Latest

Thethi, Parajsa E Egër E Shtojzovalleve…

Journalism / June 9, 2011

This post also exists in English Version

Nëse e keni të vështirë të besoni te zanat dhe te shtojzovallet, shkoni në Theth, për t’u bindur që ato vërtetë ekzistojnë. Kjo është ndjesia e parë që ke kur e sheh Thethin të shtrihet në luginë, që prej vendit ku lexon pllakën përkujtimore në nderim të shkrimtares angleze Edit Durham, të dashuruar me çdo detaj të kësaj zone… Thethi është aty, po në atë truall, si mijëra vjet më parë, i hijeshuar nga lulet, midis zgjojeve të bletëve, në çapkënllëqet e ketrave, në dinakërinë e dhelprave, në befjen e ujqërve dhe, ajo për të cilën ia vlen vërtet të shkosh, midis njerëzve të thjeshtë, të cilët shtëpitë e tyre bujtina i mbajnë hapur për turistët, që duket se po e zbulojnë këtë bukuri të virgjër çdo ditë e me shumë.
E paqme është panorama e Thethit! Me qindra burime që vërshojnë ngado dhe me një lumë të rrëmbyeshëm, me lumin e Thethit, që të magjeps me atë ngjyrën e akuamarinit, përgjatë rrjedhës së tij…

Për të shkuar

Që nga Shkodra deri në Theth duhen e pakta tri orë udhëtim, edhe pse distanca është vetëm 72 kilometër. Aty shkojnë vetëm makinat e larta 4×4 ose furgonët e linjës, të cilët, zakonisht, çmimin e biletës e kanë 600 lekë për person, ose ca më shumë, kur udhëtari nuk është shqiptar dhe shoferi do të përfitojë prej tij… Rruga kalon nëpërmjet Koplikut dhe më pas nëpërmjet Bogës, një zonë kjo me bukuri të spikatura natyre dhe me reliev të butë. Pas Bogës, dëshira për një rrugë të mirë mbaron këtu. Ajo çka vjen pas saj është një rrugë e shtruar me çakëll dhe, aty këtu, e dëmtuar rëndë, për shkak të reshjeve të shumta të dimrit që shkoi. Rruga është e ngushtë dhe udhëtari ndihet me fat, nëse gjatë udhëtimit nuk përballesh me një makinë tjetër, e cila është duke u kthyer prej andej. Syri nuk të sheh asnjë lloj sinjalistike rrugore, ndaj shpesh shoferët e linjës, të cilët e njohin mirë rrugën, i bien borisë për të ruajtur veten dhe makinën që mund të jetë duke ardhur përballë. Humnerat i lëmë pas, i afrohemi fshatit, ndërsa për të shkuar në njërën prej cilësdo bujtinë që ke zgjedhur të duhet patjetër të kalosh gardhe. Të gjitha kopshtet janë të rrethuara me gardh; zor se gjen diku ndonjë portë që hapet, dhe nga një livadh në tjetrin kalon nëpër shkallë. E gjithë kjo pengesë është për bagëtinë, që të mos ia mbathë prej kopshteve, nëse ndonjë i pakujdesshëm do ta harronte portën hapur.

Për t’u parë…

Që nga shtëpia e Fran Mollës, për të zbritur deri në qendër të fshatit të duhen së paku 30 minuta në këmbë. Aty në qendër ka një klub, i vetmi ku mund të gjesh kafe ekspres, ndërsa pak më tutje gjendet Kulla e Ngujimit. Aty, në Theth, në fakt, edhe pse ka ligjëruar Kanuni i Lekë Dukagjinit, banorët kurrë nuk kanë qenë në gjak. Kulla e Ngujimit u ka shërbyer krahinave të tjera, të cilat pleqëronin e gjykonin në këtë kullë për t’u bërë më e mira e për të gjetur një zgjidhje për falje gjaku. Në atë kullë janë falur mbi 300 gjaqe. Një nga zgjidhjet më të spikatura të atyre kohëve ka qenë ajo me fëmijën e gjakësit të vendosur në djepe. Fëmija i lidhur në djep i vihej para përfaqësuesit të familjes – e cila kishte gjak për të marrë – i kthyer përmbys. Fëmija i lidhur në djep rrezikonte të vdiste, nëse djepi nuk kthehej mbarë. Nëse personi që përfaqësonte familjen e të vrarit e linte fëmijën të vdiste, kjo do të thoshte se gjaku nuk ishte falur. Por shumë të pakta kanë qenë rastet kur përfaqësuesit e familjes së të vrarit nuk e kanë falur gjakun dhe e kanë lënë fëmijën të vdiste.

