Latest

Tiranë – Peshkopi Dhe Kthim

Blog / Slider / June 12, 2015

Më shumë se 10 vite më parë, duke shkuar për në Lurë, në një rrugë pa rrugë, ngecëm në një kryqëzim rrugësh pa ditur se nga duhet të ecnim. Për fat na doli përpara një banor i zonës e na tregoi drejtimin, duke thënë se ndarja tjetër na çonte për në Kthellën e poshtme. Atëherë bashkë me kolegët aluduam shumë për emrin e fshatit Kthellë që na përngjasonte me thellë dhe që na bëri të besonim se fshati ishte rrokullizur diku në humnerë e kishte ngecur aty. Kjo deri disa ditë më parë, para se të shkoja në Peshkopi, një qytet që kushedi përse edhe pse se kisha parë kurrë kishte mbetur në mëndjen time nga ato që kisha lexuar në një roman, plot aromë bliri dhe freskie. Na këshilluan që të kalonim nga Mirdita, ku një rrugë e re do na shpaloste një panoramë të mrekullueshme. Hyrja e qytetit ishte e lodhur dhe plot gropa, por Rresheni ndryshe nga një dekadë më parë shkëlqente. Qyteti ishte i pastër dhe plot lule, nuk shihje gjëkundi mbeturina dhe rrezatonte paqe. Ishte po ai qytet i vogël si dikur, por tani sheshi kryesor të tregonte që aty kishte njerëz që punonin e jetonin në harmoni. Pasi dolëm në rrugën për Klos pamja që na u shfaq para syve ishte e larmishme, plot ngjyra, cicërima zogjsh dhe njerëzish që punon nëpër tokat e tyre. Asnjë tokë djerrë, asnjë tokë e braktisur, askush që të shqetësonte gjatë rrugës. Njerëzit ishin kudo që ndaluam miqësor, dhe të sjellshëm. Aty kalova në Kthellë dhe më erdhi turp nga vetja për imagjinatën time. Fshati ishte i bukur, aspak i gremisur në ndonjë humnerë, plot pllaja dhe livadhe, plot shtëpi të reja, investim I emigranteve dhe lule balsami. Ashtu si ai fshat ishin gjithë fshatrat e rrugës deri në Klos, si një copë Shqipërie e importuar nga ato peizazhet e dikurshme që shqiptarët i blinin në tregun çam. Në Klos atë ditë mbahej mitingu i Partisë Socialiste, kështu që policia nuk na lejoi të kalonim nëpërmjet qëndrës. Polici si për tu shfajësuar që ne do duhet të kalonim në atë që quhej unaza e qytetit, po që nuk ishte gjë tjetër veç se një rrugë plot gropa sikur ishte bombarduar ca minuta më parë na tha: Ju mund të kaloni në shesh, po aty është podiumi e nuk ka vend për makinat. Në unazën e qytetit, që nuk ishte më e gjatë se disa qindra metra na u desh të ecnim ngadalë ngjitur me maune që na vinin përballë e që dukej se do na ngjeshnin në ndonjë cep rruge. Prej aty në Bulqizë rruga nuk e humbi bukurinë e saj, ndërkohë që tej në horizont shihje kamionë që lëviznin në rrugën e Arbrit. Peizazhet e bukura të rrugës drejt Peshkopisë herë pas here kryqëzoheshin me fshatra të pistë dhe me plehra të hedhura pa kriter anës rrugës. Maqellara dhe zhvillimi i saj binte në sy që larg, ajo reflektonte siguri ekonomike dhe dëshirë për zhvillim, me tabela rrugësh për pishina, restorante, kafe. Tokat ishin rimbushur me pemë frutore dhe anës rrugës të shihte syri banorë që shisnin qershitë e tyre të famshme. Në Peshkopi nuk gjeta asgjë nga imagjinata ime për të, qyteti ishte i dal boje, rrugët ishin të pista, syri nuk të shihte lule gjëkundi, ndërsa blirët ishin të mbuluar nga pluhuri. Peshkopia ishte një nga ato qytete ku dukej se nuk ishte vënë dorë njeriu dhe më shpejt të ikej sesa të vihej atje. Kthimi nga Burreli ishte e njëjta rrugë e njohur, e bukur dhe me ujrat ngjyrë smeraldi. Burreli është gjithashtu një qytet i pastër, ku dukej dora e bashkisë gjithandej. Rrugët janë të vjetra e të arnuara, mungon sinjalistika e diku aty para se të zbresësh në liqenin e Ulzës, nëse je sadopak shpejt rrezikon të dalësh nga rruga, sepse asfalti ka rënë duke formuar së paku një shkallare 30 centimetra. Të dyja rrugët për të shkuar në Peshkopi zgjasin diku tek katër orë secila, orë që nuk i ndien të lodhshme teksa syri të kap gjithë ato bukuri natyrore. Sado të mos duash të shikosh bashkangjitur peizazhit syri të sheh plot fytyra të varfëra. “ I vjen cudi njeriut kur udhëton nëpër Shqipëri dhe sheh nga një anë majmërinë e dheut dhe begatinë e gjerave, nga ana tjetër vobektësinë dhe vojtjen e njerëzve” shkruante Faik Konica dikur. Më shumë se 80 vite pas vdekjes së tij, trishtohesh kur përplasesh me të njëjtën situatë.


Tags:



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Unë Jam Njeri Interesant, Por Emri Im Jo!

Next Post

Psikanaliza, Cilat Janë Problemet Që Mundojnë Shqiptarët



Leave a Reply


More Story

Unë Jam Njeri Interesant, Por Emri Im Jo!

Sa herë që dëgjoj një emër absurd pyes veten nese njeriu që e ka, është i inatosur me prindërit e tij apo jo, nëse...

April 2, 2015