Latest

Unë Kam Ardhur Në Politikë Për Të Vënë Drejtësi

Femra / July 27, 2014

This post also exists in English

Heronjtë nuk është e thënë që të jenë gjithmonë të pajisur me armatim të rëndë, me veshje prej çeliku apo me fuqi të mbinatyrshme! Heronjtë mund të fshihen mes njerëzve pa rënë në sy e të bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë! Të ndihmojnë njerëzimin. Pikërisht kjo më vjen në mend gjatë takimit me Evjeni Kotën, por edhe pas tij.

Evjeni Kota ka lindur në një fshat minoritar të Gjirokastrës, të quajtur Goricë në zonën e Dropullit. Ajo e mësuar mes një fisi të madh dhe grave të vjetra që nga stërgjyshja e saj, ka mbledhur në “sëndukun e këshillave”, plot nektar prej tyre që e përdor gjatë jetës sipas rrethanave të saj. Ajo sot është kryetare e degës së Tiranës, për partinë Bashkimi per të Drejtat e Njeriut dhe nënkryetare e organizatës “Omonia”. Evjenia nuk është një grua që ka zgjedhur të jetë e padukshme, ajo do që të shfaqi më të mirën e femrës tek vetja e saj. Takimi me të u bë në zyrat e PDNJ, ambiente të bollshme, jo luksoze të fryra, por plot pastërti. Kur e komplimentoj për pastërtinë ajo qesh dhe thotë, ja një nga të mirat e të qenit femër në krye të partisë dhe më tregon se disa prej bashkëpunëtorëve të saj në atë moment po merren me disa rregullime të vogla. “I vura në sedër thotë ajo, u thashë që nuk do paguajmë usta për një gozhdë, prandaj atë punë do ta bëj unë, dhe burrat tani po e mbarojnë vetë” Evjenia shprehet se gruaja është timon i shtëpisë, por ajo është si borziloku, duhet ta ujisësh që të mos vyshket. Kur thotë këtë ajo e ka fjalën për familjen e saj e cila e ka përkrahur dhe e ka bërë atë që është sot, një grua në vendim-marrje. Nuk ka qënë një luftë e lehtë, por ajo ka mësuar gjatë jetës që të guxosh është një nga hapat më të mëdhenj që mund të bëj njeriu. Në intervistën e mëposhtme Evjenia rrëfen disa nga pikëpamjet e saj mbi botën shqiptare, atmosferën politike, atë sociale dhe çështjet që e shqetësojnë më shumë.

Cila është arsyeja që u angazhuat në politikë. Çfarë mund të na thoni për sfidat tuaja personale? Kush janë përkrahësit tuaj dhe kush janë kundërshtarët, marrëdhëniet me ta?

Unë vij nga një familje e persekutuar, gjatë regjimit monist, pjesëtar të familjes time kanë qënë në burg, unë atë kohë e shoh si kundërshtar. Do të thosha që kundërshtarët e mi kanë qënë padrejtësitë nga sistemet e mëparshme. Unë kam hyrë në politikë për të vënë drejtësi, unë dua tu shërbej njerëzve, jo t’më shërbejnë ata mua. Për mua të jesh grua duhet të jesh dy herë shërbëtore, unë e konsideroj veten lokomotivë dhe dua që ti tërheq të gjitha pas vetes. Sa më shumë të guxosh, aq më shumë arrin. Dua të sjell zërin tim, sepse unë jam minoritare, unë kurrë nuk e kam mohuar origjinën time, e kam thënë atë publikisht. Unë mundohem të jap dhe të marr. Familja ime ka qënë mbështetja ime më e madhe për të hyrë në politikë. Unë kam hyrë në vitin 2005 si kandidate për deputete. Unë kam ecur në politikë duke bërë mirë. Nuk u bëra dot deputete, sepse femrat nuk i favorizon fare ky kod zgjedhor. Sa për përkrahësit e mi, unë nuk e mohoj dot që në këtë parti më kanë zgjedhur në krye të saj burrat që janë shumë më tepër në numër se ne femrat, kam kandiduar përballë burrave dhe burra të tjerë më kanë dhënë votën e tyre. Unë kam një parim në jetë, unë them të jesh grua e mirë ke notën 10-të, të dish të gatuash ke notën 100-dë, po të dish dhe të qepësh, qëndisësh ke notën 1000-ë, por po nuk qe mirënjohëse unë ta heq fare atë njishin para zeros e ajo që mbetet është një grua zero. Unë vij nga zona e Dropullit, në Dropull zakonish ligjin e bëjnë gratë, burrat janë jepu bukë e të shkojnë në punë.

Si i sheh zhvillimet politike në Shqipëri, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje kohët e fundit?

