Lekë Dukagjini nuk ka vdekur. Ai la pas kanunin e tij i cili nuk u fashit kurrë. Me kalimin e viteve ai u transformua, u përdhos, u keqinterpretua dhe vetëm sa shtoi numrin e viktimave të pafajshme, herë burra, herë djem të rinj dhe jashtë çdo rregulli edhe gra dhe fëmijë. Kanuni është njësoj si një kullë me frëngji të larta dhe me kanata dritaresh të mbyllura, ku drita e diellit hyn vetëm nëpërmjet ndonjë plase. Ai thjesht është zhvendosur nga kullat, për të gjetur strehë në shtëpitë prej betoni të të zotit të hallit ose në shtëpitë ku gjaksit jetojnë me qira.
Nënë Dila, 74 vjeçare, mban mbi supe fatin e zi të familjes së saj. I biri ka vrarë kur ishte 17 vjeç. Prej asaj kohe dhe sot kanë kaluar 25 vite. Kanë rrjedhur ujëra, kanë ndryshuar stinët, por hasmëria nuk ka mbaruar.
Fillesa
Në vitin 1991, në një fshat të Tropojës, i biri i Dilës, 17-vjeçari P.N., luante me letra me një shok të tij, komshi në të njëjtën lagje. Si shpërblim të lojës tjetri i jep një 10 lekësh të mbetur nga sistemi socialist dhe të zhvleftësuar nga hyrja e lekut të ri. Në ditët që pasuan djemtë e vazhduan lojën dhe, në momentin që i erdhi radha për të fituar P.N., ai i ktheu shokut të tij 10 lekëshin që ai i kishte dhënë dy ditë më parë. Aty nisi sherri absurd për atë shumë lekësh që nuk vlente më. Sherr i cili degjeneroi në grushta dhe shtrembërim të nofullës së 17-vjeçarit, i cili u rrah barbarisht prej shokut të lojës dhe kushëririt të tij.
Me nofull të shtrembëruar dhe me të gërvishtura gjithandej, djali u kthye në shtëpi dhe kaloi dy javë i mbyllur. Pas dy javësh, kur doli, u kërcënua përsëri nga 18-vjeçari dhe u qëllua. Thirrjes së familjarëve të tij për pushimin e grindjes nuk iu përgjigj asnjëri prej djemve. I ndjerë nën kërcënimin e tjetrit, ai në një prej ditëve mori për vetëmbrojtje një thikë të vogël (biçak) me vete.
Sherri nisi sapo u përballën përsëri. “Për të zezën e tij dhe për fatin e keq të tjetrit, gjatë sherrit im bir qëlloi mbi të, jo kurrë për ta vrarë, vetëm për ta trembur – tregon nënë Dila, – por biçaku përfundoi drejt e në zemrën e tij.”
Im bir e la aty në mes të lokalit dhe i gjakosur, pa e ditur se tjetri kishte vdekur, u kthye në shtëpi. Më tregoi se çfarë kishte bërë. “Nuk dija ç’të bëja,” thotë ajo. “Na u përmbys jeta.” Kushërinjtë tanë ishin të gatshëm që ta çonin tim bir jashtë kufijve, por ai nuk pranoi. Për të kaluar rrezikun e parë të ndonjë hakmarrjeje të mundshme, ai iku te motra e tim shoqi, tregon ajo.
Kërkesa për falje
Burri i Dilës u lajmërua nga forcat e rendit për çfarë kishte ndodhur. “Kur policia mbërriti në shtëpi, unë i tregova të vërtetën,” – tregon Dila. “U thashë të mos e kërkonin, se nuk e kisha fshehur tim bir asgjëkund dhe u tregova se ku ishte strehuar. U habitën që u thashë të vërtetën, por nuk kisha si mos t’u tregoja.”
Pas arrestimit, djali i saj ndenji 7 muaj pa u gjykuar në dhomat e izolimit të komisariatit të Tropojës. “Atje u rrah dhe u masakrua shumë keq,” – tregon Dila, e cila kujton faktin që pas dhunës së ushtruar të birit iu shfaq sëmundja e epilepsisë. “E masakronin policët sepse mendonin se ai po luante lojën. Iu mpiks gjaku në tru dhe mendja e tij e humbi kthjelltësinë një herë e përgjithmonë.
Nga 17 vite që u dënua në fillim, për shkak të epilepsisë atij iu ul dënimi në 5 vite.
Ndërkohë, në familjen e Dilës, burri i saj dhe djali tjetër (i madhi) u larguan drejt një qyteti bregdetar brenda javës. Paralelisht, tre herë i shoqi i Dilës i çoi fjalë familjes së të vrarit për ta pushuar çështjen. Nuk mori kurrë përgjigje.
Kur gratë mbetën vetëm në shtëpi, çdo dritare mbeti pa xhama. Qëllonin natën me gurë fëmijë të futur nga familja e të vrarit. “Rrija me sëpatën te koka,” – tregon Dila.
