Ajo ka sy të qelqtë, të mbushur plot dritë, në ngjyrën e qiellit. Kushedi, përse Zoti i dhuroi një bukuri kaq të veçantë, për të cilën ajo do të bëhej e vetëdijshme më vonë! Mirëpo, Zoti me siguri ka pasur mjaftueshëm kohë të lirë se, veç bukurisë së saj karakteristike, shoqëruar me kaçurrelat e verdha të ngritura lart, i dha asaj edhe një zë të veçantë. Tingulli i zërit të saj të jehon në vesh, edhe në qoftë se e ke dëgjuar vetëm një herë. Ajo quhet Margarita Xhepa.
Në skenë
Margarita numëron mbi 200 role në repertorin e saj. Ka qenë mbretëreshë, ka qenë varfanjake, ka qenë nënë, ka qenë gjyshe, ka qenë dashnore, por, gjithashtu, ka qenë edhe punëtore. Me vëzhgimin e saj, mënyrën se si i sheh të tjerët, se si mbledh detaje, qëndrime e lëvizje duarsh ajo tregon se nuk do të ndalë kurrë, për sa kohë që jeta t’i japë fuqi dhe memorie. Me kalimin e viteve, këto cilësi nuk i kanë ndryshuar aspak. Asaj i pëlqen të flasë për filmin, për teatrin, për mënyrën se si do të punojë. Margarita është një grua e karakterizuar nga sjelljet e buta, e dëshiruar për të lënë mënjanë çdo grindje apo keqkuptim. Kjo e ka bërë që ta duan të gjithë. Në teatër, atje ku ajo shkon më shpesh se kudo tjetër, ndihet si në shtëpi. E njeh prej disa dhjetëvjeçarësh atë ambient, e do, e sheh plot ngrohtësi, sikur së bashku ndajnë sekrete.
Për Margaritën, shpërblimi më i madh janë fëmijët dhe nipërit dhe mbesat. Aty ajo ndihet e plotësuar. Nipërit dhe mbesat i duken si dhuratë e jetës.
Nëna e të gjithëve
Margarita Xhepa ka luajtur shumë role nënash gjatë karrierës së saj. Nëna, me siguri i jep asaj tjetër forcë. Ajo të bind me mënyrën se si të sheh, se si të këshillon apo se si të flet. E pyetur nga Sky magazine, se si ka qenë roli i saj në jetë si nënë, ajo të përgjigjet: “Unë jam nëna e tre djemve. Ka qenë shumë e vështirë të ishe edhe në punë, edhe të rrisje fëmijë. Por unë besoj se ia kam dalë mbanë kësaj detyre”. Për Margaritën, shpërblimi më i madh janë fëmijët dhe nipërit dhe mbesat. Aty ajo ndihet e plotësuar. Nipërit dhe mbesat i duken si dhuratë e jetës. Tek ata ajo gjen oazin e qetësisë dhe të mirësisë. Jeta e saj aktuale shkon mes teatrit dhe shtëpisë. Roli i mbretëreshës ishte ndër të fundit. Sot ajo, në fakt, është mbretëreshë jo për shkak të numrit të madh të titujve dhe çmimeve që ka marrë gjatë jetës, por sepse përvoja e saj si aktore është një pasuri që nuk ka të çmuar. “Tani, – thotë Margarita, – unë e shoh që rolet për moshën time janë shumë të pakta, sepse kërkohen vajza të reja. Por mua më pëlqen të jem në skenë edhe me rolet e vogla, sepse nuk dua të shkëputem nga skena.” Margarita di përmendësh një mori vargjesh. Nuk heq dorë kurrë nga poezia; lexon pa fund poetë shqiptarë apo të huaj; shkon nëpër aktivitete të poezisë edhe nëpër botë, pasi i pëlqen të recitojë. E josh magjia e poezive, figurat letrare, metaforat, nëntekstet…
Udhëtimet
Margarita Xhepa tregon një anë tjetër të saj, faktin që i pëlqejnë udhëtimet. “Më pëlqen shumë kur fluturoj me avion, sepse më duket sikur jam më afër Zotit“,- tregon aktorja. Për të ndjesia e fluturimit me avion i jep përshtypjen sikur është zog. Udhëtimet e tilla e bëjnë të ndihet më afër qiellit, sepse ajo jetën e saj e sheh si një fluturim paksa të çuditshëm, fluturim nëpërmjet flatrave të artit. Margarita ndihet mirë që në ditët tona avioni nuk është më luks. Ai është një mjet fluturimi që të afron kurdoherë e më shumë me të afërmit që ndodhen larg. Padyshim, Margarita është një zonjë e nderuar. Ka ditur ta formojë zonjën brenda vetes së saj. Ka punuar shumë për të ndërtuar identitetin e vet artistik dhe shoqëror; dhe kjo me siguri ka nisur shumë herët, shumë kohë më parë se ajo të bënte aktoren. Që atëherë kur ishte fëmijë e ecte këmbëzbathur në rrugët e Lushnjës, duke u kujdesur për vëllezërit dhe motrat më të vegjël, pasi e ëma i la jetimë…. Kur ishte ende fëmijë, Margarita recitoi një vjershë të shkrimtarit Aleks Çaçi. Kjo ishe përballja e saj e parë me publikun. Vite më vonë do të interpretonte Ledi Milfordin; do të interpretonte Zyrakën dhe pjesë të tjera të famshme botërore. Kishte diksion të mirë. Këtë ia kishin pikasur para se ajo vetë të zbulonte se sa e talentuar ishte…
Tokë e përgjakur
Gjatë xhirimeve të filmit, në pjesën ku personazhi Miti vritet, Margarita nuk e ndërpret interpretimin, edhe pse dëgjon se mbaroi kaseta ku po xhirohej. Ajo vazhdoi të interpretonte, derisa u rivendos kaseta tjetër. Ndërkohë që dy banorë të zonës u afruan të tmerruar, duke besuar se aktorin vërtet e kishin vrarë.
Pylli i lirisë
Gjatë kohës kur Margarita po afrohej këmbëzbathur për të parë shtëpinë që po i digjej, sepse kishte dy djem partizanë, çahet në këmbë nga një copë xhami. Nuk e ndërpret interpretimin, edhe pse aty ku shkelte linte gjurmë gjaku.
Dimri i fundit
Ky film është xhiruar në fshatin Dardhë të Korçës, në kushte mjaft të vështira. Margarita tregon se në atë film nuk kanë marrë dieta të diferencuara nga punëtorët dhe ndihmësit e tjerë të filmit, pasi të gjithë duhej të trajtoheshin njëlloj. Xhironim në mal, kur bora ishte deri në 4 metër trashësi, tregon artistja. Duart na ngrinin nga të ftohtit dhe kur dora arrinte të ngrohej, na dhembnin thonjtë. Padyshim, shton Margarita, që Dimri i fundit është një film i madh, sepse vetë subjekti i tij është i bukur. Një grup grash që japin ndihmën e tyre për një çerdhe partizanësh, e cila ishte pa ushqim dhe rroba, sepse ishte izoluar nga gjermanët. Këtë film, thotë artistja jonë, e kemi luajtur me mjaft dashuri, pasi edhe në jetën reale ne do të silleshim njëlloj: do të sakrifikonim për ata njerëz.