Zhvillimet politike i shoh që duan të ecin, por prapë ngecin. Pozita dhe opozita, mundohen ti ndajnë hallet, por hallet janë një, prandaj duhet gjetur gjuha e përbashkët. Për mua duhet të ndryshoj mentaliteti i partive poliktike dhe ajo që është më e rëndësishmja është gjuha e komunikimit, nëse hap televizorin dhe sheh seancë parlamentare e vetmja gjë që mëson është që nuk duhet të mësosh asgjë nga ky stil denigrues komunikimi. Vazhdon i njëjti problem, largimi nga parlamenti i opozitës, e cila e ka të freskët fare kohën kur ata që janë në pushtet i iknin nga parlamenti dhe krijonin kolaps. Unë pres që pozita të lexoj saktë standartin e jetesës së qytetarëve të vendit të tij. Kjo nuk bëhet në letra, bëhet në popull, ku socilogë duhet të dalin e të lexojnë saktë sa lekë i duhet realisht qytetarëve për një minimum jetese, që nga letra higjenike deri tek sende të tjera të vogla shumë të rëndësishme që në shumë familje nuk njihen fare. Ua thashë dhe më sipër ajo që nuk më pëlqen është që opozita doli nga parlamenti, lufta bëhet në sheshin e luftës, drejtësia gjithashtu duhet të bëjë punën e vetë, ligjet duhet të vlejnë njësoj edhe për ata që janë deputet. Zhvillimet politike i shoh që nuk mungon dëshira për të ndryshuar këtë realitet, por akoma nuk kanë gjetur mënyrën sesi ta bëjnë këtë.

Çfarë mendoni që do të ndryshoj në Shqipëri në katër vitet e ardhme, cilat janë avantazhet e Shqipërisë dhe sfidat e saj kryesore?

E para deputetët dhe partia në pushtet duhet të mbajë premtimet e dhëna. Premtimet nuk duhet të mbesin vetëm në letër, ato duhet të kujtohen, analizohen. Këtë duhet ta bëjnë vetë premtuesit, jo ti evidentoj thjeshtë opozita si premtime të pambajtura. Mendoj që një rol të madh në këtë e ka edhe media. Mediat duhet të njohin programet politike dhe duhet ti shfletojnë ato me qëllim që të kërkojnë llogari publike për fjalë që mbeten vetëm në letër, kjo do të ndihmonte shumë që abuzimi të jetë sa më i vogël. Pozita duket që e ka zënë si me vrull, por nuk besoj që do bëhet ndonjë gjë e madhe. Kur shoh një vend si Shqipëria që ka ujë, drita dhe prodhimet që vijnë nga jashtë, mua kjo gjë më tremb. Fukarallëku sjell maskarallëkun. Ja një detaj, vetëm në lagjen time numëroj 15 dyqane rrobash të përdorura, më parë nuk ishin kaq shumë, njerëzit zgjedhin këtë lloj biznesi sepse rrobat nuk prishen si produktet ushqimore. Unë mendoj që duhet ti kthejmë sytë nga prodhimi në vend, Shqipërinë duhet ta bëjnë shqiptarët, jo komshinjtë. Shqipëria ka ujë dhe drita, por nuk ka dal der më sot njeri që ti menaxhoj këto, por edhe Zoti thotë, tundu të të ndriçoj! Është e trishtueshme të kemi ujë me shumicë dhe të jemi të palarë akoma. Unë ve re që nuk raportohet realiteti. Për mua i suksesshëm është ai lider që del në popull, ai që nuk nanuritet në fjalët e bukura të atyre që i fërkojnë shpinën, sepse ata janë thjeshtë servila. Ne jemi një ballkon në Ballkan, por ne kemi rregulla absurde. Kur iki në Greqi e shoh detin plot varka e mjete të tjera lundrimi, Shqipëria e ka detin bosh. Mendoj që e mira është të heqim dorë nga burokracitë, të liberalizohet lundrimi detar. Gjithashtu jam për kolektivizimin e bujqësisë, nuk mund të ecet përpara me ngastra toke, që në fund fare sjellin dhe krime banale si vrasjet për një vijë ujë apo për një gardh.

Cfarë mendimi keni për barazinë gjinore në Shqipëri? Kundërsharët dhe përkrahësit e femrës?

Gruaja është 100 përqind vendim-marrëse brenda në shtëpi, por jashtë saj ajo është vetëm 30 përqind. Gratë tona mposhten sapo martohen, ato tjetërsohen, konsiderohen si pronë e burrit, e keqja është se ndonjëherë shumë gra e konsiderojnë realisht veten si të tillë. Në Shqipëri në përgjithësi burrat nuk e quajnë shoqe gruan e tyre, ata nuk e konsiderojnë shoqe, për ata shoqe është dikush me të cilen pijnë kafe.

Ka një çështje sociale që ju e keni më për zemër?

