshherë një loje me gjysmë të vërteta për të devijuar jo vetëm thelbin e çështjes por shpeshherë për të devijuar edhe vetë figurën të cilës i drejtohesh, pas të cilit gjithsesi është një qytetar, është një nënë apo një baba apo një qytetar i zakonshëm i këtij vendi. Specifikisht do të thoja që e kam pritur me shumë, nuk e di a është fjala “kënaqësi” e përshtatshme, por me një dëshirë së brendshmi jetën parlamentare.
Më lejoni t’ju them se shpesh herë aty jo vetëm nuk ndjehesh e realizuar në kuptimin e të gjitha aspiratave si politikane, specifikisht për ne zonjat që jemi aty por shpeshherë përballë një morie të pavërtetash pa folur për zhargonin, i cili turpëron këdo.
Në nivelin tonë të debatit, ende pa u futur në lojën e debatit me argumenta, pro ose kundër, gjithmonë je e paragjykuar; shpeshherë gjendesh para disa sfidave që nuk janë sfida të çështjes që je duke diskutuar; energjia dhe koha shkon dëm – në vend që të përdoret për të trajtuar problemet, ajo humb për të reaguar ndaj sfidave të stisura, që jo rrallë herë janë thjesht përbaltje joetike.

Si ndodhi që u angazhuat në politikë?

Në fakt është një rrugë do të thoja, krahasimisht jo e gjatë, por ajo që është më e rëndësishme është që jam sot në këtë pozicion përmes ecjes me hapa të vegjël por të sigurtë në rrugën e politikës. Ju bëj me dije që që në vitin 2003 unë kam patur një ftesë nga Partia Socialiste e njësisë bashkiake ku unë banoj për të qenë pjesë e garës elektorale për pushtetin vendor, garë në të cilën nuk u përfshiva pasi nuk e ndjeja veten mjaftueshëm të përgatitur për t’u përballur me një sfidë. Në atë kohë isha drejtore në një gjimnaz të Tiranës dhe besoja se ardhmëria ime dhe i gjithë përkushtimi im i përkiste arsimit.
Por sigurisht iu përgjigja kësaj kërkese për të kontribuar dhe kam kontribuar për katër vite si këshilltare e këshillit të njësisë bashkiake numër 1 [në Tiranë] dhe besoj që këto vite përkuan edhe me një lloj njohje të plotë dhe me një lloj angazhimi jashtë arsimit në kuptimin e kontributeve komunitare, zërit së qytetarisë në komunitet. Ndjeva që katër vite, jo vetëm që më bënë shumë më të përgjegjshme në rolin që secili prej nesh duhet të ketë në ndryshimin e cilësisë së jetës në komunitetet tona por njëherësh u ndjeva më mirë edhe me specifikat e komunitetit që unë përfaqësoja në njësinë bashkiake. Pas katër viteve si këshilltare, në vitin 2007, u përfshiva në garë një anëtar një votë, edhe në procesin përzgjedhës të kandidaturave për kryetarin e njësisë bashkiake.
Përballë meje ishin ish-kryetarja dhe një mjek i nderuar përfaqësues i komunitetit. Nga shpalosja e vizionit tonë, rezultoi se ai projekt që unë propozoja të ishte fitues me një diferencë shumë të madhe votash, gjë që më bindi edhe më shumë se kisha angazhimin e partisë socialiste por edhe përtej për t’u bërë pjesë e garës elektorale të cilën e fitova në shkurt të vitit 2007.
Vijova detyrën si kryetare e njësisë bashkiake nr 1. Duhet të them se fitorja ishte e thellë edhe përtej votave të partisë socialiste me njerëz që besoj se kishin njohur te unë dhe familja ime një lloj integriteti qytetar sepse kemi vite që banojmë aty, bashkëshorti im ka lindur në atë shtëpi ku banojmë edhe sot dhe panë te unë ndoshta një fytyrë të re në kuptimin e të gjithë angazhimeve në nivel vendor. Përkoi kandidimi dhe fitorja ime me kohën kur Partia Socialiste ishte në opozitë. Në mandatin tim të parë ishim në opozitë jo vetëm me qeverinë por edhe me Këshillin pasi unë fitova si këshilltare por maxhorancën në këshill e kishte forca tjetër politike, pra Partia Demokratike.
Nga ana tjetër besoj që ato katër vite ishin një nga shkollat më të mira të jetës në kuptimin e sprovave, jo vetëm pse ishim në opozitë por edhe pse gjatë katër viteve, vetëm një vit patëm buxhetin e miratuar. Kjo forcoi më shumë kontributin dhe përgjegjësinë për të mos ndërprerë jo vetëm shërbimin por edhe projektet. Njësia 1 në atë kohë ka patur shumë projekte që vinin si përkushtim nga shumë organizata e donatorë. Qe një shkollë e vërtetë në të gjitha kuptimet por edhe një standard i ri dhe, duke lënë mënjanë modestinë, sepse nuk qe vetëm kryetarja por edhe një staf i mrekullueshëm me të cilën punova, u vendos një standard i ri për një institucion të hapur, transparent dhe në mënyrë të organizuar jepte llogaridhënie për të gjitha shërbimet që ofronte. Qe një institucion që synoi t’i miratonte buxhetet me pjesëmarrje.
Keni patur ndonjë mëdyshje personale nëse ia vlen të merresh me politikë apo jo?
Për hir të së vërtetës ka shumë momente që reflektoj nëse do të qe më mirë që të ndiqja një rrugë tjetër dhe jo këtë rrugë por kur bëj bilancin e të gjitha aftësive dhe kontributeve që modestisht mbajnë edhe emrin tim, besoj që ia ka vlejtë kjo rrugë. Po aq sa ia vlen që shumë gra dhe zonja të tjera të përfshihen në politikën shqiptare. Kjo është e rëndësishme për shkak se edhe ne që ia kemi dalë, sigurisht nuk jemi më të mirat dhe as nuk kemi veti specifike. E rëndësishme është që ne të shërbejmë si model suksesi që shumë gra dhe vajza të tjera ta kenë në rrugën e tyre për ta përsosur. E rëndësishme është që duhet të guxohet dhe të bëhet pjesë e politikës. Nuk është e vështirë, është e bukur. Është po aq e vështirë si çdo gjë tjetër në shoqërinë tonë sa i përket nivelit të demokracisë por është e bukur që sa më shumë gra të jenë pjesë.