Rreth një muaj më pas, gratë e mbetura në shtëpi – Dila, tre vajzat dhe nusja e djalit të madh – mblodhën gjithë rrobat, divanët, dollapet dhe ngarkuan një kamion për t’u larguar nga fshati njëherë e përgjithmonë. “E bëmë për të respektuar familjen e të vrarit. I kishim shumë pranë, u larguam për të respektuar dhimbjen e tyre,” – tregon ajo.
Kur kamioni ishte në ecje, çdo gjë në rimorkion e tij mori flakë pasi na hodhën lëndë djegëse. Zbritëm të gjitha nga kabina ndërsa kamionin dhe gjithçka që kishim e pamë të digjej para syve tanë. Përfunduam në Lezhë pa asnjë rrobë për t’u ndërruar”, – tregon Dila. Jeta pas kësaj ishte një vuajtje e vazhdueshme ku hakmarrja hyri në mes. I biri kaloi 5 vite në burg, por kur doli prej andej nuk ishte më i njëjti. E shkatërroi vdekja e të atit, i cili u varros pa e parë kurrë. Kur doli, mendjen nuk e kishte më të kthjellët; sëmundja e epilepsisë u shoqërua edhe me agresivitet.
Dila tregon duart e saj të holla që kanë një dridhje të lehtë dhe thotë se së bashku me të birin tjetër e kanë lidhur në krevat nga frika se mund t’i qëllonte të gjithë, derisa erdhi ambulanca dhe pas vizitës e shtruan në spitalin psikiatrik.
Gjakmarrja e munguar
Kanë kaluar 25 vite që nga vrasja, por Dila thotë se gjaku nuk u është falur. Mamaja e të vrarit në atë kohë u betua mbi varrin e tij se do t’ia merrte hakun. Por vëllai i tij, i cili ka tre djem tani, nuk ndërmori asnjë veprim.
“I vetmi rast,” – tregon Dila, – “ka ndodhur në Shëngjin, ku një djalë i panjohur, i paguar nga kushërinjtë e të vrarit, ndoqi për të vrarë vëllain e P.N.-së. Im bir i kuptoi dhe kërkoi ndihmë në një shtëpi të panjohur. Aty gjeti vetëm nusen dhe një djalë të vogël në djep. Ajo lajmëroi familjarët dhe i vëllai i P.N. nuk u godit.”
“Janë kushërinjtë e të vrarit që jetojnë jashtë dhe kanë lekë, të gatshëm të paguajnë për të larë gjakun,” – thotë ajo. Një arsye tjetër pse gjaku nuk është falur janë edhe nxitësit e gjakut. “Na kanë treguar se sa herë që familja e të vrarit ka pasur një sherr, pala tjetër u ka thënë: ‘Ju nuk merrni dot gjakun e djalit tuaj dhe doni të hakmerreni ndaj nesh.’ Po kështu, shumë njerëz i pyesin edhe në kohë të qeta se çfarë do bëjnë për gjakun e derdhur,” – rrëfen Dila.
Djali tjetër i Dilës sot është polic. “Atë e mbron arma,” – thotë Dila, – “por frikën të keqes e ka.” I biri ka një djalë 18 vjeç të cilin e ka çuar në Gjermani për ta mbajtur larg ndonjë hakmarrjeje të mundshme. Dila jeton në një shtëpi me qira së bashku me të birin P.N. Ajo merr një pension prej 14 mijë lekësh, ndërsa i biri merr asistencë mjekësore 9 mijë lekë. Me këto lek Dila paguan qiranë prej 10 mijë lekësh dhe me të tjerat ushqehen. Ajo tregon se jeta e saj ka qenë një vuajtje e madhe pas gabimit fatal të të birit. Pyetjes se, nëse një ditë familja e të vrarit do të hakmerrej dhe a do donte ajo ta vazhdonte gjakmarrjen, ajo përgjigjet: “Kurrë nuk do ta vazhdoja. Nuk do doja t’i bëja askujt diçka që nuk dua të më ndodhë mua. I forti dhe trimi fal.”
Pjetër Gjoka, zëvendëskryetar i përgjithshëm i Misionit të Pajtimit Mbarëkombëtar dhe kryetar i degës së Lezhës, thotë se gjakmarrja në rang kombëtar është një shqetësim. Ai shpjegon se:
— Familjet e ngujuara në rang kombëtar janë 9 330 nga 12 008 që ishin në vitin 2013.
— Janë 430 fëmijë të ngujuar në rang kombëtar, të cilët nuk ndjekin shkollën ose e ndjekin pjesërisht.
Shkaqet kryesore të ngujimeve janë:
- Për probleme pronësie toke në fshat: 22%
- Për pronësinë e tokës në qytet: 14%
- Për vrasje: 13%
- Për çështje nderi: 15%
- Për trafik femrash: 20%
- Të trashëguara nga e shkuara: 5%
- Të çastit: 8%
- Të tjera: 3%
