Fjodi Sinanaj

Jeta në sytë e një adoleshenteje

Nuk e privoj veten nga ëndrrat që dua të realizoj

|

Fjodi Sinanaj, nëse do ta kërkoje ta gjeje mes të tjerëve në oborrin e shkollës, ndoshta nuk do ta dalloje menjëherë, kjo për shkak të trupit të saj të hajthshëm dhe veshjes sportive ku nuk dallohet asnjë element për të rënë në sy. Matanë pamjes së parë të saj fshihet një 18-vjeçare me buzëqeshjen e saj rrezatuese dhe me një thes plot ëndrra për të ardhmen dhe jetën. Fjodi vazhdon vitin e fundit në gjimnazin “Partizani”. Ajo është gjithashtu një kampione e dansit sportiv dhe drejtuese e këtij aktiviteti për shkollën e saj. “Unë dua t’u them moshatarëve të mi, – shprehet Fjodi, – që të punojnë shumë për realizimin e ëndrrave të tyre dhe të mos e shohin të ardhmen me pesimizëm.” Si një kampione, ajo i këshillon moshatarët e saj që të merren me një sport dhe të mos ngujohen nëpër kafene. Për të nuk ka rëndësi se çfarë sporti zgjedhin, mjafton që të mos e shtyjnë jetën me biseda monotone. Fjodi ka 16 vjet që merret me dans sportiv. Ajo është pjesë e Federatës Shqiptare të Dansit Sportiv dhe ka marrë pjesë në gara kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo ka filluar të garojë që në moshën 6-vjeçare për herë të parë në Mal të Zi, ndërsa ka filluar të kërcej që në moshën 2 vjeç. “Unë nuk mund të them që ishte pasioni im, sepse unë nuk mund ta njihja veten dy vjeç. Ky pasion ka qenë i mamit tim. Federata e dansit sportiv në Shqipëri u hap në vitin 1998. Unë jam shumë e lumtur për arritjet e mia, sepse karriera ime nisi në një vend disi problematik, por në sport dhe në art nuk ka pengesë që nuk kapërcehet. Unë arrita të fitoj vendin e parë dhe kështu vazhdoi karriera me shumë punë dhe trajnime,” – shprehet Fjodi.

Si ka qenë marrëdhënia jote me prindërit gjatë këtyre viteve? Ka pasur rebelime nga ana jote dhe për çfarë kanë qenë ato? Për çfarë nuk bie dakord me prindërit?
“Unë jam shumë e lumtur sepse mami dhe babi im më kuptojnë. Kam dhe një motër më të madhe dhe në njëfarë mënyre prindërit e mi e kanë provuar eksperiencën e rritjes së një fëmije adoleshent tre vjet para meje. Do të thotë që etapat e adoleshencës i kanë kaluar në fillim me motrën. Kështu që kanë marrë edhe ata një lloj mësimi sesi duhet të sillen me një adoleshent. Megjithatë, unë kam një marrëdhënie shumë të mirë sepse nuk para kundërshtoj vendimet që prindërit japin, pasi shkoj shumë mirë me ta dhe ata janë të mirëkuptueshëm ndaj meje. Rebelime mund të kem për ndonjë dëshirë që nuk më plotësohet, por mund të them se gati-gati kam një marrëdhënie perfekte.”

Kush janë dëshirat që ata nuk të plotësojnë?
“Unë e kam shumë qejf shopping-un, i kam shumë qejf veshjet. Dua të paktën një herë në javë të shkoj në qendra tregtare të blej veshje të reja. Ndoshta pamundësia e kohës, sepse prindërit e mi janë të dy në punë. Im atë është inxhinier, por punon në biznes privat, ndërsa mami është instruktore kërcimi dhe oraret e tyre nuk përputhen, ndaj shoqërimi im në qendrat tregtare nuk është gjithmonë i mundur. Një dëshirë tjetër për të cilën mund të mos biem dakord është dëshira për të dalë me shoqërinë. Prindërit nuk është se nuk janë liberalë ndaj meje, por problemi qëndron te koha, te fakti që jam në maturë dhe ngarkesa e provimeve.”

Po marrëdhënia me shoqërinë?
“Preferoj të jem një njeri shumë social, sepse kam çfarë të jap dhe kam çfarë të marr. Jap me atë shprehjen ‘Shokun zgjidhe më të mirë se veten’. Kam shokë që u përkasin familjeve të mira. Më pëlqen të jem besnike në shoqëri dhe mundohem që gjithmonë të ndihmoj të tjerët kur kanë nevojë dhe të plotësoj kriteret për t’u quajtur një shoqe e denjë. Preferoj gjithashtu shoqërinë me djemtë, pasi në kohët e sotme vajzat mes tyre kanë shpesh xhelozi. Megjithatë, unë kam shoqe shumë të mira. Arsyeja që kam shumë shokë djem lidhet edhe me faktin që jam pjesë e dansit dhe jam rritur me rritur me ta.”

