Latest

Ujëvara E Sotirës Dhe Një Histori E Pazakontë

Publications / Slider / March 22, 2017

This post also exists in English

Kur Besi, miku im më propozoi për të shkuar një të shtunë të shkurtit në Ujëvarën e Sotirës, në rrethin e Gramshit, thashë direkt po për dy arsye, e para kisha parë aq shumë foto të mrekullueshme nga ajo ujëvarë dhe e dyta, sepse isha shumë kurioze të njihesha me Gramshin të cilin në mëndjen time e kisha vendosur në mes të askundit. Morëm nja dy kontakte dhe si asnjëherë tjetër siç zakonisht na ndodh para udhëtimeve nuk bëmë asnjë telefonatë të qartë, as pë të pyetur për vështirësinë, as pë të pyetur nëse ishim në stinën e duhur dhe as për kilometrat që ndanin ujëvarën nga rruga e asfaltuar. Pyeta një ditë para se të niseshim një shok që kishte qënë disa vjet më parë i cili më tha se ishte rrugë e vështirë, po ndoshta pas aq vitesh që ai nuk kishte qënë e kishin rregulluar. Rruga e re e Gramshit në fakt ishte shumë e bukur. Pamja mahnitëse e liqenit të Banjës ku ndodhet dhe hidrocentrali të jepte një shije të mirë. Diku aty bëra telefonatën e parë me një kontakt të marr nga një mike, telefonata ishte zhgënjyese sepse kontakti më tha që kishim shkuar në stinën e gabuar, po mund të hanim ndonjë dreke dhe të ktheheshim mbrapsht.

Gramsh

Gramsh / Foto: Xh. Kuka

Rrugë shumë e gjatë për tu mjaftuar vetëm me një dreke në Gramsh, kështu që e “injoruam” këshillën e marrë. Në të dalë të Gramshit pasi navigatori nuk ishte maft i qartë se cilën kthesë të merrnim, ndaluam dhe folëm me një njeri i cili na tha se rruga ishte e keqe dhe makina jonë, një audi A3 do të ngecte nëse shkonim me të. Na këshilloi të paguanim një fuoristradë dhe ta parkonim makinën diku. Ai u mundua të na gjente një të tillë, sepse të tijën nuk e kishte për momentin, por pa rezultat. Vendosëm të iknim me makinën tonë deri ku të na çonte rruga. Kur morëm kthesën që të conte për në Sotirë, rruga e qytetëruar mbaroi, ajo që na ofrohej ishte pak a shumë një rrugë karroje. Ecëm deri sa kaluam fshatin Koshovë dhe aty pamë që nuk kishte më rrugë, sepse pas dyqind metrash baltë dhe llucë makina do të duhej të futej e gjitha në lumë. Vendosëm të ktheheshim në fshatin Koshovë ku kishim folur më parë me disa fëmijë të vegjël dhe kishim parë se në oborrin e shtëpisë së tyre kishte vend parkimi dhe për ne. Folëm me të zotët e shtepisë dhe parkuam makinën. U nisëm në këmbë me çantat e shpinës në sup, duke ndaluar nëpër fushat me livando për të bërë foto.
Peizazhet ishin te mekullueshme dhe ujërat rridhin nga të gjitha anët. Mali i Tomorrit i cili i bënte hije kodrave përreth ishte përballë nesh. Kur arritëm në fshat u ulëm në lokalin e tij të vogël dhe aty u njohëm me Florinën e cila na shërbeu kafet me një fytyrë të qeshur dhe plot mirësi. Edhe ajo na tha që kishim ardhur në stinën e gabuar, dhe shtoi se meqë kishim bërë aq rrugë duhet të shkonim patjetër. Kështu u nisëm në një terren të thyer dhe arritëm në ujëvarë. Pavarësisht se nuk kishte aq shumë ujë sa të bënte atë shkumën e bardhë, përsëri na pëlqeu shumë. Xhulia e cila e adhuron fotografinë shkrepte pa fund foto. Aty për aty vendosëm që herën tjetër të riktheheshim në maj, së bashku me të tjerë dhe të flinim një natë në çadër aty përballë ujëvarës, ku nga gjurmët e hirit dukej se edhe të tjerë e bënin ketë gjë.
Kur u rikthyem në fshat pothuaj kishe rënë nata. U përballëm me të afërmit e Florinës dhe me te vetë. Donim të pinim edhe një kafe, por frika nga errësira dhe nga ndonjë qen (Në fakt duhet ti trembeshim ndonjë ujku, por këtë e mësuam më vonë), na detyronte të iknim. Vjehrri i Florinës na tha se mund të ktheheshim deri tek makina jonë me një fuoristradë të të birit dhe ta paguanim sa mendonim që ishte e arsyeshme. Meqë problemi i makinës u zgjidh u ulëm në kafe se bashku me Florinën me të cilën folëm për traditat, ushqimin, emrin ortodoks të fshatit, ndërkohë që banorët i përkasin besimit bektashain, kushtet e jetesës, faktin që tani u kishin ulur çmimin e blerjes së livandos nga 3 mijë lekë të vjetra në 1500 dhe në fund i morëm numrin e telefonit me qëllim që kur të shkonim përsëri ajo të na gatuante një ushqim tipik të zonës të quajtur misnik. U ndamë të kënaqur dhe pjesën tjetër të rrugës me Gjergjin kunatin e saj folëm përsëri për zonën, për ujin e kulluar, dhe për rrugët që nuk ekzistonin, për fëmijët që nuk kalonin dot lumin nëse kishte reshje shiu etj. Kur zbritëm dhe morëm makinën tonë qerasëm fëmijët e vegjël me disa lekë sa për të blerë çokollata.