Ç’mendim keni për diskriminimin pozitiv të grave në pjesëmarrjen në politikë?

Është një pyetje shumë interesante. Kur unë jam futur në politikë, unë bërtisja me të madhe që mua nuk më pëlqen të jem një kuotim apo të vija përmes kuotave edhe për faktin se dy gara elektorale edhe në 2007 dhe më 2011 i fitova në maxhoritar ndërsa në garën e 2013 isha pjesë e listës së Partisë Socialiste në Tiranë. Por siç thuhet, “pozitiv” është pozitive në realitetin shqiptar që sa më shumë gra të kemi në parlament dhe pjesëmarrja e gravve është bërë në gjendje stabël edhe falë ndërhyrjes që u bë në Kodin Zgjedhor të fundit për shkak të OSBE-së, politikave gjithëpërfshirëse me platformën kombëtare të grave ku unë kam bërë pjesë, që ai 30 përqindëshi i grave të mos ishte fundi i listës por të kishte renditje, një në tre të qe i gjinisë tjetër por edhe për të shmangur situatën kur deputete apo deputetë lënë mandatin, të jenë gratë ata që përfitojnë nga kjo situatë. Është një hap i mirë përpara por sigurisht duhet përsosur me fuqizimin e gruas në nivel vendimmarrës, në fuqizimin e gruas si anëtare në partitë politike, sa më shumë në të gjitha frontet. Ajo që unë besoj më fort është që zonjat që janë ministre apo deputete apo që janë të zgjedhura në pushtetin vendor duhet të jenë një model suksesi për të treguar se pse ia vlen të besosh në një grua dhe çfarë sjell një grua në jetën publike.
Çfarë mendoni se do të ndodhë në Shqipëri në katër vitet e ardhëshme?
Këto janë vitet që lidhen me arritjen e statusit kandidat dhe besoj do të jenë katër vite shumë më të përgjegjshme në kuptimin e punëve që duhen realizuar dhe funksionimin e të gjithë institucioneve të shtetit të gjitha institucioneve të pavarura gjithashtu, jo vetëm për të zbatuar më së miri standardet e demokracisë, por edhe për të patur skemat e duhura për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Besoj fort që në rradhë të parë qeveria, por edhe të gjitha institucionet e tjera, kanë shumë më tepër punë dhe shumë përgjegjësi të reja për të përmbushur pritshmëritë që Shqipëria të jetë një orë e më parë pjesë e Bashkimit Europian si anëtare. Por që të bëhesh anëtar duhet që të kesh një Shqipëri Europiane.

