Romët

Nga vijnë dhe ku shkojnë…

Nga legjendat, tek realiteti. Nga gjithë minoritetet që ka Shqipëria, numri më i madh i analfabetëve vjen nga radhët rome. Shoqatat e tyre sot janë forcuar disi, po jemi ende shumë larg nga arritja e një rezultati

|

Termi “Rom” është përzgjedhur në Kongresin e parë Botëror të Romëve në 1971 për të mbuluar një larmi grupesh të popullsisë, ku romët, sintitë dhe kaletë janë tre degët kryesore. Romët mbërritën në Evropë rredh shekullit të 11-të. Sipas të dhënave për ta, ata emigruan pas pushtimit mysliman të Indisë veri-perëndimore, rrugëtim që zgjati me shekuj, çka bëri që kjo popullsi të njihej në gjithë Evropën si popullsi endacake. Endje që në fakt nuk vijnë ashtu si thonë legjendat, për shkak të jetës së tyre të lirë e të vendosur buzë lumenjve duke kënduar, kërcyer e bërë aheng deri në orët e vona. Ata që kanë studiuar historinë rome pranojnë se kjo popullsi ishte vendosur kryesisht buzë lumenjve, por jo për të pasur qëllim argëtimin. Ata vendoseshin buzë ujrave me qëllim që të shfrytëzonin ujin për t’u larë e për të pirë. Arsyeja pse romët janë ngatërruar gjithmonë me egjyptianët ka të bëjë me zanafillën e njohjes së tyre nga popullsia evropiane. Romët janë shprehur në fillim se vinin prej Egjiptit të vogël çka i bëri të gjithë të besojnë që ata ishin e njëjta kombësi, referuar kjo ngjyrës së lëkurës dhe motivit të veshjeve, shumë të ngjashme me ato egjyptiane. Një prift i quajtur Valyi Ishtavan fashiti legjendën e prejardhjes egjyptiane, kur krahasoi të folurën e tyre me gjuhën e tre studentëve indianë. Romët në shekuj i kanë shoqëruar legjenda përbuzëse, çfarë ka bërë që popullsia vendase mos të afrohet e të zërë miqësi me këtë popull të quajtur endacak. Madje në shekujt e kaluar grekët i quanin romët “athiganos” që do të thotë të paprekshëm, kjo sepse gratë rome si një mënyrë për të përfituar pak ushqim apo ndonjë monedhë ushtronin fallin si një rrugë që i lidhte ata me perënditë. Veshjet e tyre në përgjithësi kanë ngjyra dhe lule, frutulla në fund të afutave tek fundet e fustaneve dhe benevrekë të gjatë. Ky motiv për fat të keq ka humbur në shekuj, gjë që e trishton edhe vetë popullin rom, por gratë rome sot shprehen që kjo ka qënë një mënyrë për t’u përshtatur me vendasit. Popullsia rome ka qënë e njohur për punimet e zejtarisë, thurjen e xunkthit dhe përpunimin e hekurit. Tradita këto të mira, por që aktualisht nuk para janë ruajtur, përjashto romët e qytetit të Elbasanit dhe atë të Korçës. Persekutimi i romëve ka ndodhur në shekuj, ata janë akuzuar si farkëtarët e gozhdëve që u ngulën mbi trupin e Krishtit. Persekutimi më i madh dhe shumë pak i njohur është ai gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në kampet e përqëndrimit shumë romë u përdorën për eksperimente makabre dhe më shumë se 600 mijë njerëz vdiqën në këto kampe.