Po ka, janë spitalet! Nëse do ma linin mua në dorë do ta çrrënjosja komplet atë situatë. Spitalet nuk kanë banja, nuk kanë perde, nuk kanë asgjë minimale që të të ndihmoj të shërohesh në një mjedis të pastër. Bëjnë disa investime rreth e rrotull tij, por para se të rregullohen lulishtet duhet rregulluar higjena. Do punoja për të bërë doktorin njeri, sepse betimi i Hipokratit, nuk është diçka që thjeshtë duhet ta dish, duhet fillimisht ta ndjesh.

Mësova që ju po merreni si ndërmjetëse për binjakëzimin e qytetit të Aleksandropolis në Greqi dhe Minibashkisë 5-ë në Tiranë? Si ju lindi kjo ide?

Me Jeta Azizaj, kryetaren e minibashkisë 5-ë jam njohur në një projekt të OSBE, për gratë në vendim-marrje dhe e kam ruajtur miqësinë me të. Gjithmonë i kisha thënë që do doja të realizoja një projekt me të, sepse e vlerësoj si grua dhe si organizatore. Ne vijmë nga parti të ndryshme dhe në aspektin e interesesit e vetmja gjë që unë përfitoj është të bëj diçka që të mbetet. Gjatë zgjedhjeve në Greqi fola atje me miq të mitë e më thanë na sillni një projekt konkret. Ideja e këtij binjakëzimi është që të kemi interesa në fusha ekonomike, arsimore, kulturore, të kemi bashkë-punim mes dy minibashkive, punësime sezonale apo më të avancuara. Tani jemi në rrugë e sipër dhe mendoj që brenda shtatorit do ta kemi finalizuar si projekt.

Ke rrezikuar ndonjëherë në jetë dhe a i’a ka vlejtur sakrifica?

Rrezikuar… varet si e sheh gjithmonë një histori. Unë ju thashë që kam hyrë në politikë sepse dua të vë drejtësi, mua më pëlqen të bëj mirë. Një prej rasteve kur kam rrezikuar ka të bëjë me vitin 1996. Unë kam një djalë të vetëm. Një ditë ai më vjen në shtëpi dhe më thotë: “Një shoku im i klasës do të vdes nëse nuk ndërron veshkën sa më shpejt të jetë e mundur”. Një nga ditët kur shkova në shkollë, i kërkova tim biri që t’më tregonte mamanë e atij djali, quhet Gëzim. Im bir ishte në klasën e dytë bashkë me Gëzimin, ai ma tregon dhe thotë që të mos bie në sy që ma tregoi ai, sepse kështu e kam mësuar tim bir të mos e shes e të mos më shes edhe ai mua. E ftova në kafe mamanë e Gëzimit, ishte një kuksiane e veshur në mënyrë karakteristike. Nuk e pyesja dot drejtëpërdrejtë për hallin e saj ndaj fillova ti qaj hallin tim. Gruaja u thye e filloj të qaj, më rrëfeu sëmundjen e të birit dhe faktin që ai nuk kishte shpresa për jetën. U ndava nga gruaja pa i premtuar asgjë. Kur ika në Athinë me tim bir për kurimin e një sëmundjeje, ai vetë i kërkoi mjekut ti shëronte shokun e tij, duke i treguar dhe insistuar për sëmundjen. Pastaj une i dhashë detaje nga çfarë sëmundje vuante Gëzimi. Mjeku i premtoi tim biri se do bënte çmos ta ndihmonte edhe pse sëmundja e Gëzimit nuk i përkiste fushës së tij. Im biri ishte I lumtur, kërcente nëpër korridor se I dukej që kishte arritur diçka të madhe. Herën tjetër që shkuam unë sipas porosisë së mjekut i çova një epikrizë dhe në të njëjtën kohë i kërkova mamasë së djalit ti nxirrnin pashaportë. Jo shumë muaj më vonë, mjeku telefonoi nga Athina dhe thotë që atje një fëmijë tjetër 12 vjeçar kishte vdekur dhe e ema do i dhuronte gjithë organet e tij për fëmijë të tjerë. Bashkë me mësuesen e djalit kemi bredhur nëpër Kamëz derisa e gjetëm shtëpinë e tij. Mamaja nuk kishte arritur ta bindte të shoqin ti nxirrte pasaportë djalit, kështu që ky, qe hall më vete. Nuk kishte mundësi nxjerrje pasaporte dhe marrje vize, sepse operacioni duhet të bëhej brenda 48 orësh. Atëherë vendosa të bëj një çmënduri. Të hiqja nga pasaporta ime (pasaporta ime greke qe e kisha perfituar si minoritare) foton e tim biri dhe të vija të Gëzimit. Kemi udhëtuar drejtë Kakavijës me autobus të dyja familjet , unë me tim shoq që nuk më fliste me gojë sepse I dukej shumë e rrezikshme ajo që kisha ndërmarrë. Në Kakavijë një miku im më tha se kjo ishte jashtë mëndjes e nëse më kapnin do më akuzonin për trafik ndërkombëtar fëmijësh. Kur mbërrita në Athinë mjeku kishte dal të më priste. U pezmatua që isha vetëm unë me djalin, sepse gruaja që do dhuronte organet e të birit donte të njihte prindërit e fëmijës që do merrte veshkën e të birit. I thamë të vërtetën asaj gruaje e cila kishte varrosur një ditë më parë të shoqin që i kishte vdekur në aksident bashkë me djalin dhe priste mbërritjen e Gëzimit që të varroste edhe të birin. Mjekët më thanë që operacioni kishte mundësi edhe të mos dilte me sukses, fëmija mund të vdiste gjatë transplantit. Nuk e dhashë veten, por mendoja që nëse kjo do ndodhte, do ikja të hidhesha nga maja e Akropolit se nuk kisha më asnjë mundësi tjetër. Desh Zoti operacioni doli me sukses dhe për një javë unë ndenja në familjet e mjekëve me gratë e tyre që kujdeseshin për mua, ndonëse në Athinë kisha mamanë, motrën e plot të afërm të tjerë të cilëve nuk u telefonova se nuk u shpjegoja dot çfarë kisha bërë. Pas një jave u kthyem në Shqipëri. Menjëherë kërkova një ambulancë për Gëzimin. Ai sot është për bukuri dhe ka emigruar me gjithë familjen në Angli, ndërkohë që gruaja greke, një vit pas vdekjes së të birit ia dhuroi Gëzimit gjithë pasurinë e caktuar për djalin që i vdiq. Ajo sot hyn dhe del në familjen e Gëzimit dhe nuk i ka kërkuar kurrë që ai të pagëzohet për të respektuar fenë ortodokse. Ky ka qënë një prej rasteve kur kam rrezikuar, por them që i’a ka vlejtur ai lloj rezultati.