Ujevara e Sotires

Ujevara e Sotires / Foto: Xh. Kuka

U nisëm në një errësirë pus dhe vështirësia e pamjes u bë më e madhe, jo më larg se 1 kilometër nga fshati Koshovë, makina mori një përplasje të fortë nga poshtë dhe nuk ju deshën shumë minuta për tu fikur. Ndaluam atje ku na ndaloi makina dhe dolëm të shihnim ç’ bëhej. Rruga ishte e gjitha e spërkatur me vaj. Provuam ta linim të ftohej makinën, por ishte e kotë. Makina e cila nuk kishte bërë zë kur hymë në ato rrugë pa rrugë, kishte vendosur të mos ndizej më sepse me sa duket ne kishim çarë sotokartin (sotto carter). Kështu telefonuam Florinën dhe i kërkuam që Gjergji, kunati i saj të vinte të na tërhiqte se kishim ngecur. Pas dy minutash Gjergji na mori në telefon dhe na tha se nuk na tërhiqte dot sepse makina e tij nuk kishte mekanizmn e tërheqjes, por të qetësoheshim se ai do na gjente një zgjidhje. Na porositi të mos rrinim jashtë makine se kishte kafshë të egra dhe na tha të prisnim.
Pak minuta më vonë mori në telefon dhe na tregoi se dikush ishte nisur nga Gramshi për të na tërhequr dhe se ne do duhet ti thonim nëse na pyeste që ishim të afërm të tij. Kjo sepse jo çdo njeri mund ta bëj këtë sakrificë në orë të vona të mbremjes, pavarsisht nga shpëblimi financiar. Nuk vonoi shumë edhe pse ne na ngjante një jetë që në rrugë u shfaq një makinë. Një burrë të cilit nuk ia mësova emrin me të birin Krenarin.
Pasi vendosën kavon, u nisëm. Ecnim ngadalë, në disheza, ndalonim për të shkëputur makinat, sepse rrezikonim të përplaseshim. Ndërkohë në të njëjtën kohë babai i Krenarit telefonoi një mekanik, i cili pranoi të vinte në ofiçinë kur ne të mbërrinim. Kur arritem ne ofiçinë ishte pothuaj ora 21. Mekaniku Erdi, sapo e pa makinën tha se ishte orë e vonë dhe do duhej ta bënim të nesërmen. Kur pa që në makinë ishin dhe dy femra të cilat i kërkuan ndihmë ai pohoi se do ta shihnin njëherë dhe nëse makina mund të rregullohej nuk do ishte e nevoshme të flinim në hotel. Më pas ai telefonoi një saldator të cilin shkoi dhe e mori Krenari.Pak më vonë erdhi dhe nje zotëri që na solli vajin e makinës. Makina u rregulla pas 3 orësh punë pa ndalim. 20 minuta pas mesit të natës ne u bëmë gati për rrugë. Kishim mbetur pa fjalë nga mirësia e gjithë atyre njerëzve të cilët i thanë njëri-tjetrit se ishim miqtë e tyre, që të “detyroheshin” moralisht të na ndihmonin në atë orë të pazakontë. Në fund kishim mbetur në ofiçinë vetëm me Erdin i cili na tha se mund t’ia nisnim lekët e punës me dike tjetër ose me bankë. Ai nuk pranoi ti merrte lekët e punës së tij në atë moment sepse mendonte që ishte mesnatë dhe kur je në rrugë kurrë nuk dihet se çfarë mund të ndodh. “Ndoshta do ju duhen, një gomë, një gjë, është më mirë të keni lekë me vete”, na tha.
Ndoshta kjo ishte arsyeja pse duhet të shkonim në Sotirë në një stinë të pazakontë, nuk pamë dot ujëvarën në kapacitetin e plotë të saj, por pamë njerzillëkun!

Publikuar: Tsarizm


Tags: , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Sotira Waterfall In Albania, An Unusual Story

Next Post

I diagnostikuari me HIV: Jeta ime pasi mësova se isha i infektuar





You might also like

Leave a Reply


More Story

Sotira Waterfall In Albania, An Unusual Story

Ky postim ekziston gjithashtu në Shqip When my friend Besi, on a Saturday in February, suggested going to Sotira waterfall,...

March 22, 2017