Muzeu etnografik

I ngritur mbi një shkëmb, ndërtesa është monument i rrallë kulture. Kjo është pamja e parë që të ofrohet kur e sheh. Ndërsa më pas… brenda tij gjithçka është e mjerueshme… Ka shumë pak sende që përfaqësojnë të shkuarën e zonës, por më e keqja është se nga çasti në çast dyshemeja mund të të shembet nën këmbë. Për kureshtarët nuk këshillohet hyrja në dhomën e gjumit, dyshemeja e së cilës kërcet, sapo këmba shkel mbi dërrasën e parë. Ndërsa dyshemeja e muzeut, ku janë vendosur disa enë gatimi dhe rroba, është gjysmë e shembur. Ne të Sky magazine ju këshillojmë ta shihni vetëm nga jashtë, të paktën derisa Ministria e Turizmit të kujtohet e t’i japë edhe asaj krenarinë që i ka hije malësisë.

Kisha

Ishte viti i largët 1892 kur kjo kishë kreu shërbesat e para, ndërsa vitet e fundit u rikonstruktuar me fondet e një grupi emigrantësh nga Thethi, të cilët jetojnë në Amerikën e largët. Ajo që të bie në sy para saj janë tri pemë madhështore bliri, të cilat janë mbjellë aty vite më parë dhe janë sjellë në Theth diku prej një tjetër vendi, pasi në atë zonë bliri nuk është pemë që e ndesh gjëkundi.

Një ditë e plotë…

Nëse nuk ke shumë kohë për të vizituar Thethin, duhet të nxitosh pak. Mirë është ta nisësh ditën herët, sepse Thethi ka shumë vende për t’u vizituar. Në raste të tilla është mirë të jesh i përgatitur fizikisht, qoftë edhe sikur të kesh bërë disa ditë ecje sportive në Parkun e Madh të Tiranës. Që nga qendra e fshatit të duhet rreth një orë e gjysmë me hap normal, për të mbërritur në ujëvarën e Thethit, e cila ndodhet pak më sipër se fshati Grunas. Nga larg ajo nuk të bind dot, nëse ia vlen ta ngjisësh malin për ta parë, por kur të shfaqet para syve, e kupton që kjo lloj lodhjeje ia ka vlejtur shumë. Ujëvara është rreth 30 metër e lartë, me ujë të akullt, i cili nuk këshillohet për t’u larë e zhytur në pastërtinë e tij, para se të mbërrijë piku i vapës së korrikut. Ujëvara është shpallur Monument Natyre nga shteti shqiptar.

Kanioni i Thethit dhe brezaret e epokës së bronzit

Një projekt i GTZ-së ka bërë që në ato shtigje të mos humbasësh kollaj, sepse mund të ndjekësh shenjat e pikturuara nëpër gurë. Por më e mira e së mirës është të marrësh me vete një banor të zonës ose dikë që shërben si guidë. Ne të Sky magazine udhëtuam me agjencinë AlbAlpin dhe guida jonë, Erion Temali, na ndihmoi shumë që të mos e humbitnim rrugën e të vinin rrotull në të njëjtin vend. Ai na shpjegoi se brezaret janë që nga koha e ilirëve dhe se janë ruajtur nëpër breza, ashtu siç kanë qenë, pasi banorët i kanë rikonstruktuar ato kohë pas kohe. Ndërsa kanioni i Thethit është një nga më të bukurit e zonës.

Vaskat natyrore të Kapresë

Që të shkosh te vaskat, duhet të kalosh nga Ndërlysa. Një fshat i shtrirë gjerë në një luginë mes malesh. Shumë pranë tij ndodhet Kapreja dhe vaskat e saj natyrore me forma e madhësi të çuditshme. Vendi, edhe pse ka një bukuri të jashtëzakonshme, është i rrezikshëm, për shkak të vetë terrenit se si janë riformatuar vaskat nga uji i rrëmbyeshëm. Është mirë të qëndrosh sa më larg pjesëve të rrezikshme, sepse një shkarje këmbe nga pakujdesia mund të jetë gabim i pariparueshëm.

Syri i Kaltër

Ai ndodhet rreth dy orë larg vaskave natyrore të Kapresë. Rruga për atje është vetëm për këmbësorë dhe kalon në krah të malit e në buzë të humnerës, ku poshtë shtrihet lumi i Thethit. Sigurisht, ka gjithkund shenja që të ndihmojnë të mos e humbasësh rrugën, por për të shkuar te Syri i Kaltër duhet të zbresësh në një terren shumë të vështirë, duke u mbërthyer fort me duar pas shkëmbinjve.
Pamja është madhështore! Syri i Kaltër i përngjan një vaske të madhe, e cila mbledh ujin që bie me presion nga një lartësi jo më e madhe se dy metra. Ky vend të ngjason me Syrin e Kaltër të Sarandës vetëm në ngjyrë, sepse, në ndryshim nga ai, ku uji i gurgullon prej thellësive të tokës, aty thjesht ai mblidhet nga rruga e tij natyrore që fillon nga malet. Shkëmbinjtë e mëdhenj dhe uji i tij i ftohtë janë shumë të spikatur. Vendasit lahen në ujin e tij në çdo stinë. E të gjithë këtë e bëjnë duke dashur ta sfidojnë natyrën. Paulini, një personazh i njohur i zonës, për shkak të një show televiziv, shpjegon se atij i pëlqen të kridhet aty edhe në dimër. “Kur del prej andej,- shpjegon ai,- të duket sikur je futur në furrë, pasi uji që të pret si brisk krijon një kontrast të madh me temperaturat e mjedisit.”