Shqipëria dhe romët

Për ardhjen e romëve në Shqipëri ka disa të dhëna. Sipas një regjistrimi otoman, në vitin 1523 ishin 374 familje rome, ndërsa një autor italian jep kohën e vendosjes së popullsisë rome në Shqipëri në vitin 1635. Sipas censusit të vitit 2012 popullsia rome në Shqipëri zë 0.30 përqind të së tërës. Ky fakt nuk është i pranuar nga romët të cilët këmbëngulin që ata janë disa qindra mijë në numër. Romët në Shqipëri njihen me disa emra, në dialektin geg atyre u thërrasin gabel dhe magjyp, në jug u thërrasin gabel dhe arixhinj, në veri-lindje njihen me emrin katal, në dialektin korçar njihen si kurbatë ndërsa në Gjirokastër thirren me emrin e huazuar nga greqishtja, jifto. Në Shqipëri ka katër fise romësh të cilët dallohen prej tyre edhe nga dialektet e gjuhës; ata quhen kabullxhinj, meçkarë, çergarë dhe kartofë. Fiset dallohen prej njëri-tjetrit edhe për shkak të mënyrës sesi jetojnë, meçkarët janë fisi më i integruar dhe i japin prioritet shkollimit.

Shkollimi

Nga gjithë minoritetet që ka Shqipëria, numri më i madh i analfabetëve vjen nga radhët rome. Në ndryshim nga komuniteti i egjyptianëve të Shqipërisë, që edhe pse më të pakët në numër, kanë shumë më tepër të rinj të arsimuar, romët kanë gjithsej rreth 50 persona me arsim të lartë. Kjo mangësi në arsimim ka sjell mangësi edhe në punësim dhe shumë sektorë të tjerë të jetës. Sipas mësuesve arsimimi i fëmijëve romë është nga detyrat më të vështira, sepse mungon gjuha e komunikimit me prindërit, deri aty sa kur mësuesit dërgojnë letër që prindi të paraqitet në shkollë, prindi nuk di ta lexojë shënimin e mësueses. Por prindërit e fëmijëve romë shprehen se duhet të ketë diskriminim pozitiv për këta fëmijë, të tipit punë përgatitore apo punë jashtë klase, sepse shumica e tyre vijnë direkt nga rruga dhe mungesa e kopshtit i bën që të jenë më pak të përgatitur sesa fëmijët e tjerë. Nga ana tjetër problem i madh është mënyra sesi ata trajtohen nga fëmijët e tjerë që i përkasin etnisë shqiptare dhe nga prindërit e fëmijëve të cilët nuk duan që t’i ulin fëmijët në një bankë me ata romë. Kjo bën që jo shumë kohë pasi ka filluar viti shkollor, shumë prej tyre të fillojnë nga mungesat derisa ta braktisin shkollën. Edhe pse ka një ligj për arsimin e detyrueshëm deri në mbarim të ciklit 9-vjecar, që bën përgjegjës prindërit për mos-paraqitjen e këtyre fëmijëve në shkollë (deri në burgosjen e prindërve përgjegjës) kjo nuk është vënë kurrë në zbatim. Shumica e këtyre fëmijëve në mos në fillim, më vonë e lënë shkollën në klasë të gjashtë ose në fillimin e të shtatës, ata për fat të keq përdoren nga prindërit, ose më saktë shfrytëzohen, duke i nxjerrë në rrugë për të shitur. Në rastin kur fëmijët janë vajza ato mund të punojnë për familjen deri në moshën 14 vjecare dhe më pas mbyllen në shtepi, duke i konsideruar të rritura dhe shpeshherë të gatshme për t’u martuar.

Martesat

Martesat e romëve sidomos të vajzave bëhen në mosha të hershme. Edhe pse martohen dhe bëhen me fëmijë rreth të 16-ve, ata për shkak të ndalimit me ligj të martesave në moshë të mitur nuk figurojnë të martuara në gjëndjen civile. Ka pasur dhe raste kur fëmijët e lindur prej tyre janë rregjistruar si fëmijë të vjehrrës. Martesat rome kanë humbur traditën e tyre të hershme të organizimit të ahengut në oborret e shtëpive, ato si shumica e dasmave shqiptare bëhen në lokale, por elementi që ato ruajnë janë sazet. Një gjë e mbetur në disa fise rome është elementi i virgjërisë. Nëse dhëndri konstaton që gruaja e tij nuk është e virgjër, ajo kthet të hënën me ceremoni tek prindërit e saj.

