Sivjet, gjurmët e para bora i pati që në fund të tetorit. Bardhësia e saj bie më shumë në sy kur shtron nëpër male, si dhe në ato fshatra që kanë bërë një pakt me natyrën: atë të bashkëjetesës, pavarësisht luhatjeve të klimës. Vithkuqi është fshati që ka pranuar t’i bashkëngjitet natyrës, për t’u bërë njësh me të. Fshati ndodhet larg “rrëmujës dhe rrëmetit”, pikërisht 26 kilometra në juglindje të Korçës, 1 230 metra mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 195 kilometrash katrore dhe me një popullsi që nuk i kalon të njëmijë banorët. Vithkuqi në dimër është vendi që të ofron shtrojet e ngrohta e plot art, pranë oxhakut e zjarrit; mishin e tharë pastërma, turshitë speciale të zonës, të shoqëruara me raki kumbulle, si dhe netët e mbushura me tregime e legjenda, të asaj kohe që sot njihet me “…na ishte njëherë…”. Natyra e Vithkuqit është e virgjër; njeriu nuk e ka prekur as mjedisin, e as kafshët e tij. Pyjet e kësaj zone mbeten si një rezervat i madh për ujqërit, arinjtë, dhelprat, drerët, macet e egra dhe plot shpendë të egër. Madje, për t’u bërë njësh me natyrën, vithkuqarët në breza kanë përdorur veshje të leshta me motive shumë të bukura popullore. Gjithashtu, këta banorë janë të famshëm edhe për qilimat e tyre.

Ndërsa natyra i shoqëron me pyjet e larta, të përbëra nga ahu, pisha e nga lisat. Pikërisht aty ndodhet edhe një basen, që mbledh ujërat e lumit Osum. Po kështu, edhe liqeni i Gjançit, në të cilin rriten lloje të ndryshme peshqish. Fshati është i ftohtë në dimër e i freskët në verë. Aty mund të bësh një gjumë të ëmbël, me atë ajrin e pastër që t’i mbush mushkëritë; porse, kur është pranverë apo verë, ajri merr aromat e luleve, të tilla si ajo e blirit, e trëndafilave të egër, e dëllinjave, e luleve të basenit, të zhumbricave e luleve të shtogut, të cilat shërbejnë njëkohësisht edhe si bimë medicinale. Klima në Vithkuq vërtet është malore, por, falë pozicionit gjeografik, nuk është shumë e ashpër. Kjo klimë, jo vetëm që të çlodh, por ka edhe veti kurative. Vithkuqi gjithashtu është edhe një thesar historik. Aty ka shumë momente, ngjarje dhe figura historike, që i kalojnë përmasat e një fshati apo qyteti. Sot Vithkuqi përbëhet nga tri lagje: Grekasi, Saraqi dhe Dukasi. Aty ka edhe një shkollë të mesme, e cila mban emrin e patriotit Naum Veqilharxhi. Vithkuqi ka plot mjedise natyrore çlodhëse. Gjithashtu, ka hotele e restorante, në të cilat mund të kalosh moment argëtuese të paharrueshme. Vithkuqi nuk është ndonjë fshat i ndërtuar në ditët e sotme. Ky vend i ka rrënjët e tij në Ilirinë e lashtë. Edhe pse nuk njihet fort, për shkak të eksplorimit të paktë, ai daton si qendër e banuar nga periudha e parë e hekurit e deri në shekullin II para erës sonë. Dëshmi për këtë janë kalatë për të mbrojtur trevat e zonës, si ajo e Bellovodës, e Boshanjit dhe e Leshnjës, si dhe tumat e gjetura te lagjet e vjetra të Vithkuqit, si Qyran dhe Qyrshas. Në dokumente fshati përmendet si vendbanimi i principatës së Muzakajve, në shekullin XV, por ekziston një dokument i rëndësishëm, i cili vërteton se Vithkuqi ka qenë i banuar që në shek. XII, sepse në këtë kohë është ndërtuar Kisha e Shën Thanasit, që daton në vitin 1162. Ky fshat ka pasur ulje-ngritjet e tij përgjatë shekujve; në shekujt e 17-të e të 18-të ai pësoi tri prishje të mëdha, që e katandisën në një fshat me vetëm 13 shtëpi. Rreth vitit 1856, Vithkuqi e mori veten dhe u shfaq si një fshat me 150 shtëpi e me tri lagjet e sotme. Popullsia e Vithkuqit migroi brenda dhe jashtë vendit, duke formuar edhe fshatra me popullsi vithkuqare, si Mandrica në Bullgari dhe Lehova në Greqi. Ka shumë turistë që e preferojnë këtë fshat në verë, por gjithashtu ka po aq të tjerë që joshen prej këtij fshati në dimër, atëherë kur gjithçka e ka mbuluar dëbora; e të vetmet shenja jete janë ato të ndonjë lepuri, që bredh kuturu në kërkim të jetesës
