Latest

Shqipëria Do Bëhet Kur Kryeministre Të Jetë Një Grua

Femra / July 25, 2014

This post also exists in English

Ajo punon si infermiere në spitalin e Lezhës, ka punuar aty prej vitesh, është mësuar të rrijë edhe pa punë kur për shkak të ardhjes në pushtet të një force me bindje të ndryshme nga të sajat i kanë treguar derën. Pa motiv! Thjeshtë sepse nuk i përkojnë idetë me të pushtetshmit e radhës. Pikërisht këtë e ka merak dhe e shfaq që në fillimet e intervistës, kur thotë se ky vend do bëhet kur profesionistët të mos hiqen nga puna, sepse Shqipërisë i duhen njerëzit e zotë pavarësisht se me cilën parti është zemra e tyre. Dava Rusta është një grua e fortë dhe e drejtpërdrejtë, ajo thotë se të qënit e tillë i ka hapur punë jo rrallë herë, por ajo nuk ndryshon dot, jo se nuk di, por nuk do të tjetërsohet. Shumë njerëz e vlerësojnë lirinë, sidomos ata që nuk e kanë atë, por Dava Rusta e vlerëson lirinë e saj me të cilën jeton çdo ditë duke ecur përpara. Në intervistën e saj ajo nuk ngurron të flas për shumë të vërteta, nga ato që të bëjnë të mendosh gjatë, sepse ajo nuk flet në ajër si shumica e politikanëve që duken në popull gjatë fushatave zgjedhore, ajo e prek popullin çdo ditë. “Nëse do bësh një shëtitje me mua në qytetin e Lezhës, edhe pse për ta përshkuar duhen vetem 5 minuta, nuk do na mjaftojnë dy orë”, rrëfen ajo.

Si u ingranuat në politikë? Çfarë sfidash keni kaluar, kush kanë qënë përkrahësit dhe cilët kanë qënë kundërshtarët?

Unë jam ingranuar në politikë pa e ditur që isha ingranuar. E kam pasur përzemër Partinë Socialiste dhe do ta kem gjithmonë. Fillimisht angazhohesha nëpër fushata, në komisione, derisa në 2005 u bëra kryetare organizate. Më vonë jam bërë kryetare e gruas për bashkinë Lezhë dhe më vonë sekretare e partisë për qytetin. Në 2011 jam zgjedhur si anëtare e këshillit bashkiak, ndërsa në vitin 2012 jam zgjedhur anëtare e asamblesë kombëtare të PS, aktualisht vazhdoj si këshilltare në bashkinë Lezhë, por jo më me partinë Socialiste, por me LSI. Arsyet që kam bërë një zgjedhje të tillë kushdo mund ti gjykoj si jo të drejta, por për të marrë këtë vendim nuk ka qënë një zgjedhje e lehtë, sepse unë jam socialiste, jo vetëm unë, por gjithë familja ime, deri aty sa bëjmë shaka e themi që po ti bëhen analizat e AND maceve tona edhe ato do ta kenë një damar socialist. Erdha në këtë përfundim sepse nuk mu duk e drejtë sesi veproi kryetari i partisë time Edi Rama me përzgjedhjen e kandidatëve në këtë qytet.
Në një bisedë sy më sy i kam thënë Edi Ramës se nuk mund të importosh kandidatë, sepse Lezha ka djemtë e saj, njerëz që kanë dhënë për të. Dhe sesi shkuan ato zgjedhje për Partinë Socialiste ju të gjithë e dini. Lezha i ka dhënë gjithmonë përgjigjen e duhur çdo partie. Unë jam pak fanatike në politikë.
Unë e dua shumë PS, dua që në të, të futen vetëm njerëzit e pastër, jo ata me viruse. Nuk dua njerëz që vijnë në kohën e vjeljes së frutave, vlerësoj ata që kanë qënë aty që nga mbjellja e bimës, tek ujitja, prashitja e pastaj korrja. Unë jam shumë realiste, kjo në politikë të hap punë, por nuk dua të bëj ndryshe jo se nuk di, unë di të bëj lojë me të tjerët, por nuk e bëj se në fund rezultati është që kam bërë lojë me veten. Ndoshta klima politike shqiptare ende nuk është e favorshme, por kam bindjen që Shqipëria do bëhet kur kryeministre të jetë një grua.

Si e shihni gjendjen e mjedisit në Shqipëri, çfarë duhet të ndryshojë?