Çfarë shikon tek të rinjtë e brezit tënd që do të doje të ishte ndryshe?
“Do përmendja pa hezitim përdorimin e alkoolit, duhanit, lëndëve narkotike, mungesën e besnikërisë dhe fjalorin e shëmtuar. Këto fenomene, për mendimin tim, vijnë si pasojë e dëshirës për t’u dukur. Fakti që unë nuk i përdor këto, mendoj se vjen për shkak të edukimit tim familjar, faktit që jam femër dhe që merrem me sport. Kjo është arsyeja që nuk shoqërohem me të rinj të karakterizuar nga këto tipare. Moshatarët e mi tani janë 18 vjeç dhe nuk i ndalon as ligji për të konsumuar pije alkoolike. Më ka ndodhur që kam pasur miq që kanë filluar cigaren dhe jam shumë e lumtur që, në një mënyrë ose në një tjetër, kam ndikuar tek ata për të mos e bërë më këtë gjë.”

Je veshur në mënyrë sportive. Kështu shkon çdo ditë në shkollë?
“Unë jam tip sportiv nga njëra anë, por nga ana tjetër shkolla është një institucion serioz dhe nuk është ambient për të shkuar në mënyrë ekstravagante.”

Ka vajza të reja që vijnë në shkollë me taka të larta apo veshje provokuese?
“Ka, por jam shumë e lumtur që në shkollën tonë janë raste të rralla.”

Si është marrëdhënia me shkollën dhe stafin pedagogjik?
“Jam shumë e lumtur pasi kam gjetur një mbështetje të madhe nga stafi pedagogjik. Marrëdhënia mes nesh ka qenë shumë e mirë dhe më kanë mbështetur shumë. Ata më kanë besuar drejtimin e aktiviteteve të dansit sportiv për tre vitet që kam qenë pjesë e shkollës.”

Çfarë mendon për të ardhmen tënde?
“Unë kam shumë dëshira në jetë. Një ndër to është drejtësia. Megjithëse mund të jetë bërë pak klishe, mua nuk më pëlqen t’ia ndaloj gjërat vetes sepse diçka është e popullarizuar. Më pëlqen që edhe kur diçka është e populluar, unë ta bëj atë dhe ta bëj sa më mirë. Jam ambicioze dhe dua ta realizoj. Që kur kam qenë fëmijë kam pasur gjithmonë një sjellje mbrojtëse në drejtimin e asaj që është e drejtë. Në Shqipëri fjala ‘ligj’ duket sikur nuk ekziston, por unë dua të bëj që ajo të ekzistojë. Më pëlqen gjithashtu edhe gazetaria. Nuk mund të lë pa përmendur edhe dansin, për të cilin vazhdoj të punoj për t’u bërë trajnere kombëtare dhe ndërkombëtare dhe në fund gjyqtare, që është shkalla më e lartë.”

A ndikon politika në jetën e të rinjve?
“Ndikon. Të rinjtë janë pesimistë, diskutimet mes nesh janë për të ikur. Askush nuk e sheh të ardhmen këtu. Dhe kjo është zhgënjyese për vendin tonë, sepse të gjithë mendojnë që profesionet në Shqipëri nuk paguhen. Vihen re që shumë gjëra bëhen me mik. Askush nuk do të qëndrojë sepse mendon që mundi i tij nuk do të shpërblehet. Unë vetë nuk do të doja të ikja. Mendoj që edhe këtu mund të jetë shumë mirë për mua dhe familjen time. Por nuk di të them se çfarë do të zgjidhja nëse do të më jepej mundësia për të ikur jashtë. Personalisht nuk më pëlqen fare të merrem me politikë. Ajo që shoh unë është se ka politikanë të zotë të cilët nuk mendojnë të bëjnë mirë për vendin, por thjesht për veten e tyre. Vlerësoj shumë gratë në politikë. Më duket sikur janë më të mira se meshkujt dhe mendoj që kanë punuar shumë për të arritur atje ku janë.”

Po marrëdhënia e të rinjve me dashurinë si është?
“Marrëdhënia është e mirë. Ndoshta ne nuk e dimë mirë se çfarë është dashuria. Ajo që vë re është se ka shumë të rinj që krijojnë raporte pa pasur një ndjenjë të vërtetë në mes. Ndoshta edhe për shkak të ndikimit familjar, unë e shoh dashurinë si të shenjtë. Partneri zë po aq vend të rëndësishëm sa edhe familja. Mua më pëlqen të jem vetvetja gjithmonë, ndaj i zgjedh me kujdes njerëzit.”