Këmbë të forta!

Kush ka këmbë të forta dhe fuqi për të ecur, mund të kthehet nga Ndërlysa në Theth në këmbë. Për këtë duhet e pakta tri orë, nëse zgjedh të ndjekësh rrugën automobilistike, por kush nuk ka takat ta marrë këtë rrugë, pas një dite udhëtim me mbi nëntë orë marshim, duhet të ketë faturuar që më parë makinë, ndonjë banor të zonës. Që fuoristrada të të çojë deri në Theth, duhet të paguash së paku 20 mijë lekë të vjetra. Një këshillë për të gjithë është ajo e atleteve adapte për një terren të tillë, në të kundërt do të keni shumë probleme me këmbë tuaja.

Për t’u parë, gjithashtu

S’ka shumë vite që janë zbuluar dy shpella në faqen e malit që quhet Maja e Arapit. Ato janë të mbushura me stalaktite dhe stalagmite, teksa mendohet se më e madhja është rreth 80 metër e gjatë. Gjithsesi, mendohet që një vit më parë në atë shpellë kanë humbur tre turistë çekë, ndaj është e këshillueshme mos ta vizitosh shpellën, nëse nuk je profesionist dhe i pajisur me mjetet e duhura. Alpinistët, gjithashtu e shohin si një mundësi të shkëlqyer ngjitjen në Majën e Arapit dhe kalimin me këmbë në qafën e Pejës, atë të Valbonës, qafën e T’throes, si dhe plot shtigje të tjera që nuk mbarojnë së përmenduri.

Ushqimi

Fjetja, si dhe dy vakte, ai i darkës dhe i mëngjesit, kushtojnë 2 500 lekë për person. Ndërsa dreka, në shumë raste ndryshon në çmim, në sajë të kërkesave të turistëve. Në shtëpinë e Fran dhe Lula Mollës ushqimi nuk mungon kurrë. Të dy janë të thyer në moshë, por shumë mikpritës. Frani është 74 vjeç, ndërsa Lula 70. Ajo, edhe pse nuk flet asnjë gjuhë të huaj, ia del mbanë të kuptohet mirë me bujtësit e huaj. Lula tregon se kur bujtësit e paguajnë, ata hapin dorën ku mbajnë paratë, ndërsa ajo merr shumën që i takon dhe shton: “Ja, për at’ Zot!”, dhe ngre sytë lart nga qielli, atje ku ajo beson se Zoti po e sheh. Në Theth të shërbehen vetëm ushqime që gjenden në zonë, por, edhe nëse je nazeli në ushqim, çdo gjë aty të shijon…
Veç rrugës që lë shumë për të dëshiruar, ajo që të bën çudi në një vend, ku uji është i vetmi element që nuk mungon, është elektriciteti. Ka rrymë vetëm një fazë dhe banorët janë detyruar të blejnë stabilizatorë, për të ndriçuar së paku dhomën e ngrënies. Dushi nuk arrin të ngrohet kurrë, ndaj për t’u larë duhet të zgjedhësh kanoçen dhe ujin e ngrohur në sobën e drurit, e cila rri ndezur gjithë ditën.

Fshati

Ai shtrihet në pjesën më veriore të Komunës së Shalës dhe është i ndërtuar në një gropë në lartësinë 740-950 metra. Thethi përbëhet nga shtatë lagje: lagjja Gjeçaj, e cila është lagjja e parë që ndeshesh sapo futesh në Theth nga Qafa e T’thores ose nëpërmjet Shtegut të Dhenve, lagjja Gjelaj, lagjja Nikgjonaj, lagjja Okol, lagjja Ndreaj, lagjja Kolaj dhe lagjja Ulaj.

This post also exists in English Version


Tags: , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Theth, The Wild Paradise Of The Fairies

Next Post

Roads, Theth, Electricity...





You might also like

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

Theth, The Wild Paradise Of The Fairies

Ky postim ekziston gjithashtu në Vesionin Shqip If you’re at odds with yourself on whether to believe or not in fairies...

June 9, 2011