Nëse do ta nis nga Lezha nuk do them që gjendja e mjedisit është në nivel mesatar, por ka shumë përmirësime, sepse në Lezhë është aplikuar një projekt pilot që ka ndryshuar shumë gjëra si në mentalitet ashtu edhe në paraqitjen e jashtme. Në Shqipëri ajo që na mungon është që nuk kemi një plan afatgjatë për mjedisin, një plan që pavarsisht cila forcë politike të vijë, të vazhdoj atje ku e la parardhësi, ndërsa deri më sot veprohet në mënyrë shkatërruese, unë prish atë që ka ndërtuar ai para meje sepse prona është e lidhur me ish pushtetarët. Ajo që më shqetëson më shumë është që ne po i shesim pasuritë tona.
Marr shembull kalanë e Lezhës, nëse do të kishte një investim me të ardhurat e saj do të mund të jetonte gjithë qyteti i Lezhës. Kemi qytete të pabukura. Para disa kohësh isha në Hollandë, mjafton ta shohësh nga avioni e ti e di mbi çfarë vendesh po fluturon, i njeh nga stili, nga arkitektura, gjë që në Shqipëri nuk e kemi fare. Edhe për mjedisin që ai të na shqetësoj të gjithëve na duhet pak patriotizëm. Ne kemi ende nevojë të mësojmë si të jemi atdhetarë në këtë drejtim. Na duhet të mësojmë si të ruajmë mjedisin tonë, e të mos ia japim të parit që paguan një çmim.

Si i shihni problemet e barazisë gjinore? Cilët janë përkrahësit dhe cilët janë kundërshtarët?

Lufta midis grave është e ashpër. E them këtë nga pozita e një gruaje që ka jetuar gjatë në strukturat e një partie. Kur u bëra kryetare e gruas e kam gjetur forumin me 12 gra dhe e kam lënë me 280 gra. Në kohën që u zgjodha kryetare u kam thënë grave, dua që secila prej jush të ndihet kryetare, sepse është e tillë, por struktura do që të njohi vetëm një si të tillë. Unë kam dhënë dorëheqjen si kryetare e gruas, aty kam mësuar se dorëheqja shihet si dobësi, jo si mesazh. Për mua nuk ka sens të jesh femër e të mos mbështesësh femrën.
Nuk mund të lë pa përmendur se po të mos ishte trajnimi i OSBE unë do kisha hequr dorë nga politika, sepse nuk imagjinoja dot konjukturat. Fatkeqësisht ne na mungojnë njerëzit që e bëjnë punën me përkushtim, prandaj unë këmbëngul që profesionistit duhet ti lëmë hapësirë. Kundërsharët e femrave janë atë që i përkrahin për ti përdorur politikisht gratë. Mjafton të shohësh fenomenin e 30 përqindëshit, gratë e ingranuara janë të detyruara të bëjnë ashtu si u thotë kryetari i partisë, kush del nga shinat aneksohet.

Si e shihnin zhvillimin e Shqipërisë në katër vitet e ardhme? Çfarë sfidash ka përballë Shqipëria, avantazhet dhe disavantazhet?

Ne si popull më duket se jemi të destinuar të vazhdojmë të shpresojmë. Unë mora pjesë në një projekt të IDRA dhe do të të përgjigjem me përgjigjen që më dha mua një djalë gjatë plotësimit të pyetësorit, kur i thashë si e shihte të ardhmen ai mu përgjigj “shumë më të mirë, se më keq nuk ka se ku të shkojë”. Pra jemi në pikën zero. Sfidat e Shqipërisë janë që ne të kemi kryeministren grua dhe në zgjedhje të shkojmë me lista të hapura, pra që partitë përkatëse të vendosin disa emra dhe populli të zgjedh vetë mes tyre.
Nëse kjo arrihet atëherë mund të them që kemi hyrë në rrugë të mbarë. Nuk ka pse të jetë deputet ai që ka një grusht para dhe blen votën. Një politikan i mirë nuk është ai që flet bukur, por ai që vepron bukur. Shqipëria ka shumë sfida përpara, në to ndikojnë dhe krizat globale që duam nuk duam na përfshijnë, po ashtu në aspektin ndërkombëtar unë shoh shumë pabesi përballë Shqipërisë, aq sa ndonjëherë kam bindjen që jemi shitur me kohë, por nuk e dimë. Në një bisedë me një burrë në moshë ai më tha se ne si komb shitemi shumë lirë, nuk dua ta pranoj, por kjo është e vërtetë. Sfida më e madhe është bashkimi i faktorit politik, sepse qëllimi duhet të jetë i përbashkët. Kjo nuk është luftë, këtu flasim për ide, idetë e një pale do trumfojnë mbi palën tjetër, po kjo nuk do të thotë ti mbajmë armët në shënjestër. Kjo është konkurrenca, duhet ti japësh dorën rivalit në fund të garës jo të vazhdohet me armiqësi të përjetshme. Gjatë kohës që u mora më një projekt kam shkuar në një fshat shumë pranë Lezhës, quhet Malecaj, edhe vetë jam habitur sa pranë dhe sa larg ndodhej ai fshat.
Mjerimi ishte i tejskajshëm, ujë nuk kishte, funizoheshin me bote, lanin rrobat me dorë, jetonin në kushte ekstreme, po kur i pyesje si e përcaktonin ata vetë nivelin e jetesës të përgjigjeshin mesatar, pikërisht për këtë duhet të luftojë politika, që popullsia e këtij vendi (Shqipërisë) të mos jetë aq e varfër dhe e paditur, sa as mos të arrij të kuptoj që jeton në kushte mjerimi.

