Aishe Pojani mban mbi supe një krim të rëndë, pesha e të cilit ngjan sikur rëndon edhe më shumë mbi këmbën e saj të djathtë, me të cilën ajo çalon dhe e përforcon ecjen e saj me një bastun metali. Aishe Pojani ka vrarë të shoqin e saj të dhunshëm dhe xheloz pas qindra herëve që kishte duruar mbi kurriz dhunën e tij, fyerjet dhe epitetet si e përdalë. Gruaja nga fshati Baldushk i dha fund jetës së bashkëshortit të saj, Hasan Pojani, dhe kufomën e varrosi me duart e saj në tokë. Mirëpo as toka nuk i mbulon dot pendesat, zhgënjimin, trishtimin dhe faktin se në duart e saj ndiente aromën e gjakut të burrit me të cilin pati lindur 7 fëmijë, ku më e vogla ishte 8 vjeçe natën që ndodhi krimi. Aishes nuk i kishte ardhur në majë të hundës vetëm i shoqi, por edhe jeta e saj, të cilën e kishte jetuar në terr, poshtë çatisë mjerane të shtëpisë së saj. Aishja ishte pre e dhunës njësoj si shumë gra, shumë herë më të shkolluara se Aishja, të cilave u regjët lëkura nga dhuna në familje dhe nuk arrijnë të kuptojnë sesi janë transformuar nga femra të lira në robinja. Nëna e 7 fëmijëve sot jeton e lirë. Ajo bashkë me lirinë ka fituar edhe disa kile të tepërta që e pengojnë edhe më shumë. Nuk punon. Edhe pse ka bërë një kurs rrobaqepësie në burg, ajo nuk ka punuar kurrë që pas daljes prej tij. Ankohet se nuk është në gjendje të rrijë para një makine qepëse (të cilën e ka mësuar në burg nëpërmjet një kursi profesional) dhe thotë se është e pamundur fizikisht për të punuar.
Pas burgut
Kur Aishe Pojani iu rikthye lirisë 2 vjet më parë, prej jetës së saj të vjetër nuk pati mbetur më asgjë. Pesë nga shtatë fëmijët e saj, të cilët e kishin braktisur fshatin pothuaj një vit pasi Aishja kishte filluar kryerjen e dënimit, ishin transferuar diku pranë Misto Mames. Pas ngjarjes së rëndë kishte qenë e pamundur jeta e tyre në fshat, ku të gjithë flisnin pas shpine se ata ishin fëmijët e gruas që vrau burrin, ose si fëmijët që kishin vrarë dhe varrosur të atin. Ata kishin tentuar t’i iknin jetës së vjetër për të varrosur në zemrat e tyre dhimbjen e madhe të një historie tragjike. Për asnjë moment nuk i shkëputën marrëdhëniet me nënën e tyre, me gjithë krimin makabër që rëndonte mbi të. Ndoshta, të regjur me atë lloj dhune, disa prej tyre kishin gjetur një mijë arsye për të falur nënën e tyre, dhe vajza që kishte marrë pjesë në varrosjen e të atit kishte gjetur edhe ajo arsye për të qenë së paku në dukje në paqe me veten.
Tani që Aishja ka dalë nga burgu, mban kontakte vetëm me disa gra që si ajo kryenin dënimin me burg. Nuk ka më asnjë lidhje me familjarët e saj. Nuk ka lidhje as me familjen e ish-burrit, ndërkohë që fëmijët i ruajnë shumë të forta lidhjet me xhaxhallarët. Aishe Pojani nuk ka më vëllezër, as motra. Jo se ata vdiqën apo u ndodhi diçka tjetër. Ata e braktisën atë kur ajo përfundoi në qeli. Por e vërteta është se ata e kishin braktisur shumë kohë më parë. E kishin tradhtuar kur ajo shkoi në shtëpi në fshatin Zallherrë dhe u kërkoi ndihmë që të ndahej me bashkëshortin. Vëllezërit ia kthyen se ajo mund të shkonte të jetonte në shtëpi, por pa fëmijët, se nuk e ndihmonin dot. Aishja nuk donte t’i braktiste fëmijët. Me mendjen e saj të painformuar shpresonte se mund të ekzistonte një mënyrë që të ndahej nga i shoqi dhe të arrinte t’i merrte gjysmën e fëmijëve me vete.
Pas refuzimit të vëllezërve ajo u ndje e pashpresë. Pas asaj bisede piu fostoksinë në shtëpinë e të vëllait me dëshirën që, duke mbyllur sytë, do shpëtonte nga hallet e saj. Përfundoi në Spitalin Ushtarak, ku qëndroi 17 ditë në gjendje kome. Kur u rikthye në jetë, familjarët e saj dolën garant se do kujdeseshin për të që të mos ishte më pre e dhunës. Edhe ish-bashkëshorti nënshkroi një deklaratë ku premtonte se do të sillej mirë dhe nuk do të ishte më i dhunshëm, por premtimi i tij fluturoi sapo Aishja u rikthye në shtëpi. I shoqi, i cili kishte disa pistoleta të përfituara pas shpërthimeve të depove të armëve, ushtronte mbi të dhe fëmijët forcën e tij të dhunshme.
