Një fletë viti

2011

Do të doja të besoja se rruga jonë e mbarë ka nisur, pavarësisht se kalendari shënon 2011 dhe, pavarësisht se e ardhmja është e panjohur

|

Në kokë kam ato mijëra urime të lexuara përgjatë jetës, në kartolinat e Vitit të Ri, pastaj të dëgjuar në rrugë; e të tjerat, ato që nisen nëpërmjet postës elektronike, dhe ta mbushin adresën e e-mail-it plot me ngjyra dhe kuptime të pafundme gëzimi. Një Vit i Ri, si ky që po vjen, do të mbahet mend mirë. Në fakt, ky Vit i Ri për shqiptarët nuk ka ardhur ashtu si përherë, më 1 janar.

Ky vit ka nisur më 15 dhjetor, në orën 12:01, kur një grua shqiptare, me emrin e spikatur Sheqere, kapërceu kufirin e shoqëruar thjesht me një pasaportë. Quhet biometrike, por jam e sigurt që, pas ca kohësh, kjo fjalë do të arkivohet në kujtesën e shqiptarëve. Ky po, që quhet Viti i Ri! Kohë kur avionët tanë udhëtojnë plot me njerëz, të cilët duan të përshëndeten me botën; njerëz që ca kohë më parë nuk i njihnin hapësirat gjeografike të kontinentit plak.

Është një Vit i Ri i bukur! Kjo lloj atmosfere ndihet në ajër ngado. Është hapi ynë i parë i lirisë. Janë hapa të ngadalta, pas një periudhe të gjatë izolimi, por janë hapa të sigurta. Të formuloj një urim është mbase pak e vështirë, sepse urimi do të duhej të qe më i bukuri i urimeve dhe t’i përfshinte të gjitha. Në një vështirësi të tillë e kam më të lehtë të uroj thjesht: Një vit të suksesshëm për të gjithë! Më ka pëlqyer gjithmonë t’i shoh të gjithë të lumtur.

Është gjë e mirë, kur në fytyra lexon një paqe të ngrohtë, të shoqëruar me besim e me shpresë. Ndaj, realisht, nëpërmjet kësaj reviste, e cila e bredh botën së bashku me ju, e rrasur në ndonjë valixhe, së bashku me revista të linjave të tjera, ju uroj mbarësi të gjithëve! Në bilancin e një viti, me siguri që të gjithë kemi fitoret tona, humbjet tona dhe ato punët e mbetura pezull. Padyshim, jemi një vit më të rritur ose një vit më të vjetër.

Pavarësisht kohës që ikën, rëndësi ka kur ajo që ke jetuar ia ka vlejtur; kur ke realizuar veten dhe ke thithur ajër me gjithë fuqinë tënde; kur e ke parë veten tek ndihesh njeri më i mirë. Prandaj, në ketë Vit të Ri uroj gjithashtu të jeni të lumtur, kur dilni para pasqyrës suaj, kur e shihni veten pa pasur frikë se ai ose ajo që shihni përballë nuk ju pëlqen. Në një atmosferë të tillë, do të doja të besoja se rruga jonë e mbarë ka nisur, pavarësisht se kalendari shënon 2011 dhe, pavarësisht se e ardhmja është e panjohur. Me të gjitha të fshehtat e saj, jam e sigurt që ajo do të jetë shumë më e bukur se ajo që lamë pas…

Në dritëhijet e Leon Çikës

Mes pikturës dhe fotografisë Ai ka më shumë se 30 vjet që shkon vazhdimisht në Berat. Ai qytet e ka goditur në zemër, që herën...

“Si rashë në rrjetën e trafikut seksual”

25 vitet që mban mbi supe Viktoria (emri real i të intervistuarës është ndryshuar, për arsye sigurie) nuk do të binin fare në sy...

Shenjtëria E Imazhit Të Mirë

Gazetaria ka mbërritur tek unë shumë vite më parë, për t’u bërë pjesë e rëndësishme e jetës sime. Kam dashur t’i ofroj asaj më...

Pse Burrat Dhunojnë Gratë. Historia E Njërës Prej Tyre

B.L. është 31 vjeç. 10 vitet e fundit të jetës nuk kanë qënë aspak si i kishte ëndërruar. Ajo...

Kozetat E Vogla

Qershori në Shqipëri nis me një festë, me festën e fëmijëve. Ajo konceptohet si dita kur fëmijët janë "mbretër"...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here