Latest

Tomorr, Aty Ku “Barbarët” Po Rrafshojnë Malin!

Publications / Slider / May 20, 2014

Mali i Tomorrit po firon! Ai të kujton pa fund filmin “Mbërritën barbarët”, aq e theksuar është gjurma e shkatërrimit që po hapet si një plagë e stërmadhe mbi të. Pllaja kilometrike të ngrëna e të gërryera në një luftë të madhe mes mali dhe njeriut për ti vjedhur atij dicka nga ajo që ai ka nën lëvoren e tij, gurët dekorativ. Janë të shumta pikat që shesin gurë dekorativ përgjatë rrugës Poliçan-Bogovë, zhurma e sharrave të gurit dëgjohet gjithandej, maune të ngarkuara me gurë lëvizin nëpër rrugët gropa-gropa të këtij segmenti. Mali u vodh, në sy të të gjithëve, edhe i firmosur nga shteti në shumicën e rasteve. Lejet e shfrytëzimit që kanë filluar diku para vitit 2007, duket se tashmë janë të përjetshme. Edhe pse lejet në vetvete duhet të shpallen të paligjshme, gjithsesi në momentin e dhënies së tyre ka pasur një marrëveshje që pas shfrytëzimit të sipërfaqes ajo të pyllëzohej. Kjo nuk ka ndodhur!

Tani ka ardhur momenti që edhe punëtorët që punojnë aty në të zezë edhe pse nxjerrin bukën e gojës duke punuar në gurore, (disa prej tyre janë plagosur e dikush ka vdekur gjatë këtyre viteve), shprehen se është gjynah ajo çfarë po ndodh me malin. Duket si përrallë ajo çfarë ndodhi me këtë mal, sipërfaqja e të cilit u nda në parcela për banorët e fshatit Novaj e ku firmat duhet të merrnin leje tek banorët për tu ngjitur në mal e për ta shqyer atë. Bogova, pika turistike midis Poliçanit dhe Çorovodës duket sikur e ka humbur magjinë, për fat ajo ka pisha e ujë që gurgullon pa u lodhur, por nuk ka më ujin e saj të burimit ashtu si ishte dikur. Uji që të servir sot Bogova ka në fund të gotës, shishes apo një ene tjetër një shtresë të bardhë dheu. Banorët ulin kokën e ndihen të turpëruar për këtë. Arsyeja që uji i ftohtë i Bogovës është i turbullt e plot dhe, nuk është shiu që ka rënë me rrëmbim ditët e fundit, ndonëse ai thjeshtë e nxjerr në pah mënxyrën që i është bashkangjitur këtij vendi. Shpërthimet e minave që nuk ndalojnë kurrë për çdo ditë të javës, (ndryshon vetëm orari i hedhjes së tyre), kanë prekur shtresat prej nga buron uji. Nuk do jetë e habitshme që për shkak të tyre mali ta ndryshoj drejtimin e ujit, ose për ta fshehur thellë nën tokë, ose për ta degdisur në ndonjë cep tjetër.

Tashmë nuk është zhveshur mali vetëm mbi Novaj, zaptimi i tij vazhdon edhe mbi fshatin Sirakë. Edhe pse guroret në këtë zonë të re gërmimi janë kategorikisht të ndaluara me ligj, ky është një detaj që askush nuk e përfill. Edhe ligjvënësit vetë kur inspektojnë malin e Tomorrit, mjaftohen me ndonjë drekë në Bogovë për tu rikthyer në Tiranë. Gurët dekorativ të kësaj zone, janë kryesisht në ngjyrë gri dhe gushëpëllumbi. Rrasat e gurit janë të lehta për tu nxjerr sepse janë të vendosura në tokë, shtresa-shtresa, si një imitacion i përkryer i petëve të byrekut. Ky gur shitet me 15 euro metri katror, por kryesisht maunet që ngarkohen aty e eksportojnë atë në Greqi, Itali dhe Spanjë. Firmat e shfrytëzimit të këtij guri kanë të punësuar rreth 600 persona, por nuk mungojnë as inisiatorët privat që i ngjiten malit nën moton “u bë deti kos”. Mbi Tomorr, po shkruhet historia e turpit nën miratimin e Shtetit. Tomorri është shpallur Park Kombëtar që prej vitit 1996, gjithashtu ai është shpallur zonë e mbrojtur që prej vitit 2002, i tillë ai është në letra e në ndonjë guidë turistike nga këto që hedhim në treg për turistët e huaj si karrem për ti joshur. Disa njerëz të shtetit të sotëm si Ilir Meta apo Nasip Naço kalojnë atyre anëve për të vizituar elektoratin e tyre, shpresoj që një ditë të kuptojnë që elektoratin nuk mund ta fitosh, duke humbur Tomorrin.

Publikuar: TemA


Tags: , , , , , , , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Laguna E Karavastase Ose Kopeshti Zoologjik I Avioneve

Next Post

Para Stuhisë





You might also like

Leave a Reply


More Story

Laguna E Karavastase Ose Kopeshti Zoologjik I Avioneve

Udhëtimin për në Lagunën e Karavastasë e kisha planifikuar shumë ditë më parë, sesa ky avion i vogël, i damllakosur...

May 12, 2014