Si është raporti yt me të tjerët?
“Unë jam shumë e kujdesshme me moshën e tretë. I respektoj shumë gjyshërit e mi. Ata më japin zemër për të ardhmen time. Më pëlqen të kem të bëj me çështjet sociale. Dua të shkoj edhe te azili i pleqve për të dhënë shfaqje. E kam bërë këtë në Shtëpinë e Fëmijës, ku kemi dhënë koncert dhe kemi shpërndarë dhurata. Thuhet se ata duhet të trajtohen si ne, por ata nuk janë si ne, sepse nuk i kanë prindërit. Kam pasur të bëj edhe me fëmijë autikë dhe dashuria që kam marrë prej tyre është shumë e madhe. Tani kam mbushur moshën për të dhënë mësim dhe u kam dhënë mësim fëmijëve autikë. Dashuria që ata shprehin është e jashtëzakonshme. Do doja të specializohesha për t’u marrë me fëmijë të tillë. Tani kam njohuri për mënyrën sesi duhet t’i trajtoj, por dashuria që marr prej tyre është aq e madhe sa e bën të pafuqishme atë që unë jap.”

Cila është këshilla më e rëndësishme që ke marrë?
“Një nga këshillat që vlerësoj më shumë është ajo për të mos ndryshuar kurrë, për të ndjekur ëndrrat e mia dhe për t’i realizuar ato. Vlerësoj këshillat e njerëzve me përvojë, por vlerësoj shumë edhe këshillat e moshatarëve të mi, të cilët më japin zemër kur ndodhem përballë një situate apo gare.”

Marrëdhënia “nënë–vajzë”, sa ndikon komunikimi

Silva Loka, psikologe në Institutin Shqiptar të Psikologjisë, e sheh komunikimin si urën më të fortë për një marrëdhënie të suksesshme nënë–vajzë.

“Ai është elementi më i rëndësishëm që prek dhe përcakton cilësinë e marrëdhënies prind–adoleshent. Do të ishte e udhës që komunikimi nënë–vajzë të kishte trajtat e një komunikimi të hapur, pa sekrete dhe pa ‘gjëra që do t’i marrësh vesh më vonë, kur të rritesh’. Komunikimi i hapur u krijon mundësi palëve të ndajnë përvojat dhe informacionin, duke bërë njëkohësisht edhe mbështetjen e njëra-tjetrës. Për shembull, vajzat dhe nënat kanë nevojë të ndajnë informacione për zhvillimin seksual të vajzave të reja. Vajzat kanë nevojë të jenë të parapërgatitura dhe nënat mund ta bëjnë këtë më mirë se askush tjetër. Edhe nënat kanë nevojë të jenë në të njëjtën vijë me njohuritë bashkëkohore që vajzat marrin nga teknologjia dhe shoqeria. Nëse ndajnë informacionin që zotërojnë, atëherë do të kenë mundësi të mbështesin njëra-tjetrën. Vetëm falë komunikimit të hapur, nënat dhe vajzat mund të jenë të vërteta dhe të zbulojnë se të dyja kanë frikë, pasiguri dhe nevojë për ndihmë.”

“Sekretet” E Ëmbla Të Përmetit

Efigjeni Rrapo fsheh poshtë rrobave të zeza trupin e fortë të një gruaje që ka jetuar gjatë dhe që nuk ka vendosur të plaket....

Kur Të Jesh Mërzitur Shumë

Tej derës ngjyrë kafe ndodhet një holl i bollshëm, i mobiluar me kolltukë të mëdhenj dhe i ujdisur me ornamente të punuara në dru....

Në dritëhijet e Leon Çikës

Mes pikturës dhe fotografisë Ai ka më shumë se 30 vjet që shkon vazhdimisht në Berat. Ai qytet e ka goditur në zemër, që herën...

2011

Në kokë kam ato mijëra urime të lexuara përgjatë jetës, në kartolinat e Vitit të Ri, pastaj të dëgjuar...

Korça E Traditave, Çfarë Ka Ndryshuar

Në Korçë si rrallëkund në Shqipëri, aroma e qytetarisë ndihet ende aq e fortë sa nuk të lejon të...

Biletat

Mbrëmë pamë një shfaqje spektakolare. Baleti Liqeni i Mjelmave nga Angjelin Preljocaj në Teatrin e Operas dhe Baletit. Mund...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here