Sipas jush kush janë pikat kryesore të mjedisit?

Unë e shoh thjeshtë. Po e nis nga mjedisi i parë që ne harxhojmë kohë, shtëpia. Pastërtia e një shtëpie është e dukshme sapo kalon portën e hyn brenda, pastërtia e shkallës tregon shtetin. Unë mendoj se duhet të ketë sanksione për makinat e vjetra që ndotin mjedisin, po ashtu duhet të ketë ligje të rrepta për plehërat. Për të dyja rastet duhet të funksionoj sistemi i gjobave. Gjoba duhet të jetë sistem ndërgjegjësimi, jo dënimi! Ne kemi shumë pasuri natyrore, kemi male, liqene, dete, lumenj, bukuri të pashoqe, shteti duhet të investoj në këtë aspekt, duhet të çoj rrugë kudo, kosha plehrash, fushata vullnetare për të ruajtur mjedise të tilla.

Kush janë gratë dhe burrat që të kanë frymëzuar më shumë në karrierën tënde?

Gruaja e parë që më ka frymëzuar ka qënë Madeleine Albright. Kur kam lexuar librin e jetës së saj, kam gjetur ngjashmëri me veten, sepse edhe ajo ishte nga një familje emigrante çeke që shkoi në Amerikë. Ajo që arriti në jetë ishte meritë e punës së saj, ndaj e kam shumë përzemër. Ndërsa përsa i takon burrave nuk kam asnjë idhull. Unë në fakt do doja që burrat të ngjanin me Merkel persa i përket vendosmërisë. Burrat e mirë duhet ta shfaqin veten nëse janë burra të mirë, kanë gjithmonë kohë për të sjell shembullin pozitiv. Është një shprehje që thotë se një burrë i suksesshëm ka pas një grua të zgjuar, por unë jam e bindur që ajo nuk është gruaja e tij. Në shumicën e rasteve që njoh, fjalimin e një burri e shkruan një grua, prandaj i shoh burrat si hipokritë. Kam shpresë që një ditë do mblidhen gratë në politikë, sepse janë më të mira me njëra-tjetrën. Unë nuk preferoj një grua që të dal e të iki nga fustani i saj, gruaja nuk duhet të harroj që të jetë në radhë të parë femër. Ndërsa për burrat në përgjithësi mund të them që janë bashkëpunues, unë nuk e harroj që për të qënë këtu ku jam më dhanë dorën ca burra, unë jam mirënjohëse, përndryshe do të isha një (paloburrë).

OSCE Logo
Fuqizimi i Grave Ne Politike


Tags: , , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Women Must Compete With Formation, Not With Quotas

Next Post

I Am In Politics To Do Justice





You might also like

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

Women Must Compete With Formation, Not With Quotas

Ky postim ekziston gjithashtu në Vesionin Shqip Majlinda Bufi was elected as a parliamentarian from the candidates’ lists...

July 27, 2014