Roland Tasho nuk është thjesht fotograf. Ai është një dëshmitar i së tashmes, së shkuarës, së ardhmes, dëshmitar nga ata që nuk e retushojnë historinë, e lënë të shfaqet ashtu siç është në të vërtetë. E dokumenton atë me fotografi.
Aq i dhënë është ai pas kësaj pune, sa di të ruajë çdo gjë. Me këtë shpjegohet fakti që ai ka mbi 900 mijë shkrepje përgjatë 30 viteve pune. Roland Tasho e ka filluar punën si fotograf në vitin 1982 pranë foto “Natyra“, e cila varej nga Ministria Komunale. Më pas ai punoi pranë laboratorit “Enver Hoxha“, gjatë ndërtimit të Piramidës për ish-udhëheqësin e shtetit shqiptar, të cilësuar pas vdekjes si diktator. Prej asaj kohe ai sot ruan një arkiv të veçantë fotosh në çdo repart të Piramidës së asaj kohe. Ndërkohë që e ardhmja e kësaj ndërtese është në dilemë, nëse do të prishet apo do të ruhet, ndonëse prej më shumë se dy dekadash ajo i është shmangur qëllimit të ndërtimit, Tasho ka të arkivuar të shkuarën e saj, sepse, në mos sot, ca breza më vonë do ta kenë të nevojshme ta dinë si ka qenë ajo. Nga viti 1988 deri në vitin 1992 ai vazhdoi punë te revista “Ylli“, derisa ajo u mbyll.
Vitet e ndryshimit
Në arkivin e tij ka foto nga të gjitha llojet. Nëse e keni harruar radhën e vajgurit, të mishit, të qumështit dhe një sërë radhësh të tjera, që sot as nuk konceptohen, ato ama kanë ekzistuar: janë aty në foto, shoqëruar me koloritin e veshjeve modeste të shqiptarëve të asaj periudhe. Po kështu Tasho ruan foto nga rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës, çaste kur turma tërhiqte zvarrë nëpër bulevard kokën e mermertë të varur nëpër litarët e trashë me të cilët e rrëzuan. Ka foto të tjera nga mitingjet, popull të papaguar të mbledhur në shesh, ashtu siç rëndom ndodh në këto kohë, në demonstratat apo në protestat e udhëhequra nga opozita, njëra apo tjetra palë sipas rotacionit të momentit. Pas viteve 90 erdhën ekspozitat e para. Në Itali Tasho ka shfaqur më shumë se 15 ekspozita personale; pesë herë ka hapur ekspozitë në Francë, dy herë në Gjermani e kështu me radhë në Austri, Hungari, Greqi e në shumë vende të tjera, pa përmendur këtu ekspozitat në shumë qytete shqiptare. Ai ka punuar gjatë viteve të para të pluralizmit si fotoreporter për disa nga mediet më të rëndësishme të asaj kohe, përvojë kjo që ia pasuroi arkivin dhe e përsosi artistikisht fotografinë e tij. Pas njërës prej ekspozitave të tij personale në Francë, në vitin 1997, ai fitoi një bursë për një kurs tremujor specializimi në Cité Internationale des Arts, Paris, përvojë kjo që i shërbeu shumë. “Po nuk pate një përvojë franceze, nuk arrin ta kuptosh profesionin tënd”,shprehet Tasho. Prej disa vjetësh ai funksionon si fotograf i lirë dhe punon me projekte me organizatat e huaja që operojnë në Shqipëri. Roland Tasho ka disa vjet që po merret me një projekt të ideuar prej tij, me albume fotografie të shqiptarëve të suksesshëm nëpër botë. Ai ka realizuar kështu disa albume, atë me shqiptarët e suksesshëm në Itali, në Zvicër, Amerikë dhe së fundmi në Francë. Pyetjes se përse ai ka zgjedhur të realizojë albume të tilla, ai i përgjigjet: “Sepse ne shqiptarët nuk jemi ashtu si na paraqesin, femra prostituta dhe meshkuj kriminelë”. Dhe, në fakt, po të shohësh albumet e tij syri të ndalet në dhjetëra emra, të cilët sot mund të vlerësohen pa frikë si qytetarë të botës, por me rrënjët e tyre tërësisht shqiptare.
Projekte
Roland Tashos i pëlqen të fotografojë portrete, por i pëlqen gjithashtu të fotografojë natyrën. Ai sapo ka mbyllur një cikël fotografish në Ersekë. Ndërkohë që merret me punët e tij të përditshme, ai vazhdon të punojë me një projekt të vjetër, me të cilin, në fakt, është i lidhur prej 10 vjetësh: të fotografojë persona të rëndësishëm të politikës botërore apo të asaj artistike të veshur me kostume shqiptare. Ky projekt, veç përkushtimit të madh personal, kërkon një zotim të mirë financiar, por që Tashon nuk e tremb. Ai e ka mësuar mirë gjatë këtyre viteve se për të realizuar gjëra të bukura gjenden gjithmonë përkrahës.