Aishja nuk shkonte kurrë për vizitë tek familja ku ishte martuar e bija për t’i shpëtuar persekutimeve të xhelozisë së tij, të cilat hidhnin hije dyshimi mbi çdo mashkull. Ajo e kalonte jetën mes punëve të shtëpisë, hapjes së tokave të reja (gjithsej dy dynymë), të cilat sot u janë rikthyer përsëri natyrës së egër. Aishes i kujtohet mirë ajo natë kur bashkëshorti e ngriti dorën për herë të fundit mbi të. Ajo, e mbushur me hidhërim, me zhgënjim e me vuajtje, ndoshta kishte artikuluar në mendjen e saj një përgjigje të së njëjtës natyrë. Ajo e goditi Hasan Pojanin me një nga urat e zjarrit pas koke. Ai vdiq, ndoshta i habitur që gruaja e tij po bënte me të atë që ai kishte bërë gjithë jetën bashkëshortore: ushtrimin e dhunës.
Aishe Pojani e varrosi të shoqin, e ndihmuar nga vajza e tyre 11 vjeçare. Pasi groposi kufomën, ajo hapi fjalë në fshat se ai kishte ikur në Greqi dhe, pas shumë vitesh sherre e dhune, për herë të parë u mundua të flinte së bashku me fëmijët më në fund në paqe, në jetën e tyre të varfër, të cilës i mungonin të bërtiturat dhe dhuna e bashkëshortit. Por nuk fjeti dot asnjë natë. Nuk u afrua kurrë në tokën ku e varrosi Hasaninin, as për të parë nëse ajo që kishte bërë ishte e vërtetë, as për të parë nëse dikush e kishte diktuar varrin. Në të vërtetë, ajo nuk fjeti më për asnjë çast. As e bija e saj 11 vjeçare. Një muaj më pas, Aishe Pojani shkoi në polici dhe raportoi krimin që kishte kryer, krim për të cilin u dënua me 11 vjet.
Fëmijët
Fëmijët, të mbetur pa prindër sa hap e mbyll sytë, u bënë prindër të njëri-tjetrit. Ata u munduan të rriteshin së bashku dhe u larguan nga Baldushku, me të cilin i lidhnin vetëm kujtime të këqija. Vajza që dikur ishte 11 vjeçe sot është e martuar. Ajo shprehet se mënyra e vetme për të mos ndjerë persekutimin është të mos u tregojë të tjerëve të vërtetën. Në punën e mëparshme si rrobaqepëse, femrat e tjera filluan t’i largoheshin kur morën vesh të vërtetën. Ato thoshin se, kur ajo kishte vrarë babain e vet, nuk kishte si t’i donte ato. E gjendur në këtë presion, M. Pojani e la punën. U largua në një punë tjetër dhe nuk foli më kurrë për jetën e saj. Mbajti të mbyllura brenda zemrës makthet, tronditjet mendore, ëndrrat e këqija ku i shfaqej babai i gjallë. Ajo tregon se kur e sheh në ëndërr, i lutet që ta marrë me vete se e ka marrë malli, por ai i përgjigjet se ajo ka shumë për të jetuar.
Ankthi nuk iu nda derisa u martua dhe lindi fëmijën e saj. Me sytë mbi beben, ajo thotë se fëmija i saj nuk do ketë kurrë një fëmijëri si e saja. Shtëpia ku jeton është e lagësht dhe e ftohtë. Lagështira ka pushtuar të gjithë muret dhe të ftohtit të akullon mendjen. Shtëpinë e kanë me qira dhe e ngrohin me një rezistencë krejtësisht të pamjaftueshme. Fëmija i saj, i ftohur, merr frymë me vështirësi. Aishja jeton sot sa tek njëra vajzë aq edhe tek tjetra. Ka ende dy fëmijë të pamartuar, njëra prej të cilave ndjek studimet e larta për gjuhë të huaja. Ajo është ndihmuar nga një shoqatë kristiane dhe jeta e saj ka marrë një drejtim tërësisht tjetër nga ai i motrave dhe vëllezërve, të cilët më së shumti kanë mbaruar vetëm shkollën 9-vjeçare.
