Stjuardesa

Në fluturim me Majlën

Ndonjëherë, kur je në shërbim të pasagjerëve në avion, duhet të buzëqeshësh shumë, sidomos kur ka turbulence apo ndonjë avari të vogël

|

Padyshim, disa njerëz të mbeten gjatë në mendje. Ndonjëherë për sjelljen e tyre, ndonjëherë për ndonjë tipar të veçantë në portret, ndonjëherë për gjestet apo për faktin se ata ishin te të parët. Majlinda Hoxha (por të gjithë e njohin me emrin Majla), stjuardesë tek Albanian Airlines, është një ndër të parat e kësaj linje fluturimi. Ajo punon në këtë kompani që prej vitit 1995. Kur e nisi këtë punë, nuk ishte as e sigurt, as e përgatitur se jeta e saj do të kalonte në ajër për më shumë se 16 vjet. Në qiell, po aq lart sa ëndrrat!  

Majla ka një të kaluar interesante, që fillon me punën e saj në Televizionin Shqiptar. Ishte prezantuese e emisioneve të rinisë në atë kohë, kur qindra të rinj ëndërronin të shkelnin brenda atyre mjediseve. Majla u përzgjodh në mënyrë rastësore nga një grup profesionistësh, të cilët “gjuanin” mes studentëve për imazhe të reja për televizionin. Në atë kohë ajo ishte studente në Fakultetin e Filozofisë. Nga viti 1982 deri në vitin 1986 punoi si gazetare në Televizionin Shqiptar. Pas diplomimit u mbajt pedagoge e filozofisë, ku punoi deri në vitin 1990, kohë kur u mbyll katedra. Më pas, jeta e saj do të hynte në një tjetër rrjedhë, në atë të krijimit të familjes dhe të marrjes me biznesin familjar. Rastësia bëri që në vitin 1995, gjatë një bisede, ajo të mësonte për intervistat që po bënte Albanian Airlines për stjuardesa. Kur aplikoi, Majla u pranua si stjuardesë, ndonëse kishte në plan të kërkonte një punë tjetër, që nuk kishte lidhje me ajrin. Kështu filloi karriera e saj e gjatë në bordin e avionëve. “Ishte mbresëlënëse,- tregon Majla, duke buzëqeshur.- Në fillim ishin trajnimet, ndërsa më pas duhej ta zotëroje vetë situatën, duke e praktikuar pa praninë e trajnuesve, të cilët deri në atë moment kishin qenë një ndihmë e madhe për gjithë stjuartët.”


Sfidat e një buzëqeshjeje

 Ndonjëherë, kur je në shërbim të pasagjerëve në avion, duhet të buzëqeshësh shumë, sidomos kur ka turbulence apo ndonjë avari të vogël. Majla këtë “sekret” e ka mësuar me kohë. Ajo lëshon mbi pasagjerët buzëqeshjen e saj rrezatuese, duke dashur t’u japë zemër të gjithëve. Sekretet e stjuardesave të suksesshme mbeten te zëri i tyre, te lëvizjet pa panik dhe te pamja e jashtme që të ofron siguri. Aktualisht, Majla punon si shefe kabine për Albaninan Airlines dhe njëkohësisht është instruktore për stjuardesat e reja, numri i të cilave vjen gjithmonë në rritje, duke qenë se flota e Albanian Airlines është në rritje.  

Në ajër Majla ka njohur mikesha të mira, ka njohur njerëz të ndryshëm. Ka mësuar prej zonjave të vjetra, ka parë edhe tendencat e fundit të modës. Për Majlinda Hoxhën fluturimi është jeta e saj. Ajo e di se një ditë do të punojë në tokë, por gjithmonë do ta ndjejë që shpirti i saj do të ngjitet lart, sa herë që ndonjë avion me logon e saj të zemrës do të niset për fluturim…

24 Orë Nga Jeta E Stambollit

Ditën Mëngjesi në hotel është i këndshëm, atmosfera e restorantit është e ngrohtë e familjare edhe pse të gjithë klientët nuk njihen me njëri-tjetrin e...

Kozetat E Vogla

Qershori në Shqipëri nis me një festë, me festën e fëmijëve. Ajo konceptohet si dita kur fëmijët janë "mbretër" nëpër familje dhe mbushen plot...

Burrat e “asgjësë”

Para disa javesh takova një burrë, nga këta burrat e shtetit, këta që i gënjen mendja që do bëjnë histori duke sjellë si kontribut...

Kombësia: Shqiptare!

Pasaporta ka qenë një nga dokumentet që më joshte më tepër kur isha fëmijë. Më dukej interesante çdo shkronjë...

Në Ajër Me Sky Magazine

Askush nuk e di se çfarë ka në mendjen e një njeriu kur ai udhëton mijëra kilometra mbi tokë....

Fëmijët, Emrat Dhe Të Tjera

Kjo ka qenë një kohë e bukur në kompani. Ka qenë e mbushur me femra në pritje për t’u...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here