Cila është çështja që keni më shumë për zemër?

Unë nuk e ndaj dot veprimtarinë time me pasionin që unë kam dhe që mbetet arsimi. Sfidat e mija janë të lidhura ngushtësisht me reformat në arsimi, me kthimin e arsimit në shinat e cilësisë, me kthimin e arsimit në një shërbim publik, ku politika gjithnjë e më pak do të ketë pushtetin në kuptimin e shumëçkaje që pa dyshim në të shkuarën kanë ndodhur por natyrisht politikat më të mira lidhen me të gjitha grupet e interesit. Mendoj se arsimi është një nga ato fusha që na përket të gjithëve ndaj të gjithë duhet të jemi pjesë e arritjeve të suksesit, por edhe monitorimit të vazhdueshëm të punës së gjithkujt, qoftë edhe Ministres së Arsimit.

Cilat janë gratë që ju kanë frymëzuar?

Ka gra që më kanë frymëzuar, Margaret Thatcher, edhe pse nuk vjen nga e majta është një figurë që frymëzon në kuptimin e vendosmërisë për të çuar deri në fund politikat e veta, reformat, edhe atëherë kur në hapin e parë shihet se ka shumë reagim, ka shumë problematikë.
Po Thatcher qe politikania që mori masa shumë drastike si heqja e qumështit falas për fëmijët nëpër shkolla…
Kur thamë ‘figurë që më frymëzon’ e identifikova kush është pjesa e frymëzimit, nuk bie dakord me politikat që ajo ka ndjekur por lidhet me vendosmërinë për të çuar deri në fund reformat. Vendosmëria më pëlqen shumë te gratë. Për të qenë e vendosur, jo domosdoshmërisht duhet të bërtasësh apo të shash apo të flasësh vetëm në veten e parë.

Cilët janë burrat që ju kanë frymëzuar?

Burrë që më ka frymëzuar është babai im, që në moshë të vogël, gjithmonë kam dashur që t’i ngjaj atij në sensin e dashurisë që ofron, në sensin e komunikimit të qetë dhe shumë dashamirës. Por në aspektin politik, besoj se do të veçoja në të gjithë arritjet e mija,që nga viti 2007 deri tani që flasim, Edi Ramën dhe, për ata që më njohin e dinë që jam e vërtetë dhe nuk ka të bëjë me faktin që është kryeministër i Shqipërisë. Edi Ramën, jo vetëm për ftesën e hapur dhe besimi që ka treguar te gratë dhe vajzat por Edi Ramën me të cilin kam bashkëpunuar përgjatë atyre katër viteve kur ai qe kryebashkiak dhe unë drejtoja njësinë bashkiake dhe gjeja një mirësi të pashoqe dhe një energji të tejskajshme për të bërë gjërat.

OSCE Logo
Fuqizimi i Grave Ne Politike


Tags: , , ,



Gjergj Erebara
Gjergj Erebara
Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet universitare për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka master shkencor (MSC) për Histori Ekonomike nga Universiteti i Lundit. I specializuar për gazetari ekonomike,Erebara ka punuar që nga viti 1998 në disa media të shkruara dhe vizive Shqiptare, si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor.




Previous Post

Politics Is Monopoly Of Men

Next Post

I Find In Edi Rama An Amazing Grace





You might also like

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

Politics Is Monopoly Of Men

Ky postim ekziston gjithashtu në Vesionin Shqip She is a native of Konispol, a town of over 4,000 inhabitants. Her father...

July 28, 2014