Punët

Romët sot bëjnë punët më të rëndomta të shoqërisë shqiptare. Shumica e tyre ushqehen nga biznesi i riciklimit të plehrave. Mbledhja e kanaçeve, kartonëve dhe shisheve të qelqit i detyron ata që të kalojnë shumicën e kohës nëpër kazanët e plehrave. Është një numër shumë i vogël ai i punësuar në biznesin e shitjes së rrobave dhe sendeve të vjetra.

Gjuha

Ndoshta nëse romëve do t’u kishte ndodhur ai lloj asimilimi që ka ndodhur me egjyptianët e Shqipërisë as romët sot nuk do të ishin një minoritet. Por romët kudo ku kanë qenë, kanë ditur ta ruajnë me fanatizëm gjuhën e tyre. Pavarësisht se ata kanë katër dialekte ata merren vesh mes tyre shumë mirë. Sigurisht ndër shekuj gjuha e tyre është pasuruar me fjalë në varësi të zhvillimeve historike, fjalë që nuk janë njohur nga të parët e tyre si autostradë, kompjuter, bashki, zyrë etj… ata e kanë ruajtur gjuhën e tyre brez pas brezi, por sot ata kërkojnë nga shteti shqiptar që ai t’i ndihmojë me futjen e kësaj gjuhe në shkollë, në zonat ku ata janë më së shumti të përqëndruar. Kjo metodë është implementuar me sukses në Rumani ku me mijra fëmijë romë sot dinë ta shkruajnë gjuhën e tyre. Fatkeqësisht, edhe pse jemi në dhjetëvjeçarin e kulturës rome, duket se Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap para në ndihmë të kësaj kulture. Ka disa shembuj pozitiv që mbeten të paktë në numër, si rasti i emisionit “Na njihni pastaj na paragjykoni”, që shfaqet në një tv lokal në qytetin e Korçës, ku lajmet jepen në shqip dhe romisht. Ky emision ka qënë një ndihmë shumë e madhe për këtë komunitet dhe një hap i guximshëm drejt nismave të tilla. Megjithatë emergjente për këtë minoritet mbetet punësimi, sepse të dhënat e institucioneve ndërkombëtare tregojnë se kjo popullsi është dy herë më e varfër sesa popullsia shqiptare, shoqëruar kjo edhe me jo pak raste kur ata dëbohen apo u shkatërrohen banesat në zonat ku janë vendosur. Vetë shoqatat rome sot duket sikur janë forcuar dhe kanë krijuar edhe federatën e përbashkët që do të shërbejë si ombrellë për këto organizata. Duket se diçka ka filluar të lëvizë, por duke pasur parasysh kushtet mizerabël në të cilat kjo popullsi jeton, jemi ende shumë larg nga arritja e një rezultati…

Pse Burrat Dhunojnë Gratë. Historia E Njërës Prej Tyre

B.L. është 31 vjeç. 10 vitet e fundit të jetës nuk kanë qënë aspak si i kishte ëndërruar. Ajo u njoh me një djalë...

Në Fund

Mund të vish ti marrësh të gjithë shpresat e tua, kujtimet, dritën e një diellit të një stine tjetër…

Brenda Botës Së Timo Fllokos

Sa është fëmijë, çdokush ëndërron për famë; zakonisht fëmijët e mprehtë duan të bëhen aktorë . Timo Flloko nuk e dinte atëherë që do...

Mediat e minoriteteve

Mediat e minoriteteve deri më sot mund të konsiderohen eksperimentale. Edhe pse pas viteve ’90 minoritetet kanë bërë përpjekje...

Dhuna E Heshtur

Edhe pse vë buzën në gaz sa herë që kujtoj rrëfimin e një shoqes sime për një vogëlushe e...

Femrat “fytyra” e re e policisë

Dea Ricku të sjell në mend, sapo e takon, se do të kishte qenë më e përshtatshme si vajzë...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here