Fëmijët nuk i kanë humbur raportet me xhaxhallarët, të cilët nuk i braktisën pas krimit në familje. Ata humbën krejtësisht marrëdhëniet me vëllezërit e nënës së tyre, të cilët nuk u bënë kurrë të gjallë për t’u kujdesur për fëmijët e motrës. Në Baldushk nuk do të rikthehet më askush, njësoj sikur të kishin mbyllur një kapitull të jetës. Aishja shprehet se nuk flet me të njohurit e rinj për të shkuarën, sepse kjo gjë do t’i sillte vetëm probleme. Familja e saj, e shpërndarë në qytetin e zhurmshëm të Tiranës, merr frymë më lirshëm pa qenë e detyruar të japë shpjegime për ato që kanë ndodhur.
Të rehabilitohesh pas burgut
Aishja nuk është femra e vetme që i ka mbyllur marrëdhëniet me të shkuarën. Nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve mësojmë se të gjitha ish-të burgosurat, pasi dalin nga burgu, transferohen në qytete të tjera për të mos ndjerë mbi shpinë persekutimin e të njohurve të tyre. Një pjesë tjetër largohen jashtë Shqipërisë. Në burgun 325 aktualisht kryejnë dënimin 58 gra. Mosha e tyre mesatare është 45 vjeç (mosha më e ulët është 22 vjeç dhe më e larta 62 vjeç). Veprat për të cilat ato janë dënuar janë kryesisht “Vjedhje me armë”, “Vrasje me paramendim”, “Vrasje në kushtet e tronditjes psikike”, “Armëmbajtje pa leje”, “Trafikim të lëndëve narkotike”, “Mashtrim”, “Shfrytëzim prostitucioni me të mitura dhe të rritura”.
Organizatat
Disa organizata që punojnë me këtë kategori njerëzish u kanë ardhur në ndihmë. Shoqëria Kristiane e të Burgosurve të Shqipërisë i ka mbështetur me pagesat e qirave të shtëpive për disa nga gratë me pamundësi ekonomike (4 raste) dhe kanë filluar një punë të caktuar si sanitare apo kasierë në supermarket. Një grua tjetër ka filluar punë si menaxhere në një qendër biznesi. Ajo është dënuar më parë (me arsim të lartë dhe njohëse të dy gjuhëve të huaja) për trafikim të lëndëve narkotike. Informacioni mbi të shkuarën e saj zotërohet vetëm nga pronari i kompanisë dhe është i panjohur për vartësit, pasi kjo do t’i krijonte shumë probleme dhe paragjykime.
Alma Kordoni e shoqatës “Merida Albania” shprehet se me anë të shoqatës së tyre ato kanë arritur të punësojnë 6 gra dhe vajza pas daljes nga IEVP-të, si edhe mbështetje për pagën minimale për 6 muaj pranë një biznesi me shtrirje në Tiranë, Durrës dhe Korçë. Profili i punës së tyre është në shërbime si shitëse, sanitare, call center. Mosha e tyre varion nga 20–37 vjeç. 20 gra dhe vajza janë trajtuar nëpërmjet planifikimit, ndjekjes dhe monitorimit të procesit të ri-integrimit pas daljes nga institucioni. 96 gra dhe vajza nga sektorët e paraburgimit dhe burgimit janë informuar mbi tematikat e orientimit të karrierës dhe formimit profesional.
Gjatë kohës së burgut gratë angazhohen në aktivitete formuese (kurse profesionale formale) si qëndistari, recepsion, kujdestari fëmijësh, anglisht, rrobaqepësi, asistencë sociale. Në përfundim certifikohen për profesionin, i cili u shërben për të filluar një punë në jetën e lirë. Pasi dalin nga burgu, ato në raste të pakta mund të rikthehen përsëri në të. Numërohen vetëm tre raste. Ato kanë qenë të dënuara për veprën penale të vjedhjes.
Ambientimi i tyre në jetën e lirë nuk është i lehtë. Blerta Daci nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shprehet se institucioni nuk ka informacion për të gjitha rastet e grave pas daljes nga burgu, veçanërisht pak informacion ka për gratë dhe vajzat që vijnë nga zonat e largëta suburbane dhe që kanë probleme ekonomike e sociale.
Aktualisht Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është duke vlerësuar mundësinë e bashkëpunimit me një organizatë joqeveritare për të zbatuar një projekt për gratë dhe vajzat në konflikt me ligjin, që synon identifikimin dhe koordinimin e rrjeteve mbështetëse për këtë kategori pas lirimit të tyre nga institucionet penitenciare. Shoqëria shqiptare nuk është ende e gatshme t’i pranojë në gjirin e saj personat që e kanë kryer një herë dënimin për veprat që kanë kryer. Aq i rëndë është ky paragjykim, sa nuk mungojnë edhe rastet kur gratë që nuk ia kanë dalë dot, në dy raste, kanë gjetur si mënyrë shpëtimi t’i japin fund jetës.