Çfarë ke më përzemër në aspektin politik apo social? Diçka që të preokupon seriozisht?

Ajo që më preokupon seriozisht është barazia gjinore, kjo është edhe arsyeja që jam futur në politikë. Ne gratë jemi të persekutuara në raportin burrë-grua, ndoshta në thelb ky është edhe faji ynë si femra, edukimi brez pas brezi i nënave për fëmijët dhe i burrave për gratë duke e parë femrën pas djalit. Aq e theksuar është kjo sa në Shqipëri kur lind djalë bëhet festë, kur lind vajzë familjarët mërziten. Unë jam një njeri i lirë, për mua ka dy lloj lirish, liria për të qënë i lirë, për tu ndjerë si i tillë dhe liria për të bërë gjithshka. Mua më pëlqen që femrat të jenë të lira. Unë kam vuajtur gjatë viteve të gjimnazit paragjykimin e nënës sime e cila më jepte gjithmonë me vete vëllain e vogël, në atë kohë më vriste mosbesimi i saj, sot e mirëkuptoj sepse njoh më mirë mentalitetin ku ishte rritur ajo vetë. Kjo gjë nuk dua të vazhdoj të ndodh më. Mendoj që femrat duhet ta nisin nga vetja për të ndryshuar këtë gjë. Jam gjithashtu që në lista të mos jemi më 30 përqind po 50 me 50-të.

Keni ndonjë femër apo mashkull që ka qënë burim frymëzimi në jetën tuaj?

Ng femrat më ka pëlqyer gjithmonë Hillary Clinton, më pëlqen gjithashtu edhe Merkel shumë, por nuk më pëlqen tek ajo stili i saj burrëror, do doja të shihja femrën në figurën e saj. Tek Eglantina Gjermeni kam parë diçka të brishtë, diçka femërore. Ndërsa Ermelinda Meksin e kam përzemër për atë që përfaqëson, për aftësitë e saj, do doja ta shihja kryeministre. Megjithatë mendoj që burrat shohin larg, ndërsa femra sheh afër dhe kupton shpejt, kjo ndoshta i bën femrat e zonja të jenë të mënjanuara në politikën aktive.
Nga burrat vlerësoj shumë Pandeli Majkon, mënyrën sesi ai bën politikanin, jo agresiv, jo i ashpër, jo inatçi, një kryeministër i denjë. Kam një njeri në familje që e adhuroj, ai është im vjehërr. Ai ka qënë një shok për mua, një njeri që më ka ndihmuar dhe përkrahur për çdo gjë në jetë. I kujdeshëm, i sjellshëm, një zotëri i vërtetë. Unë jam fejuar 18 vjeç, familja ime ngurronte se kishte frikë që mbetesha pa arsim të lartë, im vjehërr më ka dërguar në shkollë të lartë, prej tij e kam arsimin. Edhe tani kur unë vonohem e hyj në shtëpi e im shoq më pyet pse u vonova, përgjigjen ja jep ai duke i thënë se ka pasur punë prandaj është vonuar. Njerëz të tillë është fat ti kesh në jetë!

OSCE Logo
Fuqizimi i Grave Ne Politike


Tags: , , ,



Irena Shabani
Is an Albanian freelance journalist and human rights activist specialising in investigative journalism. She co-founded Panorama, the leading newspaper in Albania, where she served as managing editor from 2002 to 2003. Prior to Panorama she was a journalist at Shekulli and Gazeta Shqiptare and has been part of the Albanian Human Rights Group from its beginning. She has collaborated on programmes for the International Research and Exchanges Board, investigating topics involving crime and political corruption and continues to collaborates with foreign organisations and local media focused on social problems and minority rights.




Previous Post

Pa Pengje

Next Post

Albania Will Succeed When A Woman Will Become The Prime Minister





You might also like

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.


More Story

Pa Pengje

Mjaftohu me ikjen, me një këngë të vjetër në radion e gjymtuar, me dy sy që nuk të ndjekin nga pas... Mjaftohu...

June 24, 2014