Në orët e vona, ti je rruga që kam humbur,
je pendesë, zemërim dhe distancë.
Në netët me hënë,
ti je dielli i fshehur që ndriçon fytyrën e saj,
ku reflektohem unë.
Nuk je uji i qetë i një liqeni të fjetur,
as degë luleje e këputur në mal,
por je gjithmonë një melodi,
herë-herë je një këngë sirene
që vjen si një mallkim në veshët e mi.
Kë nuk e zuri e keqja nga magjepsja?
Të kujtohet ajo kohë kur ishim për një ditë Odise
dhe mbërritëm në Itakë,
aq pak sa për tu larë në ato ujëra
dhe për të shijuar kripën e detit mbi buzë?
Mbi lëkurë çdonjëri nga ne ka sekrete të shkruara,
që dikush rreket ti deshifroj.
Ah jeta, si një hieroglif egjyptian,
mbi varrin e një faraoni…
Tags: det, faraon, hieroglif, mallkim, melodi, sirenë